ATV

Author: G.O.

  • MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bën të ditur se sot ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se qëllimi i memorandumeve është ndër të tjerash për të realizuar sesione informuese kundër dhunës për komunitetin fetar.

    “Me Myftiun, Naim Tërnava nga Bashkësia Islame, Imir Gashi nga Kisha Protestante Ungjillore dhe Don Kolë Dedaj nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, të bashkuar kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj vajzave dhe grave. Sot, nënshkrova memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare, përmes së cilave u pajtuam për realizimin e sesioneve informuese kundër dhunës për komunitetin fetar, dhe mobilizimin e liderëve në komunitet, si partner e bashkëpunëtorë në veprimet kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Sot dhe çdo ditë tjetër!”, ka theksuar ajo.

  • Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Autoritetet shëndetësore kineze thanë të enjten se mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive u raportuan në kryeqytetin Pekin gjatë javës së kaluar.

    Sipas Qendrës së Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjithsej 72,475 raste të 16 sëmundjeve infektive të njoftueshme u raportuan në Pekin midis 20 dhe 26 nëntorit.

    “5 sëmundjet kryesore ishin gripi, infeksioni i ri i koronavirusit, sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës, sëmundje infektive të diarresë dhe sifilizi, që përbëjnë 99.4% të rasteve të raportuara të sëmundjeve infektive të njoftueshme”, raportoi e përditshmja me bazë në Pekin, Global Times, duke cituar qendrën.

    Të mërkurën, autoritetet shëndetësore u kërkuan qytetarëve të marrin masa paraprake pas disa rajoneve, përfshirë Tianjin verior, Zhejiang lindor dhe Guangdong jugor, raportuan një rritje të rasteve të gripit.

    Javën e kaluar, Shoqata Ndërkombëtare për Sëmundjet Infektive tha se sëmundjet e frymëmarrjes dhe pneumonia e padiagnostikuar janë në rritje në Kinë. Spitalet e fëmijëve në Pekin dhe Liaoning verior janë të mbingarkuar me raste “të papërcaktuara” të ngjashme me pneumoninë që besohet se kanë origjinën nga infeksionet bakteriale. /Anadolu Agency/

  • Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata Supreme e Rusisë e ka shpallur “ekstremiste” lëvizjen LGBT, një vendim i cili, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, do t’ia mundësojë vendit t’i luftojë edhe më shumë homoseksualët dhe transgjinorët.

    Pas një seance me dyer të mbyllura, gjykata tha më 30 nëntor se e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ta quajtur ekstremiste “lëvizjen ndërkombëtare LGBT”, duke ia ndaluar aktivitetet në Rusi.

    Grupet ruse për të drejtat e njeriut i kishin kërkuar gjykatës ta hidhte poshtë kërkesën e Ministrisë, duke thënë se “është e pamundur ta quash një grup njerëzish ‘lëvizje shoqërore’ thjesht sepse ata i takojnë një grupi shoqëror, apo sepse ata janë të bashkuar nga disa karakteristika personale”.

    Ky vendim është më i fundit në një sërë vendimesh kundër të drejtave të LGBT-së në Rusi.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e vazhdoi një ligj të vitit 2013, i cili e ndalon përhapjen e “propagandës homoseksuale” tek fëmijët, përfshirë tek njerëzit e të gjitha moshave.

    “Ky vendi i turpshëm dhe absurd përfaqëson një front të ri në fushatën e autoriteteve ruse kundër komunitetit LGBTI”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.

    “Vendimi rrezikon të ketë për pasojë ndalimin e të gjitha organizatave LGBTI, me shkelje shumë më të mëdha të lirisë së shprehjes dhe grumbullimit të lirë dhe paqësor, si dhe të të drejtës për të mos qenë i diskriminuar. Do të ketë ndikim ndaj shumë njerëzve”, shtoi ajo.

    Ligji rus ua ndalon qytetarëve dhe organizatat t’i mbështesin apo promovojnë organizatat ekstremiste, përfshirë shpalosjen e simboleve të tyre online. Ndëshkimet nisin nga gjoba deri te dënimi me burg.

    Ekspertët thonë se Putini po i sulmon LGBT dhe minoritetet e tjera për ta kënaqur bazën e vet konservatore para zgjedhjeve presidenciale në mars./REL/

  • Katër gjëra trashëgohen vetëm nga nëna

    Katër gjëra trashëgohen vetëm nga nëna

    Çdo gjë e trashëgojmë nga prindërit, duke filluar nga sjellja e deri tek inteligjenca.

    Megjithëse gjenetika është diçka komplekse, hulumtimet kanë treguar se disa trajta të caktuara i trashëgojmë vetëm nga nëna.

    INTELIGJENCA

    Një anketim me mbi 12,000 njerëz mes moshave 14 dhe 22 vjet ka zbuluar se çfarë faktorë ndikojnë në inteligjencë, status socio-ekonomik dhe në edukim.Rezultatet kanë treguar se nëna e ka ndikimin më të madh gjenetik në inteligjencën e fëmijës.Sipas ekspertëve, inteligjenca e nënës dhe fëmijës dallon mesatarisht vetëm 15 pikë.

    SHPREHITË E GJUMIT

    Studimi i publikuar në revistën “Sleep Medicine” kishte zbuluar se nënat ua trashëgojnë fëmijëve shprehitë e gjumit dhe se bebet pushojnë më pak dhe flejnë më vonë nëse nënat e tyre kanë probleme me gjumë.Në mënyrë interesante, shkencëtarët nuk e kanë zbuluar të njëjtën lidhje me baballarët e tyre.

    SHPEJTËSIA E PLAKJES

    Siç duket, gjenet e nënës ndikojnë në shpejtësinë tonë të plakjes.Shkencëtarët kanë zbuluar se një gjen të cilin e trashëgojmë vetëm nga nëna e kontrollon në mënyrë të pjesshme procesin tonë të plakjes.

    MENOPAUZA

    Edhe mosha në të cilën e kaloni menopauzën duket se trashëgohet nga nëna. Megjithatë, ekipi hulumtues ka zbuluar se nuk luan rol vetëm gjenetika, por edhe stili i jetesës.

  • Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që të zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale, deri më 15 dhjetor.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

    Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

    Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.

  • ​Kërcënohen dy gazetare, reagon AGK-ja

    ​Kërcënohen dy gazetare, reagon AGK-ja

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar kërcënimet e bëra në drejtim të dy gazetareve Ardiana Thaçi- Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, të cilat kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.

    Sipas AGK-së, kërcënimi ndaj autoreve të emisionit KIKS Kosova ka ardhur pas një hulumtimi të tyre të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira.

    Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook.

    “Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt trrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke…”, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar, ku bëhet e ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

    AGK gjithashtu tha se kërcënimet e tilla janë shqetësuese, teksa bëri thirrje që organet e drejtësisë që ta trajtojë rastin me prioritet.

  • Ministrja Hajdari: Manipulimet me çmime po vazhdojnë

    Ministrja Hajdari: Manipulimet me çmime po vazhdojnë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se manipulimet me çmimet po vazhdojnë, pasi marzha e fitimit për bizneset në disa produkte bazë janë mbi 50 për qind.

    Pas rrëzimit të ligjit për çmimet tavan nga Gjykata Kushtetuese, Hajdari tha se argumentet që i kanë pranuar nga kushtetuesja nuk qëndrojnë pasi s’ka pas asnjë shkelje të tregtisë së lirë.

    “Ligji për masat për produktet themelore nuk ka pasur asnjë shkelje të tregtisë së lirë, por ka pasur për të adresuar vetëm manipulime e tregtarëve, jo në përgjithësi por vetëm disa tregtare. Argumentet që i kemi pranua aspak nuk qëndrojnë pasi nuk është e mundshme të shfrytëzohet ligji për rezervën shtetërore në rast se ka çrregullim në treg. Është e mundshme të shfrytëzohet ai ligj kur ka kriza në treg, kështu që ne do të vazhdojmë tutje, kemi politikën tregtare kemi Ligji për tregti dhe manipulimet bashkë me Autoritetin e Konkurrencës do të adresohen. Unë asnjë nen të MSA-së dhe Kushtetutës nuk e kam shkel me këtë ligj, por befasohem për të keq se manipulimet po vazhdojnë në treg dhe xhepat e qytetarëve tanë po harxhohen, 70 për qind i kemi marzhë tregtare për disa produkte bazë, 50 për qind kemi marzhë tregtare për bukën”, tha ajo në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet Raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian për vitin 2023.

    Mirëpo, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, akuzoi ministren se ka shkel Kushtetutën, madje sipas tij Hajdari edhe ka keqpërdorur me rezervat shtetërore.

    “E ke shkel kushtetutën, ke shkel ligjin ke keqpërdorur me rezervat shtetërore dhe ke shkel një cikë nëntë vjeçare”, theksoi ai.

  • Presidenca konfirmon largimin e Blerim Velës

    Presidenca konfirmon largimin e Blerim Velës

    Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se shefi i stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela ka përfunduar angazhimin e tij në Presidencë.

    “Ai do t’i kthehet angazhimit të tij profesional dhe familjes”, thuhet në njoftim.

    Presidentja Osmani e ka falënderuar atë për angazhimin e deritashëm dhe i ka uruar sukses në angazhimet e mëtejme.

    Vela së fundi ka qenë në qendër të kritikave për një status në platformën sociale “X”, që kishte të bënte me gazetarin Fahri Musliun, që ndërlidhej me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Vela kishte sugjeruar që presidenti serb Vuçiq dhe publicisti Musliu ta bënin testin e ADN-së për të vërtetuar nëse kanë gjakun e njëjtë.

  • Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese: Kosova ka bërë hapat e duhur

    Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese: Kosova ka bërë hapat e duhur

    Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, megjithëse vazhdoi t’i kualifikoi si pasoja për vendin.

    Ai tha se Kosova ka marrë hapat e duhur për largimin e tyre, derisa tha se të njëjtat kanë ndikuar edhe në shkrimin apo vlerësimin e BE-së për Raportin për Kosovën gjatë vitit 2023.

    “Masat e Komisionit Evropian karshi Kosovës janë ende në fuqi dhe besojmë që ka një mundësi që prezenca e këtyre masave ka pasur ndikim edhe në shkrimin e raportit apo vlerësimin që i është bërë Kosovës. Po ashtu masat që janë në fuqi bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos edhe me iniciativat e fundit, siç është plani i rritjes dhe ai për integrimin unik. Kosova ka bërë hapat e duhur, andaj është shumë i rëndësishëm që BE-ja së më shpejt t’i tërheq këto masa të cilat janë të kthyeshme dhe pa pasoja, në mënyrë që fokusi të kthehet në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë”, theksoi Bislimi.

    Në debatit parlamentar në Kuvend për këtë raport, Bislimi tha se janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit që është dashur të vlerësohen më shumë.

    “Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e qeverisjes, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por edhe luftimit të korrupsionit, të cilat është dashur të vlerësohen e të theksohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike, dhe për më tepër, janë rekomanduar në vetë raportin e vitit të kaluar. Disa nga këto janë Ligji për qeverinë, Ligji për Prokurorinë e shtetit, funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, rritja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe caktimi automatik i lëndëve ”, tha Bislimi.

    Ai përmendi disa arritje që sipas tij janë vlerësuar në raportin e progresit, siç janë arritjet në ERA II, reformat në fushën e demokratizimit dhe unifikimi me politikën e jashtme të BE-së në raport më luftën në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë.

    “Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë në plotëni i bazuar në meritokraci. Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon duhet t’i jepet mundësia që këtë të dëshmojë. Ne kemi bërë hapin tonë më 15 dhjetor të vitit të kaluar kryeministri ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. Tani jemi të gatshëm dhe presim që t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga komisioni evropian në mënyrë që të vlerësohemi në formë objektive dhe merita”, theksoi ai.

  • ​Raporti për Kosovën, Bislimi përplaset me deputetët opozitarë

    ​Raporti për Kosovën, Bislimi përplaset me deputetët opozitarë

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është përplasur me deputetët opozitarë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, sa i përket Raportit për Kosovën nga Bashkimi Evropian.

    Bislimi tha se në raport vlerësohet hapja e vendeve të reja të punës dhe punësimi i 60 mijë qytetarëve. Ai tha se kjo shihet edhe në raportet e ATK-së, ku sipas tij 21 mijë të punësuar janë në sektorin e tregtisë, 10 mijë në prodhim, kurse 6 mijë në gastronomi.

    “Shqetësimet që u ngritën për numrin e të punësuarve, këtë shifrën prej 60 mijë qe e prezantova unë është relativisht e lehtë të verifikohet. Ka tri mënyra, një prej tyre është të lexohet vet raporti për vendin, ku në faqen 63 thuhet se shkalla e papunësisë ka rënë shumë nga 19 në 11.8 për qind…21 mijë vende janë krijuar në tregti, 10 mijë në prodhim, 6 mijë në gastronomi. Pra vendet e reja të punës janë të definuara nga sektori nga vjen”, tha Bislimi.

    Mirëpo këto të dhëna po i sheh si jo të besueshme, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Sipas saj në bazë të raportit të TRUST-it, gjatë këtij viti ka 100 mijë punëtorë më pak sesa vitin e kaluar.

    “Janë 100 mijë punëtorë më pak sipas TRUST-it në vitin 2023 sesa në vitin 2022, ndërkaq ju po flini për 60 mijë vende të reja të punës. Prandaj nuk përkojnë këto statistika pasi raportet zyrtare flasin për të kundërtën”, tha ajo.

    Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, tha se këto shifra janë për shkak të regjistrimit të punëtorëve në ATK për shkak të përfitimit të subvencioneve.

    Ajo tha së Raporti për Kosovën është më i keqi ndonjëherë, sidomos në fushën e industrisë, tregtisë dhe ndërmarrësisë.

    “Punëtorët janë regjistruar në kohën e pandemisë për shkak se kanë përfituar subvencione. Në shumë biznese nuk kanë pasuar punëtorë të regjistruar. Raporti i progresit për vitin 2023 është raporti më i keq që nga pas lufta, veçmas në industrinë, tregtinë dhe ndërmarrësinë”, tha ajo.

    Deklaratat e Bislimit i kundërshtoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se e vetmja rritje që ka ndodhur është ajo e çmimeve dhe inflacionit.

    “Është e vërtet që ka pas rritje. Rritja e parë ka ndodhur te çmimet dhe inflacionit pasi janë dyfishuar çmimet. Rritja e dytë është se këtë vit është rritur dhuna, plaçkitjet dhe janë rritur standardet për veturat për rent a car”, tha ai.

    Në mbrojtje të zëvendëskryeministrit Bislimi, doli deputeti i LVV-së, Armend Muja i cili tregoi në shifra ku bazohet hapja e vendeve të reja të punës.

    “Kur ka ardhur kryeministri Kurti atë ditë qe ka bërë betimin këtu i ka gjetur 346 mijë të punësuar të regjistruar në ATK dhe 768 mijë jo aktiv. Deri në muajin e kaluar a e dini sa ka shkuar deri në shtator të vitit 2023 numri i të punësuar, është 411 mijë, pra kapërcim prej 65 mijë vetave”, theksoi Muja.