ATV

Author: G.O.

  • Tetë ushqimet që nuk e dini se shkaktojnë alergji

    Tetë ushqimet që nuk e dini se shkaktojnë alergji

    Alergjitë janë shumë të përhapura dhe mund të prekin një numër të madh personash.

    Mund të shkaktohen si nga ushqimet ashtu edhe nga faktorë të jashtëm siç janë poleni i luleve apo pluhurat.

    Në botë numërohen rreth 170 ushqime të cilat shkaktojnë alergji, por vetëm 8 prej tyre janë më të përhapurat.

    Në këtë artikull nga AgroWeb.org do të flasim për alergjitë më të zakonshme ndaj ushqimit dhe disa mënyra alternative me çfarë mund ti zëvendësoni.

    Çfarë janë alergjitë ndaj ushqimit
    Një alergji ndaj ushqimit shkaktohet kur trupi ka një reaksion ndaj një enzime të caktuar që futet në organizëm.

    Disa nga këto enzima apo proteina trupi i disa njerëzve mund ti përkthejë si të dëmshme dhe ti konsiderojë si sulme.

    Për tu mbrojtur trupi krijon një sërë procesesh që shkaktojnë inflamacionin.

    Këto reaksione të brendshme të trupit përkthehen menjëherë edhe jashtë tij.

    Duke shkaktuar kështu, ënjtje të zonës së fytyrës apo gojës, vështirësi në frymëmarrje, presion i ulët gjaku, të vjella, diarre dhe kruarje të lëkurës.

    Në disa raste alergjitë mund t’i shkaktojnë të gjithë këto reaksione njëherazi dhe të jenë një problem shumë i rrezikshëm për shëndetin.

    Disa nga këto ushqime të cilat i përdorni çdo ditë AgroWeb.org iu shpjegon mëposhtë.

    Qumështi i lopës
    Alergjitë nga qumështi i lopës zakonisht prekin fëmijët nën moshën 3 vjeç, por edhe persona të rritur.

    Fëmijët në 90% të rasteve e kalojnë këtë alergji teksa rriten, kështu që në mosha madhore mund të mos jenë më të rrezikuar.

    Gjithsesi si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit, simptomat e alergjisë mund të fillojnë 5-30 minuta pas konsumimit të këtij qumështi.

    Simptomat mund të variojnë që nga enjtja e fytyrës, skuqje, kruarje, të përziera apo inflamacion të stomakut.

    Nëse jeni diagnostikuar nga mjeku me këtë lloj alergjie bëni kujdes të evitoni jo vetëm qumështin e lopës, por edhe produktet që e përmbajnë atë.

    Këtu futet djathi, gjalpi, kosi, margarina, kremi i qumështit apo akullorja.

    Vezët
    Alergjia ndaj vezëve është e dyta për nga më të përhapurat në të gjithë botën.

    Rreth 68% e personave janë alergjik ndaj vezës deri në moshën 16 vjeç.

    Pas kësaj moshe alergjia mund të largohet gradualisht.

    Simptomat e alergjive nga veza fillojnë që nga kruarjet e lëkurës, problemet me tretjen dhe problemet me frymëmarrjen.

    Në disa raste të veçanta këto simptoma mund të shkaktohen të gjitha sëbashku.

    Ajo që e shkakton alergjinë tek veza është proteina, ndaj nëse jeni alergjik ndaj të verdhave të vezës jeni edhe ndaj të bardhave të saj.

    Nëse shikoni që pas konsumimit të këtij ushqimi keni simptoma shqetësuese, drejtohuni menjëherë tek mjeku dhe hiqni dorë nga konsumimi i tyre.

    Ky përjashtim mund të mos jetë i vlefshëm edhe për të gjitha ushqimet që përmbajnë vezë.

    Sipas të dhënave, rreth 70% e fëmijëve të cilët vuajnë nga kjo lloj alergjie nuk përjetojnë simptoma të rrezikshme kur konsumojnë biskota apo kek me vezë.

    Arrorët
    Alergjitë ndaj arrorëve janë gjithashtu shumë të përhapura.

    Këtu përfshihen të gjithë ushqimet të cilët rriten në pemë në formën e arrive, bajameve apo fistikëve.

    Nëse vuani nga kjo lloj alergjie, nuk duhet në asnjë mënyrë të konsumoni ushqime që i përmbajnë këto produkte.

    Këshillohet përshtatja me një dietë pa arrorë, salca apo vajra të ndryshëm.

    Kikirikët
    Megjithëse mund të mendoni se futen në familjen e arrorëve, kikirikët janë bishatjorë.

    Njihen si shkaktarë të alergjive për shumë persona dhe mund të jenë të rrezikshëm për shëndetin në këto raste.

    Zakonisht shfaqet në mosha të vogla dhe mund të zhduket gjatë jetës gjithësesi kujdesi maksimal është i nevojshëm.

    Nëse vuani nga kjo alergji, eleminoni menjëherë këtë ushqim nga dieta juaj.

    Ushqimet e detit
    Alergjitë nga ushqimet e detit shkaktohen kur trupi reagon ndaj proteinave që këto ushqime përmbajnë.

    Këtu futen të gjithë llojet e guackave, aragosta apo karkalecat e detit.

    Proteina e quajtur tropomiosinë që këto ushqime përmbajnë, mund të shkaktojnë një sërë reaksionesh në organizëm.

    Evitojini të gjitha këto ushqime nëse ndjeni se jeni alergjikë prej tyre.

    Drithërat
    Alergjia ndaj drithërave mund të zhduket gjatë 10 viteve të para të jetës, por është gjithsesi e rrezikshme.

    Këtu futen të gjithë ushqimet me bazë drithërat, brumërat, buka dhe çdo gjë tjetër që përmban këtë produkt.

    Soja
    Megjithëse nuk janë shumë të përhapura, alergjitë ndaj sojës janë prezentë në 0.4% të fëmijëve.

    Kjo alergji shkaktohet nga farat e sojës dhe produktet që i përmbajnë ato.

    Peshku
    Alergjitë nga peshku prekin rreth 2% të të gjithë të rriturve

    Kjo lloj alergjie mund të zhvillohet edhe gjatë jetës dhe në mosha të mëdha.

    Përveç alergjive nga ushqimi disa njerëz mund të përjetojnë edhe intolerancën nga ushqime të ndryshme.

    Intoleranca ndaj ushqimit mund të shkaktojë efekte anësore minimale të cilat nuk prekin sistemin imunitar dhe nuk janë të rrezikshme./AgroWeb.org

  • Sindikata e Policisë dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve në Suharekë

    Sindikata e Policisë dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve në Suharekë

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën ka folur për rastin e djeshëm në Suharekë.

    Në njoftim u tha Policia dje ka parandaluar një grabitje të armatosur dhe se gjatë atij intervenimi kanë mbetur të lënduar dy zyrtarë policorë, njëri prej tyre me armë zjarri.

    Sindikata dënoi çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë, teksa kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit ndaj kryerësve të këtyre veprave, me qëllim të parandalimit të sulmeve të tilla.

    “Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve, prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesionalizimin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre, pa kursyer as shëndetin dhe jetën e vet”, përfundon komunikata për media e Sindikatës së Policisë.

    Kujtojmë se dje në orët e pasdites katër persona kanë kryer një grabitje në një argjendari në Suharekë. Gjatë grabitjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët i ishin përgjigjur rastit.

    Deri më tani nuk asnjë të arrestuar në lidhje me rastin.

  • Kadeti Ukaj diplomon në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane

    Kadeti Ukaj diplomon në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane

    Pas tri viteve studime intensive në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Gjermane, kadeti Edison Ukaj përfundoi me sukses shkollimin e tij.

    Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “Në një ceremoni të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, zyrtarët e lartë të Bundeswehr i dorëzuan diplomën kadet Ukaj, i cili nga sot do të shërbejë në radhët e oficerëve të Ushtrisë së Kosovës”, shkruan ai.

  • Murtezaj kërkon nga Abbott që ambasada ta mbështesë ATK-në në rekrutimin e punonjësve të rinj

    Murtezaj kërkon nga Abbott që ambasada ta mbështesë ATK-në në rekrutimin e punonjësve të rinj

    Drejtori Ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj ka vizituar ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

    Në takim me ambasadorin Nicholas Abbott dhe bashkëpunëtorët e tij, u diskutua rreth bashkëpunimeve të vazhdueshme që ka ATK me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar.

    Drejtori Murtezaj falënderoj për mbështetjen që i është bërë institucionit në procese të rëndësishme, si dhe bashkëpunimet e tjera në fusha të caktuara tatimore.

    Murtezaj, në këtë takim kërkoj nga ambasada që të mbështetë ATK-në në fazën e rekrutimit të punonjësve të rinj, proces i cili ka nevojë për monitorim profesional e të paanshëm, në mënyrë që përzgjedhja të jetë sa më transparente dhe meritore.

    Nga ambasada u vlerësua kërkesa e ATK-së dhe në parim u premtua që do të mbështesin në zhvillimin e një sistemi të rekrutimit që do të shihet si meritokratik dhe transparent, i cili padyshim do të reflektoj në përzgjedhje të drejtë dhe meritore.

  • ​Armëpushimi në Gaza shtyhet të paktën deri nesër, luftimet vazhdojnë

    ​Armëpushimi në Gaza shtyhet të paktën deri nesër, luftimet vazhdojnë

    Lufta në Rripin e Gazës vazhdon dhe armëpushimi i rënë dakord dhe lirimi i pengjeve janë shtyrë për të paktën edhe një ditë. Më shumë se 24 orë pas shpalljes së planeve të armëpushimit, njoftimi i pritshëm i fillimit zyrtar ende nuk është konkretizuar. Izraeli tha se nuk do të fillojë të paktën deri nesër.

    Re tymi u panë në agim mbi Rripin verior të Gazës, të shoqëruara nga të shtëna të forta armësh dhe shpërthime. Izraeli vazhdoi të sulmonte pjesën jugore të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte kryer 300 sulme ajrore në 24 orët e fundit.

    “Negociatat për lirimin e pengjeve tanë po përparojnë dhe vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, duke shtuar: “Lirimi do të fillojë siç është rënë dakord fillimisht nga palët dhe jo më herët se të premten”.

    Pauza e parë në luftën shtatëjavore duhet të lejojë lirimin e 50 grave dhe fëmijëve të rrëmbyer nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite.

    Izraeli tha se armëpushimi mund të zgjasë më shumë se katër ditë nëse militantët lironin të paktën dhjetë pengje në ditë. Një burim palestinez tha se në valën e dytë, deri në fund të muajit, deri në njëqind pengje mund të lirohen. Të dyja palët kanë thënë se do të rifillojnë luftimet sapo të përfundojë armëpushimi.

    “Ky nuk është fundi i luftës. Ne do të vazhdojmë derisa të fitojmë,” u tha komandantëve shefi i shtabit të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi.

    Zyrtarët izraelitë nuk shpjeguan saktësisht pse ndodhi vonesa, por thanë se të gjitha përgatitjet për lirimin e pengjeve duhet ende të përfundojnë. Duket se detajet janë duke u finalizuar, tha ministri i Energjisë, Israel Katz, një anëtar i kabinetit të sigurisë.

    “Izraeli nuk tha paraprakisht se kjo do të ndodhte sot. Ne e kuptuam se kjo do të ndodhte me afrimin e së premtes,” shtoi Katz.

    Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Adrienne Watson tha se detajet përfundimtare logjistike janë duke u përpunuar.

    Portali izraelit Ynet raportoi se Izraeli nuk ka marrë ende emrat e pengjeve që duhet të lirohen.

    Ndërkohë, Hamasi njoftoi se forcat izraelite ndaluan punonjësit e spitalit Al-Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës, përfshirë edhe drejtorin. Izraeli nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, por zyrtarë izraelitë të paidentifikuar e kanë bërë këtë në stacionin televiziv Khan.

  • Behrami: Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme

    Behrami: Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme

    Ish-këshilltari i Hashim Thaqit, Artan Behrami përmes një postimi në Facebook reagoi lidhur me ngjarjet në Hagë.

    Sipas tij, heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme, duke theksuar se ata të cilët po gjykohen në Hagë e kanë shtetin kundër tyre, tha ai.

    Postimi i plotë :

    Heshtja e Qeverisë dhe opozitës për ngjarjet në Hagë është e frikshme!
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur Qeveria e Serbisë dërgon dezinformata te Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur BIA serbe paguan, kërcënon, shantazhon dhe rekruton dëshmitarë kundër krerëve të UÇK-së.
    Ndërhyrje në drejtësi nuk qenka kur kryetarja dhe kryeprokurori (ish) takojnë diplomatë dhe thonë se krerët e UÇK-së do të dënohen!
    Paramendoni, as Sllobodan Millosheviqin nuk e kanë përgjuar dhe nuk ia kanë publikuar bisedat.
    Por, atij nuk kanë guxuar, sepse shtetin, opozitën e ka pas me vete!
    Deri sa këta në Kosovë, fatkeqësisht, shtetin e kanë kundër.

  • Osmani kujton Xhemajl Mustafën në 23-vjetorin e vrasjes së tij

    Osmani kujton Xhemajl Mustafën në 23-vjetorin e vrasjes së tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar politikanin dhe intelektualin Xhemajl Mustafa në 23-vjetorin e vrasjes.

    Osmani tha se Mustafa ishte më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi.

    Derisa theksoi se vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë.

    “Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur. Autorët duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do të jetë i përhershëm!”, ka thënë Osmani.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje në nderim të 23-vjetorit të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se ky minutë heshtje bëhet në nderim të jetës dhe veprës së tij.

    Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka përkujtuar babain e tij, Xhemajl Mustafën në një postim në Facebook.

    Xhemajl Mustafa, që ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

  • Ulet çmimi i naftës

    Ulet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës vazhduan të bien të enjten për shkak të frikës së vazhdueshme të kërkesës pas një rritjeje të papritur të rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA dhe pasigurive të furnizimit si rezultat i një vonese katër-ditore në takimin e OPEC+, në të cilin vendet anëtare do të vendosin politikën e prodhimit për vitin e ardhshëm.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 81.34 dollarë për fuçi në orën 10:45 të mëngjesit me orën lokale (07:45 GMT), një rënie prej 0.75% nga çmimi i mbylljes prej 81.96 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën, shkruan Anadoly Agency

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 76.63 dollarë për fuçi, 0.60% më pak nga mbyllja e së mërkurës prej 77.10 dollarë për fuçi.

    Nafta e papërpunuar Brent ra me më shumë se 4% të mërkurën pas shqetësimeve për rënien e kërkesës në SHBA, konsumatori më i madh i naftës në botë.

  • ​Basketboll/ Fundjava sjellë duele interesante në Superligën e femrave

    ​Basketboll/ Fundjava sjellë duele interesante në Superligën e femrave

    Fundjava sjell tri ndeshje mjaftë interesantë në kuadër të xhiros së tetë në Superligën e Femrave.

    Ndeshja kryesore do të zhvillohet në Prizren, Bashkimi pret Peja 03 të premten më fillim nga ora 19:00.

    Superliga e Femrave vazhdon të shtunën ku Penza është nikoqire e Prishtinës. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 17:00.

    Kurse të dielën zhvillohet ndeshja e fundit ë xhiros së gjashtë United Basketball udhëton në Mitrovicë për ndeshjen me Trepçën e cila do të fillon nga ora 16:00.

  • Populisti anti-Islam fiton zgjedhjet në Holandë

    Populisti anti-Islam fiton zgjedhjet në Holandë

    Populisti i ekstremit të djathtë, anti-islamiku Geert Wilders, ka arritur një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare në Holandë, të mbajtura të mërkurën, treguan rezultatet pothuajse përfundimtare, të enjten.

    Rezultati nënkupton që ai do t’i udhëheqë bisedimet për formimin e një koalicioni të ri qeverisës dhe ndoshta të bëhet kryeministri i parë i djathtë në një kohë trazirash politike në pjesën më të madhe të kontinentit.

    Teksa kanë mbetur pak vota pa u numëruar, Partia e Lirisë, e udhëhequr nga Wilders, ka fituar 37 nga 150 ulëset në parlament, më shumë se dyfishi i vendeve të fituara në zgjedhjet e fundit.

    Programi zgjedhor i Wilders përfshin thirrjet për një referendum për largimin e Holandës nga Bashkimi Evropian, një ndalesë totale të pranimit të azilkërkuesve si dhe kthimin e migrantëve në kufijtë holandezë.

    Ai gjithashtu mbron “de-islamizimin” e Holandës, megjithëse ka qenë më i butë për islamin gjatë kësaj fushate zgjedhore sesa në të kaluarën.

    “Votuesit thanë: ‘Ne jemi të lodhur nga kjo. Të sëmurë me barkun tonë”, tha Wilders, duke shtuar se tani ishte në një mision për t’i dhënë fund “cunamit të azilit” duke iu referuar çështjes së migracionit që dominoi fushatën e tij.

    “Holandezët do të jenë sërish numër një”, tha Wilders. “Njerëzit duhet ta kthejnë kombin e tyre”, shtoi ai.

    Por ligjvënësi, i cili në të kaluarën është etiketuar si një version holandez i Donald Trump, do të duhet të formojë një qeveri koalicioni përpara se të marrë drejtimin e pushtetit.

    Kjo do të jetë e vështirë pasi partitë kryesore ngurrojnë të bashkojnë forcat me të dhe partinë e tij./REL/