ATV

Author: G.O.

  • Osmani e pret ish-kryediplomaten greke që do ta shkruajë raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Osmani e pret ish-kryediplomaten greke që do ta shkruajë raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Presidentja Vjosa Osmani do ta presë në takim raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

    Presidenca njoftoi se takimi do të nisë në orën 10:00 në kabinetin e Presidentes.

    Komiteti për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës e ka caktuar ish-kryediplomaten greke si raportuese për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Detyra e Bakoyannis do të jetë të bëjë raportin, i cili shkon në seancë plenare pasi ta marrë raportin nga dy juristët eminentë që tashmë janë caktuar.

  • Kuvendi i Kosovës sot mban seancë

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot nga ora 10:00.

    Në rend dite parashihen të jenë tri seanca, njëra vazhdim me pikat e papërfunduara të seancave të datës 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023.

    Në seancën e dytë parashihet që të bëhet miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

    Derisa në të tretën, në rendin e ditës janë votimi disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe pika të tjera.

    Pikat e rendit të ditës:

    Vazhdimi i Seancës plenare

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023:
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
     II.  Seanca e veçantë:

    1.    Miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës (2023/2880(RSP).

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023: 
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
    11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023:

    6. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    11. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    12. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    15. Votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare,
    20. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
    21. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
    22. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

  • 34-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

    34-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

    Sot bëhen 34 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.

    Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

    Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

    Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë me shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

    Kështu më 2 nëntor, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga UDB-ja serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, kur edhe bien heroikisht të dy atdhetarët./KosovaPress/

  • Sveçla: Policët që protestuan sot këtë vit morën nga 2.200 euro në muaj

    Sveçla: Policët që protestuan sot këtë vit morën nga 2.200 euro në muaj

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) për ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

    Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

    “Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.

    Për më tepër, Sveçla ka bërë të ditur se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

    “Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin. Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues”, ka thënë ai.

    Ndryshe, sot është mbajtur protesta e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI). Një nga pjesëtarët e kësaj njësie ka deklaruar para mediave se nuk lejojnë të përdoren politikisht nga politika. Në emër të grupit protestues, ai tha se kërkojnë rishikimin e vendimit për shtesat e rrezikshmërisë për këtë kategori.

    Po ashtu, bëri të ditur se nuk do të ndalen së kundërshtuari dhe se do të ndërmarrin edhe masa të tjera.

    Kohë më pare kryeministri Albin Kurti ka prezantuar shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se në këtë propozim përfshihen gjithsej shtatë kategori të pozitave në polici. Sipas tij, deri më tani ka pasur pabarazi në mesin e policëve.

    Kurti shtoi se shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor.

    Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se pas shqyrtimeve dhe analizave që kanë bërë me ministritë përkatëse, kanë hartuar propozimet për shtesat e qeverisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Shtesat për njësitë elitare të Policisë së Kosovës:

    Njësia speciale intervenuese – 150 euro

    Njësia për ndërhyrje të shpejtë – 150 euro

    Njësia për mbrojte të afër – 150 euro

    Njësitë speciale operative K9 – 120 euro

    Njësinë për eksplozivët dhe deminim – 120 euro

    Pjesëtarët e patrullave kufitare – 100 euro

    Pjesëtarët e hetuesisë – 75 euro

    Ekipet reaguese dhe patrullat – 60 euro

    Policët në sigurim të objekteve – 50 euro

    Policët në menaxhim të operacioneve 50-45 euro.

    Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

    Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës.

    Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre.

    Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.

    Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor.

    Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.

    Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

    Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin.

    Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues.

  • Azemi i LDK-së: Shteti po i lë në rrezik e baltë ata që mbrojnë vendin

    Azemi i LDK-së: Shteti po i lë në rrezik e baltë ata që mbrojnë vendin

    Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës para Qeverisë së Kosovës.

    Azemi ka thënë se shteti po i lë në rrezik ata që e mbrojnë vendin. Ai shkruan se mësuesit, mjekët, minatorët, zjarrfikësit e policët janë të pakënaqur dhe potencon se pushteti pakënaqësive të tyre po iu përgjigjet më shpërfillje ose duke tentuar t’i shtypë.

    Reagimi i plotë:

    ATA MBROJNË VENDIN, SHTETI I LË NË RREZIK

    Kjo qeveri ka treguar aftësi vetëm në krijimin e pakënaqësive. Të pakënaqur mësuesit, mantelbardhët, minatorët, zjarrfikësit, policët e kush jo tjetër. Kërkesave të krejt këtyre, ky pushtet iu përgjigjet ose me shpërfillje e injorim ose duke tentuar t’i shtypë.

    Sot, para zyreve të këtij ekzekutivi protestuan edhe njësitet më elitare të Policisë së Kosovës. Për herë të parë kjo qeveri i detyroi të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësi. Ata, me punën e guximin e të cilëve zyrtarët më të lartë të shtetit krenohen përditë. Madje, tentojnë që t’i marrin edhe meritat e tyre, edhe kur ata vënë jetën në rrezik. Por, jo edhe të ua paguajnë siç duhet e sa duhet shtesën e rrezikshmërisë. Nuk ua përmbushin kërkesën më bazike. Veç ua përkeqësuan gjendjen. Po i lënë në baltë. Po i lënë midis rrezikut. E turpshme. E papranueshme.

  • Evropiani i xhudos, Kosova garon me gjashtë garues

    Evropiani i xhudos, Kosova garon me gjashtë garues

    Ekipi kosovar elitar i xhudos do të marr pjesë në Kampionatin Evropian për Senior me 6 garues, i cili do të mbahet me datë 03-05 nëntor 2023.

    Atje do të garojnë 46 shtete, 388 garues, 218 meshkuj dhe 170 femra.

    Nga Kosova do të ndeshen:

    1.Distria Krasniqi (-52 kg)

    2.Nora Gjakova (-57 kg)

    3.Flaka Loxha (-57 kg)

    4.Laura Fazliu (-63 kg)

    5.Loriana Kuka (-70 kg)

    6.Akil Gjakova (-73 kg)

    Distria, Nora e Flaka ndeshen të premten, kurse Laura, Loriana e Akili ndeshen ditën e shtunë.

    Bashkë me garuesit kanë udhëtuar edhe kryetari i Federatës Agron Kuka, trajneri e selektori ynë Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi.

  • Haxhiu: Pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit

    Haxhiu: Pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës (APK) ka lansuar programin e mentorimit për verifikimin e pasurisë të zyrtarëve publikë me ekspertë nga Këshilli i Evropës.

    Programi i mentorimit fokusohet në procesin e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë që kryhet nga APK, në përputhje me Ligjin për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave si dhe Ligjin për APK-në.

    Programi do t’u ofrojë stafit të APK-së mundësinë për tu njoftuar me praktikat më të mira evropiane në verifikimin e aseteve të deklaruara nga zyrtarët shtetëror të Kosovës.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se një shoqëri nuk mund të ketë rrugën e ndritur nëse ata që drejtojnë institucionet apo që janë në nivele të tjera veprojnë kundërligjshëm dhe nga puna e tyre e kundërligjshme krijojnë pasuri marramendëse.

    “Në Kosovë kemi pasur shumë të tillë. Por këta të fundit duhet ta dinë që kjo pasuri e paligjshme apo e pajustifikueshme asnjëherë e tyre nuk do të bëhet, sepse drejtësia herë-do-kur me ta do të merret dhe pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit me qëllim të përdorimit për shtresat që kanë më së shumti nevojë. Si qeveri, përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi angazhuar që të fuqizojmë legjislacionin kundër korrupsionit dhe të adresojmë secilën shkelje që kemi gjetur,” tha Haxhiu.

    Ndërsa drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky program është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të forcuar kapacitetet e APK-së për të parandaluar korrupsionin.

    “Deklarimi dhe verifikimi i pasurisë është një mjet kyç në përpjekjet për parandalim të korrupsionit. Ky program do të ndihmojë stafin tonë të zhvillojë aftësitë dhe njohuritë që u nevojiten për të hetuar në mënyrë më efektive rastet e shkeljeve eventual dhe rrjedhimisht t’i shërbejmë më mirë popullit të Kosovës,” tha ai.

    Ndryshe, eksperti i Këshillit të Evropës do t’i ofrojë stafit të APK-së mentorim, trajnim kolektiv dhe individual, përgjatë procesit të verifikimit të deklarimit të pasurisë për vitin paraprak.

    Programi i mentorimit do të mbulojë një gamë të gjerë temash që lidhen me verifikimin e pasurisë, duke përfshirë praktikat ndërkombëtare krahasuese lidhur me verifikimin dhe auditimin e deklarimit të pasurisë, hapat për identifikimin e flukseve financiare dhe procedurat për të marrë informacione lidhur me asetet e mbajtura brenda dhe jashtë vendit nga zyrtarët publikë, si dhe procedurat e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë.

    APK beson që programi i mentorimit do ta ndihmojë atë të bëhet një agjenci më efektive dhe efikase në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, si dhe për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë.

    Programi pritet të ketë një ndikim pozitiv në aftësinë e APK-së për të adresuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut për sa i përket verifikimit të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve nga radhët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës.

    Programi i mentorimit realizohet me përkrahjen e Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III) dhe është pjesë e një nisme bashkëpunimi të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga ky i fundit.

  • Dyshime për mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut

    Dyshime për mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut

    Në varrezat e Mitrovicës Veriore aktualisht është duke u zhvilluar një hetim me urdhër të prokurorit të Prokurorisë në Mitrovicë.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin veri, Veton Elshani, ka konfirmuar se hetimi është duke u zhvilluar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore nga Prishtina, ndërsa në vendngjarje janë të pranishme edhe organizata të shumta ndërkombëtare.

    Hetimet janë duke u kryer nga hetues, antropologë, patologë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore të Departamentit të Mjekësisë Ligjore nga Prishtina.

    “Hetimi është duke u zhvilluar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Mitrovicës. Krahas kësaj lokacioni hetimi do të bëhet edhe në vende të tjera, pasi aty thuhet se mbetjet e gjetura këtu janë bartur atje”, tha Elshani.

    Ndërkohë, hetuesit dhe një ekip i njësisë mjeko-ligjore filluan gjithashtu një hetim pranë lumit Ibër, në një vendgrumbullim të egër, ku u hodhën rrënoja, që besohet se janë pjesë e dheut të marrë nga varrezat e vjetra.

  • Rriten çmimet e naftës

    Rriten çmimet e naftës

    Çmimet e naftës u rritën të mërkurën përpara takimit të Rezervës Federale të SHBA-së dhe mes shqetësimeve në rritje të furnizimit me karburant nga sulmet e zgjeruara ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 85.72 dollarë për fuçi në orën 07:34 GMT, një rritje prej 0.82% nga çmimi i mbylljes prej 85.02 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të martën.

    Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 81.11 dollarë për fuçi, 0.11% më shumë nga mbyllja e së martës prej 81.02 dollarë për fuçi.

    Të martën, sulmet ajrore izraelite goditën kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore, duke lënë qindra të vdekur dhe të plagosur, duke thelluar shqetësimet se rrugët e furnizimit me naftë mund të ndërpriten.

    Megjithatë, rritjet e çmimeve u zbutën ndërsa investitorët presin vendimet e politikës monetare të Fed të mërkurën vonë dhe vërejtjet e kryetarit të Fed, Jerome Powell pas takimit, të cilat pritet të mbajnë normën e politikës së lartë për më gjatë se sa ishte parashikuar. /AA

  • Deti Baltik përballet me ‘sfida kritike’ për klimën dhe biodiversitetin

    Deti Baltik përballet me ‘sfida kritike’ për klimën dhe biodiversitetin

    Deti Baltik përballet me “sfida kritike” për shkak të krizës klimatike dhe degradimit të biodiversitetit, thuhet në një raport, ndërsa roja bregdetare e Suedisë luftoi për të frenuar ndikimin e një derdhjeje nafte në bregun jugor të vendit.

    Në auditimin më gjithëpërfshirës të këtij lloji deri më sot, ekspertët në Komisionin Baltik të Mbrojtjes së Mjedisit Detar (Helcom) thanë të martën se kishte pasur “pak ose aspak përmirësim” në cilësinë e ujit midis vitit 2016 dhe 2021.

    Stoqet e peshkut ishin në nivele të rrezikshme të ulëta, ndërsa ndotja, përdorimi i tokës dhe nxjerrja e burimeve vazhduan të ushtronin presion mbi detin, thuhet në raport.

    Raporti i Gjendjes së Detit Baltik 2023 zbuloi se pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar mjedisin e tij, kushtet e përgjithshme nuk ishin përmirësuar ndërsa disa tregues ishin përkeqësuar.

    Jannica Haldin, zëvendëssekretarja ekzekutive e Helcom dhe koordinatorja e raportit, tha se gjetjet shërbejnë si një kujtesë se Deti Baltik përballet me sfida kritike që rrjedhin nga aktivitetet njerëzore.

    “Rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar, një zhvendosje drejt praktikave të vërteta të qëndrueshme mjedisore dhe angazhimit afatgjatë nuk mund të mbivlerësohet,” tha ajo.

    Aktivitetet njerëzore duke përfshirë ndotjen, peshkimin e tepërt dhe shkatërrimin e habitatit kishin ndikuar në ekosistemin, duke çuar në një rënie të përgjithshme të biodiversitetit, thuhet në raport.

    Eutrofikimi – një fenomen kryesisht i krijuar nga njeriu në të cilin lëndët ushqyese të tepërta si azoti dhe fosfori shkaktojnë lulëzimin e algave – ishte gjithashtu një problem, thuhet në raport. /The Guardian