ATV

Author: G.O.

  • Ministri Sveçla: Gjendja në veri është përmirësuar dukshëm

    Ministri Sveçla: Gjendja në veri është përmirësuar dukshëm

    Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhelal Sveçla, tha se sfida më e madhe për këtë vit ka qenë ruajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe ruajtja e integritetit territorial në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.

    Madje tha se tejet sfiduese ka qenë shtrirja e sovranitetit në veriun e vendit pas sulmit të grupeve paramilitare atje dhe kulmi i këtyre sulmeve ka qenë ai i 24 shtatorit.

    Ai në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, shtoi se edhe dje nga një sulm është rrezikuar jeta e një polici.

    Sipas tij, së fundi situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm në veriun e vendit.

    “Atje institucionet e sigurisë janë ballafaquar me sulme ekstremiste, sulmi i 24 shtatorit u menaxhua mjaft mirë edhe pse humbëm heroin Afrim Bunjakun”.

    “Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovë është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është se një sulm kemi pasur edhe dje ku është rrezikuar jeta e një polici. Megjithatë situata e sigurisë atje është përmirësuar ndjeshëm”, tha ai.

  • Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës, dikush tentoi ta godasë me veturë

    Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës, dikush tentoi ta godasë me veturë

    Një zyrtar policor është sulmuar të martën në veri të Mitrovicës.

    Policia ka njoftuar në raportin 24 orësh se zyrtari ka thënë se dikush ka tentuar ta godasë me veturë e më pas ka goditur veturën e tij.

    “Ankuesi ka informuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtar të Policisë”, thuhet në raport.

    Aty nuk jepen detaje tjera lidhur me sulmin që i është bërë zyrtarit policor.

  • Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha

    Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit për mediat, pasi me 75 vota pro, socialistët i hoqën këtë të enjte imunitetin duke i hapur rrugë arrestimit të tij nga Prokuroria e Posaçme.

    Votimin në Kuvend, Berisha e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend.

    “Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.

    Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

  • Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

    Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

    Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) për ashpërsim të masës së sigurisë ndaj tij, nga detyrim paraqitje në “Arrest me burg/shtëpie”, me akuzën për korrupsion pasiv.

    Ashtu siç e parashikonte rregullorja, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dha fjalën Sali Berishës, por ky i fundit refuzoi. Ai kërkoi që të hiqej garda e Republikës nga Foltorja, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh, e për pasojë ish-kryeministri zgjodhi të heshtë, raporton A2CNN.

    As protesta jashtë parlamentit dhe as kaosi i në seancën plenare, skenar i parë edhe në të kaluarën nga opozita, me karrige pirg në Foltore dhe flakadanë blu, nuk e ndalën mazhorancën që me fuqinë e kartonit t’i hiqnin imunitetin kryetarit të opozitës.

    Tashmë, pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK ka rrugë të lirë për t’i bërë kërkesë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për llojin e masës së sigurisë, nëse do të jetë arrest shtëpie apo arrest me burg.

    Berisha akuzohet se ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Përgjatë gjithë retorikës së tij, ish-kryeministri ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike.

  • Osmani u kërkon qytetarëve t’i respektojnë rregullat e liberalizimit: Fokus sivjet ishte ruajtja dhe garantimi i sigurisë, shkak agresioni i Serbisë

    Osmani u kërkon qytetarëve t’i respektojnë rregullat e liberalizimit: Fokus sivjet ishte ruajtja dhe garantimi i sigurisë, shkak agresioni i Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të respektojnë rregullat që kanë të bëjnë më liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

    E para e vendit në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se fokusi në këtë vit e sidomos në pjesën e dytë të vitit ka qenë ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të agresionit të Serbisë.

    Ajo ka thënë se Kosova ka pasur arritje në këtë vit, duke përmendur rangimin në disa fusha. Po ashtu ka përmendur edhe aplikimin në Këshill të Evropës dhe kalimin në fazën e parë në këtë rast. E para e endnit tha se dhe aplikimi për statusin e kandidatit për BE.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat që janë pjesë e këtij sistemi të liberalizimit të vizave”.

    “Siç e dini fokusi gjatë këtij viti ka qenë tekë ruajtja dhe garantim i sigurisë në vend për shkak të sfidave që paraqiten nga fqinji jonë Serbia. Në takimin e fundit të këtij Këshilli tema ka qenë dhuna në baza gjinore. Dhuna vazhdon që të jetë një kambanë alarmuese, kishim rastin e Liridona Admejat që janë shndërruar në tragjedi”.

    “Viti përpara kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional dhe veprime të mëtejme konkrete me qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve të fusha të ndryshme të cilat ua kemi borxh qytetarëve tanë”.

    Ajo tha se gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind e rasteve të dhunës kanë qenë gra, sipas saj, shumica dërmuese e rasteve që kanë ndodhur kanë mundur që të parandaloheshin nëse do të kishte veprim të menjëhershme të institucioneve, rapton EO.

    “Siç shihet gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind gra, duhet të sigurohem që të fuqizohen të gjitha mekanizmat përgjegjës. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershëm të institucioneve.”

    “Me lejoni që ta shpreh pakënaqësinë time që ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk mori parasysh rekomandimet e këtij grupi”, tha ajo.

  • Arrestohet e dyshuara që kërcënoi një grua në Prishtinë

    Arrestohet e dyshuara që kërcënoi një grua në Prishtinë

    Policia njoftoi se ka arrestuar një grua në Prishtinë, nën dyshimin se ajo kishte kanosur një grua tjetër.

    “Prishtinë 20.12.2023-11:10.Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se e kishte kanosur viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit kujdestar, e dyshuara është dërguar në qendrën e mbajtjes.

  • Publikuan video duke shtënë me armë zjarri, arrestohen dy persona në Gjakovë

    Publikuan video duke shtënë me armë zjarri, arrestohen dy persona në Gjakovë

    Të mërkurën janë arrestuar dy persona në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, pasi ata muaj më parë kishin bërë incizime duke shtënë me armë zjarri.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, arma pushkë gjuetie është konfiskuar.

    “Rr. Pjeter Bogdani, Gjakovë 20.12.2023 – 10:22. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj  kosovarë, pasi që muaj më parë kishin bërë incizime duke shtënë me armë zjarr. Arma pushkë gjuetie është konfiskuar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Dhjetëra njerëz ende të zhdukur nga tërmeti që la 137 të vdekur në Kinë

    Dhjetëra njerëz ende të zhdukur nga tërmeti që la 137 të vdekur në Kinë

    Dhjetëra njerëz vazhdojnë të jenë të zhdukur pas tërmetit 6.2 ballësh, i cili e goditi provincën veriperëndimore të Kinës Gansu, të hënën vonë, raportuan mediet lokale të enjten.

    Mediet kineze raportuan se kërkimet për të mbijetuar dhe viktima në Gansu përfunduan të martën në orën 15:00 me kohë lokale, rreth 15 orë pasi tërmeti e kishte goditur vendin e largët bjeshkor. Tërmeti goditi edhe provincën Qinghai, ku nuk është e qartë nëse ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar.

    Në Gansu, 115 njerëz u gjetën të vdekur deri të mërkurën në mëngjes dhe 784 të tjerë u lënduan, sipas autoriteteve. Gansu nuk ka raportuar për njerëz të zhdukur.

    Në Qinghai, 22 njerëz humbën jetën nga tërmeti, ndërsa 198 u lënduan. Rreth 12 persona u raportuan të zhdukur të mërkurën pasdite. Më shumë se 207.000 shtëpi u dëmtuan dhe gati 15.000 u shembën në Gansu, duke i prekur më shumë se 145.000 banorë.

    Përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë ngritën shumë pikëpyetje rreth përfundimit të shpejtë të kërkimeve në Gansu. Shumë prej tyre sugjeruan se temperaturat e ulëta ishin arsyeja kryesore e përfundimit të shpejtë të kërkimeve për të mbijetuar.

    Njerëzit e ngecur nën rrënoja janë të ekspozuar ndaj temperaturave -10 grandë dhe si pasojë rrezikojnë të përballen me hipotermi, dhe mund të mos jenë në gjendje të jetojnë më shumë se 10 orë, edhe nëse nuk janë të lënduar, sipas medieve lokale.

    “Ata do të kishin vdekur deri të ishin gjetur, madje 24 orë është kohë shumë e gjatë. Temperaturat jashtë janë minus 10 gradë”, tha një përdorues i platformës Weibo.

  • Gjykimi për krime lufte në Istog, dëshmitari rrëfen se si paramilitarët serbë e kishin hedhur në një grumbull kufomash

    Gjykimi për krime lufte në Istog, dëshmitari rrëfen se si paramilitarët serbë e kishin hedhur në një grumbull kufomash

    Dëshmitari Naim Elshani ka rrëfyer se si në një moment, derisa ishin të mbështetur për muri, dy paramilitar serbë e kishin marrë dhe dërguar në një grumbull prej 30 kufomash, ku kishte humbur ndjenjat dhe më pas e kishte parë vetën të mbuluar me njërën nga to. Këtë deklarim Elshani e bëri në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në Istog, Ekrem Bajroviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se përkundër kërcënimeve nga komandanti i stacionit policorë në Gurakoc, Millosh Stojkoviq që të lëshojnë shtëpitë e tyre nga fshati, ata kishin rezistuar duke mos u larguar.

    Më pas dëshmitari Elshani tha se duke e parë gjendjen e rënduar nga lufta përreth fshatrave, kishin vendosur të largohen nga shtëpitë e tyre më 7 maj 1999, për të vijuar rrugën për në Shqipëri, ashtu edhe siç ishin urdhëruar nga paramilitarët serb.

    Ai tha se në një moment ishin grumbulluar rreth 30 mijë njerëz në një livadh të madh, të cilët sipas tij, ishin civil nga Peja dhe Drenica.

    Tutje, ai tha se në një moment ishin ndaluar nga paramilitarët serbë që ishin të armatosur dhe ishin vendosur përreth një muri të një shkollë në rrugën për qytetin e Klinës për t’i plaçkitur, dhe sipas tij, këta paramilitar aty në mes të oborrit e kanë rrahur personin me emër Hasan Elshani.

    Elshani tha se arsyeja e maltretimit të Hasan Elshanit qëndron ngase të njëjtin sistemi i atëhershëm serb e akuzonte për bartje të armeve ilegalisht.

    Gjithashtu, Elshani deklaroi se në një moment kur ishte mbështetur për muri e kishte parë të akuzuarin Bajroviq të veshur me uniform të policisë dhe se nga personat që ishin të mbështetur për muri e kishte tërhequr për ta shpëtuar personin me emrin Ahmet Elshanin.Dhe krejt kjo sipas dëshmitarit Elshani, ishte bërë pasi që gruaja e Ahmet Elshanit ishte me nacionalitet boshnjak, siç është edhe i akuzuari Bajroviq.

    Tutje, dëshmitari Elshani tha se në një moment derisa ishin të mbështetur për muri dy paramilitar serbë e kishin e kishin marrë atë për të vozitur traktor, por se më pas e kishin dërguar në një grumbull kufomash, ku sipas tij, ishin rreth 30 persona të vrarë.

    I njëjti tha se me të parë ato kufoma ishte ndaluar dhe ishte lutur që Zoti ta ndihmoi pasi që dy paramilitaret serbë i kishte parë të parapërgatitur për ta ekzekutuar.

    “E bana ni lutje, dhe thash o Zoti im nëse ka Zot të lutem më ndihmo”, tha Elshani.

    Pas kësaj situate, Elshani tha se nuk kishte ndjerë dhimbje apo krismë dhe se pavetëdije e kishte parë vetën mbi kufomat e njerëzve sa që ishte i mbuluar me njërën nga to.

    Më pas ai tha se e kishte parë veten në pasqyrë se nuk ka faqen.

    Elshani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurori special, Ilir Morina tha se vetëm një herë gjatë luftës e kishte parë të akuzuarin Bajroviq dhe atë te momenti kur kishte shpëtuar personin Ahmet Elshani, e që që tash sipas tij është i vdekur.

    Ndërkaq, Elshani shtoi se të akuzuarin Bajroviq e njeh edhe para luftës dhe se me të nuk kishte asgjë të keqe.

    Gjatë deklaratës së tij, dëshmitari Elshani rrëfeu se si dy paramilitar serbë në një moment derisa ishin të mbështetur për muri e shtynin drejt zjarrit një person për ta djegur.

    Paraprakisht në këtë seancë u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori Morina tha se sot po kërkohet drejtësi për 16 civilët e vrarë shqiptarë nga forcat policore dhe ushtarake serbe e që në mesin e tyre ishte edhe i akuzuari Bajroviq.

    Tutje, Morina tha se në gjykatë do të dëgjohen dy kategori të dëshmitarëve dhe atë dëshmitarët okular në vendin ku ka ndodhur krimi dhe kategoria e dytë që do të flasin për personaliteti, sjelljet e të akuzuarit para gjatë dhe pas luftës.

    Gjithashtu disa fjalë patën edhe të dëmtuarit, ku njëri nga ta, Adem Geca tha se është një nga 220 profesorët e rrahur nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe, e që pjesë e tyre sipas tij, ishte edhe vet i akuzuari.“Unë jam viktimë e tij direkt, na ka lënë të gjithëve me pasoja”, tha Geca.

    Kurse i dëmtuari tjetër, Ylber Lipa tha se ka të vrarë 8 anëtar të familjes gjatë kohës së luftës në Komunën e Istogut.

    Ndërkaq, i dëmtuarit, Dyldy Shala rrëfeu një rast se si ishin mbyllur disa civil shqiptarë ku dëgjoheshin të bërtiturat e tyre dhe plumbat nga maltretimet që i bëheshin prej paramilitarëve serbë.Tutje, fjalën hyrëse e dha mbrojtësi i të akuzuarit Bojrovqit, avokati Ljubomir Pantoviq, i cili tha se synimi i mbrojtës në këtë rast është që të dëshmojnë se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kryes i veprës penale për të cilin akuzohet.

    Pantoviq tha se nuk mohojnë krimet e kryera në Staradran dhe Gurakoc sepse sipas tij, ato krime kanë ndodhur por se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kryes i tyre. Edhe i akuzuari Bojrovq mohoi që ka bërë krime lufte, duke thënë se nuk kryes i veprës penale për të cilin akuzohet dhe tha se ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Me përfundimin e dëshmisë së Elshanit seanca u ndërpre për tu caktuar e radhës në fillim të vitit 2024.

    Ekrem Bajrovci po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Krime Lufte” në qytetin e Istogut.

  • Arrestohet një burrë në Gjakovë, në gjendje të dehur sulmoi fizikisht djalin e tij

    Arrestohet një burrë në Gjakovë, në gjendje të dehur sulmoi fizikisht djalin e tij

    Një burrë është arrestuar në Gjakovë pasi në gjendje të dehur kishte sulmuar fizikisht djalin e tij.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë 20.12.2023 – 00:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht djalin e tij viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.