ATV

Author: G.O.

  • Për tetë muaj Inspektorati Farmaceutik shqiptoi mbi 100 gjoba

    Për tetë muaj Inspektorati Farmaceutik shqiptoi mbi 100 gjoba

    Inspektorati Farmaceutik gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, ka realizuar 635 inspektime, ndërsa ka gjobitur 114 subjekte.

    Sipas njoftimit, në vazhdën e aksioneve kontrolluese janë gjobitur 54 subjekte që posedonin produkte të jashtëligjshme, ndërsa 43 raste kur gjatë kontrollit ka rezultuar se në farmacitë e ndryshme mungon farmacisti, siç është e përcaktuar me ligj.

    “Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, Inspektorati Farmaceutik ka ndërmarrë masa edhe ndaj 4 institucioneve shëndetësore private të cilat nuk ishin të licencuara. Ndaj të gjitha rasteve të cilat e kanë cenuar shëndetin publik janë ndërmarrë masat sipas autorizimeve ligjore. Ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia gjatë vizitës në Inspektoratin Shëndetësor bëri të ditur se nga muaji shtator, inspektorëve do t’u paguhen shtesat në vlerë të 250 eurove. Së shpejti do të shtohen edhe kapacitetet inspektuese dhe pas përfundimit të procedurave rekrutuese, numri i inspektorëve shëndetësorë do të shkojë në 37 nga 12 sa janë tani. Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe zbatimit të ligjit, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të sinjalizojnë kur hasin në veprimtari të dyshimta të institucioneve shëndetësore. Në dispozicion janë numrat kontaktues: Inspektorati Shëndetësor: 03820024154, Linja e ankesave: 080017777”, thuhet në njoftim.

  • Babai i viktimës që u vra vitin e kaluar në Ferizaj: Ma vrau të vetmin djalë, ma humbi krejt familjen

    Babai i viktimës që u vra vitin e kaluar në Ferizaj: Ma vrau të vetmin djalë, ma humbi krejt familjen

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në gjykimin ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, është dëgjuar babai i viktimës G.H., Vehbi Hyseni, i cili tha se i akuzuari ia ka vrarë të vetmin djalë.

    “Ma ka vra të vetmin djalë, ma ka humb krejt familjen. Ka qenë djali i vetëm, i kam 5 vajza, tha ai.

    Januzi po akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Hyseni rrëfeu se si e kishin kuptuar për vrasjen e të birit, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni se djali i tij kishte probleme me tani të akuzuarin.

    “Kam tentu me hy brenda, Policia nuk me kanë lejuar, aty kam vërejtë nipin tim Ramadan Sahiti që ishte i gjakosur. Djali i vëllaut m’ka marrë m’ka thanë eja shkojmë në shtëpi sepse G., e shohmi ma vonë në Spitalin e Prishtinës se janë tu e dërgu atje dhe ne jemi largu nga aty kemi hy në shpi. Pastaj, pas 10 minutave kanë ardhë mjekët te shtëpia, na kanë dhënë injeksione dhe aty kam kuptuar se është diçka tragjike, dhe brenda pak minutave kuptova se G., ka ndërruar jetë. Nga ai moment ne kemi qenë pothuajse pa vetëdije, sepse nuk kemi qenë në dijeni paraprakisht lidhur me problemet që kanë pasur djali im me Qëndrimin. Kjo për neve ka qenë pa paralajmërim i zënë në befasi, ne jemi njerëz kemi mund të kuptohemi, mirëpo ndodhi në mënyrë tinzare, ma ka humb krejt familjen, ma ka vra të vetmin djalë”, tha Hyseni.

    “Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë lidhur me ngritje të aktakuzës.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet”, thuhet tutje.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së,

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.

  • Agjencia e Kosovës për Forenzikë pranon pajisje të specializuara

    Agjencia e Kosovës për Forenzikë pranon pajisje të specializuara

    Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka pranuar një donacion të pajisjeve të specializuara nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, që do të shërbejnë në avancimin e ekzaminimeve forenzike dhe balistike.

    Kryeshefi i AFK-së, Blerim Olluri tha se këto pajisje do ta ndihmojnë institucionin që drejton në përmirësimin e shërbimeve të tyre.

    I kënaqur me këto pajisje u shpreh edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, tha se shpreson që këto pajisje të ndihmojnë AFK në avancimin e ekzaminimeve forenzike dhe balistike.

  • Paraqitet në Speciale dëshmitari i 24-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Paraqitet në Speciale dëshmitari i 24-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në seancën e të martës, ka filluar dëshmia e dëshmitarit të 24-të në këtë çështje (me kodin 4255).

    Dëshmia e këtij dëshmitari parashihet të zgjasë 3 ditë dhe atë 2 orë pyetje nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 12 orë kundër-pyetje nga ekipet mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Misheqit, ka kërkuar të diskutohen dy çështje pas pyetjes së gjykatësit Charles Smith nëse kanë pasur mundësi t’i shikojnë dokumentet dhe se për këtë është kaluar në seancë private.

    Seanca po vazhdon në sesion publik.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Begaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë i faktori shqiptar në rajon

    Begaj: Nevojitet koordinim më i ngushtë i faktori shqiptar në rajon

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë qëndrimit në Shkup, është takuar me përfaqësuesit e partive politike kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

    Takime u zhvilluan me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha, si dhe me figura të tjera të rëndësishme të politikës në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas një komunikate të Presidencës së Shqipërisë, Begaj u ndal te nevoja e koordinimit dhe e bashkëpunimit më të ngushtë mes faktorit shqiptar në rajon.

    “Kjo do të ishte në dobi më së pari të mirëqenies së shqiptarëve, e pa diskutim edhe në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik sa më shpejt, atë të integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftim.

  • Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur nga stuhia në Libi

    Mijëra persona dyshohet se kanë vdekur nga stuhia në Libi

    Mijëra persona besohet se kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në Libi.

    Lideri i Qeverisë në lindje të Libisë, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht, ka thënë se numri i vdekjeve mund të shkojë në 2.000, ndërsa mijëra njerëz tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Stuhia Daniel ka zbarkuar në Libi të dielën, duke i detyruar autoritetet që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

    Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Libisë janë zhdukur në operacionet e kërkim-shpëtimit.

    Zyrtarët në lindje kanë nisur të zbatojnë orë policore, ndërsa shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.

    Teksa numri i viktimave rritet, Kryqi i Kuq i Libisë ka thënë se të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar.

    Ndonëse administrata me bazë në Bengazi është marrë me situatën në lindje të shtetit, rivalja e saj, Qeveria e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në Tripoli, është përfshirë, po ashtu.

    Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, ka thënë se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i adresojnë dëmet pas përmbytjeve, derisa Zyra e Kombeve të Bashkuara në Libi, ka thënë se është duke e vëzhguar situatën nga afër.

    Libia është ndarë në dy administrata rivale prej vitit 2014, pas vrasjes së liderit Muammar Gaddafi, më 2011.

    Të dyja qeveritë i kanë shpallur tri ditë zie, për t’i nderuar viktimat e stuhisë Daniel.

    Shkencëtarët për klimën kanë tërhequr vërejtjen se ndryshimet klimatike nënkuptojnë më shumë sasi të ujit gjatë sezonit veror, çka mund të rezultojë me stuhi intensive./REL/

  • Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

    Ai ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Sllovenisë RTV SLO, një pjesë të shkurtër të të cilës e ka shpërndarë në ‘story’ në profilin e tij në Facebook.

    Kurti ka thënë se Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen dhe për këtë ka thënë se ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian.

    “Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen, kështu që ky bullizim i Beogradit është problem për vendin tonë, për çka kemi nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të BE’së”, tha Kurti.

  • Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd: Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi

    Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd: Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi

    Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

    Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së është platforma më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

    Ai i tha Radios Evropa e Lirë se të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm dhe se dhuna mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euroatlantike të rajonit, transmeton Klankosova.tv.

    “Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim hapat që institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë së fundi për zvogëlimin e numrit të policëve nëpër objektet komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale. Këto janë hapa në drejtimin e duhur që duhet të shoqërohen. nga de-përshkallëzimi shtesë”, tha Romano.

  • MAShTI: Do të pranohen 50 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Gjilan e Gjakovë

    MAShTI: Do të pranohen 50 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Gjilan e Gjakovë

    Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpallur konkurs për regjistrimin e kandidatëve të gjeneratës së gjashtë për nivelin e 5-të të kualifikimit “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore” në Gjilan dhe Gjakovë.

    Të përfshira do të jenë komunat Kamenicë, Viti, Novobërd, Rahovec, Deçan dhe Junik.Sipas njoftimit do të pranohen 50 kandidat, të cilët e kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë dhe janë më të vjetër se 18 vjeç.

    Më poshtë linku për detajet më të hollësishme të konkursit.

    https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/Konkursi-per-regjistrimin-e-kandidateve-per-asistente-2023-24-i-funditt.doc

  • E pazakontë: Një qen shihet duke ngrënë suxhuk brenda një marketi

    E pazakontë: Një qen shihet duke ngrënë suxhuk brenda një marketi

    Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në një market të Ferizajt.

    Në videon e publikuar nga “Ferizaj Media”, shihet një qen që është futur brenda frigoriferit të marketit, teksa ha suxhuk.

    Nuk dihet se për cilin market bëhet fjalë.