ATV

Author: G.O.

  • Sot dita e fundit e gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve në Speciale para pushimit veror

    Sot dita e fundit e gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve në Speciale para pushimit veror

    Dita e sotme në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është e dita e fundit e gjykimit para se të fillojë pushimi veror.

    Sipas kalendarit të punës së Dhomave Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, pushimi veror fillon më 24 korrik, ndërsa seancat do të fillojnë më 14 gusht.

    Gjatë muajit gusht janë paraparë të mbahen shtatë seanca në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerët”, ndërsa në rastin “Shala’, do të mbahen pesë seanca.

    Ndryshe dje ka filluar të dëshmojë, dëshmitari i 15-të i ZPS-së i mbrojtur me kodin W04586, ai ka dëshmon për vdekjen e anëtarit të familjes së tij gjatë periudhës përkatëse.

    Dëshmitari dje ka dëshmuar përmes videolidhjes.

  • Lajçak e quan të dobishëm takimin me Vuçiqin

    Lajçak e quan të dobishëm takimin me Vuçiqin

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin ka thënë se janë dakorduar për rëndësinë që të ndërmerren hapa për depërshkallëizmin e situatës në veri të Kosovës.

    Këtë takim, diplomati sllovak e ka quajtur të dobishëm.

    “Kisha një takim të dobishëm me Aleksander Vuçiq, pas takimit të sotëm të kryenegociatorëve. Ne u dakorduam për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak, në Twitter./

  • Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie që i ka goditur disa vende të Ballkanit në pasditen e së mërkurës.

    Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë, një në Bled të Sllovenisë dhe një në Bërçko të Bosnje-Hercegovinës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Stuhia e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme i ka shkulur pemët, dhe e ka vështirësuar qarkullimin e makinave.

    Stuhia i ka përfshirë edhe qytetet serbe, Novi Sad dhe Beograd, por atje është raportuar vetëm për dëme materiale.

    Në Bosnje është raportuar se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në Zagreb është raportuar për tetë persona të plagosur.

    Në zonën e Samaçit, në veri të Bosnje – Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente, e ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era ka shkaktuar dëme të mëdha, ka raportuar Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.

    Në të njëjtën kohë, Aeroporti në Banja Llukë është mbyllur për qarkullim, pasi stuhia e ka dëmtuar çatinë e objektit.

    Lajmi për stuhinë vjen teksa bota po përballet me temperatura ekstreme në ditët e fundit.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    Me temperatura të larta është përballur edhe rajoni i Ballkanit.

  • Putin nuk do të marrë pjesë në samitin Briks

    Putin nuk do të marrë pjesë në samitin Briks

    Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në një samit që do të mbahet në Afrikën e Jugut, sipas presidencës së këtij shteti.

    Ky njoftim vjen pasi lideri i Afrikës së Jugut, ka thënë se çdo tentim për ta arrestuar Putinin nënkupton shpallje të luftës kundër Rusisë.

    Nëse Putin largohet nga toka ruse, ai është subjekt i arrestimit, për shkak të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

    Afrika e Jugut është pjesëtare e gjykatës dhe i kërkohet të ndihmojë në arrestim të Putinit.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do ta përfaqësojë shtetin e tij në samitin dyditor, ka thënë zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

    Vendimi për ta ftuar Putinin – i cili kërkohet për krime lufte në Ukrainë – në Afrikën e Jugut, ka nxitur diskutime të ashpra.

    Partia më e madhe opozitare në Afrikën e Jugut, Aleanca Demokratike, ka kërkuar nga gjykata që t’i detyrojë autoritetet që ta arrestojnë Putinin nëse ai shkel në territorin e shtetit.

    Dokumentet në gjykatë tregojnë se presidenti Ramaphosa ka qenë shumë kundër, duke thënë se përmes një veprimi të tillë kërcënohet siguria kombëtare.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka mohuar që Moska i ka thënë Afrikës së Jugut që arrestimi i presidentit të saj nënkupton akt lufte, mirëpo është e qartë për të gjithë, “çfarë do të thotë një shkelje e tillë kundër presidentit të shtetit rus”.

    Rusia e ka përshkruar vazhdimisht fletarrestimin si vendim ligjërisht të pavlefshëm, sepse shteti nuk është anëtar i gjykatës.

    Samiti i shteteve Briks – akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut – në gusht, shihet nga disa si alternativë ndaj samitit të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë – G7./REL/

  • Kurti: Edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve

    Kurti: Edhe një iniciativë e konkretizuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerëson se dorëzimi i instrumenteve për aderim shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP, si e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i ekzekutivit shprehet se sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

    “Çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë është një çështje aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Ky anëtarësim është edhe një iniciativë e konkretizuar, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”, shkroi Kurti.

    Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzuan instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në selinë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare në Hagë.

  • Mungon Sami Lushtaku dhe një i akuzuar tjetër, dështon gjykimi ku po akuzohen për krim të organizuar dhe vepra tjera penale

    Mungon Sami Lushtaku dhe një i akuzuar tjetër, dështon gjykimi ku po akuzohen për krim të organizuar dhe vepra tjera penale

    Në mungesë të akuzuarit Sami Lushtaku dhe Sheremet Jashari, të mërkurën ka dështuar sërish seanca, në rastin ku të njëjtit po akuzohen për krim të organizuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

    Në këtë rast së bashku me ta po akuzohen edhe Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Fatmir Mjaku, Bajram Dibrani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me mungesën e të akuzuarit Lushtaku, mbrojtësi i tij avokati Artan Qerkini tha se i njëjti mungon për shkaqe shëndetësore, dhe ia dorëzoi gjykatës raportet mjekësore.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Osman Mehmeti tha se e ka njoftuar të njëjtin për seancën e sotme, por që për shkak së masës të arrestit shtëpiak për një çështje tjetër penale dhe pa një urdhëresë të gjykatës për sjellje në gjykim, ai nuk ka mundur të prezantoj në seancë.

    Në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty ndërsa seanca statusore u caktua më 22 shtator 2023.

    Për shkak të mungesës së të akuzuarve Lushtaku dhe Mjeku kishte dështuar të mbahet edhe seanca e 5 qershorit të këtij viti.

    Për të akuzuarit e lartcekur: Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

    Për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

    Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “Pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

    Në këtë rast së bashku me të njëjtit ishin akuzuar edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka, Nexhib Shatri.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, në këtë seancë trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti kishin aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

    Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

    Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

    Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

    Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

    “Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

    Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”

    Tutje Emshrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi

    Prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marr shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

    Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

    Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

    Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

    Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

    Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

    Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

    Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria

    Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

  • Mbi 800 zjarre janë regjistruar në Evropë këtë vit

    Mbi 800 zjarre janë regjistruar në Evropë këtë vit

    E gjithë Evropa po përballet me një sezon veçanërisht të vështirë si pasojë e zjarreve, pasi temperaturat e rritura dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit po krijojnë kushte që favorizojnë përhapjen e zjarreve.

    Sipas të dhënave të fundit nga shërbimi satelitor evropian Copernicus, më shumë se 810 zjarre të mëdha pyjore, pra zjarre që shkaktuan shkatërrim në një sipërfaqe prej të paktën 300 hektarësh, janë regjistruar këtë vit në Bashkimin Europian.

    Kjo pasqyrohet gjithashtu në hartat “live” të Kopernikut, ku edhe nëse dikush zgjedh të shikojë shpërthimet e vetëm shtatë ditëve të fundit, do të shohë një numër mbresëlënës të madh zjarresh nga Ballkani dhe Italia në Gadishullin Iberik dhe zona të Europës veriore.

    Po aq shqetësuese për Evropën janë edhe parashikimet zyrtare të zonave të djegura në BE, pasi para se të arrijmë në dhjetëditëshin e fundit të korrikut dhe gushtit, vlerësohet se zonat e djegura tejkalojnë mesataren e mëparshme me rreth 90,000 hektarë.

    Në një tregues tjetër të rrezikut që duhet të përballojnë të gjitha vendet e Bashkimit, Franca dhe Spanja kanë regjistruar më shumë zjarre të mëdha këtë vit se mesatarja e 15 viteve të mëparshme.

    Konkretisht, në Francë midis viteve 2006 dhe 2022 janë regjistruar mesatarisht 72.3 zjarre të mëdha në vit, ndërsa këtë vit tashmë kanë shpërthyer 207.

    Rritja e zjarreve të mëdha dhe sfidat që kjo paraqet për çdo shtet të organizuar mund të jetë realiteti i ri, pasi Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin vlerëson se zjarret në pyje do të rriten me 30% globalisht deri në vitin 2030.

    Kjo vlen në një masë edhe më të madhe në rajonin e Mesdheut, ku ngrohja po përparon 20% më shpejt se mesatarja globale, sipas OKB-së.

  • Lajçak fton në takim trilateral në nivel të kryenegociatorëve

    Lajçak fton në takim trilateral në nivel të kryenegociatorëve

    Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka organizuar një takim në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

    Lajçak fillimisht takon kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, ndërsa me vonë do zhvillojë një takim të ngjashëm edhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

    Pas këtyre dy takimeve shpresohet të mbahet një takim i përbashkët, i ashtuquajtur trilateral ku do marrin pjesë Lajçak, Bislimi dhe Petkoviq.

    Fokus i takimit të sotëm do jetë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të arritur më 27 shkurt në Bruksel si dhe hapat drejt depërshkallëzimit në veri të vendit.

    Është ky takimi i parë pas trazirave në veri, i cili mbahet në dritë të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe BE-së, në lidhje me hapat e depërshkallëzimit. /rtk/

  • ​Azemi thirrje presidentes: Mos e dekretoni Ligjin e pagës minimale

    ​Azemi thirrje presidentes: Mos e dekretoni Ligjin e pagës minimale

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi i ka bërë thirrje sot presidentes Vjosa Osmani që mos ta dekretojë Ligjin e pagës minimale.

    Përmes një komunikate për media, janë dhënë arsyetime se përse nuk duhet të dektretohet Ligji për pagën minimale.

    “1. Nuk është përfill propozimi i KES gjegjësisht Neni 9 alineja 19

    2. Nuk është përfill vendimi i komisionit te grupit parlamentar per buxhet dhe

    financa, i cili i ka propozua Parlamentit të Kosovës, që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 eu, kurse për vitin 2024 të jetë 100 euro.

    3. Paga minimale është kosto e 4 anëtarëve të të punësuarit, e kjo pagë shpesh nuk e mbulon as vet punëtorin.

    4. Është paga më e ultë në rajon”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Më 13 qershor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për pagën minimale.

  • Temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë apelon për kujdes ndaj fëmijëve

    Temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë apelon për kujdes ndaj fëmijëve

    Ministria e Shëndetësisë ka apeluar për kujdes ndaj fëmijëve për shkak të temperaturave të larta në vend.

    Nga kjo ministri po bëjnë thirrje që foshnjat deri në gjashtë muaj të mos ekspozohen në diell, ndërsa te grupmoshat tjera të përdoret vazhdimisht kapela me strehë te gjerë.

    Rekomandohet që fëmijët të vishen me rroba të gjera dhe të lehta, t’iu ofrohet ujë vazhdimisht dhe të pastrohen rregullisht.

    Më poshtë gjeni këshillat e MSh-së:

    • Mos i ekspozoni në diell fëmijët e moshës 0 – 6 muaj;
    • Përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat;
    • Vishni me rroba të gjera dhe të lehta;
    • U jepni ujë rregullisht;
    •  Pastroni rregullisht.
    • Kujdesi ndaj fëmijëve gjatë qëndrimit në pishinë/det 
    • Aplikoni kremin kundër diellit çdo 2 – 3 orë, jo më pak se me faktor mbrojtës 20;
    • Në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte me faktor mbrojtës jo më pak se 50;
    • Mos i dërgoni në parkun e lodrave në intervalin kohor prej orës 10:00 – 17:00;
    • Fëmijët e vegjël duhet të mbikëqyren nga të rriturit, jo nga fëmijët më të mëdhenj sepse edhe ata janë të shtyrë për të luajtur dhe mund të shpërqendrohen lehtësisht.