ATV

Author: G.O.

  • Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se pas javës së parë të dhjetorit nuk do të ketë më në rrugët e Veriut makina me targa ilegale. Këtë deklaratë Elshani e ka bërë në një intervistë për KosSev.

    “Policia s’mund të garantojë që pas afatit të regjistrimit nuk do të ketë djegie të veturave, por mund të garantojmë që pas javës së parë të dhjetorit automjetet me targa KM, Pr, PZ, GL, UR, PE dhe DA, që të mos jenë në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Elshani.

    Elshani ka thënë se ka interesim të pronarëve të veturave që t’i regjistrojnë ato me RKS dhe se një kërkesë të tillë ia kanë adresuar MPB-së.

    “Kur i kemi marrë ato kërkesa, ua kemi përcjellë eprorëve tanë dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Ne i kërkuam Ministrisë së Punëve të Brendshme që kërkesën tonë t’ia përcjellë qeverisë, sepse e dinim që duhej ta merrte atë vendim që njerëzit të kishin një mundësi tjetër për të regjistruar makinat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e miratoi kërkesën tonë dhe u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 deri më 30 nëntor të riregjistrohen”, ka shtuar ai.

    Elshani ka thënë se nëse do të shihet në rrugë një makinë me targa KM, do t’i merren targat sepse një veturë e tillë s’duhet të jetë në qarkullim. Ai ka thënë se nëse haset edhe për herë të dytë, do të konfiskohet vetura.

    Pas skadimit të afatit për regjistrim, Elshani ka thënë se pronarët e veturave që nuk kanë kaluar në targat RKS do të gjobiten sikur të ishin të paregjistruar.

    Që nga fillimi i procesit, më shumë se 2800 vetura kanë kaluar nga targat KM në RKS.

    “Deri të hënën në orën 16:00 janë riregjistruar 2013 vetura, por në këto dhjetë vjet kanë kaluar mbi 800 vetura në targa RKS. Ka ende kohë deri më 30 nëntor, ajo që është e rëndësishme të thuhet është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat e Regjistrimit punojnë të shtunave dhe të dielave”, ka deklaruar ai.

  • Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në në një ligjëratë në Universitetin e Mitrovicës ‘Isa Boletini’, Rohde ka thënë se Gjermania nuk kërkon asnjëherë përmbushje të obligimeve që janë në kundërshtim me Kosovën dhe kushtetutën e saj.

    “Një nga obligimet e Kosovës në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit. Gjermania asnjëherë nuk do të mbështeste diçka që është kundër interesave të Kosovës dhe kundër kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, tani është koha e përmbushjes së obligimeve. Sepse vetëm atëherë kur të arrihet normalizimi, mund të shohim sukses për Kosovën në proceset integruese në Evropë”, ka thënë dje ai.

    Më tej ambasadori gjerman ka folur edhe për lidhshmërinë që kosovarët kanë me Gjermaninë dhe afrimin e lëvizjes së lirë për ta.

    “Të gjithë kosovarët kanë së paku nga një familjar në Gjermani. Dua të nënvizoj që ishte e padrejtë që Kosova të ketë regjim të vizave. Mirëpo, nga një janari kosovarët nuk kanë pse të pyesin dhe pse të presin për viza. Madje, Kushdo që i pëlqen futbolli, jeni të mirëpritur në Gjermani, pasi vitin e ardhshëm do të mbahet Evropiani tek ne”, ka thënë Rohde.

    Përveç kësaj, ai theksoi rëndësinë që Kosova së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Ka një luftë në Evropë, e shumë tensione që vijnë si shkak i politikave të Putinit, çka sjell regres në kontinent. Për Gjermaninë është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Nuk është se vetëm duam të bëjmë mirë në Ballkan, por janë edhe interesat tonë të përgjithshme”, është shprehur ambasadori gjerman.

    Rohde po ashtu ka thënë se gjithmonë janë në mbështetje të projekteve që vijnë në kuadër të përmirësimit të gjendjes në Kosovë.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj Pjetës Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Seanca nis në orën 09:30 dhe pritet të përfundojë rreth orës 16:00.

    Sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri.

    Ai akuzohet për krime të luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

    Krimet për të cilat akuzohet Shala dyshohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

  • Ministrja e Jashtme belge viziton sot Kosovën

    Ministrja e Jashtme belge viziton sot Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Belgjikës, Hadja Lahbib do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

    Sipas njoftimit, ajo do të pritet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Takimi dypalësh do të zhvillohet në MPJD, teksa pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media.

  • Çitaku për vendimin e Speciales: Kjo nuk është drejtësi

    Çitaku për vendimin e Speciales: Kjo nuk është drejtësi

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Speciale për vendimin që t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se respekton ligjin por kjo sipas saj, nuk është drejtësi.

    Gjykata Speciale ka vendosur të pezullojë vizitat dhe komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

    Vendimi vjen pas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat gjyqësorë duke zbuluar informacione konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur dhe pjesë të dëshmitëve të tyre.

    Lidhur me këtë rast, ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kundërshtuar vendimin duke theksuar se procesi nuk është duke ofruar drejtësi.

    “Fakti mbetet se themeluesit e kësaj republike u mbajtën në paraburgim për 2 vite pa gjyq. Një vit me procese të ngadalta. Me këtë ritëm ata do të qëndrojnë edhe 10 vite në paraburgim. Ju prisni që ata të mos diskutojnë se sa i bezdisshëm është procesi? Unë respektoj ligjin. Por kjo nuk është drejtësi”, ka shkruar ajo në platformën X.

    Çitaku ka kritikuar arsyetimin e Speciales, duke thënë se nëse themeluesit e UÇK-së kanë folur për dëshmitarët e Gjykatës me vizitorët – dëshmi të cilat i ka quajtur “qesharake” – edhe nëse kanë bërë komente duke shprehur dyshime rreth seriozitetit të dëshmitarëve dhe procesit gjyqësor, gjë që sipas saj, nuk ka asgjë.

    Ajo po ashtu ka thënë se komenton raste nga Gjykata e Lartë e SHBA dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Një temë: Thjesht lexoni arsyetimin e Speciales për të vënë në izolim themeluesit e UÇK-së. Pra ata folën me ne vizitorët e rastit? Nga dëshmitë qesharake? Dhe ne komentuam? Sigurisht. Unë komentoj çështjet e Gjykatës së Lartë të SHBA. Rastet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Dhe nga këto raste gjithashtu”, ka shkruar tutje ajo.

    Çitaku gjithashtu ka theksuar historinë e themeluesve të UÇK-së, të cilët u mbajtën në paraburgim për 2 vite pa gjyq dhe ka shprehur shqetësimin se me ritmin aktual të procesit, ata do të qëndrojnë edhe 10 vite në paraburgim.

  • Digjet një shtëpi në Rahovec, lëndohet një person

    Digjet një shtëpi në Rahovec, lëndohet një person

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri ditën e enjte në Rahovec, ku një person ka pësuar lëndime trupore.

    Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Raportohet se si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një shtëpi, lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar. Viktima fillimisht është dërguar në spitalin e Prizrenit, e më pas në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitet përkatëse”, njoftoi Policia.

  • Raportohet për dy tërmete në Turqi

    Raportohet për dy tërmete në Turqi

    Dy tërmete raportohet se kanë goditur Turqinë.

    Sipas deklaratës së Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), një tërmet me magnitudë 5.2 ka ndodhur në rrethin Battalgazi të Malatya në orën 17:46, sipas kohës lokale, të enjten.

    Tërmeti është regjistruar në një thellësi prej 6.99 kilometrash.

    Ndërkohë raportohet se pas tërmetit, ka ndodhur një tjetër tërmet me magnitudë 4.7 ballë, epiqendra e të cilit ka qenë rrethi Battalgazi.

  • Aksident Istog – Lëndohen 14 persona, në mesin e tyre 12 nxënës

    Aksident Istog – Lëndohen 14 persona, në mesin e tyre 12 nxënës

    14 persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën Pejë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Gurrakoc të Istogut.

    12 nga të lënduarit janë nxënës, dhe dy të tjerë janë shoferët, njëri i kombibusit dhe tjetri i një automjeti të përfshirë në aksident.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka folur rreth rastit.

    “Personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog dhe me udhëzimin e mjekut janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Pejës”, tha Gashi.

    “Pas kontrolleve dhe tretmanit mjekësor që ju është bërë personave të lënduar sipas mjekut kujdestar të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi i cili po vazhdon të trajtohet në këtë spital”, theksoi ai.

    Ai ka shtuar se me urdhër të prokurorit, njëri nga vozitësit është shoqëruar në njësitin e hetuesisë për aksidente që të japë intervistën si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit.

  • Kryeministrja italiane: Punësimi rekord i femrave më bën krenare

    Kryeministrja italiane: Punësimi rekord i femrave më bën krenare

    Kryeministrja Giorgia Meloni tha në kohën e pyetjeve të premten se norma rekord e punësimit të femrave në Itali e bëri atë krenare.

    Ajo tha se numri i grave të punësuara kishte arritur nivele rekord “si në terma absolutë ashtu edhe në aspektin e shkallës së punësimit”. Ajo tha se “është ndoshta rezultati që më bën më së shumti krenare për këtë vit të parë të qeverisjes”.

    Shifrat për punësimin e femrave, tha kryeministrja e parë grua e Italisë, “janë gjithashtu rezultat i masave për të inkurajuar punësimin duke favorizuar balancën punë-jetë për të mos i detyruar gratë të zgjedhin.

    Ajo tha se “kjo nuk do të thotë domosdo të kesh liri të plotë, ke liri nëse mund të bësh të gjitha zgjedhjet”. /ANSA

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për media ka dhënë informacionet lidhur me aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë javës një jave.

    Zëdhënësi Doyle njoftoi se në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, blloku i radhës i seancave gjyqësore përfundoi të enjten e kaluar. Sipas tij, dëshmitari i 36-të i thirrur nga Prokuroria, z. Sadik Halitjaha, pritet të vazhdojë dhënien e dëshmisë gjatë seancës gjyqësore të ardhshme, më 4 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Doyle në vazhdim tha se më 17 nëntor, në të njëjtën çështje gjyqësore, Zyra e Prokurorit të Specializuar parashtroi një kërkesë urgjente për ndryshim të kushteve të paraburgimit të z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi. Versioni i redaktuar publik i kërkesës u lëshua dje dhe gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

    ” Në këtë parashtrim, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke ua shpërndarë përmbajtjen konfidenciale të dëshmive personave që i kanë vizituar në objektin e paraburgimit. Prokuroria pretendon gjithashtu se hetimet kanë zbuluar tentime të mëtejshme për të penguar procesin gjyqësor, përfshirë dhënien e udhëzimeve se si duhet të japin dëshmi dëshmitarët dhe planet për kontaktimin e dëshmitarëve”, deklaroi zëdhënësi Doyle.

    Gjithashtu në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, Doyle tha se dje u lëshua versioni i redaktuar publik i Vendimit mbi Kërkesën e Mbrojtësit Kujdestar për Shtyrje të Dëshmisë së W04577-ës, që tani gjendet në faqen e internetit.

    “Vendimi ka të bëjë me dëshmitarin e 29-të të thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore. Në vendim, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e mbrojtësit kujdestar për shtyrje të dëshmisë së dëshmitarit, bazuar në faktin se psikologu i Zyrës për Mbrojtje dhe Mbështetje të Dëshmitarëve konstatoi se dëshmitari aktualisht nuk është në gjendje të japë dëshmi dhe se palët nuk e kundërshtuan kërkesën e mbrojtësit kujdestar. Trupi Gjykues miratoi shtyrjen e dëshmisë së dëshmitarit deri në një njoftim të ardhshëm dhe deri kur Trupi Gjykues të bindet se dëshmitari është në gjendje të japë dëshmi”, deklaroi ai.

    Lidhur me gjykimin kundër Pjetër Shalës, gjatë kësaj konference u tha se seancat po mbahen këtë javë dhe vazhdojnë dhe javën tjetër.

    Sipas Zëdhënësit Doyle, më 20, 21 dhe 22 nëntor, dha dëshmi dëshmitari i pestë, z. Zijadin Hoxha. Më 22 nëntor, filloi dhënien e dëshmisë dëshmitarja e gjashtë e thirrur nga Mbrojtja, znj. Safete Hadërgjonaj, dëshmia e së cilës përfundoi sot. Dëshmitarja e shtatë e thirrur nga Mbrojtja, Time Kadrijaj, filloi dhënien e dëshmisë sot.

    “Më 20 nëntor, Trupi Gjykues vendosi lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës. Gjykatësit konstatuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor dhe/ose të kryejë krime të tjera, përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi ose që do të japin dëshmi në këtë proces gjyqësor. Në lidhje me lirimin e përkohshëm, Trupi Gjykues gjykoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve të zbatueshme në objektin e paraburgimit të DHS-së, u tha në fund të kësaj konference./BetimipërDrejtësi