ATV

Author: G.O.

  • Kurti: Do të vazhdojmë mbështetjen financiare për shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Kurti: Do të vazhdojmë mbështetjen financiare për shqiptarët e Luginës së Preshevës

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se për herë të parë që prej pavarësisë së Kosovës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tri komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19.

    “Mbështetja financiare vitin e ardhshëm përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet”, ka shkruar Kurti.

    Postimi i plotë:

    Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tani kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron e i diskriminon qëllimshëm. Një Qeveri që synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë.

    Deri më tani gjatë qeverisjes sonë kemi ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19, gjatë qeverisë sonë të parë në vitin 2020. E kur vërshimet e vitit 2021 goditën Komunën e Preshevës, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve.

    Siguruam tekstet mësimore në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë. Financuam bursa studimi për 107 studentë shqiptarë. Për ata studentë që studiojnë në Kosovë, i lehtësuam procedurat administrative duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar nga 2500 euro në vetëm 500 euro. Ndërkaq me rregulloren e re të Ministrisë së Drejtësisë për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’i mundësohet realizimi i të drejtave të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë.

    Vitin e kaluar, nënshkruam memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.

    Çështja e shqiptarëve në Serbi, diskriminimi shtetëror, shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimi i adresave, për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan. Seancës dëgjimore në Senat të muajit maj, i parapriu vizita e delegacionit të përfaqësuesve shqiptarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takime me senatorë në mars, vizitë kjo që u mbështet me fonde të ndara nga Qeveria jonë në muajin shkurt. Financiarisht e mbështetëm edhe fushatën avokuese të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin Evropian, në qershor të këtij viti.

    E mbështetja financiare vitin e ardhshëm përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet.

  • Specialja me njoftim për arrestimin e Isni Kilajt, tregon që e kanë çuar atë në Hagë

    Specialja me njoftim për arrestimin e Isni Kilajt, tregon që e kanë çuar atë në Hagë

    Prokuroria e Hagës ka njoftuar se sot në Kosovë ka arrestuar Isni Kilajn, pas një urdhri nga Prokuroria e Specializuar.

    Prokuroria ka njoftuar se Kilaj është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.

    “Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, njofton Specialja.

    Operacioni i Speciales është mbështetur nga EULEX dhe Policia e Kosovës.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thekson njoftimi.

  • Stuhia “Ciaran” godet Shqipërinë, plagoset një polic në Tiranë

    Stuhia “Ciaran” godet Shqipërinë, plagoset një polic në Tiranë

    Shqipëria është prekur këtë mesditë nga stuhia që ka përfshirë Evropën dhe që në vendin fqinj Itali ka shkaktuar dëme të mëdha.

    Si pasojë e reshjeve të dendura, është bllokuar qarkullimi në disa akse rrugore, ndërkohë që uji ka hyrë në disa banesa dhe biznese.

    Sinoptikani Elvi Jahaj, në lidhje direkte për edicionin e lajmeve, shpjegoi se vendi ynë do të preket nga periferia e kësaj stuhie të fortë, e cila ka përfshirë pjesë më të madhe të Europës, shkruan Top chanel, transmeton KosovaPress.

    Si rrjedhojë, në orët në vijim, do të ketë mot të vranët, me vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet mesatar e herë pas herë të larta. Reshjet me intensitet të lartë do të përfshijnë Ultësirën Perëndimore dhe vijën bregdetare.

    Këto reshje do të vijojnë deri të shtunën në mesditë. Më pas, do të ketë një ndërprerje të reshjeve deri të dielën pasdite, kur do të rikthehen reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar.

    Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj, është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit.

    Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

    Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit.

    Për shkak të “lajthitjes” së motit, një efektiv policie ka mbetur i plagosur, pasi në kohën që ka qenë në detyrë një objekt është shkëputur dhe e ka goditur.

  • Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.

    Netanyahu i bëri këto komente të premten, pak pasi e takoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, i cili i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.

    Po ashtu, Blinkeni, i cili ishte sot në një vizitë në Tel Aviv, i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.

    Por, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë “me të gjitha forcat e veta” dhe se “nuk pranon armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”.

    Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.

    Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.

    Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

    Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

    Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.

    Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.

    Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.

    Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.

    Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese./REL/

  • Deputetja e PDK-së ia lëshon një incizim Kurtit nga 2011-ta: A po e njeh veten?

    Deputetja e PDK-së ia lëshon një incizim Kurtit nga 2011-ta: A po e njeh veten?

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ia ka lëshuar Kurtit në seancën e Kuvendit një incizim me kushtet që Kurti i kishte vendosur për t’iu kthyer dialogut me Serbinë dhe një fjalim të vitit 2011 për “Zajednicën”.

    Ajo i ka thënë se po i lëshon deklarata të tillë për t’ia kujtuar kryeministrit Albin Kurti se ku ishte dhe ku është sot.

    Musliu-Shoshi e ka pyetur Kurtin nëse ai e njohu veten në atë incizim.

  • Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radojiçiqin ndonëse e kishte në dorë

    Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radojiçiqin ndonëse e kishte në dorë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka refuzuar ta arrestojë kriminelin, Millan Radojiçiq, ndonëse sipas tij e ka parë në kohë reale të armatosur në territorin e Kosovës.

    Në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se Kurti ka ndaluar Policinë e Kosovës ta arrestojë Radojiçiqin gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Ky kryeministër që në kohë reale e ka parë Radojiçiqin në Republikën e Kosovës të armatosur me grup të armatosur dhe e ka ndaluar policinë e Kosovës ta arrestojë. Nuk ka dashur ta fusë në burgun personin të cilin e ka pasur në dorë. E ka parë në kohë reale, ka refuzuar ta arrestojë. Arsyet ne nuk i dimë, i di ky. Koha do ta shpjegojë”, tha ai.

  • Pochettino beson se Tottenhami mund ta fitojë Premier Ligën

    Pochettino beson se Tottenhami mund ta fitojë Premier Ligën

    Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino ka folur në konferencën e sotme para derbit me Tottenhamin.

    Pochettino rikthehet te Tottenhami pas katër vitesh, por tani si trajner i Chelseat, kur të dy ekipet përballen të hënën me fillim nga ora 21:00, raporton KosovaPress.

    Në konferencën për media, Pochettino tha se beson që Tottenhami mund ta fitojë Premier Ligën këtë vit.

    “Është një ndjenjë e çuditshme të rikthehem te Tottenhami pas katër vitesh, por do të jetë një ditë e lumtur. Unë e ndjej se Tottenhami me të vërtetë mundet që ta fitojë ligën, ata po bëjnë një punë të jashtëzakonshme”, tha Pochettino.

     

  • “E Jona Tokë” nga kjo e shtunë në ATV

    “E Jona Tokë” nga kjo e shtunë në ATV

    Nga kjo e shtunë do të fillojë transmetimin emisioni më i ri në ATV “E Jona Tokë”, nga ora 18:10.

    Përmes këtij emisioni që prezantohet nga Jona Qyqalla, do të transmetohen materiale që në fokus kanë fushën e blegtorisë dhe bujqësisë, duke promovuar dhe ndihmuar prodhimet vendore.

    Në episodin e parë të këtij emisioni mund të ndiqni rrëfime interesante të shumë fermerëve të cilët me gjithë sfidat, punën dhe përkushtimin e tyre, sot po mbajnë gjallë tregun vendor.

    Ndryshe, të gjithë prodhuesit vendor pavarësisht se çka prodhojnë, mund të bëhen pjesë e emisionit më të ri “E Jona Tokë” duke kontaktuar në rrjetet tona sociale./atvlive.tv/

    Në kanalin zyrtar të ATV-së në Youtube është publikuar edhe promo e emisionit, të cilën mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

     

  • Kusari-Lila: Sfidat që e përcollën dialogun ishin të vështira, treguan një realitet tjetër

    Kusari-Lila: Sfidat që e përcollën dialogun ishin të vështira, treguan një realitet tjetër

    Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, para deputetëve në Kuvend tha se sfidat e dy viteve të fundit që e përcollën procesin e dialogut ishin të vështira. Ajo u shprehu se këto sfida treguar edhe një realitet tjetër, raporton Ekonomia Online. Kusari-Lila tha se në Bruksel me 26 tetor, siç u shpreh ajo, u fol vetëm në emër të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    “Sfidat e dy viteve të fundit që e përcollën procesin e dialogut ishin të vështira dhe treguan një realitet tjetër, prej asaj çka donin të besonin ata që ishin përgjegjës më herët për dialogun”.

    “Në Bruksel me 26 tetor, sikur çdoherë në këto dy vitet e fundit, prapë u mbrojt dhe u fol vetëm në emër të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Më 26 tetor, ashtu sikurse edhe me 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, Serbia nuk nënshkroi marrëveshje me Kosovën”.

    “Kjo tregon se synimi i qartë i Serbisë për moszgjidhjen e kësaj situate e në veçanti kur tani atje u shpallën edhe zgjedhjet parlamentare, për të cilat një gjë është e sigurt, se nuk do të mbahen në Kosovë”.

  • Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Dehari: Prokurorët janë të manipuluar, tentuan ta fshihnin vrasjen e Astritit

    Sot janë bërë 7 vjet nga vrasja e Astrit Deharit, andaj sot nga ora 12:00 dhjetëra qytetarë protestuan përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, për siç thanë ata, shkaku i neglizhencës së Prokurorisë, në hetimin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje. 

    I pranishëm në këtë protestë ishte edhe babai i Astritit, Avni Dehari, i cili fajësoi prokurorët e rastit, duke thënë se të njëjtit janë të manipuluar, derisa shtoi se arrestimi i Astritit asokohe ishte i inskenuar, për qëllime politike.

    “Po bahen 7 vite që ne si familje dhe e gjithë shoqëria po kërkojmë drejtësi për vrasjen e Astrit, në burgun e Prizrenit. Arrestimi i Astritit, ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës së atëhershme, për qëllime politike dhe jo për veprën që ishte kryer, sepse të gjithë shokët e Astriti ishin shpallur të pafajshëm… Vet fakti që 7 vite nuk u zbardh rasti, flet shumë së është një drejtësi e manipuluar nga vet prokurorët, si prokurori Sylë Hoxha për 2 vite me radhë e keqtrajtoi këtë rast derisa poli në pension e po ashtu në ditët e para ende pa përfunduar analizat e duhura, u përpoq ta mbledhë vdekjen e Astriti si vetëvrasje dhe siç po duket edhe pasuesi i tij Afrim Shefkiu po vazhdon të manipuloj me këtë rast njëjtë”, tha ai.

    Tutje edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha se ende nuk dihen arsyet se pse nuk po jepen informata se çfarë po ndodh me këtë rast.

    “Deri më tani prokuroria nuk e ka përfunduar rasti ashtu siç kërkohet. I ka të gjitha provat që Dehari u ra mirëpo ne nuk i dimë arsyet por besojmë që nuk janë arsye ligjore se për çfarë arsye prokuroria deri më tani nuk ka nxjerrë së paku një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në këtë rast, në zbulimin e emrave të vrasësve të Deharit, emrat e atyre që nxiten vrasjen e tij. Ne e dimë që një dëshmitar i cili ka qenë në dhomë me Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara është vrarë. Nuk po e dimë se cila është arsyeja pse nuk po jepet informata se çfarë po ndodhë me këtë rast”, tha Gashi.

    Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016. Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqini videon e mëposhtme: