ATV

Author: G.O.

  • Blinken do të vizitojë Izraelin këtë javë

    Blinken do të vizitojë Izraelin këtë javë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë në Izrael këtë javë për të takuar udhëheqës të lartë izraelitë, sipas Departamentit të Shtetit të martën.

    “Do të jetë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje”, u tha gazetarëve zëdhënësi Matthew Miller në një konferencë të përditshme për shtyp.

    Miller tha se Blinken do të angazhojë drejtpërdrejt partnerët izraelitë për situatën në terren dhe do të diskutojë “si ne mund të vazhdojmë t’i mbështesim më së miri ata në luftën e tyre”.

    Udhëtimi është i pari i diplomatit të lartë amerikan pas sulmit të së shtunës nga Hamasi në Rripin e Gazës në qytetet jugore të Izraelit.

    Situata u përshkallëzua që atëherë pasi Izraeli u hakmor me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën bllokadë totale.

    Më shumë se 1.900 njerëz janë vrarë deri më tani në dhunë, duke përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1.000 izraelitë, sipas autoriteteve.

    Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare të enklavës së bllokuar.

    Shtëpia e afro 2.2 milionë njerëzve, Rripi i Gazës tashmë është duke u zhytur nën një rrethim izraelit që nga viti 2007./AA

  • Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

    Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka folur sërish për sulmin terrorist të grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e përleshjeve me armë, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Rohde është shprehur se ky ka qenë sulm vrastar dhe qyqar kundër policëve në detyrë, teksa ka bërë të ditur se Gjermania ka kërkuar nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente dhe t’i sjellë në llogaridhënie përgjegjësit.

    “Bashkimi Evropian e ka klasifikuar si sulm terrorist, i dërguari ynë për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur ashtu, edhe unë vetë e kam përdorur atë term. Ka qenë sulm vrastar, qyqar kundër policëve në detyrë si dhe kemi kërkuar dënimin e kryesve të tillë. Shpresojmë që edhe kjo të ndodh. Ne kemi kërkuar qartë nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente si dhe t’i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie. Unë jam tërësisht kundër shpërqëndrimit të procesit të dialogut me anë të sulmit terrorist”, ka thënë ai.

    Diplomati gjerman ka theksuar se sërish duhet një zgjidhje politike, ndërkohë që ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut.

    “Prapë na duhet zgjidhja politike si dhe jam I bindur se shumica e njerëzve, qofshin ata shqiptarë apo serbë të Kosovës, boshnjakë a të tjerë, duan të jetojnë në paqe, apo siç e ka deklaruar Qeveria e Kosovës kur e ka marrë pushtetin  “Punë dhe drejtësi”. Kur ke klimë konstante të krizave, atëherë nuk ndihmohet askush, as shumicat as pakicat. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por vetëm mund ta përsëris që nuk mund të bëhen kërkesa absolute. E kuptoj plotësisht qëndrimin që ky sulm vërtetë nuk lejon më atë vazhdimin e zakonshëm si dhe kemi parë shumë komente. E kam parë të dërguarin e posaçëm Lajcak, që ka thënë se masat duhet të hiqen. Pra ka një ndryshim, por për ne ekuacioni themelor dhe këtë e ka thënë edhe ministrja ime të premten, mund të mos keni dëshirë ta dëgjoni, por Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë të flasin mes vete dhe të fillojnë implementimin e marrëveshjeve”, ka thënë ambasadori gjerman për RTK.

    Më tej Rohde ka thënë qartë që i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kanë përkrahjen e plotë të tyre.

    “Për ne lehtësuesi Lajcak dhe përfaqësuesi I lartë Borrell e kanë mbështetjen tonë. Kanë bërë përpjekje të mëdha këto vite si dhe nuk mendoj që është e mençur të goditet ndërmjetësuesi. Për momentin kemi një situatë të vështirë, por të jeni të sigurt që Lajçaku e ka përkrahjen e plotë të BE-së”, përfundoi Rohde.

  • Havolli kërkon përfshirjen e psikologëve në çdo institucion: Është mënyra për parandalimin e problemeve

    Havolli kërkon përfshirjen e psikologëve në çdo institucion: Është mënyra për parandalimin e problemeve

    Ilir Havolli, psikolog klinik, specializant i Psikologjisë Klinike dhe kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, tha se shëndeti mendor është fundament i shëndetit fizik.

    Ai i tha Ekonomia Online se ka kërkuar përfshirjen e psikologëve në çdo institucion ku frymon individi, ngase sipas tij, kjo është mënyra për parandalimin e problemeve.

    Këto komente ai i bëri pas Kongresit Ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja” organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

    Duke folur për Kongresin ai ka pohuar se aty kanë marrë pjesë më shumë se 250 pjesëmarrës dhe 300 persona të përfshirë online.

    “Çdo vit më datën 10 tetor Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka caktuar këtë ditë si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Kosovë, duke pasur rritjen enorme të sjelljeve të dukurive të ndryshme atëherë kjo na shtynë të mendojë se shëndeti mendor është fundamenti i shëndetit fizik”.

    “Pa një shëndet mendor nuk mund të kemi një shëndet fizik, atëherë thirrja jonë si Shoqatë e psikologëve të Kosovës është që t’i drejtohemi institucioneve që të bëjmë diçka në të mirë të shëndetit mendor të popullatës”.

    “Në këtë Kongres nga vendet shqipfolësve, nga rajoni nga Turqia, nga Ukraina dhe pjesëmarrësja në sallë është 250 ndërsa online kemi mbi 300 presona. Adresimi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve relevante që të bëhet implementimi i projekteve për shëndetin mendor, apo inkorporomi i psikologëve në çdo institucion ku frymon individi, kjo është mënyra për parandalimin e problemeve”.

    Bruna Abdyli, përfaqësuese e Shoqatës së Psikologëve të Kosovës për Shqipërinë, tha se bashkëpunimi ndërmjet psikologëve të të dyja vendeve është produktiv dhe reflektohen në gjithë popullatën, raporton EO.

    “Edicioni i pestë i këtij Kongresi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shkëmbimin e eksperiencave pozitive dhe punimeve me shumë vlerë ndërmjet kolegëve nga Shqipëria dhe Kosova. Bashkëpunimi ndërmjet psikologëve janë tepër produktive dhe reflektohen në gjithë popullatën”.

  • Liverpooli ia uron ditëlindjen Shaqirit, i kujton golat ndaj United (VIDEO)

    Liverpooli ia uron ditëlindjen Shaqirit, i kujton golat ndaj United (VIDEO)

    Ylli me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri feston sot ditëlindjen e tij të 32-të.

    Deri tani Shaqiri ka pasur një karrierë të bujshme, duke luajtur për skuadrat e njohura si Bayern Munichun, Interin e Liverpoolin, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, gjiganti anglez, Liverpool ka shfrytëzuar rastin që t’i urojë sot Shaqirit ditëlindjen e tij.

    “Urimet më të mira për të madhin Xherdan Shaqiri në ditëlindjen e tij”, shkroi Liverpooli në “Facebook’.

    Më pas, ish-skuadra e Shaqirit postoi edhe një video të dy golave të tij ndaj Manchester United.

    Golat i gjeni më poshtë:

  • Euro 2028 do të mbahet në Britani të Madhe dhe Republikë të Irlandës

    Euro 2028 do të mbahet në Britani të Madhe dhe Republikë të Irlandës

    Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës e kanë fituar të drejtën për ta organizuar së bashku Kampionatin Evropian në vitin 2028, njoftoi UEFA të martën.

    Fushata e përbashkët e tyre ishte e pa konkurrencë, pasi Turqia u tërhoq nga gara për t’u përqendruar në fushatën për organizimin e Euro 2032 së bashku me Italinë, të cilën e fitoi siç edhe u konfirmuar gjatë takimit të sotëm të shtëpisë së futbollit evropian në Zvicër.

    As Italia e Turqia nuk kishin konkurrencë në garë për organizimin e turneut veror më 2032, por, prapëseprapë, nevojitej aprovimi nga UEFA.

    “Asgjë nuk është kurrë formalitet deri në çastin e fundit”, tha kryetarja e Federatës së Futbollit të Anglisë, Debbie Hewitt.

    Euro 2028 do të jetë ngjarja më e madhe sportive që Britania e Madhe dhe Irlanda e kanë organizuar së bashku ndonjëherë.

    “Mendoj se kjo do të jetë diçka për të cilën të gjithë ndihemi krenarë”, shtoi ajo.

    Ish-kapiteni i Kombëtares së Uellsit, Gareth Bale, i cili u pensionua në janar, tha se ky turne do ta ndihmojë futbollin në Uells.

    “Mendoj se është e rëndësishme, posaçërisht për Uellsin, të shihet në hartë, të vazhdojë përpara dhe ne t’i vazhdojmë përpjekjet për ta përmirësuar veten”, tha Bale.

    Federata angleze tha se tre milionë bileta do të jenë në shitje për këtë turne, më shumë se në secilin Kampionat Evropian deri më sot.

    Ndeshjet do të zhvillohen në stadiume me një mesatare prej 58 mijë ulëse.

    Kampionati Evropian, i njohur si Euro, është gara kryesore e futbollit mes shteteve të kontinentit evropian, e cila zhvillohet çdo katër vjet që nga viti 1958.

    Gjermania dhe Spanja javë vendet me të suksesshme me nga tre tituj, ndërsa Italia ka dy. Anglia nuk e ka fituar atë kurrë dhe më së afërmi erdhi më 2020, kur u mposht në finale nga Italia./REL/

  • Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së

    Shqipëria refuzon ta ekstradojë dhe e liron ish-anëtarin e UÇK-së

    Gjykata e Apelit e Shqipërisë e ka liruar të martën ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj, pasi e hodhi poshtë kërkesën për ekstradimin e tij në Dhomat e Specializuara në Kosovë.

    Goxhaj ishte arrestuar më 31 korrik në Shqipëri, patën njoftuar Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, asokohe.

    Të martën, Gjykata e Apelit e Shqipërisë tha se vendosi ta ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi “lirimin e menjëhershëm të tij”.

    Si pasojë “rrëzohet kërkesa për ekstradimin e Dritan Goxhajt nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, hiqet masa e sigurimit ‘arrest në burg’”, thuhet në njoftim.

    Ai ishte arrestua në bazë të një fletarrestimi si i dyshuar për vepra penale të frikësimit dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Ai dyshohet se kishte publikuar emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.

    Arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kjo ishte hera e parë që Gjykata Speciale kryente arrestim në territorin e Shqipërisë.

    Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontante me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

    Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.

    Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL/

  • Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari pritën në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus

    Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari pritën në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të shoqëruar nga drejtori i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar në Shtabin e NATO-s, gjeneralmajor Ulf Haeussler dhe drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstein. Temë e këtij takimi ishte çështja e sigurisë në vend, në veçanti situata e krijuar në veriun e Kosovës si pasojë e sulmit të fundit.

    Me këtë rast, ministri Maqedonci e falënderoi z. Goffus për vizitën e tij dhe përkushtimin e NATO-s për ofrimin e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe theksoi nevojën që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura si dhe nevojën për fuqizimin e sundimit të ligjit.

    Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu vendosmërinë e vendit tonë për orientimin euroatlantik, drejt vlerave të vendeve perëndimore, për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në dhënien e kontributit aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.

    Në këtë takim, ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari theksuan se do të vazhdojnë angazhimin në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit, mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe operacionet e mbështetjes së paqes, në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.

  • Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

    Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

    Fillimi i gjyqit ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është caktuar për të hënën e 16 tetorit, njoftoi të martën Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH).

    Në gusht, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

    Avokatët e Dodikut dhe Lukiqit në kundërshtimet e tyre deklaruan se “vepra penale për të cilën akuzohet Dodiku nuk ekziston, sepse Schmidt është i paligjshëm”.

    Më 9 tetor, Gjykata e BiH konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se i ka hedhur poshtë si të pabaza kundërshtimet e mbrojtjes.

    Mbrojtjes iu refuzuan dy kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Jasmine Dedoviq Qosiq, e cila ka konfirmuar aktakuzën dhe më pas ka refuzuar kundërshtimet.

    Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t’i shfuqizojë ato.

    Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

    Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë është vepër penale./REL/

  • Ristucca ia dorëzon komandën e KFOR-it, gjeneralit turk Ulutas

    Ristucca ia dorëzon komandën e KFOR-it, gjeneralit turk Ulutas

    Gjenerali italian, Angelo Michele Ristucca, ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutas.

    Këtë mandat, Ulutas do ta ushtrojë për një vit siç ndodh zakonisht me komandën e KFOR-it.

    Me rastin e inaugurimit të komandantit të 28-të KFOR-it në Kosovë ka ardhur edhe admirali Stuart B. Munsch, që është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

  • Shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor në Kosovë

    Shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor në Kosovë

    Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë kanë organizuar kongresin ndërkombëtar me temën “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”

    Në edicionin e pestë në këtë Kongres, ku po marrin pjesë mbi 250 pjesëmarrës të pranishëm e mbi 200 të tjerë online është bërë thirrje institucioneve përkatëse që të punohet më shumë mbi shëndetin mendor.

    Qëllimi i këtij kongresi ishte që të bëhet më shumë sa i përket kësaj teme.

    Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës & Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, Ilir Havolli tha se për gjashtë vjet të themelimit të këtyre shoqatave janë munduar t’i ndihmojnë çdoherë ata që kanë nevojë.

    “Çdo ditë e më tepër po vërtetohet se shëndeti mendor është fundamental i shëndetit fizik. Duhet që popullatën ta vetëdijesojm çdo ditë e më tepër për rëndësinë e shëndetit mendor. Hapi kryesor do të ishte reformat dhe rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve shëndetësorë”, tha Havolli.

    Ndërsa, profesori dhe neuropsikiatri në vend, Ferid Agani është shprehur i lumtur me numrin e madh të psikologëve për të ofruar ndihmë rreth shëndetit mendor.

    Edhe Nexhmije Gori, Kryetare e Odës së Infermierëve të Kosovës konsideron se duhet më shumë bashkëpunim në këtë drejtim.