ATV

Author: G.O.

  • Çështja e presidentit, Bajqinovci: Kurti propozoi emra, figurat ishin të afërta me LDK-në

    Çështja e presidentit, Bajqinovci: Kurti propozoi emra, figurat ishin të afërta me LDK-në

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte propozuar emra konkretë për pozitën e presidentit, gjatë bisedave me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në emisionin CONTEXT në ATV, Bajqinovci tha se bëhej fjalë për figura të rëndësishme, të afërta me LDK-në.

  • LDK garon edhe për president, Kabashi: Osmani do të jetë numër një

    LDK garon edhe për president, Kabashi: Osmani do të jetë numër një

    Anëtari i LDK-së, Festim Kabashi, ka thënë se kjo parti në zgjedhje po garon edhe për postin e presidentit, me Vjosa Osmanin si kandidate.

    Në emisionin COMPASS në ATV, Kabashi tha se zgjedhjet po mbahen si rezultat i moszgjedhjes së presidentit.

    Sipas tij, për këtë arsye, çdo parti serioze duhet të ketë kandidat edhe për këtë pozitë, përveç kandidatit për kryeministër.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, Gruda tregon nëse do të rikthehet Fatmir Limaj në PDK

    Zgjedhjet e 7 qershorit, Gruda tregon nëse do të rikthehet Fatmir Limaj në PDK

    Ish-deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kjo parti po fokusohet te përfshirja e emrave të rinj në listën zgjedhore, kryesisht te njerëz që nuk kanë qenë më parë në politikë.

    Në emisionin CONTEXT në ATV, Gruda u pyet edhe për mundësinë e rikthimit të Fatmir Limajt në PDK, por ai tha se më shumë duhet të ofrohen personalitete që kanë pasur sukses në fusha të caktuara, por që nuk kanë qenë pjesë e politikës.

  • Brajshori: Rasti në Ferizaj të trajtohet me kujdes, thotë se duhet të priten rezultatet e hetimeve

    Brajshori: Rasti në Ferizaj të trajtohet me kujdes, thotë se duhet të priten rezultatet e hetimeve

    Sociologu Jeton Brajshori, duke folur për rastin e rëndë të foshnjës në Ferizaj, ka thënë se veprimi nuk mund të arsyetohet, por se rrethanat duhet të sqarohen nga hetimet.

    Në emisionin COMPASS në ATV, Brajshori e quajti absurde deklarimin se personi i përfshirë nuk e ka ditur që ishte shtatzënë.

    Ai tha se duhet të shihet si është trajtuar nga familja, nga ish-partneri dhe nga personat e tjerë përreth saj.

    Kujtojmë se të martën në mbrëmje, një 19-vjeçare me inicialet F.M. shkoj në Emergjencën e Ferizajt për të kërkuar ndihmë mjekësore, duke u ankuar për kapsllëk.
    Gjatë konsultës, Stafi mjekësor e kishte pyetur nëse ishte shtatzënë, por ajo e kishte mohuar një gjë të tillë.

    Megjithatë, pas disa minutash, 19-vjeçarja kishte hyrë në tualetin e emergjencës, ku edhe përfundoi procesin e lindjes.

    Sipas Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, stafi mjekësor kishte dëgjuar zërin e një foshnjëje nga brenda.

    “Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.”

    Megjithatë, foshnja nuk arriti të mbijetojë

    “Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.
    Inspektorati Shëndetësor ka angazhuar një ekip për inspektim në Spitalin e Ferizajt nëse ka pasur neglizhencë mjekësore, apo keqtrajtim eventual nga stafi shëndetësor.”

    Policia ende nuk e ka intervistuar 19-vjeçaren lidhur me rastin, pasi për shkak të gjendjes së saj shëndetësore po merr trajtim mjekësor në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt. Ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj, e ka inciuar rastin në drejtim të veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

     

  • Palatova – Kurtit: Brukseli nuk mund thjesht t’ua japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

    Palatova – Kurtit: Brukseli nuk mund thjesht t’ua japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së.

    Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, më 9 maj, në një organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, ajo tha se Brukseli pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta, formim të shpejtë të institucioneve dhe avancim të reformave.

    “E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë, Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, tha ajo.

    Palatova theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë standarde demokratike dhe stabilitet institucional.

    “Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

    Ajo shtoi se Bashkimi Evropian pret krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve dhe vazhdimin e reformave.

    “Së dyti, shpresojmë të shohim një formim të shpejtë të institucioneve. Një qeveri e bazuar në një shumicë të fortë në kuvend, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave. Dhe sigurisht, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare”, tha ajo.

    Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së po e përcjellin mënyrën se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

    “Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu. Në këtë drejtim, ne mbështetemi në zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së 14 marsit. Dhe e di, zoti Kryeministër, që ju ia rikonfirmuat këtë përfaqësuesit të lartë edhe këtë javë në Jerevan”, tha ajo.

    Palatova shtoi se BE-ja pret zbatim me mirëbesim të marrëveshjeve dhe progres në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.

    “Ne llogarisim në zbatim me mirëbesim, llogarisim që momentumi që krijon kjo marrëveshje t’i japë një shtysë të mëtejshme zgjidhjeve konkrete dhe progresit në dialogun e ri të lehtësuar. Ne llogarisim që mbi këtë bazë, përmes bashkëpunimit të udhëheqjes së Kosovës në të gjitha partitë politike, statusi i kandidatit të bëhet i prekshëm dhe premtimi nga Samiti i Selanikut i vitit 2003 të bëhet një perspektivë e arritshme. Tani, dua gjithashtu të jem i qartë se Bashkimi Evropian i vitit 2003 nuk është Bashkimi Evropian i vitit 2026”, tha ajo.

  • Pakistani thotë se pret së shpejti një marrëveshje ShBA-Iran

    Pakistani thotë se pret së shpejti një marrëveshje ShBA-Iran

    Gjatë gjithë luftës kundër Iranit, Pakistani ka qenë një ndërmjetës kyç midis Uashingtonit dhe Teheranit.

    Dhe me zhurma pozitive që vijnë nga të dyja palët – jo më pak nga Donald Trump, i cili ka thënë se mendon që një luftë do të “mbarojë shpejt” – ministria e Jashtme e Pakistanit ka nxjerrë një deklaratë të re duke nënvizuar këtë optimizëm.

    “Ne presim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha sot zëdhënësi Tahir Andrabi, transmeton Telegrafi.

    “Shpresojmë që palët të arrijnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme që do të kontribuojë jo vetëm në paqen në rajonin tonë, por edhe në paqen ndërkombëtare”, shtoi ai.

    Por ai nuk dha një afat kohor, duke shtuar se Pakistani nuk do të zbulonte detaje të përpjekjeve diplomatike në vazhdim.

    “Ajo që mund t’ju them, dhe kjo është ajo që kam thënë më parë, është se ne mbetemi pozitivë, mbetemi optimistë dhe shpresojmë që zgjidhja të jetë së shpejti”, shtoi ai.

    E gjithë kjo pasqyron atë që negociatorët pakistanezë i thanë redaktorit tonë të çështjeve ndërkombëtare, Dominic Waghorn – se është bërë përparim drejt idesë së një “marrëveshjeje me një faqe” midis SHBA-së dhe Iranit, duke u përqendruar në çështjen bërthamore dhe Ngushticën e Hormuzit.

  • Operacion antimafia në Napoli, 14 të arrestuar për lidhje me trafikun e drogës

    Operacion antimafia në Napoli, 14 të arrestuar për lidhje me trafikun e drogës

    Një operacion i madh i karabinierëve italianë në Napoli ka përfunduar me arrestimin e 14 personave të dyshuar për lidhje me klanin mafioz “Di Lauro” dhe rrjete shqiptare të trafikut të drogës.

    Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Antimafia e Napolit, e cila zbuloi një rrjet të organizuar ndërkombëtar për shpërndarjen e kokainës dhe hashashit.

    Sipas mediave italiane, në krye të grupit dyshohet se ishte 55-vjeçari Raffaele Paolo, i njohur me nofkën “O’ rockets”. Ai dyshohet se kishte rifilluar aktivitetin kriminal pas lirimit nga burgu në vitin 2019, duke organizuar shpërndarjen e drogës në rrugë dhe përmes dërgesave në banesa.

    Hetuesit italianë bëjnë të ditur se aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Napolit dhe përfshinte trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Gjatë operacionit, autoritetet arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe hashash.

    Të arrestuarit përballen me akuza për “organizim kriminal për trafik droge” dhe “posedim droge me qëllim shpërndarjen”, ndërsa hetimet mbulojnë periudhën 2020–2023.

  • ZRrE miraton tarifat për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n pa ndryshime në çmimin e energjisë për vitin 2026

    ZRrE miraton tarifat për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n pa ndryshime në çmimin e energjisë për vitin 2026

    Në mbledhjen e sotme të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë miratuar tri pika që lidhen me tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026, përfshirë tarifat për sistemin e transmetimit, sistemin e shpërndarjes dhe furnizimin me shërbim universal, pa ndryshime apo rritje të tarifave për konsumatorët, raporton Ekonomia Online.

    Me pesë vota për është miratuar pika e parë e rendit të ditës, shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

    Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se analizat janë bërë në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi dhe se ndryshimet në nivelin e shitjeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut.

    “Këto analiza janë bërë në përputhje me pikën e parë të rendit të ditës: shqyrtimi i propozimeve për tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit të tregut. Kostoja e ciklit të operimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë ka ndikuar në tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për fondin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi. Tarifat për shfrytëzimin e sistemit dhe tregut mbulojnë: Kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të sistemit të transmetimit. Kjo është në përputhje me vendimin e Bordit të ZRRE-së për të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 76 milionë e 484 mijë euro për vitin relevant tarifor 2026. Në aplikacionin nga KOSTT-i, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur në 570.7 gigavat orë (GWh), ndërsa pas verifikimit nga ZRRE-ja, ne kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 gigavat orë (GWh). Ky ndryshim ka ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut. Të hyrat e lejuara maksimale mblidhen përmes tarifave ndaj gjeneratorëve për përdorim të rrjetit në nivel transmetimi dhe shpërndarjes”, tha ai.

    Ndërkaq, me pesë vota për është miratuar edhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

    Nga Departamenti i Tarifave, Adelina Lokaj tha se tarifat e propozuara synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes dhe se, si rezultat i diferencës në nivelin e shitjeve të energjisë, tarifa mesatare ka pësuar rënie prej rreth 2.7 për qind.

    “Po vazhdojmë me prezantimin e tarifave për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes, ku këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 145 milionë e 960 mijë euro për vitin relevant 2026. Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,581 gigavat për orë, përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar me një nivel të shitjeve prej 5,745 gigavat për orë. Andaj, si rezultat i kësaj diference, tarifa mesatare ka pësuar një rënie rreth 2.7%. Kjo është llogaritur nga Departamenti i Tarifave dhe Çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas niveleve të tensionit. Tarifat janë strukturuar në mënyrë që të reflektojnë vëllimin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht niveleve të tensionit”, tha ajo.

    Po ashtu, është miratuar edhe pika për shqyrtimin e propozimit për miratimin e Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO), pa ndryshime apo rritje të tarifave.

    Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore dhe ka vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.

    “Në kuadër të aplikacionit, tarifa furnizuese me shërbim universal ka propozuar me ndryshu strukturën tarifore, përkatësisht me eliminimin e diferencimit të ditë/natë dhe tarifave me dy blloqe me një — me aplikuar një tarifë të unifikuar. Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon një proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Prandaj, ZRRE nuk mendon që ky propozim duhet të aprovohet dhe mendojmë që duhet të mbetet pa ndryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave”, tha ai.

  • Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

    Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke thënë se vendi nuk duhet të mbetet prapa në procesin integrues evropian.

    Në kuadër të Ditës së Evropës, e cila shënohet më 9 maj, në një ngjarje të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku u nda edhe Çmimi Europian i Vitit, Kurti tha se Kosova tashmë ka dëshmuar progres në ekonomi, demokraci dhe sundim të ligjit.

    “Për Kosovën, Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët apo një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë që tashmë është zgjedhur. Më shumë se 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes kudo në Evropë”, tha ai.

    Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në disa fusha kyçe, duke përmendur rritjen ekonomike dhe avancimin demokratik.

    “Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm në vendin tonë. Kemi një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor. Jemi në krye kur bëhet fjalë për avancimin demokratik, qoftë sipas matjeve të World Justice Project, Freedom House, Transparency International apo World Press Freedom Index. Ne jemi gjithashtu vendi më i sigurt në rajonin tonë me nivelin më të ulët të krimit. I gjithë ky përparim mori njohje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas një dekade pritjeje, ne tashmë gëzojmë liberalizimin e vizave dhe morëm vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022”, tha ai.

    Ai shtoi se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së dhe po punon në përmbushjen e obligimeve, ndonëse, sipas tij, ekzistojnë pengesa për shkak të mosmiratimit të disa ligjeve në Kuvend.

    “Ne jemi pjesë e Planit të Rritjes, ku po bëjmë çdo përpjekje për të zbatuar secilin hap. Ne përballemi me disa sfida këtu, siç e dini mirë, me ligje që ende duhet të miratohen nga Kuvendi. Muajin e kaluar, më 15 prill, shënuam 40 muaj që kur dorëzova aplikimin tonë për anëtarësim në Pragë. Besoj se BE-ja duhet të punojë së bashku për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duhet të ketë unitet angazhimi në BE në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa. Ndërkohë, derisa presim vendimin e BE-së, ne po ndërmarrim hapa konkretë për të siguruar që të mos humbet kohë nga ana jonë”, tha ai.

    Në fund, Kurti tha se procesi i zgjerimit dhe reformat duhet të ecin paralelisht.

    “Premtimi juaj është zgjerimi. Premtimi ynë janë reformat, dhe ne mundemi dhe duhet t’i realizojmë të dyja, kjo është një përgjegjësi e përbashkët”, tha ai.

  • Haxhiu e dekoron Rexhep Qosjen pas vdekjes me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”

    Haxhiu e dekoron Rexhep Qosjen pas vdekjes me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekoruar me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës” akademikun e ndjerë, Rexhep Qosja.

    “Me nderim të thellë, e kam dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”. Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar. Me veprën e tij të gjerë, me qëndrimin e tij publik dhe me përkushtimin ndaj çështjeve të mëdha të kombit, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen tonë kombëtare. Ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, tha ajo.

    Qosja vdiq më 23 prill të këtij viti dhe u varros në një ceremoni familjare.