ATV

Author: G.O.

  • Shkencëtarët: Mishi duhet të ketë etiketa paralajmëruese si paketat e cigareve

    Shkencëtarët: Mishi duhet të ketë etiketa paralajmëruese si paketat e cigareve

    Paralajmërimet grafike të shëndetit si ato në paketat e cigareve mund të ndihmojnë në reduktimin e konsumit të mishit, ka zbuluar një studim i ri.

    Studiuesit e Universitetit Durham sugjeruan se vendosja e paralajmërimeve tek mishi, do ndihmonte konsumatorët të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe të zvogëlojnë gjurmët e karbonit.

    Ata testuan një sërë efektesh që mishi ka, duke përfshirë ato në lidhje me ndryshimet klimatike, rreziqet shëndetësore dhe madje edhe pandemitë e ardhshme.

    Zvogëlimi i konsumit të mishit dhe të qumështit me një të pestën do të ndihmonte Mbretërinë e Bashkuar të përmbushë angazhimet e saj mjedisore, ka thënë Komiteti i pavarur i Ndryshimeve Klimatike. Studenti i doktoraturës në psikologji, Jack Hughes kreu hulumtimin e etiketës së ushqimit me disa mbikëqyrës.

    “Arritja e zeros neto të karbonit është një prioritet për kombin dhe planetin”, tha ai.

    “Meqenëse etiketat paralajmëruese, reduktojnë pirjen e duhanit, si dhe konsumin e pijeve me sheqer dhe alkoolit, përdorimi i një etikete paralajmëruese në produktet e mishit mund të na ndihmojë ta arrijmë këtë nëse futet si politikë kombëtare”, tha Jack Hughes

    Të rriturit u ndanë në katër grupe dhe treguan fotografi të marra nga vaktet që hanin nëpër mensa. Këto ushqime përmbanin një etiketë paralajmëruese për shëndetin, një etiketë paralajmëruese për klimën, një etiketë paralajmëruese për pandeminë ose pa etiketë.

    Një etiketë tregonte një zonë të shpyllëzuar, me tym fabrike në distancë ku shkruhej: Ngrënia e mishit kontribuon në ndryshimet klimatike.

    Më pas pjesëmarrësve iu drejtuan një sërë pyetjesh se çfarë do të zgjidhnin, sa ankth i ndjenin nga paralajmërimet dhe sa besonin në këto etiketa. Njerëzit u pyetën gjithashtu se sa do të ishin mbështetës për etiketat e ndryshme nëse ato do të zbatoheshin si politikë.

    “Ne e dimë tashmë se ngrënia e mishit, veçanërisht mishi i kuq dhe i përpunuar, është i keq për shëndetin dhe se kontribuon në vdekjet nga ndotja dhe ndryshimet klimatike”, tha autorja e vjetër Dr Milica Vasiljevic, nga departamenti i psikologjisë i Universitetit Durham.

    “Shtimi i etiketave paralajmëruese në produktet e mishit mund të jetë një mënyrë për të reduktuar këto rreziqe për shëndetin dhe mjedisin”.

    Eksperti i sjelljes, profesor Ivo Vlaev, i cili është një specialist në “taktikat e shtytjes”, tha për këtë hulumtim se nënvizimi i pasojave negative të konsumimit të mishit mund të jetë më efektiv sesa promovimi i përfitimeve të zgjedhjeve alternative./ TCh

  • Haradinaj bën homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në ditëlindjen e 61-të të tij

    Haradinaj bën homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në ditëlindjen e 61-të të tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te shtatorja e Zahir Pajaziti, në ditëlindjen 61-të të heroit, raporton Eonomia Online.

    I shoqëruar nga familjarë dhe bashkëluftëtarë të heroit Zahir Pajaziti, Haradinaj, tha se Zahiri dhe bashkëluftëtarët e tij janë shembuj të atdhedashurisë dhe vetëmohimit, në kërkim të lirisë dhe të drejtës së shqiptarëve.

    “Nderojmë heroin Zahir Pajaziti. Kush do që ka bë mund dhe sakrificë për liri meriton nderim dhe respekt. Janë disa që vërtetë na obligojnë gjithë jetën, janë themeluesit e UÇK-së. Sot nderojmë Zahir Pajazitin në ditëlindjen e tij të 61-të”.

    “…ishte ndër luftëtarët e parë, themelues i UÇK, udhëheqës i UÇK edhe frymëzues i yni i asaj kohe. Lavdia e tij do të jetojë për jetë e mot. Gëzuar për jetë kujtimin për Zahirin”.

    Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962 në Orllan, të Podujevës, ndërkaq ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë Vushtrri.

  • Sulmi vdekjeprurës izraelit trondit kampin më të madh të refugjatëve në Gaza

    Sulmi vdekjeprurës izraelit trondit kampin më të madh të refugjatëve në Gaza

    Një sulm izraelit në kampin e dendur të refugjatëve Jabalya në Gazën veriore vrau një numër të madh njerëzish dhe ka lënë dëme katastrofike, sipas dëshmitarëve okularë dhe mjekëve në enklavë.

    Forcat e Mbrojtjes të Izraelit pretenduan se sulmi vrau komandantin e Hamasit Ibrahim Biari, i cili ishte një nga udhëheqësit e sulmit terrorist të 7 tetorit në Izrael, sipas zëdhënësit të nënkolonelit Richard Hecht, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Hamasi megjithatë mohoi fuqishëm praninë e një prej liderëve të saj në kampin më të madh të refugjatëve të enklavës, tha zëdhënësi Hazem Qassem. Ai akuzoi Izraelin për përpjekje për të justifikuar atë që ai e përshkroi si një “krim të urryer kundër civilëve, fëmijëve dhe grave në kampin Jabalya”.

    Ambasadori Riyad Mansour, Vëzhguesi i Përhershëm i Shtetit të Palestinës në OKB, tha se sulmi ishte një krim dhe i kërkoi Gjykatës Penale Ndërkombëtare të merrte masa.

  • Ukraina vendos rregulla të reja për eksportet ushqimore

    Ukraina vendos rregulla të reja për eksportet ushqimore

    Ukraina do të kërkojë regjistrim të detyrueshëm të kompanive të eksportit të ushqimeve me qëllim që të parandalojnë abuzimet, sikurse shmangien e taksave për eksportin e mallrave kryesore bujqësore, tha Qeveria përmes një rezolute të publikuar më 1 nëntor.

    Ukraina është një prej prodhueseve dhe eksportueseve më të mëdha në botë të ushqimit, por zyrtarët vlerësojnë se një e treta e mallrave të destinuara për eksporte blihen me para të gatshme pa paguar taksat e nevojshme.

    Një problem shtesë është fshehja ose vonesa e paligjshme në dërgimin e pagesave në monedha të huaja në llogaritë jashtë Ukrainës.

    Sipas procedurës së re, me eksport mund të merren vetëm kompanitë që janë të regjistruara në Regjistrin Shtetëror Agrar, paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe nuk kanë borxhe tatimore.

    “Qëllimi i këtij pilot-projekti është të krijojë kushte për të parandaluar abuzimet dhe shkeljet e ligjit gjatë eksportit të mallrave”, tha Qeveria ukrainase.

    Ukraina, që ka nevojë shumë për para për të financuar luftën kundër Rusisë, edhe më herët kishte tentuar të ashpërsonte kontrollet e eksportit të drithërave dhe në gusht, në rajonin jugor ukrainas të Odesës, që ka porte në Detin e Zi dhe në lumin Danub, hyri në fuqi një mekanizëm për kontrollin e eksporteve të drithërave.

    Mekanizmi lejon që anijet të ngarkohen me mallrave vetëm pas analizave preliminare të ligjshmërisë së origjinës së drithërave.

    Sipas të dhënave të Qeverisë ukrainase, në tetor eksportet e drithërave ishin 2.15 milionë metrikë tonë krahasuar me 4.22 milionë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Ukraina këtë vit ka eksportuar në total 8.9 milionë tonë drithëra, që është shumë më pak se vitin e kaluar, kur kishte eksportuar 12.9 milionë.

    Shoqatat e fermerëve dhe të tregtarëve kanë thënë se bllokada e porteve ukrainase në Detin e Zi dhe sulmet ruse ndaj porteve në lumin Danub janë arsyet kryesore për rënien e eksporteve./REL/

  • Shkencëtarët nga Japonia krijojnë pajisjen që riprodhon ëndrrat

    Shkencëtarët nga Japonia krijojnë pajisjen që riprodhon ëndrrat

    Ëndrra është përjetimi i shikimit të pamjeve, dëgjimit të tingujve që i ndjejmë gjatë gjumit që bëjmë.

    Gjatë këtij procesi trupi jonë pëson disa ndryshime: Rritet adrenalina, presioni i gjakut, zemra rreh më shpejt dhe duhet 30 deri 90 minuta derisa të fillojme të shohim ëndrra. Por për të arritur tek kjo pjesë, ne kalojmë ciklin e katër fazave të gjumit.

    E pikërisht ky proces ka bërë shkencëtarët nga Japonia të krijojnë pajisje që arrin të lexojnë ëndrrat.

    Ekipi i shkencëtarëve nga “ATR Computational Neuroscience Laboratories” në Japoni, përdori një makinë të modifikuar të imazhit të rezonancës magnetike dhe një makinë elektroencefalograme që ishte në gjendje të ekzaminonte ëndrrat.

    Fillimisht, studimi nisi me 3 pjesëmarrës, me shkencëtarët që gjatë gjumit të tyre monitoruan aktivitetin e trurit për plot 10 ditë, ata gjithashtu përdorën një pajisje e cila ishte e lidhur në kokat e pjesëmarrësëve për të marrë sinjale të gjeneruara nga truri.

    Pas 200 herë prova, shkencëtarët i vendosën në gjumë tre pjesëmarrësit dhe pas zgjimit ata kërkuan që t’i shpjegonin ëndërrat e tyre teksa studiuesit arritën të nxjerrin fotografi të atyre objekteve.

    Për të kuptuar modelin e ëndrrave, ekipi krahasoi skanimet e trurit të pjesëmarrësve nga ky aparat kur ata ishin zgjuar dhe kur ishin duke fjetur dhe duke ëndërruar. Si përfundim të dhënat e mbledhura u analizuan nga një program i inteligjencës artificiale me rezultatet e algoritmit duke ndihmuar shkencëtarët të krijojnë imazhe kryesore të ëndrrave të cilat i grupuan në video.

    Duket se ëndrrat e bukura, nuk do të jenë më thjeshtë e kaluara e një gjumi të thellë, nëse ky studim vazhdon të ketë sukses atëherë këto ëndrra do të rikrijohen me qindra herë që njerëzit të mund ti rikrijojnë ato./atvlive.tv/

  • Si ndikojnë lajmet në gjendjen emocionale të njeriut?

    Si ndikojnë lajmet në gjendjen emocionale të njeriut?

    Në ditët e sotme, përhapja dhe dezinformatat me publikimin e lajmeve të ndjeshme është më prezente si asnjëherë më parë. E ndikimi i tyre në gjendjen mendore dhe emocionale janë të paevitueshme.

    Studimet kanë treguar se njerëzit kanë një tendencë të përqendrohen më shumë në lajmet negative sesa në ato pozitive.

    Kjo quhet efekti negativ, dhe është një fenomen psikologjik që ka të bëjë me faktin se truri ka tendencë të përzgjedhë lajmet negative për ti lexuar dhe për të reaguar ndaj tyre.
    Një studim i kryer nga John T. Cacioppo në vitin 2014 zbuloi se lajmet negative kanë një ndikim të madh në nivelin e stresit të individëve.

    Ata zbuluan se njerëzit që janë në rrjedha të lajmeve negative, kishin nivele më të larta të kortizolit, hormoni i stresit, në gjakun e tyre.

    Kjo tregon se lajmet negative mund të shkaktojnë ankthin dhe stresin te individët, duke i bërë ata më të prirur ndaj problemesh të shëndetit të trurit dhe emocionalit.

    Sipas një studimi, që nga COVID-19, njerëzit janë më të interesuar rreth lajmeve negative.
    Cecille Ahrens shpjegoi se njerëzit duan të kontrollojnë dhe parashikojnë rrezikun, kjo është njëra nga arsyet përse ata klikojnë një lajm negative, sepse kanë përshtypjen se do të jenë më të përgatitur rreth një ngjarje të caktuar.

    Sigurisht që përcjellja e lajmeve mund të jetë e nevojshme për të qëndruar më të informuar, veçanërisht gjatë ndonjë situate që mund të quhet krizë.
    Por, Ahrens thotë se ndjenjat e frikës, trishtimit dhe zemërimit të shkaktuara nga titujt negativ mund t’i mbajnë njerëzit në humor më të keq dhe të ballafaqohen me ankthin vazhdimisht, pa dijeninë e tyre.
    Ndryshe, e gjithë kjo ka marrë edhe një emër. Doomscrolling, do të thot shpenzimi i kohës së madhe duke lexuar sasi të mëdha lajmesh negative në internet.
    Disa studiues pretendojnë se rritja e optimizmit mund t’i ndihmojë njerëzit të përballen më mirë me lajmet e këqija pa u shkëputur plotësisht.

    Njerëzit optimistë dhe ata që nuk besojnë në teoritë e konspiracionit përjetuan më pak frikë sesa pesimistët kur lexonin informacione për pandeminë COVID 19.

    Sipas unplugged rest, lajmet e rreme shpërndahen gjashtë herë më shpejtë se lajmet e vërteta në rrjetin social Twitter.
    Si përfundim, lajmet negative kanë një ndikim të madh në trurin dhe gjendjen emocionale sa që mund të shkaktojnë stres, ankth, dhe depresion. Është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm në mënyrën se si i përjetojmë lajmet negative dhe të jemi në dijeni për ndikimin që kanë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gjendet i vdekur një person në Rahovec

    Gjendet i vdekur një person në Rahovec

    Një person është gjetur i vdekur dje fshatin Opretushë të Rahovecit, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dëshmitarët kanë deklaruar se viktima ka qenë person me të meta mentale.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Fsh. Opretushë, Rahovec 31.10.2023 – 14:30-22:00. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Sipas dëshmitarëve viktima ishte person me të meta mentale. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Gërvalla takohet me homologun senegalez, e fton për vizitë në Kosovë

    Gërvalla takohet me homologun senegalez, e fton për vizitë në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me homologun e saj senegalez, Ismaila Maidor Fall.

    Gjatë këtij takimi, Gërvalla tha se homologun e saj e falënderoi për mbështetjen që Senegali e ka ofruar në vazhdimësi për Kosovën.

    “Shpreha përkushtimin dhe vullnetin për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme”, shkroi Gërvalla.

    Më tej, ajo bëri të ditur se Maidor Fallin e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën.

  • BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi të martën, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

    Të martën në mëngjes, Kuvendi i Malit të Zi, e zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq pas një seance plenare që zgjati tërë natën.

    “Po ashtu, presim nga Mali i zi që ta mbajë rekordin e pathyeshëm të përshtatjes me BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë“, tha BE-ja në një komunikatë për media të martën.

    Mali i Zi i ka mbështetur plotësisht qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

    Por, ka pasur druajtje se ardhja në pushtet e partive pro-ruse dhe pro-serbe mund ta vënë në pikëpyetje këtë.

    Dhe pikërisht votimi i Qeverisë së re u mundësua pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Prandaj, BE-ja bëri thirrje që Mali i Zi të mos e ndryshojë politikën e jashtme si një vend që synon anëtarësimin në bllok.

    “Ne ftojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen në veprimet me prioritet që kërkohen për të avancuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të përmbushë kriteret kalimtare në kapitujt 23 dhe 24, sidomos në emërimet e gjykatësve dhe në reformat që tashmë janë vonuar“, tha BE-ja.

    Mandiq, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

    Ndaj emërimit të tij protestuan mijëra njerëz pranë ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë të hënën vonë./REL/

  • Bislimi priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, Bela Bozsik

    Bislimi priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, Bela Bozsik

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik.

    Ai e përgëzoi ambasadorin në detyrën e tij të re dhe theksoi se Kosova ka një partner e vend mik të rëndësishëm te Hungaria.

    Pjesë e bisedës ishte dhe rruga përpara e rajonit drejt integrimit evropian e prosperitetit si dhe siguria e stabiliteti i Ballkanit Perëndimor.

    Forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i përbashkët. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte të ndryshme me interes të përbashkët.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për takimin e bisedën e frytshme si dhe i uroi dhe njëherë suksese në angazhimin e tij të ri.