ATV

Author: G.O.

  • Çitaku komenton 7 pikat e Kurtit: S’po e marrin seriozisht ndërkombëtarët

    Çitaku komenton 7 pikat e Kurtit: S’po e marrin seriozisht ndërkombëtarët

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili renditi shtatë pika përmes së cilave synon “normalizimin e Marrëdhënieve drejt vitit 2024” me Serbinë. Kurti për nxjerrjen e këtyre pikave u nxit nga deklaratat e fundit të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

    Çitaku tha se kjo mënyrë e hartimit të kushteve e të cilat s’po merren parasysh nga ndërmjetësit e bën Kurtin “palaço”.

    “Kryeministri Kurti i paska postu edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze! Në fakt, ai vetë është joserioz. Një palaço jo-qesharak”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo tha se kryeministrin “s’po e merr askush seriozisht”, derisa tha se ai është vonuar dhe se për këtë qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat.

    Postimi i plotë:

    Kryeministri Kurti i paska postu edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze!

    Në fakt, ai vet është joserioz. Një palaço jo-qesharak. Qe një kronologji:

    1. Për 6-7 vjet, Albin Kurti ka përdorur dhunë kundër çfarëdo marrëveshje të ndihmuar nga aleatët, duke mos kursyer asgjë dhe askënd: Është derdhur edhe gjak nëpër rrugë, janë hedhur bomba, gaz lotsjellës dhe është thirrur në luftë vëllavrasëse.
    2. Pas ardhjes në pushtet, tash Albin Kurti thotë që nuk e ka prioritet dialogun, dhe zbulon formula të ndryshme, përfshi “pesë kushte”, “tre principe”, “gjashtë pika” dhe zbulime të tjera të cilat janë harruar ca ditë më pas, ngase askush s’i ka marrë seriozisht – madje as ai.
    3. Për dy vjet aleatët perëndimorë dhe qytetarët e presin Kryeministrin Kurti të marrë vendim dhe t’i japë drejtim dialogut, i cili ka pasur synim njohjen e ndërsjellë. E vonon procesin dhe krijon drama të përditshme, duke reduktuar dialogun në çështje teknike.
    4. Pasi që përlahet me Lajçak, Borrell dhe gjysmën tjetër të botës, e si pasojë Kosovës i sjell edhe sanksione ndërkombëtare të cilat ende janë në fuqi, në një aksham pazar, pa kurrfarë koordinimi dhe me një paturpësi të pashoq, e pranon një statut të draftuar nga vetë Lajçak, të cilin e quante pro-serb, për autonomi pa njohje të ndërsjellë.
    5. Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, Kryeministri çohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin.

    Kryeministër, je edhe vonë edhe i vonshëm. Askush nuk po të merr seriozisht. Të gjithë, e më së shumti aleatët ndërkombëtarë, i injorojnë fjalimet dhe pikat e tuaja të shumta që propozon tash e sa vjet.

    Kosova ende vuan nën sanksione bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë.

    Fokusohu, merr vendime, e mos u merr me fjalime dhe postime. Facebooku nuk është mjet adekuat për “face-saving”.

  • Rritet skema për pensionet paraplegjik dhe tetraplegjik në nëntor të këtij viti

    Rritet skema për pensionet paraplegjik dhe tetraplegjik në nëntor të këtij viti

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në muajin nëntor të këtij viti, nga skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike kanë përfituar 2 mijë e 961 persona, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 2 mijë e 516 përfitues, vërehet një rritje prej 17. 7 për qind.

    Ndërsa, gjatë muajt nëntor krahasuar me muajin nëntor të vitit 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore me 21. 7 për qind, skema për pensionet e “Trepçës” me 18,7 për qind, skema e ndihmës sociale me 11. 9 për qind, skema për pensionet familjare me 9 për qind, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës me 1. 5 për qind rënie.

    “Në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike me 17,7 për qind, skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara me 13,7%; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) (10,0%); skema e pensioneve bazike të moshës (6,2%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,8%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (5,0%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (2,9%); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,9%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (1,7%); skema për veteranët e luftës (0,1%)”, thuhet në raport.

  • LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, raporton Ekonomia Online.

    Dorëzimin e bënë deputeti Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, që thanë se presin vendim në kohë reale.

    Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

    62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

    Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës.

    Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.

  • Edhe Liverpooli del kundër Super Ligës Evropiane

    Edhe Liverpooli del kundër Super Ligës Evropiane

    Super Liga Evropiane është rikthyer sërish si temë diskutimi.

    Gjykata Evropiane e dha dje dritën e gjelbër për krijimin e Super Ligës Evropiane, lajm ky të cilin nuk po e përkrahin skuadra të shumta, raporton KosovaPress.

    Deri tani, skuadrat si Manchester United, Manchester City, Tottenham, Chelsea, Celtic, Porto, Sevilla, Valencia, Atletico Madrid, Real Sociedadi, Villarreali, Bayern Munichu, Borussia Dortmundi, Paris Saint-Germain, Monaco, Inter, AS Roma, Atalanta, Pescara, Feyenoord e Arsenal kanë refuzuar idenë e krijimit të kësaj gare, ndërsa kësaj liste i është bashkuar edhe Liverpooli.

    Liverpooli e ka konfirmuar se nuk e ka në plan që t’i bashkohet Super Ligës Evropiane.

    “Vendimi i Gjykatës Evropiane nuk e ndryshon qëndrimin e mëparshëm të Liverpoolit në propozimin e Super Ligës Evropiane. Përfshirja jonë është ndërprerë. Do të vazhdojmë të punojmë me klubet e tjera përgjatë ECA dhe të marrim pjesë në garat e UEFA-s”, shkruhej në komunikatën e Liverpoolit.

    Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

  • Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

    Zyrtare: Arsenali refuzon Super Ligën Evropiane

    Gjykata Evropiane e dha mbrëmë dritën e gjelbër për krijimin e Super Ligës Evropiane.

    Dihet që Juventusi, Barcelona dhe Real Madridi janë pro krijimit të kësaj gare, por që këto tri skuadra kanë rivalë të shumtë që nuk e përkrahin këtë ide, raporton KosovaPress.

    E tani kundër kësaj ideje është edhe gjiganti anglez, Arsenal. Skuadra e Artetas e ka refuzuar publikisht Super Ligën Evropiane.

    “Pozicioni jonë në lidhje me Super Ligën Evropiane nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë të luajmë në garat e UEFA-s dhe do të vazhdojmë të punojmë me klube të tjera evropiane dhe me Asociacionin e Klubeve Evropiane (ECA)”, shkruhej në komunikatën e Arsenalit.

  • LDK-ja sot e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    LDK-ja sot e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

    Në njoftim thuhet se deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, në ora 14:00 do ta dërgoj në Kushtetuese këtë ligj.

    “Deputeti Besian Mustafa,si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot, në ora 14:00 dorëzon Ligjin 08/l-238 për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

  • Gjermania thotë se s’do t’i detyrojë refugjatët ukrainas të kthehen dhe të luftojnë

    Gjermania thotë se s’do t’i detyrojë refugjatët ukrainas të kthehen dhe të luftojnë

    Ukrainasit që jetojnë në Gjermani nuk do të preken nga telashet e Ukrainës për grumbullimin e ushtarëve për ta parandaluar pushtimin rus, tha ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, të premten.

    “Ne nuk do t’i detyrojmë njerëzit të kryejnë shërbime të detyrueshme ushtarake, apo shërbime ushtarake kundër vullnetit të tyre”, tha Boschmann për agjencinë e lajmeve DPA.

    Ushtria ukrainase dëshiron t’i thërrasë 450.000 deri në 500.000 burra për të luftuar kundër Rusisë, e cila e nisi pushtimin e paprovokuar të saj në shkurt 2022.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës është duke u bërë thirrje burrave ukrainas që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe ta mbrojnë atdheun.

    Duke folur të enjten në një konferencë për media në Kiev, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se komandantët e tij po kërkojnë “450.000 – 500.000 burra”, duke e pranuar se kjo çështje është “e ndejshme” dhe e kushtueshme.

    Komentet e tij kanë ardhur teksa rrezikohet ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për vendin e tij.

    Republikanët në Kongresin amerikan e kanë bllokuar fillimisht një paketë ndihme në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën.

    Këtë javë, përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se planifikojnë të dërgojnë më shumë pako të ndihmës për Ukrainën – mirëpo kanë pak kapacitet për të çuar diçka përpara, në mungesë të gatishmërisë së Kongresit.

    Bllokada në SHBA u përcoll me një bllokadë që Hungaria ia ka vënë BE-së për të dërguar ndihmë në vlerë të 50 miliardë eurove për Ukrainën.

    Ushtarët ukrainas duke luftuar forcat ushtarake ruse. Fotografi nga arkivi.
    LEXONI EDHE KËTË:
    Ukraina pranon ndihmë të re financiare nga evropianët
    Megjithatë, liderët e BE-së kanë thënë se Ukraina nuk do të mbesë pa mbështetje.

    Ukraina po përballet me mungesë municioni, teksa vazhdon të luftojë me ushtrinë ruse, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e Kievit nuk ka arritur rezultatet e kërkuara përgjatë verës.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, insiston se Moska do ta vazhdojë pushtimin dhe është zotuar se do të arrihen të gjitha synimet./REL/

  • ​Për herë të parë në Kosovë nis shërbimi i sedacionit inhalator në Stomatologji

    ​Për herë të parë në Kosovë nis shërbimi i sedacionit inhalator në Stomatologji

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitoi sot Qendrën Klinike Universitare Stomatologjike, ku pa nga afër fillimin e shërbimit për përdorimin e sedacionit inhalator në praktikën stomatologjike të shërbimit stomatologjik pediatrik, shërbim ky që funksionalizohet për herë të parë në vendin tonë dhe njëherësh i vetmi në rajon në sistemin publik të shërbimeve dentare.

    Vitia theksoi se në fokus të politikave shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë janë shërbimet e stomatologjsë për fëmijët, me theks të veçantë programet edukative, preventive dhe ato terapeutike.

    “Ndihem i lumtur që sot jam në mesin tuaj me rastin e fillimit të këtij shërbimi kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët të cilët nga ankthi, frika dhe nga procedurat të tjera stomatologjike u pamundësohet qasja në shërbime stomatologjike dhe si pasojë e dhëmbëve të prishur u cenohet rritja dhe zhvillimi i tyre”, tha ai.

    Vitia tha se në bazë të raporteve nga shërbimet primare, gjendja e shëndetit oral te fëmijët është e pakënaqshme dhe nga kjo, në bashkëpunim me Odën e Stomatologëve të Kosovës do të hartohet Strategjia Nacionale për Shërbimet Stomatologjike, e cila do të ketë në fokus edukimin mbi shëndetin oral, shërbimet preventive dhe konservative ndaj fëmijëve në moshën e re.

    Sedacioni inhalator për pacientin nuk shkakton analgjezion të plotë, por ka për qëllim reduktimin e frikës dhe ankthit gjatë trajtimit, rritjen e pragut të ngacmueshmërisë së dhimbjes, minimizimin e lëvizjeve të padëshirueshme dhe reagimet ndaj trajtimit stomatologjik, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe kooperimit të pacientit.

  • ​Marrëveshja për efiçiencë të energjisë, pritet të rinovohen 47 ndërtesa publike në Prishtinë

    ​Marrëveshja për efiçiencë të energjisë, pritet të rinovohen 47 ndërtesa publike në Prishtinë

    Ministria e Financave, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar sot marrëveshjen për projektin për efiçiencë të energjisë në 47 ndërtesa publike në kryeqytet, e cila kap vlerën gjashtë milionë euro.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë. Ai paralajmëroi se shumë shpejt edhe komunat e tjera do përfitojnë grante për efiçiencë të energjisë.

    “Marrëveshja për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të ndërtesave publike në Prishtinë, duke garantuar sisteme të ngrohjes, të cilat janë më efiçiente, mundësojnë kursimin e energjisë dhe përkojnë me standardet ndërkombëtare. Përveç sistemeve të reja të ngrohjes me këtë marrëveshje do të zëvendësohet dyert, dritaret, si dhe do të bëhet izolimi termik i 47 ndërtesave publike, ku përfshihen kopshte për fëmijë, shkolla, si dhe qendra për kujdesin shëndetësor primar”, tha Murati.

    Këtë projekt e mirëpriti drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Sergiy Maslichenko, i cili tha se këto investime janë profitabile për qytetarët e Kosovës.

    “Këto janë investime profitabile, të cilat do të kthehen brenda shtatë vjetësh edhe në pjesëmarrje të sektorit privat. Ne do të mbështesim edhe sektorin privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku do të krijojmë vende më të mëdha për punë, përmirësime dhe të ardhura tatimore. Së bashku, me ministrin Murati jemi duke përgatitur projekte më të mëdha të efiçiencës në objektet publike në vlerë shtatë milionë euro në shumë qytete të tjera të Kosovës”, theksoi Maslichenko.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se 47 ndërtesat publike në kryeqytet do të kenë një ambient shumë më mirë, ku do të bëhet izolimi i ndërtesave, përmirësimi i dyerve dhe dritareve.

    “Në 47 ndërtesa në kryeqytet do të kemi një ambient shumë më të mirë për nxënësit tanë që të mësojnë në shkolla, për fëmijët tanë që të kalojnë kohën në çerdhe, si dhe në ndërtesat të tjera në institucionet e kryeqytetit që të kenë një kohë më të shëndetshme. Izolimi i këtyre ndërtesave, përmirësimi i dyerve dhe dritareve krijon një ambient shumë më të shëndetshëm”, tha Rama.

  • Hamasi refuzon të lirojë prapë pengje derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës

    Hamasi refuzon të lirojë prapë pengje derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës

    Hamasi thotë se grupet palestineze kanë kundërshtuar mundësinë e lirimeve të mëtejshme të pengjeve derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës në Gaza.

    Në një deklaratë në gjuhën arabe të shpërndarë në Telegram, Hamasi tha: “Ekziston një vendim kombëtar palestinez që nuk duhet të flitet për të burgosur apo marrëveshje shkëmbimi, përveç pas një ndërprerjeje gjithëpërfshirëse të agresionit”.

    Është e paqartë se cilat fraksione të tjera palestineze i referohet deklarata. Xhihadi Islamik, një grup më i vogël në Rripin e Gazës, po mban gjithashtu pengje izraelite.

    Negociatat për arritjen e një armëpushimi të ri po zhvillohen aktualisht në Kajro, Egjipt, megjithëse bisedimet fillestare të mërkurën nuk dhanë rezultat, me Hamasin që thuhet se tha se nuk do të pajtohej me një pauzë tjetër të përkohshme të luftimeve.

    Gjatë një armëpushimi gjashtëditorë në fund të nëntorit, 105 pengje izraelite u liruan në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgje. Rreth 120 pengje izraelite besohet se janë ende në robëri.

    Izraeli ka refuzuar në mënyrë të përsëritur një armëpushim të përhershëm me Hamasin, me ministrin e sigurisë kombëtare Itamar Ben Gvir duke thënë në një postim në X, se ndalimi i forcave izraelite përpara se Hamasi të mposhtet dhe të gjitha pengjet të kthehen do të përbënte një “dështim”. /AA