ATV

Author: G.O.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë

    Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

    Osmani me këtë rast e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.

    Ndërsa, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.

    Në takim, u konfirmua gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja Osmani e njoftoi ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Ministri Vitia merr vendim për kompensim të kujdestarisë së specializantëve

    Ministri Vitia merr vendim për kompensim të kujdestarisë së specializantëve

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nxjerr vendim për kompensim të kujdestarisë së specializantëve të QKUK-së. Vendim ky që bëri të anulohet protesta e paralajmëruar nga këta të fundit, lidhur me pakënaqësitë e tyre për pagesa.

    Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se përgatitja e aneks kontratave pritet të finalizohet gjatë kësaj jave, që sipas tyre të adresohet çështja e specializantëve, me vetëfinancim mbështetur në vendimin për kompensim të kujdestarive.

    “Me qëllim të adresimit të pagesës së kujdestarive, Ministri i Shëndetësisë ka nxjerr vendim për kompensim, ku kjo çështje do të rregullohet me kontratë. Përgatitja e aneks kontratave pritet të finalizohet gjatë kësaj jave në mënyrë që të adresohet çështja e specializantëve me vetë financim mbështetur në vendimin e lartpërmendur” thotë MSH-ja.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i specializantëve, Arianit Zajmi ka thënë gjatë ditës për KosovaPress se protesta e paralajmëruar për sot (e mërkurë) është anuluar, pas bisedës me ministrin Vitia i cili u kishte thënë se pagesat për kujdestaritë e mbajtura nga muaji shkurt, sipas tij nuk ka ligj që Ministria e Shëndetësisë mund t’i kompensojë ato.

    Zajmi shtoi se sa i përket vendimit për të paguar nga 500 euro për vit për specializim, Vitia ka thënë se nëse ekspertët ligjor mund të argumentojnë se një gjë e tillë mund të anulohet apo ndryshohet, do të shikon mundësitë për rishqyrtim.

    Po ashtu, lidhur me kërkesën e tyre për kujdestari, Zajmi tha se ministri Vitia u ka premtuar se në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor do t’i pajisini specializantët me aneks kontrata. Ai beson që këto aneks kontrata do të jenë në proporcion me Ligjin e ri të pagave.

    Ndërkaq, specializantët protestën e filluan që javën e kaluar, për të vazhduar edhe këtë javë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave si dhe mos pagesën e kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt.

    Ata gjatë javës së kaluar protestuan për mos pagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

  • Kryeministri Kurti lavdërohet për punën në dy vjet e gjysmë qeverisje

    Kryeministri Kurti lavdërohet për punën në dy vjet e gjysmë qeverisje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është treguar për punën e bërë në dy vjet e gjysmë qeverisje, duke thënë se në këtë periudhë ka sunduar ligji.

    Ai ka bërë të ditur se janë kryer mbi 1 mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë.

    “Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Tutje, kreu i ekzekutivit ka thënë se falë punës së institucioneve të sigurisë, janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit.

    “Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike. Mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave. Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro”.

    Kryeministri ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufijve përkatës që Kosova ndan me këto dy shtete.

    Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës ka thënë se deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar.

    “Janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro. Ligjshmëri. Shërbim. Siguri”, ka përfunduar Kurti.

  • Skuadra gjermane përjashton lojtarin që doli pro Palestinës

    Skuadra gjermane përjashton lojtarin që doli pro Palestinës

    Skuadra gjermane Mainz 05 ka përjashtuar Anwar El Ghazi nga stërvitjet dhe lojërat pas postimit të tij pro Palestinës në Instagram, i cili më pas është fshirë.

    Këtë e ka bërë të ditur klubi në rrjetet sociale të martën në mbrëmje. Në postimin e tij, El Ghazi mori një pozicion për konfliktin në Lindjen e Mesme në një mënyrë që ishte e patolerueshme për klubin. Përjashtimit i parapriu një diskutim i detajuar midis bordit dhe lojtarit.

    “Mainz 05 respekton se ka perspektiva të ndryshme për konfliktin kompleks të Lindjes së Mesme që ka vazhduar për dekada. Megjithatë, klubi distancohet nga përmbajtja e postimit pasi nuk shkon paralelisht me vlerat e klubit tonë”, thuhet në deklaratën e klubit, përcjellë KosovaPress.

    Në mesditë, El Ghazi, i cili ishte bashkuar me Mainz 05 në mes të shtatorit, kishte ndërprerë stërvitjen. Holandezi 28-vjeçar kishte shpërndarë më parë një postim ku ndër të tjera thoshte: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”. Ajo që nënkuptohet është se Palestina duhet të shtrihet nga Jordani në Mesdhe.

    Postimi u fshi më vonë dhe deri të hënën ai kishte gjithashtu një foto profili me fjalët “Unë qëndroj me Palestinën”. Të martën, ajo foto u zëvendësua me një imazh të fytyrës së El Ghazit.

  • ​Blinken bisedoi me liderin palestinez, shpreh ngushëllime për jetët e civilëve të humbur

    ​Blinken bisedoi me liderin palestinez, shpreh ngushëllime për jetët e civilëve të humbur

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi të martën me presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas “për të shprehur ngushëllimet e tij më të thella për jetët e civilëve të humbur në shpërthimin në spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës.

    Kjo u bë sot e ditur nga ana e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller përmes një deklarate për media.

    “Sekretari shprehu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për popullin palestinez, duke theksuar se terroristët e Hamasit nuk përfaqësojnë palestinezët apo aspiratat e tyre legjitime për vetëvendosje dhe të drejta të barabarta për dinjitet, liri, siguri dhe drejtësi”, thuhet në deklaratë.

  • Mbahet konferenca “Imazhi i ‘International Geneva’ në mediat ndërkombëtare dhe zvicerane” gazetari Nefail Maliqi flet për rolin e mediave shqiptare në Zvicër dhe Ballkan

    Mbahet konferenca “Imazhi i ‘International Geneva’ në mediat ndërkombëtare dhe zvicerane” gazetari Nefail Maliqi flet për rolin e mediave shqiptare në Zvicër dhe Ballkan

    Gjenevë, 18 tetor – Në Gjenevën ndërkombëtare, nën organizmin e “Club suisse de la presse,” u mbajt tryeza e rrumbullakët me gazetarët botërorë me moton: Imazhi i Gjenevës ndërkombëtare në mediat zvicerane dhe botërore (Image “International Geneva” in the international and Swiss media), ku morën pjesë personalitete dhe përfaqësues të mediave zvicerane dhe ndërkombëtare. Në këtë aktivitet, përfaqësuesi i mediave shqiptare në Zvicër dhe Ballkan mori pjesë, gazetari i njohur ndërkombëtar në Gjenevë, Nefail Maliqi, njofton gazeta zvicerane “Le Canton27.ch.”

    “Në krahasim me numrin e shqiptarëve në Zvicër (mbi 300 mijë), mediat e këtushme shumë pak publikojnë shkrime për sukseset dhe integrimin e tyre, që më shumë për t’i folur politikanët sesa gazetat. Nuk mjaftojnë vetëm shkrimet për këmbët e Xhakes dhe Shaqirit. Edhe kur flasin, ato merren për shpejtësinë e veturave, ndonjë përleshje apo krim”, thotë korrespodenti i ATV-së në Gjenevë, Nefail Maliqi.

    Në këtë tryezë morën pjesë zyrtarë të qendrës së mediave të Kombeve të Bashkuara, zëdhënësja e OKB-së, pastaj drejtues të shoqatave të gazetarëve botërorë (APES dhe ACANU), kolegë zviceranë dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. Gazetari shqiptar në Gjenevë, z. Maliqi, në fjalimin e tij u ndal për rolin e mediave zvicerane dhe hapësirën e komunitetit shqiptarë në Zvicër në këto media dhe mungesën e shkrimeve pozitive mbi zhvillimet në Ballkan, sidomos ato nga Kosova dhe Shqipëria si pjesë e Evropës.

    Në intervistën e tij, z. Maliqi vazhdoi të thotë: “Meqë kjo konferencë ka moton: ‘Imazhi i Gjenevës ndërkombëtare në mediat zvicerane dhe botërore,’ e dini sigurisht që në këtë ‘Gjenevë ndërkombëtare’ jetojnë edhe të huajt, për të mos thënë gjysmë për gjysmë, por 40 për qind po. Dhe sigurisht që lexuesit e mediave tuaja nuk janë vetëm zviceranët, por edhe të huajt. Atëherë pse të mos keni më shumë artikuj, intervista dhe reportazhe për sukseset, integrimin dhe bashkëjetesën mes komuniteteve në Zvicër, në veçanti për shqiptarët si një komunitet mjaft i rëndësishëm dhe i madh në Zvicër? Temat këto do të rrisin jo vetëm lexueshmërinë dhe shikueshmërinë e mediave, por edhe imazhin e më të mirë të Gjenevës ndërkombëtare dhe Zvicrës demokratike dhe tolerante. E thashë këtë sepse gazeta zvicerane “Le Canton27.ch”, e cila pos shkrimeve mbi zhvillimet në Zvicër dhe aktivitetet tjera politike në Gjenevë ndërkombëtare dhe në Bernë, si një medium i vetëm në shqip në Zvicër që merret me (mos) integrimin e komunitetit shqiptarë, duhet të promovojë sukseset e tyre në Zvicër, dhe nuk po mund të përfshijë të gjitha aktivitetet e tyre në 26 kantonet e Zvicrës… ”

    Sipas kolegut Maliqi: “Logjikisht, nëse në kantonin e Gjenevës jetojnë rreth 40 për qind të të huajve, atëherë 40 për qind e gazetës duhet të mbushet me shkrime për të huajt. Këtë askush nuk e kërkon, por të paktën në javë duhet të jenë 2-3 shkrime të thjeshta, dhe jo vetëm shqiptarët në gazeta të përmenden vetëm atëherë kur ka ndonjë incident ose tension të situatës në Kosovë, të provokuar nga Serbia… ”

    Në vazhdim, gazetari Nefail Maliqi përkujtoi kolegët dhe pjesëmarrësit e këtij takimi me përfaqësues të mediave ndërkombëtare se “vetëm në kantonin e Gjenevës sot jetojnë dhe veprojnë mbi 30 mijë shqiptarë, që shumë pak ose aspak nuk shkruhet për sukseset dhe integrimin e tyre. Edhe kur mediat e këtushme shkruajnë, shkruajnë për trafikantë ose për ndonjë përleshje apo krim?! .. ”

    Drejtues të mediave dhe organizatave ndërkombëtare preken edhe zhvillimet aktuale në botë, si lufta në Lindjen e Mesme (Izrael-Palestinë), ajo mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe terrorizmi dhe invazioni i planifikuar serb në Kosovë me një grup terroristësh në veri të Kosovës, të incuar nga gazetari Nefail Maliqi, shkruan gazeta zvicerane “Le Canton27.ch.”

    “Unë nuk e përjashtoj mundësinë që Kremlini mund të qëndrojë pas sulmit në Izrael. E them këtë pasi Rusia deshtoi përmes Serbisë (Radoicic) ta destabilizojë ose ta ndezë në Kosovë, dhe ta ndezë me Hamasin në Izrael përmes Iranit, për ta larguar dhe për të përqendruar vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe mediave botërore nga Ukraina,” tha ndër të tjera publikisti dhe gazetari ynë në Gjenevë, Nefail Maliqi, i cili mori pjesë në debatin “Imazhi i Gjenevës ndërkombëtare në mediat zvicerane dhe botërore” (“International Geneva” in the international and Swiss media), njofton gazeta zvicerane “Le Canton27.ch.”

    Pos gazetarit tonë ndërkombëtar, Nefail Maliqi, në këtë tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga “Club suisse de la presse,” morën pjesë edhe këto personalitete dhe përfaqësues të mediave zvicerane dhe ndërkombëtare, si Isabelle Falconnier, drejtoreshë e CSP, Oliver Coutau, delegat në Gjenevë Ndërkombëtare të Kantonit të Gjenevës, Peter Kenny, president i Shoqatës së Shtypit të Huaj në Zvicër (APES), Alessandra Velucci, drejtore e Shërbimit të Shtypit të Kombeve të Bashkuara për informacion në Gjenevë, Tamer Aboalenin, president i Shoqatës së Korrespondentëve të Akredituar në Kombe të Bashkuara (ACANU), Ed Girardet, gazetar amerikano-zviceran, Kasmira Jefford, kryeredaktore e “Geneva Solutions,” Virginie Mangin, gazetare në “SwissInfo,” Gorgui Wade Ndoye, drejtor i botimeve “ContinentPremier,” Laurent Sierro, korrespondent i OKB-së dhe Gjenevës ndërkombëtare për Keystone-ATS, Olivier Bot, zëvendës kryeredaktor, “Tribune de Genève.”

  • Në Parlamentin Evropian dorëzohen pesë draft-rezoluta, në to kërkohet sanksionimi i Serbisë për sulmin në Banjskë

    Në Parlamentin Evropian dorëzohen pesë draft-rezoluta, në to kërkohet sanksionimi i Serbisë për sulmin në Banjskë

    Në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

    Në draft-rezolutën e propozuar nga “S&D Group”, që përbëhet nga socialistët dhe demokratët i është bërë thirrje Bashkimit Evropian që “të ndryshojë urgjentisht politikën e saj zbutëse ndaj Serbisë”.

    Po ashtu në pikën 13 të draft-rezolutës së “S&D Group” bëhet thirrje që masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës të hiqen menjëherë.

    “Të heksohet rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa negative kundër Serbisë”.

    “Të shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radoiçiqit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023”, thuhet në draft-rezolutën e socialistëve dhe demokratëve, transmeton KlanKosova.tv

    Draft-rezolutë në Parlamentin Evropian ka dorëzuar edhe grupi politik pro-evropian, të cilët i kanë bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë duke u bazuar në gjetjet e hetimit.

    Po ashtu, në draft-rezolutën e këtij grupi i është bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet e saj për ta izoluar Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Shprehim keqardhje që Serbia ka rifilluar fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës; i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në draft-rezolutën e këtij grupi.

    Draft-rezolutë ka dorëzuar edhe grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane”, grup ky që përbëhet kryesisht nga parti politike të gjelbra dhe regjionale.

    Ky grup në Parlamentin Evropian ka dorëzuar një draft-rezolutë prej 24 pikash, ku në pikën 2 kërkohet që të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë, teksa ka përmendur edhe sulmet gjatë muajit maj ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    “Kërkojmë që të gjithë autorët e këtij sulmi terrorist të sillen para drejtësisë pa vonesë, përfshirë edhe në Serbi. Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të majit 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve dhe gazetarëve kosovarë; u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët e këtyre sulmeve të mjerueshme”.

    Po ashtu, i është bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë ose në sulmet e majit të vitit 2023, apo edhe nëse autoritetet serbe s’janë të gatshme që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.

    “I bëjmë thirrje Komisionit, në këtë kontekst, të ngrijë fondet e dhëna Serbisë sipas programit IPA, nëse gjetjet e hetimit tregojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme”, thuhet në draft-rezolutë.

    Tutje, ky grup politik në Parlamentin Evropian, në draft-rezolutë ka shprehur shqetësimin nga provat që lidhin grupet kriminale në veri të Kosovës me shtetin e Serbisë.

    “Shpreh shqetësimin e thellë, në këtë kontekst, se të gjithë ata që janë përgjegjës për përleshjet në Banjskë mund të mos sillen para drejtësisë”, thuhet tutje në draft-rezolutë.

    Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015”.

    Agresionin në Banjskë e ka dënuar edhe grupi i Kosnervatorëve dhe Reformistëve Evropianë që vijnë nga qendra e djathtë.

    Por, të njëjtit në draft-rezolutën e cila përbëhet nga nëntë pika, kanë kërkuar të hetohet Serbia dhe të mbahet përgjegjëse për veprimet e grupit terrorist.

    Ky grup është shprehur se i mbështet thirrjet për zgjedhje në veri të Kosovës “dhe inkurajon autoritetet që të zbatojnë të gjitha politikat e nevojshme për të siguruar zgjedhje të drejta, demokratike dhe paqësore”.

    Ndërsa, draft-rezolutën e pestë në Parlamentin Evropian e ka dërguar grupi më i madh dhe më i vjetër në parlament i quajtur “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë.

    PPE-ja e ka dënuar fuqishëm inkursionin terrorist në Kosovë dhe sulmin kundër policëve të Kosovës në Banjskë, teksa ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të dyfshojnë përpjekjet e tyre “për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila po bëhet duke përdorur autoambulanca dhe objektet e kishës që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës”.

    “Dënojmë strehimin e autorëve të inkursionit të armatosur në veri të Kosovës, si dhe çdo propagandë për ta, glorifikimin e veprimeve të tyre apo mbështetjen politike për ta”.

    “Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Serbi dhe Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; dënojmë, në këtë drejtim, përfshirjen e mundshme ruse në sulmet e Banjskës”, thuhet në draft-rezolutën e PPE-së.

    Po ashtu, PPE-ja i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian “që të vendosë masa kufizuese ndaj udhëheqjes serbe, nëse konfirmohet përfshirja e saj në sulmin në Banjskë”.

  • Kimberly West – prokurorja e re e Speciales e nënshkruan deklaratën solemne

    Kimberly West – prokurorja e re e Speciales e nënshkruan deklaratën solemne

    Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, nënshkroi sot një deklaratë solemne se ajo do t’i ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me ndërgjegje.

    Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës se kjo është në përputhje me Nenin 36 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    West u përzgjodh për postin e Prokurores së Specializuar në qershor 2023 pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian. Ajo është një prokurore amerikane me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

    West është Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Jack Smith, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe David Schwendiman, i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018.

  • Presidenti kroat: Vuçiq na ka borxh një përgjigje konkrete për sulmin në veri të Kosovës

    Presidenti kroat: Vuçiq na ka borxh një përgjigje konkrete për sulmin në veri të Kosovës

    Serbia dhe Aleksandar Vuçiq na kanë borxh një përgjigje për rastin e sulmit në veri të Kosovës.

    Kështu është përgjigjur presidenti kroat, Zoran Milanoviq, një pyetjeje mbi situatën e fundit të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të organizuar terrorist në Banjskë, ku i vrarë mbeti një polic kosovar.

    Sipas Milanoviq, situata është shumë serioze dhe si e tillë duhet trajtuar. Ndaj, jo vetëm Kroacia, por e gjithë bashkësia evropiane, pret një përgjigje konkrete dhe hetim të thelluar nga Serbia për sulmin.

    Në të kundërt, do të jetë detyrë e Bashkimit Evropian, të shohë se si do të veprojë me Beogradin.

    Nga ana tjetër, për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj negociatorët e dialogut Kosovë-Serbi duhet të kenë një qasje të re pasi gjërat nuk janë më si më parë mes dy vendeve.

    Deklaratën, kreu i shtetit shqiptar e ka bërë në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin kroat Zoran Milanoviq, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë nga Begaj.

    “Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj Izraelit bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 24 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë, dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, ravijëzoi Begaj.

    Ky i fundit falënderoi Milanoviq për mbështetjen e dhënë për Kosovën dhe dënimin e sulmit të armatosur në Veri të Kosovës.

    Kujtojmë se, rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe, nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

  • Begaj për sulmin në Kosovë: Akt terrorist, negociatorët të kenë qasje të re në dialog

    Begaj për sulmin në Kosovë: Akt terrorist, negociatorët të kenë qasje të re në dialog

    Në konferencën me presidentin kroat, Bajram Begaj ka dënuar sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

    Begaj tha se gjërat nuk janë më si më parë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje që negociatorët e dialogut mes dy vendeve të kenë një qasje të re.

    “Nënvizova se pas aktetit të Hamasit ndaj izraelit bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 2 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë, dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, tha Begaj.