ATV

Author: G.O.

  • Borrell thotë se do të bisedojë së bashku me Osmanin dhe Vuçiqin në Granada

    Borrell thotë se do të bisedojë së bashku me Osmanin dhe Vuçiqin në Granada

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.

    I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrel tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës.”

    Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur, dhe është vrarë një zyrtar policor.

    Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

    Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.

    Aty marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.

    Më herët gjatë ditës ka pasur pritje nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiq të mund të takohen në margjina të këtij takimi.

    “Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.

    Një një takim të mbajtur më 3 tetor në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.

    Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë të mërkurën se SHBA-ja është duke tentuar të kuptojë më shumë për rastin, para se të vendosë për sanksione eventuale.

    “Mirëpo, është qëndrim i prerë i Qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për krimin e vrasjes së zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës. Ne duhet ta përfundojmë këtë proces, mirëpo do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar se përgjegjësit mbajnë përgjegjësi”.

    Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka mohuar pretendimin./REL

     

  • Bujqit ankohen për rritje të çmimit të naftës dhe cilësi të farës së grurit

    Bujqit ankohen për rritje të çmimit të naftës dhe cilësi të farës së grurit

    Rritja e çmimit të naftës në periudhën e mbjelljes së grurit si dhe cilësia e farës së grurit, janë shqetësimet e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ata vlerësojnë se shteti duhet të marrë masa ndërsa kritikojnë naftëtarët për rritje të çmimit pikërisht në këtë periudhë kur e dinë që kërkesa është në rritje.

    Kryetari i sindikatës, Tahir Tahiri, në një konferencë për media, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë që të merren masa ndaj bizneseve të cilat po ngrisin çmimin e naftës në kohën kur bujqve ju duhet më së shumti.

    Ai tha se problem tjetër te bujqit është thatësira e tokës,

    “Problemi numër një për neve është rritja e çmimit të naftës në prag të mbjelljeve vjeshtare atëherë kur bujqve ju duhet më së shumti nafta. Dhe naftëtarët e dinë se në këtë periudhë kanë shitjen më të madhe të naftës dhe në këtë moment po shfrytëzojnë ngritjen e çmimit të naftës., kur bujqit nuk kanë zgjidhje pa e përdorë naftën…Kemi kërkuar nga ministria e tregtisë publikisht që të marrin masa dhe të mos lejojnë që në këtë periudhë të ngritet çmimi naftës. Problemi tjetër është thatësia e madhe e cila po dominon në Kosovë dhe pjesa dërmuese nuk kanë mundur të bëjnë përgatitjen nuk mund të hyjnë në ara për të bërë lëvrimin, këtu fajtor është klima natyra por ne duhet të cekim si problem, një pjesë të dy hidrosistemeve që kanë mundur të përdoren kanë sepse uji në hidrosisteme nuk e kanë lëshuar ende, sepse aty ku ka hidrosistem bujqit mund me bërë ujitje me krijuar një lagështi edhe me filluar me mbjellje” tha Tahiri

    Tahiri gjithashtu theksoi se Ministria e Bujqësisë duhet të gjeje ndonjë zgjidhje për t’i ndihmuar bujqit.

    “ Ndihmesë kishte me qenë më gjetur një mënyrë një metodë, për fermerët të cilët shfrytëzojnë më pas një lloj benefiti një formë të ndihmës çfarë që të jete ajo qoftë me caktimin e çmimit ose me investime nga qeveria në mënyrë që më i ndihmuar bujqit kur ngritën çmimet, nëse nuk kanë mundësi me stopuar ato ose me i caktu një naftëtarëve prandaj ky është problemi” tha Tahiri.

    Edhe fermeri Mehdi Bresilla tha se ka pasur shumë probleme me cilësinë e farave ndërsa shtoi se furnitorët po sjellin fara jo adekuate për mbjellje.

    “Kam pasur dëme në vazhdimësi sepse kam folur vetëm të drejtën, problemi është që ne pasoja kemi të shumë anshme kemi pas prej zyrtarëve të Ministrisë Bujqësisë por të njëjtën kohë edhe prej furnitorëve para një viti e gjysmë kur një kompani e cila e përfaqëson superioren e Serbisë na sjell fara në vazhdimësi me vite të tëra fara fallc dhe askush nuk merr masa për ata, rasti tjetër këtë vit sjell fara për sumborka dhe në vazhdimësi ka sjell fara falls, tre hektarë e gjysmë i kam mbjell fara të tilla dhe del spec tjetër i rrumbullakët. Ministria e Bujqësisë është dashtë me bashkëpunuar me gjykata dhe njerëzit e tillë me i ndëshkuar, sepse nëse i toleron ata kanë më vazhduar këtë, ne kemi humbje shumë të mëdha subvencionet nuk mund të na mbulojnë ato humbje” tha Bresilla

    Tutje, Bresilla kritikoi edhe shpërndarjen e fondeve nga qeveria.

    “Ministria e Bujqësisë dhe qeveria dhe prokuroria të na dalin në mbrojtje sepse deri tash janë dhënë miliona, edhe kurrë nuk kanë shkuar në vendin e duhur…Miliona ka dhënë qeveria për më i trajtuar fermerët për projekte për zhvillimin e bujqësisë edhe kemi marrë certifikatat…Tash këtë vit po thonë se kanë dalë kritere të reja janë lehtësuar procedurat unë si fermer paguaj dhjetëra, mijëra euro në vit tatime, paguaj punëtorë te rregullt kam qarkullim nuk është kriter as kjo, as kjo kriter vetëm për me fituar njerëzit të cilët janë të lidhur me akterët e zyrtarëve të Ministrisë Bujqësisë, dhe ne dalim viktima këtu sepse bujqësia nuk zhvillohet me përfitues “ shtoi Bresilla.

  • Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Shkrimtari norvegjez, Jan Fosse e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi këtë vit.

    Akademia Suedeze në Stokholm i ka vlerësuar dramat dhe prozën e tij novatore dhe ka thënë se autori u ka dhënë zë të pathënave.

    Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

    Jon Fosse ka thënë se është “i tronditur dhe disi i frikësuar” që e ka fituar këtë çmim prestigjioz.

    Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve amerikanë.

    Akademia Suedeze ka thënë se Fosse, i lindur më 1959 në Haugesund, në brigjet perëndimore të Norvegjisë, ka krijuar në shumë zhanre letretare, përfshirë novela, koleksione poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime.

    Ai është bërë i njohur si dramaturg me veprën “Nokon kjem til å komme” ( Dikush do të vijë).

    Fosse, 64-vjeçar, i cili shkruan në versionin më të pazakonshëm të dy versioneve zyrtare të gjuhës norvegjeze, ka thënë se e konsideron çmimin si njohje të gjuhës që përdor dhe lëvizje për promovim të saj, duke thënë se Nobelin ia dedikon vetë asaj.

    E njohur si “norvegjishtja e re” dhe e përdorur nga rreth 10 për qind e popullsisë së Norvegjisë, versioni që përdor Fosse është krijuar në shekullin e 19-të në zonat rurale, duke e bërë atë alternativë ndaj gjuhës daneze që është përdorur përgjatë një bashkimi 400-vjeçar me Danimarkën./REL/

     

  • ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesen nga buxheti i shtetit.

    Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, tha se janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje që zyrtarët policorë të kenë kontrolle sistematike në të gjitha institucionet shëndetësore.

    Ai tha se në kuadër të kësaj marrëveshjeje policët do të jenë prioritet si në lista të pritjes ashtu edhe në intervenime të ndryshme.

    Derisa paralajmëroi se marrëveshje të tilla do të bëhen edhe me FSK-në dhe zjarrfikësit.

    “Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi ne nga buxheti i shtetit. Prej kohësh, jo vetëm në këtë rast bashkë me ministrin Sveçla kemi filluar bisedimet sesi ta bëjmë këtë më së miri. Para disa javësh janë takuar drejtori i ShSKUK-së dhe drejtori i Policisë ku janë formuar grupet punuese dhe është duke u bërë një marrëveshje që të gjitha kontrollet sistematike të kryhen brenda institucioneve shëndetësore… Në këtë marrëveshje do të bëhen edhe prioritetizimi në lista të pritjes apo intervenime të tjera të të gjithë zyrtarëve policorë. Po ashtu edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për të gjitha sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet publike do të marrë përgjegjësinë që me prioritet të vendos Policinë si përfitues të parë në bazë të kësaj marrëveshjeje. Menjëherë pas kësaj do të vazhdojmë marrëveshjen njësojë me FSK-në dhe zjarrfikësit dhe të gjithë ata që ruajnë rendin dhe sigurinë në vendin tonë”, theksoi ai.

    Kuvendi aktualisht ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00, ku pritet të vazhdojë shqyrtimi i pikave të tjera që janë në rend të ditës.

  • Rama: Situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme, jam shumë i shqetësuar

    Rama: Situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme, jam shumë i shqetësuar

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur para mediave në Granada të Spanjës, duke thënë se situata në veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme.

    Ai tha se aktivitetet kriminale atje janë në përputhje me agjendat politike dhe rreziku është rritur.

    “Jam shumë i shqetësuar sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani është në një pikë ku, vit pas viti, rreziku potencial është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton pakica serbe në shumicë, janë të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm. Pra, është shumë e rrezikshme”, deklaroi Rama.

    Rama u pyet nëse mendon se duhet të merren masa ndaj Serbisë pas agresionit në Kosovë, duke u shprehur me plot bindje se kjo duhet të ndodhë.

    “Jo vetëm që mendoj, por për herë të parë në së paku 10 vjet, Shqipëria nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë vazhdimisht në pajtim të plotë me BE-në dhe ShBA-në në lidhje me nevojën që autoritetet e Kosovës të ecin përpara, të jenë më proaktivë dhe më konstruktivë në dialog, dhe nga perspektiva jonë, të marrin avantazhin më të mirë nga plani franko-gjerman që është marrëveshje shumë, shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare për të vajtuar pjesëtarët e atij grupi kriminal paramilitar që vrau një polic ishte e mjaftueshme për BE-në që të thotë hapur se kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme, nuk është e arsyetueshme dhe është e dënueshme”, deklaroi Rama.

    “Lufta është fjalë e madhe, por para se të bëhet shumë vonë, duhet të merren masa. Jemi duke e përcjellë situatën, është shumë me rëndësi se ka vullnet shumë të fuqishëm nga NATO-ja që ta forcojë KFOR-in në veri sepse kufiri atje është bërë krejtësisht transparent, ndodhin trafikime kriminale të armëve, dhe në të njëjtën kohë shpresojmë shumë se dialogu do të vazhdojë”, u shpreh kryeministri Rama.

  • Shembet dheu në Prishtinë, vetura bie në gropë

    Shembet dheu në Prishtinë, vetura bie në gropë

    Sot në Prishtinë, në lagjen “Bregu i Diellit” është shembur dheu, me ç’rast ATV-ja ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.

    Në këto pamje shihet së paku një veturë të ketë rënë në gropë, derisa nuk dihet ende nëse ka të lënduar nga ky rast.

    Lajmi në përditësim…

  • Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa u vendosur fillimisht sanksione ndaj tij, raporton Ekonomia Online.

    “Nuk ka arsye që të takohemi para se të vendosen masa ndaj Vuçiqit. Sanskionet së pari, pastaj mund të flasim”, ka thënë ajo.

    Ajo i ka bërë thirrje Spanjës që të rreshtohet krah vendeve evropiane që kanë dënuar sulmin terrorist në Kosovë, sepse mbështetja e një agresori, duke iu referuar Serbisë, nuk e ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropë.

    Osmani e ka cilësuar sulmin ndaj Kosovës si një sulm ndaj gjithë Evropës.

    “Mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta që nga 24 shtatori, nuk do ta ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj që Spanja do t’i bashkohet vendeve të tjera në Evropë që mendojnë të vendosin masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm, jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj paqes dhe stabilitetit të gjithë Evropës”.

    Kështu është shprehur ajo, para mediave në hapje të samitit të Komiteti Politik Evropian në Granada të Spanjës.

  • Ndikimet klimatike, Ismaili: BQK-ja po punon për të forcuar stabilitetin financiar

    Ndikimet klimatike, Ismaili: BQK-ja po punon për të forcuar stabilitetin financiar

    Për herë të parë në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës ka organizuar Forumin për Financim të Qëndrueshëm, me ç’rast u theksua nevoja për investime të gjelbra në vend dhe ndihmë më të madhe për sektorin privat. Aty u tha se BQK është duke punuar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend.

    Me pjesëmarrjen e mbi 140 personaliteteve nga e gjithë bota, u trajtuan disa nga sfidat që kanë hasur bankat këtë vit.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili tha se BQK do të punojë për të ndërtuar kapacitetet e brendshme për zbutjen e ndikimeve klimatike.

    Ismaili tha se BQK është duke punuar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend.

    “Veprimet nga BQK për t’u ballafaquar me ndryshimet mjedisore dhe klimatike në përputhje me rregullore të BE-së dhe standardet për të kuptuar plotësisht ekspozimin e bankave nga rreziqet klimatike duke përdorur skenarë të ndryshme të rreziqeve. BQK do të punojë për të ndërtuar kapacitetet e brendshme, duke rritur bashkëpunimin me institucionet vendore dhe përgjegjëse për zbutjen e ndikimeve klimatike. Në këtë drejtim, edukimi financiar ose pjesëmarrja në forume të tilla për të rritur ekspertizën dhe njohuritë në këtë fushë të rreziqeve klimatike është pjesë e planeve. Këto efekte ndikojnë me të madhe për të reduktuar rreziqet tona të kaluara, tërheq investimet dhe kalon rrezikun nga sektori tradicional”, tha Ismaili.

    Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankare të Kosovës, Petrit Balija ka adresuar disa sfida që kanë hasur bankat në Kosovë këtë vit.

    Sipas Balijes, BQK ka treguar një përkushtim të madh për të tejkaluar sfidat dhe ka ofruar mbështetje për bizneset për të tejkaluar inflacionin.

    “Ky forum ka caktuar disa qëllime ambicioze dhe trajton sfida të mëdha të cilat besoj se do të përmbushen falë bashkëpunimit të mirë. Viti 2023 ka qenë një sfidë si për bankën në tregun vendor dhe rajonal e më tej. Një nga sfidat ka qenë inflacioni. Duke dëmtuar fuqinë blerëse ka ngadalësuar kursimet dhe ka dëmtuar sektorin privat. Në një ambient të tillë, detyra e kreditimeve bëhet më komplekse, bankat duhet të gjejnë baraspeshën e duhur mes ofrimit të kredive për të siguruar rritjen ekonomike, dhe për të menaxhuar rreziqet nga një klimë e paqëndrueshme. Inflacioni bashkë me faktorë të tjerë ekonomikë ka krijuar një gjendje ku fondet janë rritur dhe banka është shtyrë të rrisë kamatat për të tejkaluar inflacioni dhe kjo ka qenë sfidë si për banka ashtu edhe për huazuesit. BQK ka treguar një përkushtim të madh për të tejkaluar dhe ka ofruar mbështetje për bizneset për të tejkaluar inflacionin. Sektori bankar ka luajtur rol të rëndësishëm për të mbështetur ekonominë duke ofruar mbështetje financiare për bizneset… Falë përkushtimit të BQK-së dhe IFC-së jemi anëtarësuar në SBFN”, tha ai.

    Menaxheri rajonal për Ballkanin Perëndimor (IFC), Nicolas Marquier tha se sektori privat luan rol kritik në këtë mes, derisa shtoi se janë të përkushtuar që t’i dalin në ndihmë këtij sektori.

    “Ndryshimet klimatike kanë impakt në Ballkanin Perëndimor, ndryshimet e temperaturave, çështjet ekonomike, pushtimi rus i Ukrainës, COVID kanë shtuar këto sfida. Inflacioni dhe çështjet e huamarrjes janë rënduar. Këto kanë bërë që të kuptojmë se sektori privat luan rol kritik në këtë mes. Ngjarja e sotme është një mundësi për të diskutuar këtë dhe për të përshpejtuar hovin tonë. Jemi të dedikuar në zhvillimin e sektorit privat. Në vitin fiskal 2023 kemi 6.7 miliardë financim në lidhur me klimën dhe 8 miliardë të tjera nga burime të dyta që të përfshijmë bankat qendrore në të gjitha këto përpjekje, që të sjellim edhe investitorë. Qëllimi jonë është që të mbështesim projekte financiare të qëndrueshme me 30 për qind deri në viti 2030. Ky financim shkon për projekte të gjelbrat dhe të qëndrueshme. Bankimi i mundësuar nga IFC është dëshmi e përkushtimit tonë. Bashkëpunimi është jetik, BQK ka rol kritik si ndërmjetës në fushën e bankave në Kosovë”, tha Marquier.

    Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se vazhdojnë t’i mbështesin palët me rëndësi në Kosovë. Në këtë drejtim, ai shtoi se duhet të ndihmohet më shumë sektori privat në mënyrë që t’i kontribuojë agjendës së qëndrueshme sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive.

    “Jemi të gjithë dëshmitar të ndryshimeve klimatike dhe impaktin që ka kjo në të ardhmen tonë. Rreziku që i kanoset tokës sonë sigurisht se prek të gjithë kompanitë, bankat dhe këto asete tona ndryshojnë rregulloret e shumta… Është me rëndësi që përpjekjet tona të jenë gjithëpërfshirëse. Transparenca sa i përket impaktit mjedisor i lejon investitorët që të marrin vendime në mënyrë efikase dhe t’i qasen sektorit financiar duke shmangur çfarëdo keqkuptimi në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Praktikat e financave të qëndrueshme do të bëhen dikur një domosdoshmëri… Qëndrueshmëria është më rëndësi për sektorin privat, kompanitë, bizneset dhe mjedisin duhet që të ndihmohet sektori privat që të përshtatet me realitetin e ri. Në promovojmë investime të qëndrueshme. Vazhdojmë të mbështesim palët me rëndësi në Kosovë”, tha ai.

    Forumi për Financim të Qëndrueshëm organizohet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Rrjeti për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, anëtare e grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike.

  • Dragusha: Dinamo Zagrebit i mungon lojtari kryesor, përparësia e Ballkanit eksperti Ilir Daja

    Dragusha: Dinamo Zagrebit i mungon lojtari kryesor, përparësia e Ballkanit eksperti Ilir Daja

    Ish-futbollisti i kombëtares së Kosovës, Muhamet Dragusha i ftuar në emisionin ‘A LIVE’ në ATV ka folur për ndeshjen e cila zhvillohet, sot në Prishtinë në mes Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit e vlefshme për gupet e Konferencë Ligës.

    Dragusha, ka deklaruar që Dinamo e Zagrebit është super ekip me lojtarë që janë edhe pjesë e kombëtares kroate, por ka thënë që Dinamo Zagrebit i mungon lojtari kryesor Bruno Petkovic.

    “Dinamo Zagreb është gjigant, por iu mungon lojtari kryesor Bruno Petkoviv, por Ballkani i ka përparësitë e tyre, skuadra e jonë e ka një ekspert trajner si Ilir Daja i cili dinë si të paraqitet në garat evropiane. Mos harroni ajka e futbollit shqiptarë të futbollistëve është të Ballkani. Unë mendoj që Ballkani mund të fitojë me rezultat 2:1”, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Parlamenti Evropian më 19 tetor voton rezolutën për raportet Kosovë-Serbi

    Parlamenti Evropian më 19 tetor voton rezolutën për raportet Kosovë-Serbi

    Parlamenti Evropian do të votojë rezolutën për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë në seancën e dytë plenare të tetorit në Strasburg më 19 tetor.

    Debati për dokumentin rreth zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-Serbi u mbajt në seancën e së martës, një ditë pasi socialdemokratët nga Parlamenti Evropian kërkuan që debati të shndërrohet në rezolutë.

    Në një debat të ashpër, deputetët kërkuan qetësimin e situatës dhe ndëshkimin e Serbisë pas agresionit në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Masat e propozuara ndaj Serbisë nisin nga pezullimi i takimeve në nivelin më të lartë, deri te pezullimi i plotë i financimit nga programi IPA3 dhe projektet e mëdha të infrastrukturës.

    Draft teksti i Rezolutës do të publikohet ndërkohë.