ATV

Author: G.O.

  • Drake i premton fanses se do t’ia paguajë kujdesin mjekësor

    Drake i premton fanses se do t’ia paguajë kujdesin mjekësor

    Së fundmi reperi Drake bëri një veprim për të cilin pati komente mjaft pozitive.

    Reperi deklaroi se do ta paguaj kujdesin mjekësor të fanses së tij, pasi ajo është diagnostifikuar me sklerozë të shumëfishtë.

    Fansja në koncertin e Drake në Toronto, mbante në duar një pankartë që shkruhej: Sapo morra vesh që kam sklerozë të shumëfishtë, a do të më ndihmoni?

    Nuk kaloi edhe shumë, Drake reagoi duke thënë se: unë do të paguaj gjithçka që duhet që ju të merrni mjekimin më të mirë në botë, të premtoj! e ke fjalën time.

    Ndryshe, Drake këtë javë u komentua edhe për vargjet në këngën “Polar Opposites” ku ka përmendur Prishtinën./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Drejtori i Policisë: Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Drejtori i Policisë: Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës kanë marrë pjesë më shumë se 100 persona.

    Hoxha në Tëvë1, tha se bazuar në informacionet inteligjente të Policisë, bëhet fjalë për mbi 100 perona të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit.

    “Po ashtu informacionet tjera tona inteligjente thonë që edhe një numër tjetër i grupit kriminal ka mbet në Serbi edhe kanë pas për qëllim të futen në Kosovë në momentin që u krijohet ky korridori i lirë i lëvizjes. Do të thotë numri i këtyre personave, i grupit kriminal terrorist ka qenë shumë më i madh se sa 30 edhe shumë më i madh se sa 80. Do të thotë jemi duke bërë fjalë për më shumë se 100. Më shumë se 100 janë ata të cilët kanë marrë pjesë aktive atë ditë në operacion mirëpo ka pas edhe të tjerë të cilët e kanë mbështet nga territori i Serbisë dhe po ashtu kanë pas këtu në Kosovë, mund të jetë shumë më i madh se sa ai numri fillestar sa ishte 30, apo 80 por se po flasim për kalimin e numrit 100”, u shpreh Hoxha.

    Ai u shpreh se një gj të tillë e kanë konfirmuar edhe bazuar në numrin e automjeteve, armëve dhe uniformave të gjetura në këtë pjesë.

    “Këto kanë qenë informacionet e para pra gjatë mëngjesit të ditës së 24 shtatorit. Ajo çfarë kemi arrit me pa ka qenë ky numër i njerëzve. Mirëpo pastaj, pas përdorimit të teknologjisë së veçantë të Policisë së Kosovës që janë dronët dhe po ashtu pas datës 24 në mbrëmje kur ne kemi arrit të futemi në brendësi të fshatit, edhe në brendësi të Manastirit dhe përreth Manastirit ne kemi arrit të sekuestrojmë një numër të madh të automjeteve të cilat ky grup terrorist i ka pas në posedim dhe të gjitha kanë qenë të pajisura me armë të veçanta. Është arrit të konfiskohen rreth 28 automjete. Nëse e llogarisim nga këto automjete të paktën nga 2 a po 3 persona në të, i bie që numri i tyre ka mundur të jetë prej 70, 80 e më shumë persona të cilët kanë qenë në Banjskë atë ditë. Mirëpo, përveç kësaj, nga faktet edhe dëshmitë që ne i kemi siguru, ne i kemi siguruar diku 115 uniforma të tjera që i bie që edhe njerëz të tjerë kanë mundur të jenë pjesë e grupit duke qëndruar në fshatin Banjskë apo në pjesë tjera të veriut të Kosovës”, u shpreh ai.

    Hoxha tregoi se në momentin kur patrullat policore kanë vërejtur që në Banjskë është vendosur një barrikadë, rreshteri Bunjaku ka organizuar ekipin e tij për të dalë në vendin e ngjarjes.

    Më tej, Hoxha tregoi se ekipi i organizuar nga rreshteri Bunjaku, janë takuar me patrullën policore të kufirit për të parë më afër se çka po ndodhë me barrikadën e vendosur nga grupi terrorist, me ç’rast edhe u shkaktua vdekja e rreshterit.

    “24 shtatori ka qenë një nga ditët më të rënda për Policinë e Kosovës. Fatkeqësisht, ka mundur të jetë një datë shumë e rëndë për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ne si polici dhe menaxhment kemi pranuar informacionet rreth orës 03:10 të mëngjesit. Me datën 23 dhe 24, një grup kriminal terrorist paraushtarak nga territori i Serbisë, ka arritur të futet brenda territorit të Kosovës përmes rrugëve ilegale, me një sasi të madhe të armatimeve ushtarake dhe luftarake.  Rreth orës 02:38, patrullat tona policore kanë vërejtur që në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë dhe përmes radios kanë njoftuar që dyshohet se është një barrikadë te fshati Banjskë. Mandej, rreshteri policor, Afrim Bunjaku, me iniciativën e tij ka organizuar ekipin e vet dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në momentin kur kanë arritur në vendin e ngjarjes, janë takuar me patrullën policore të kufirit dhe janë ofruar për të parë se çka po ndodhë me atë barrikadë. Atëherë ka shpërthyer një minë kundër këmbësorisë, kjo minë është iniciuar përmes kontaktit me bateri nga grupi kriminal terrorist, të cilët kanë qenë në afërsi të barrikadës, kështu duke shkaktuar vdekjen e Afrim Bunjakut”, deklaroi Hoxha

    Tutje, Hoxha tregoi se si patrullat policore kanë tërhequr trupin e të ndjerit Bunjaku, pas ballafaqimit më grupin terrorist serb.

    “Pas disa minutave, patrullat tona të kufirit kanë shkuar në asistencë dhe kanë mbështetur duke tërhequr trupin e Afrim Bunjakut dhe duke tërhequr policët e plagosur. Përveç gjuajtjes dhe përdorimit të kësaj mine, grupi kriminal terrorist ka përdorur të gjitha armatimet që kanë pasur në dispozicion”, shtoi tutje Hoxha.

    Hoxha poashtu tha se shteti i Kosovës do të kërkoj ekstradimin e tij nga Serbia në mënyrë që ai të japë llogari edhe për personat e tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

    “Ky person i cili ka qenë edhe në listën e zezë të ShBA-së, ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe shteti i Kosovës, vazhdon të jetë kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por edhe për Rajonin. Tash po tentohet që edhe Qeveria e Serbisë të shfajësohet duke e gjuajtur gjithë përgjegjësinë tek ky, mirëpo ky person është person që ka përgjegjësi politike, njeriu i dytë në Listën serbe dhe shumë i afërt me Qeverinë në Beograd. Shihet duke marrë pjesë edhe në ekspozitat dhe panairet e armëve që janë bërë në Beograd, me shumicën prej njerëzve që i ka afër atje dhe pastaj merr guximin që të sfidoj pothuajse institucionet e Kosovës, institucionet e KFOR-it ndërkombëtare brenda territorit tonë mirëpo kësaj radhe u pa që e kishte gabim ndërmarrjen e tij sepse mori përgjigjen e merituar nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga Policia e Kosovës. Do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradimin e tij. Ne e kemi bërë tashmë një kërkesë tek policia e EULEX-it që kërkojmë nga policia e Serbisë që të bëjë ekstradimin dhe po ashtu të jap informacione për këtë dhe personat tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi Hoxha.

    Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët dhe rreze dielli.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 23 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 23 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kurti: E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës s’mund të mbahen peng nga Serbia

    Kurti: E tashmja dhe e ardhmja e Kosovës s’mund të mbahen peng nga Serbia

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste në Britani të Madhe. Ai ka thënë se e ardhmja dhe e tashmja e Kosovës nuk mund të mbahen peng nga Serbia.

    Kurti ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit duke thënë se “Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut”.

    “Duke folur për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, kryeministri Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut. Rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, kurse pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit që u krye dy javë më parë në Banjskë, me 24 shtator”.

    Megjithatë, Kurti theksoi se “e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Evropës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plotë sfida varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku”.

    Gjatë këtij fjalimi, Kurti ndër të tjera ka thënë se ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh.

    Ai ka thënë se dy prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vonshme të Kosovës janë vitet 1999 dhe 2008, “çlirimi përkatësisht, pavarësia, gjatë të cilave, Partia Laburiste ishte në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar”.

    “Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

  • Sylvinho flet para ndeshjeve me Çekinë e Bullgarinë

    Sylvinho flet para ndeshjeve me Çekinë e Bullgarinë

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka folur sot në një konferencë për media për ndeshjet e ardhshme ndaj Çekisë dhe Bullgarisë.

    Shqipëria do të luaj fillimisht kundër Çekisë në kuadër të kualifikueseve drejt Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”, ndërsa më pas do ta zhvillojë miqësoren ndaj Bullgarisë, raporton KosovaPress.

    Sylvinho fillimisht foli për objektivin ndaj Çekisë, ku tha se në fushë mund të ndodhë gjithçka pasi që ka kampionë në të dyja kombëtaret.

    “Siç e kam thënë që në fillim, që në muajin mars, llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntorë dhe jo tani. E kemi thënë gjithmonë që është një grup shumë i fortë, jemi në një grup shumë të fortë, ka shumë ekuilibër, dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë llogaritë tani sepse kemi përpara një sfidë shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Sigurisht luajmë në shtëpinë tonë, atmosfera do të jetë shumë e bukur, kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe gjithçka mund të ndodhë, por ne do të kemi në fushën tonë kampionë në të dyja anët”, tha Sylvinho.

    Më tej, Sylvinho treoi edhe për strategjinë që do ta përdorë në ndeshjen ndaj çekëve.

    “E kemi thënë shpesh që kemi përballë një rival të vështirë dhe normalisht që nuk është e lehtë që të kuptosh se çfarë strategjie ka menduar një rival në një ndeshje të tillë. Por sigurisht që është një histori tjetër, është një ndeshje tjetër, do të jemi dy ekipe që kemi pikat tona të forta dhe të dobta dhe sigurisht secili do të bëjë strategjinë e vet, është krejt normale. Por dua të theksoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ashtu si edhe në Pragë do të jetë një ndeshje ku do të ketë shumë vlera teknike dhe fizike. Do të jetë një ndeshje e shpejtë me tranzicione, ku do të ketë shumë energji të shpenzuara në fushën e lojës. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e parë në Pragë, pak a shumë e njëjta histori në këtë sens, pra figura e përmbledhur është e njëjta. Ne e kemi parë dhe riparë sigurisht ndeshjen, Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, vjen me katër, pesë lojtarë në zonë me krosime dhe lojtarët janë shumë të gjatë, gjë që e kemi thënë edhe në të kaluarën. Sigurisht do të jetë një ndeshje krejt ndryshe për t’u parë”, tha Sylvinho.

    Ndërkaq, për miqësoren ndaj Bullgarisë, Sylvinho zbuloi nëse do të ketë emra të ri në grumbullim.

    “Ne nisim tani përgatitjet për ndeshjen me Çekinë. E kemi thënë që kemi tre finale. Është një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme, pastaj kemi miqësoren me Bullgarinë. Sigurisht që nuk më pëlqen të flas tani për miqësoren me Bullgarinë. Normalisht e kam mendjen vetëm te Çekia, pastaj mund të diskutojmë për ndeshjen me Bullgarinë. Sa u takon emrave konkretë që më pyetët, Muçolli është një lojtar që më pëlqen shumë, një mëngjërash, e kam ndjekur që prej gjashtë muajsh. Është një lojtar në formë, që po paraqitet shumë mirë në Suedi, po shënon gola. Në këtë moment që flasim kemi 25 lojtarë, madje kemi dy lojtarë më shumë se sa na duhen, pasi 23-shi është standard. Unë nuk mund të grumbulloj dot 30 apo 32 lojtarë, nuk është momenti. Unë mendjen e kam vetëm te ndeshja me Çekinë, se si ta përgatitim sa më mirë. Pas asaj ndeshje mund të flasim edhe për sfidën me Bullgarinë. Ka shumë lojtarë të tjerë rrotull nëpër Europë, shqiptarë që po luajnë mirë, që unë i ndjek dhe i shoh. Në të ardhmen mund të jenë me Kombëtaren. Në momentin që flasim nuk është koha për të bërë eksperimente, ndryshime. I vetmi ndryshim në listë është Roshi që mungon dhe ka ardhur Broja. Në të ardhmen do të flasim sërish”, tha Sylvinho.

    Më 12 tetor Shqipëria e pret në “Air Albania” Republikën e Çekisë, kurse më 17 tetor “kuqezinjtë” luajnë sërish si vendas në miqësoren ndaj Bullgarisë.

  • Sulmi i Hamasit në Izrael, Ambasada e Kosovës në Jerusalem del me njoftim

    Sulmi i Hamasit në Izrael, Ambasada e Kosovës në Jerusalem del me njoftim

    Ambasada e Kosovës në Izrael ka publikuar numrin emergjent për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që aktualisht janë në Shtetin e Izraelit.

    Izraeli është zgjuar mëngjesin e sotëm nën sulmin masiv të Hamasit. Së paku 22 persona raportohet të kenë vdekur deri më tani nga ky sulm dhe mbi 500 të plagosur.

    “Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit i udhëzojmë që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale izraelite dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem në numrin e kontaktit: +9720586340450”, ka njoftuar ambasada e Kosovës në Izrael.

  • ​Inter-Bologna, formacionet zyrtare

    ​Inter-Bologna, formacionet zyrtare

    Sot me fillim nga ora 15:00 stadiumi “Giuseppe Meazza” do të jetë nikoqir i përballjes interesante mes Interit dhe Bolognas, e vlefshme kjo për xhiron e tetë të Serie A.

    Në xhiron e fundit të zhvilluar në kampionatin italian, Interi e mposhti Salernitanan 4:0, kurse Bologna fitoi 3:0 ndaj Empolit, raporton KosovaPress.

    Momentalisht, Interi zë vendin e parë me 18 pikë, aq sa ka edhe Milani në vendin e dytë, kurse Bologna renditet e teta në tabelë në kuotën e 10 pikëve.

    Takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave daton në muajin shkurt të këtij viti, kur asokohe Bologna mposhti Interin 1:0.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Interin nuk do të paraqite Arnautovic, kurse te Bologna mungojnë Kristiansen, Lucumi, Posch dhe Soumaoro.

    Tanimë trajnerët kanë publikuar formacionet zyrtare, dhe ato i gjeni më poshtë.

  • Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri Kurti: Duhet të kemi siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pret nga Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje që Serbia ka bërë, duke u bazuar në traktatin që Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti në mënyrë që të kthehet rruga e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kurti gjatë një interviste për Sky News, është pyetur për situatën pas sulmit të 24 shtatorit nga terroristët serbë në veri të vendit, si dhe dialogun në Bruksel, ku ka thënë se nuk pas asaj që ndodhi në veri, asgjë nuk është si më parë.

    “Ne nuk mund të kthehemi si zakonisht. Pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, dhe në këtë situatë ka kontribuar edhe toleranca ndaj shkeljeve të traktatit bazë që kemi rënë dakord me Serbinë në shkurt të këtij viti. Brukseli është një arbitër, i cili duhet të reagojë sa herë ka një shkelje, shkelje të marrëveshjes. Neni 3 i traktatit bazë thotë se palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të traktatit tonë bazë, në këtë mënyrë ne të mund të kthehemi në rrugën e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mundësojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë demokratike evropiane”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për sigurimin e kufijve nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

    “Duhet të kemi siguri për Kosovën, dhe sanksione për Serbinë. Siguria do të thotë, para së gjithash, siguria e kufirit tonë, që është mjaft e gjatë kur bëhet fjalë për fqinjin tonë verior serb [pra ju doni më shumë paqeruajtës këtu], më shumë paqeruajtës, të cilët do të patrullojnë së bashku me policinë tonë përgjatë kufirit të gjatë në rajonet malore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është numri një, ne kemi nevojë për dënim për Serbinë, ata do të përsërisin krimet e tyre, nëse nuk ka dënim nga BE, NATO, SHBA, Britania e Madhe… Dhe çfarë tjetër na duhet është që këto organizata terroriste që ne i shpallim kështu tre muaj më parë, “brigada e veriut” dhe “mbrojtja civile”, duhet të shpallen terroriste edhe nga miqtë, aleatët dhe partnerët tanë”, tha ai, derisa shtoi se përreth kufirit të Kosovës janë 48 baza operative, 28 ushtarake, 20 janë xhandarmeri, që janë si patkua rreth vendit tonë të cilat duhet të hiqen prej andej.

    “Ne ende nuk kemi prova se ata i kanë hequr ato siç u kanë premtuar me sa duket aleatëve tanë perëndimorë, megjithatë, nga 50 deri në 150 njerëz të armatosur janë në secilën prej këtyre bazave operative. Baza e operimit duhet të hiqet prej andej. Numri një, statusi i tyre është i gabuar. Numri dy, prania e tyre është frikësuese”, tha ai.

    Ai ka shtuar se tani është koha për të filluar një kapitull të ri, ku perëndimi demokratik do t’i thotë Serbisë se ky lloj i veprimeve të librit të Putinit në Kosovë duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë.

  • Krasniqi: I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit

    Krasniqi: I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas sulmeve në Izrael. Krasniqi ka thënë se dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe shpreson për një fund të menjëhershëm të armiqësive.

    “I shokuar nga sulmi i tmerrshëm kundër shtetit të Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe ne shpresojmë për një fund të menjëhershëm të armiqësive”, ka shkruar Krasniqi në platformën “X”.

  • ‘’Plisat’’ premtojnë spektakël në ndeshjen Prishtina-Ballkani

    ‘’Plisat’’ premtojnë spektakël në ndeshjen Prishtina-Ballkani

    Këtë fundjavë pritet të zhvillohen ndeshjet e xhiros së tetë, në Albi Mall Superliga e Kosovës.

    Pa dyshim që fokusi kryesor këtë javë do të jetë në kryeqytet në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, aty ku do të luhet derbi mes Prishtinës dhe Ballkanit, me fillim nga ora 20:00.

    Gjatë ditës së shtunë, klubi bardh e kaltër njoftoj se biletat do të dalin në shitje ditën e ndeshjes, derisa tifo grupi I kryeqytetit ‘’Plisat’’ pasi përfunduan protestat ndaj kryesisë së klubit si dhe me largimin e Remzi Ejupit, organizimi për këtë përballje do të jetë për tu mbajtur mend.

    Në postimin e tifozëve të Prishtinës, grumbullimi I anëtarëve do të nisë qysh në orët e hershme të ditës së diel, ndërsa pritet që udhëtim të ketë edhe nga tifozët mysafir.

    Kujtojmë se në ndeshjet mes Prishtinës dhe Ballkanit, në këto vitet e fundit, stadiumi në kryeqytet ka qenë i stërmbushur./atvlive.tv/