ATV

Author: G.O.

  • Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen katër komisione.

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot do të shqyrtojë Projektligjin për shërbime sociale dhe familjare, ndërkaq ai për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport do ta shqyrtojë Projektligjin për Rininë.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të bëjë shqyrtimin e projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

    Ndërkaq, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione do të mbajë takim me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor, i themeluar sipas Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.

  • Protestë gjithëpopullore pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Protestë gjithëpopullore pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sot do të mbajë protestë gjithëpopullore me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

    Protesta nis në orën 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

    “Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.

    Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën e 3 dhjetorit, ka vendosur nga një muaj paraburgim për bashkëshoritn e Liridonës dhe dy të tjerë.

    Sipas komunikatës, gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 euro. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

  • Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale

    Halitjaha vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Dëshmitari i 36-të i ZPS-së, Sadik Halitjaha, ka dhënë dëshminë edhe gjatë ditës së hënë.

    Halitjaha, u është përgjigjetur pyetjeve të gjykatësit lidhur me dëshminë e sa i përket zinxhirit komandues në zonën operative të Pashtrikut.

    Dëshmitarit Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij, iu është prezantuar një dokument që thuhet se është raport pune në Kleçkë i nënshkruar nga një person me emrin Agim Zogaj.

    Sipas asaj që u tha nga trupi gjykues, pretendohet se Zogaj ka qenë drejtor i burgut në Kleçkë.

    Halitjaha në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshminë e tij do ta vazhdojë edhe sot.

  • Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

    Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

    Ka vdekur në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi. 

    Aktori lindi më 17 prill të 1948, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma lëvizës.

    Kush ishte Mirush Kabashi

    Ai ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

    Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

    Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

  • “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” – Të martën protestohet për vrasjen e Liridonës

    “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” – Të martën protestohet për vrasjen e Liridonës

    Të martën, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të organizohet protestë në mbrojtje të grave pas rastit të fundit të vrasjes së Liridona Murselit, ngjarje që dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestën, të cilën po e quajnë “gjithëpopullore”.

    “Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Kjo organizatë ka njoftuar se do të organizojë një aksion simbolik të dielën pranë Pallatit të Drejtësisë, ku pritet të mbahen seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit.

  • Vetura godet një këmbësor në Prishtinë

    Vetura godet një këmbësor në Prishtinë

    Një këmbësor ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor si pasojë e një aksidenti sot në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Rreth orës 12:40  kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësori dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë Ahmeti.

  • Peach përmbyll vizitën në Kosovë duke vizituar ushtarët britanikë që erdhën së fundi

    Peach përmbyll vizitën në Kosovë duke vizituar ushtarët britanikë që erdhën së fundi

    I dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, e ka përmbyllur vizitën në Kosovë në kampin Bondsteel, ku ka takuar ushtarët britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit, të cilët erdhën së fundi në Kosovës, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Pamje nga vizita e tij atje ka publikuar Ambasada britanike në Kosovës. Në njoftim thuhet se emisari britanik lavdëroi ata për vendosjen e tyre të shpejt dhe profesionale si dhe i ka falenderuar për kontributin në mandatin e KFOR’it.

    “Në fund të vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i kryeministrit Lord Peach bëri një vizitë tek ushtarët britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit në kampin Bondsteel.

    Lordi Peach i lavdëroi ata për zbarkim e tyre të shpejtë dhe profesionale dhe i falënderoi për kontributin e tyre në mandatin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt gjatë vendosjes së tyre këtu”, thuhet në njoftim.

  • Abdixhiku te familja Rugova me rastin e ditëlindjes së ish-presidentit, veçon tortën e preferuar të themeluesit të LDK-së

    Abdixhiku te familja Rugova me rastin e ditëlindjes së ish-presidentit, veçon tortën e preferuar të themeluesit të LDK-së

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me familjen e tij e zyrtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e ditëlindjes.

    Abdixhiku ka thënë se zonja e shtëpisë Fana Rugova iu kishte përgatitur ëmbëlsirën “Tiramisu”, atë që e kishte pasur të preferuar edhe ish-presidenti Rugova e të cilën e kishin shijuar për herë të parë në Romë.

    Bashkë me Abdixhikun dhe zyrtarët e tjerë në këtë vizitë kanë qenë edhe gjenerata e parë e Shkollës Politike të LDK-së që ka marrë emrin “Ibrahim Rugova”

    “Ata nga afër panë vet historinë. Atë që bëri lirinë, shtetësinë e vet demokracinë. Kjo histori na qëndron sot jo vetëm si rikujtim i madhështisë, por edhe si detyrim i rrugëtimit tonë përpara. Presidenti ka vetëm ditëlindje!Prandaj gjithë rugovistëve, urime kjo datë e ditë!”, ka shkruar Abdixhiku.

  • Erërat të forta në disa qytete shkaktojnë dëme në shtylla dhe përçues elektrikë

    Erërat të forta në disa qytete shkaktojnë dëme në shtylla dhe përçues elektrikë

    Erëra të forta janë raportuar sot në rajonin e Dukagjinit, Mitrovicës dhe të Prizrenit.

    Të dhënat e fundit nga KEDS paraqesin një situatë të përkeqësuar në distriktet e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Prizrenit, ku janë shkaktuar dëme në shtylla dhe në përçues elektrikë.

    “Ekipet e terrenit ndodhen në gatishmëri 24/7 me qëllim që konsumatorëve të prekur nga këto kushte atmosferike, t’u kthehet sa më parë furnizimi me energji elektrike, për çka i falënderojmë për mirëkuptim”, thuhet në njoftim.

  • Presidentja Osmani zhvillon takime të shumta në COP28

    Presidentja Osmani zhvillon takime të shumta në COP28

    Në kuadër të takimeve gjatë COP28 në Dubai, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime me kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Sao Tomé dhe Principe, Patrice Trovoada.

    Në takim me kryeministren daneze u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

    “Danimarka është një mike e vlefshme për Kosovën dhe ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë së bashku në trajtimin e sfidave të përbashkëta”, ka shkruar Osmani në X.

    Ndërsa, në takim me kryeministrin e Sao Tomé dhe Principe, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerë anembanë globit”, ka shkruar Osmani.