ATV

Author: G.O.

  • Kurti pret në takim përfaqësuesen Rajonale të UNHCR për Evropën Qendrore, ja çka diskutuan

    Kurti pret në takim përfaqësuesen Rajonale të UNHCR për Evropën Qendrore, ja çka diskutuan

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Nicole Epting, Përfaqësuese Rajonale e UNHCR për Evropën Qendrore.

    Në takim u diskutua për çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

    Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi përfaqësuesen Epting me politikat dhe programet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zbatuara nga ministritë e linjës, të cilat adresojnë nevojat dhe të drejtat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike.

    Gjatë bashkëbisedimit u theksua se trajtimi i këtyre çështjeve duhet të mbetet gjithmonë i udhëhequr nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike dhe angazhimit institucional.

    Në fund të takimit u diskutua edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri në detyrë Kurti tha se janë 1565 persona të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit dhe, në këtë drejtim, potencoi nevojën e zbatimit të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel. Ai nënvizoi se progresi real në këtë proces kërkon hapjen e arkivave nga Serbia, përfshirë atë të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila vazhdon të mbetet e klasifikuar nga autoritetet në Serbi deri në vitin 2044.

  • Valë reagimesh kundër vendimit të Speciales për shtyrjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Valë reagimesh kundër vendimit të Speciales për shtyrjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vendimi i Gjykatës Speciale për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish- krerët e UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta. PDK-ja e ka quajtur vonesë të pajustifikueshme, dhe të ndikuar nga kalkulimet politike. E platforma “Liria ka Emër” e ka cilësuar si precedent i keq për drejtësinë ndërkombëtare. Gjatë së mërkurës, Avokati i Popullit u është drejtuar me një letër shumë diplomatëve, në të cilën ka shprehur shqetësimin për shkelje gjatë procesit gjyqësor, e Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dorëzuar në Speciale një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime.

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, vendim që ka nxitur reagime në Kosovë.

    Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.

    “Po, paneli gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit të gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e Speciales me seli në Hagë.

    Ish-krerët e UÇK-së kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues. Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale.

    Megjithatë, sipas rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për nxjerrjen e vendimit, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë shtesë.

    Akuzat për Specialen

    Vendimi për ta shtyrë datën ka nxitur reagime në Kosovë.

    Platforma “Liria ka emër”, që avokon për të akuzuarit në Hagë, ka reaguar, duke e konsideruar këtë vendim si zgjatje të padrejtësisë.

    Sipas kësaj organizate, kjo praktikë nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.

    “Kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Ky proces që po zvarritet për vite të tëra, me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar tashmë në mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme. Mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vjet në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në reagim.

    Sipas kësaj organizate, vendime të tilla dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar perceptimin e një procesi të zvarritur, të pabalancuar dhe të papërgjegjshëm.

    Ka reaguar edhe Partia Demokratike (PDK), dy ish-kryetarë të së cilës janë pjesë e procesit – Thaçi dhe Veseli.

    Në reagimin e PDK-së thuhet se vonesa është dëshmi që procesi i stërzgjatur ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në proces të ndikuar nga kalkulimet politike.

    “Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vjetësh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.

    PDK-ja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

    “PDK-ja mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë”, thuhet më tej në reagim.

    Alarmi nga Prishtina

    E, gjatë ditës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u është drejtuar me letër përmes kanaleve diplomatike sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ua përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi bazën e gjetjeve të tij. Njëkohësisht, letra u është përcjellë edhe ministrave të Jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë, shkruan Koha.net.

    Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është shpërndarë gjithashtu te zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe drejtues të Këshillit të Evropës.

    Në letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar gjetjeve të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”. Ai ka theksuar se institucioni që drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve, ndërsa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme ka angazhuar BHRC-në për një vlerësim të pavarur.

    Sipas raportit, janë identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm.

    “Në këtë kontekst, rikujtohet se këto standarde janë të garantuara nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës përmes Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

    Qelaj ka theksuar se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e proceseve gjyqësore, dhe ka kërkuar që praktikat e gjykatës të përputhen plotësisht me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë.

    Ai ka thënë se adresimi i shqetësimeve të evidentuara është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.

    Avokati i Popullit ka rikujtuar “angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit”, duke theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është bërë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës. Ai ka veçuar gjithashtu faktin se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë, si dëshmi e përkushtimit institucional ndaj llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Haga njoftohet me peticionin

    E, gjatë ditës, në Gjykatën Speciale është dorëzuar peticioni me 200 mijë nënshkrime me kërkesën “Drejtësi për çlirimtarët”, ka konfirmuar kryetari i Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

    “Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën. Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë!” ka shkruar Gucati në Facbook tek e ka publikuar momentin e dorëzimit të peticionit në gjykatën në Hagë.

    Peticioni online u nis më 25 shkurt.

    Nëpërmjet tij bëhet thirrje për proces të drejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

    Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi dhe ish-deputeti Selimi kanë paraqitur fjalët finale më 18 shkurt. Ata përcollën mesazhin se luftuan për liri dhe se drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën, e jo në narrativat e kundërshtarëve dhe të Prokurorisë.

    Thaçi i ka thënë trupit gjykues se armik e kishte vetëm kasapin e Ballkanit.

    “I vetmi kundërshtar i imi dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviqi”, ka deklaruar ai në gjykatore, dhe ka theksuar se në luftë as që mund të ëndërronte ta shtrinte pushtetin në të gjithë Kosovën siç pretendon prokuroria, e cila përgjegjësinë për krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së ia ka faturuar katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

    “U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kush? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Të askujt tjetër”, ka thënë ai.

    Sikurse Hashim Thaçi, edhe Veseli ka theksuar se është kthyer nga mërgimi në Kosovë. Ai ka shprehur besimin se trupi gjykues do të vendosë drejt.

    E, gjatë fjalës së tij, Selimi iu referua në disa raste pretendimeve të prokurorisë. Ato i gjykoi si të pabaza dhe tha se organi i akuzës synon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Edhe Krasniqi ka thënë se akuzat ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të ngjashme me narrativat e atyre që i shtypën shqiptarët.

    Para fjalës përfundimtare të katër ish-përfaqësuesve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale folën avokatët e tyre. Që të gjithë kërkuan vendim lirues nga gjykata, e avokati i Veselit i quajti bërllok provat e Prokurorisë.

    Kryegjykatësi Charles Smith III e ka shpallur të mbyllur çështjen gjyqësore pas deklaratave përmbyllëse që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, i dhanë para trupit gjykues. Gjykatësi ka thënë se do të jetë në kontakt me palët në muajt në vijim lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast. E, tek tash është konfirmuar se trupit gjykues i duhet më shumë kohë për të vendosur.

    Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas Prokurorisë, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit, pasi pretendon se ata kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

    Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

  • Pesë raste me fruth po trajtohen në Infektivë, njëri prej tyre ka fituar pneumetoraks – ishte në mjekim intensiv

    Pesë raste me fruth po trajtohen në Infektivë, njëri prej tyre ka fituar pneumetoraks – ishte në mjekim intensiv

    Tetë raste të fruthit janë regjistruar në Kosovë, ndërsa nga ta pesë prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj në një përgjigje për Ekonomia Online ka folur për rastet që janë duke u trajtuar në këtë klinikë.

    “Deri më tani kemi tetë raste të konfirmuara me fruth (morbill), për momentin në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar pesë raste, përfshirë edhe rastin i cili është kthyer nga mjekimi intenziv ku ka qenë për disa ditë për shkak të një komplikimi të rëndë nga sëmundja ku tash për tash kemi pestë raste”, tha Berisha – Ndrejaj për EO.

    Ajo tha se një prej pacientëve ka qenë në klinikë intenzive në pediatri pasi që ka fituar kolaps të mushkërive (pneumotoraks) nga fruthi.

    “Në përgjithësi të gjitha rastet kanë pasur një klinikë apo gjendje shëndetësore duke shkuar kah gjendjet e rënda, njëri prej tyre pra siç e thashë një komplikim mjaft të rëndë në sistemin respirator, ka fituar pneumetoraks dhe është dashur të trajtohet një mjekimin intenziv të klinikës së pediatrisë pastaj është kthyer tek ne, për të vazhduar trajtimin edhe më tutje”, tha ajo.

    Doktoresha gjithashtu njoftoi se rastet nuk janë vetëm nga një qytet.

    “Si sëmundje është e njohur, karakteristike është se nuk kemi pasur një periudhë të gjatë me morbill edhe pse raste sporadike kemi pasur aty këtu, të themi raste të importuara ndoshta, ndërkohë që këto kohët e fundit janë shfaqur këto raste të cilat i përmenda, është interesante sepse nuk janë vetëm të një qyteti, por janë të shpërndara prej disa qyteteve, duke qenë sëmundje mjaft kontagjioze, duke qenë sëmundje e cila përhapet shumë lehtë, sidomos në ambiente të mbyllura atëherë rreziku për përhapje është shumë më i lartë se sa te disa sëmundje virale apo disa sëmundje tjera infektive”, shtoi ajo.

  • Sanksionet franceze ndaj Iranit do të vazhdojnë deri në rihapjen e Hormuzit

    Sanksionet franceze ndaj Iranit do të vazhdojnë deri në rihapjen e Hormuzit

    Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ka përjashtuar heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, për sa kohë që Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar nga forcat e tij të armatosura.

    “Ne vetë kemi vendosur sanksione të rëndësishme ndaj Iranit. Por është jashtë diskutimit që çdo sanksion të hiqet për sa kohë që Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar”, tha Barrot për transmetuesin francez RTL.

    “Ajo nuk mund të bllokohet, t’i nënshtrohet taksave ose të përdoret si levë ose shantazh”, shtoi Barrot, transmeton Telegrafi.

    Irani mohon pretendimet për sulm ndaj anijes së Koresë së Jugut

    “Franca duhet të sigurojë që të mos e gjejë veten më kurrë në një situatë ku detyrohet të paguajë çmimin për luftërat që nuk zgjodhi të nisë”, shtoi ministri francez.

    “Kjo është arsyeja pse ne duhet të përqendrohemi në … se si Evropa mund të heqë qafe të gjitha këto varësi nga hidrokarburet dhe nafta – duke mos qenë më e varur nga nafta, duke mos qenë më e varur nga teknologjitë digjitale. Shkurt, duke mos qenë më e varur nga gjërat që, në një mënyrë ose në një tjetër, na tërheqin në konflikte, fatkeqësi dhe kriza në të cilat nuk jemi pjesëmarrës”, theksoi për fund Barrot. /Telegrafi/

  • Dhjetëra pasagjerë largohen nga anija ku shpërtheu hantavirusi

    Dhjetëra pasagjerë largohen nga anija ku shpërtheu hantavirusi

    Dhjetëra pasagjerë u larguan nga një anije turistike e goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit më 24 prill, gati dy javë pasi pasagjeri i parë vdiq në bord, thanë të enjten operatori i anijes dhe zyrtarët holandezë.

    Kompania kishte thënë më parë se trupi i burrit holandez që vdiq më 11 prill u nxor nga anija në ishullin e largët të Shën Helenës në Atlantikun Jugor, ku zbarkoi edhe gruaja e tij. Ajo më pas fluturoi për në Afrikën e Jugut dhe vdiq atje.

    Kompania shtoi të enjten se 29 pasagjerë u larguan nga anija, ndërsa Ministria e Jashtme holandeze e vendosi numrin në rreth 40.

    Autoritetet afrikane dhe evropiane po përpiqen të gjurmojnë kontaktet e pasagjerëve që janë larguar nga anija, raportoi AP.

    Autoritetet holandeze nuk bënë të ditur se ku gjenden pasagjerët që kanë zbarkuar.
    Tre pasagjerë deri tash kanë vdekur nga virusi dhe dhjetëra të tjerë janë infektuar.

  • Ekstradohet nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut i kërkuari me letërreshtim ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut i kërkuari me letërreshtim ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 07.05.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit maqedonas, nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se i dyshuari ishte arrestuar nga policia e Kosovës pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL- it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, për veprën penale “Posedim i paautorizuar, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike”.

    “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut. Policia e Kosovës, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktiviteteve tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka firmosur Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor i cili rregullon ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme si pjesë të shërbimeve në kujdesin parësor.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të Vitisë në Facebook.

    “Për herë të parë, me ekipe multidisiplinare për ndërhyrje në fëmijërinë e hershme. Ky ndryshim krijon bazën për mbështetje të hershme për foshnjat dhe fëmijët me rrezik për vonesa në zhvillim, përmes ekipeve profesionale multidisiplinare me psikologë klinikë, fizioterapeutë, logopedë dhe punëtorë socialë.Po e afrojmë mbështetjen profesionale më pranë fëmijëve dhe familjeve”, shkroi ai në Facebook.

    Kujdesi parësor qe një kohë ka kërkuar futjen e këtyre lëmive të reja, ndërkaq dy nga to, logopedia dhe fizioterapia janë shërbime të kushtueshme në sektorin privat.

  • Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha sot ka zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Hoxha dhe Rutte në këtë takim diskutuan çështjet mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe rolin e Aleancës së NATO-s.

    Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se ky ishte takimi i tij i parë me Rutte në cilësinë e ministrit, duke theksuar angazhimin në rritje të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

    Duke folur për Ballkanin Perëndimor të dy konfirmuan se angazhimi i NATO-s mbetet thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

    Hoxha tutje theksoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për stabilitet.

    Postimi i plotë:

    Sot, pata takimin tim të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në cilësinë time si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një kohë kur Shqipëria vazhdon të marrë më shumë angazhim dhe përgjegjësi brenda Aleancës.

    Ndamë mendimin se në mjedisin e sotëm të sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, #NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si edhe zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes, mbeten prioritete për parandalimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë transatlantike.

    Shqipëria e ka dëshmuar vazhdimisht veten si një #Aleat i besueshëm, i përkushtuar dhe aktiv. Kontributi ynë në sigurinë kolektive vazhdon të rritet përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe pjesëmarrjes aktive në misionet dhe operacionet e Aleancës. Bazuar në këtë trajektore, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të siguruar që angazhimet tona përkthehen në gatishmëri konkrete operacionale që do të rrisin sigurinë kombëtare dhe atë kolektive.

    Gjithashtu theksuam rëndësinë e ruajtjes së një fokusi të fortë dhe të unifikuar strategjik për Ukrainën. Shqipëria qëndron plotësisht në krah të Aleatëve për të ofruar mbështetje të qëndrueshme përmes mekanizmave të NATO-s, përfshirë trajnimin, ndihmën dhe ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve, si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

    Lidhur me Ballkanin Perëndimor, riafirmuam se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të ngushtë midis Aleatëve dhe efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me #KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues.

    Duke parë përpara, folëm gjithashtu mbi përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në #Tiranë, i pari që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Ky angazhim përfaqëson një përgjegjësi historike, sikurse edhe një rritje të besueshme të rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, si dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit tonë.

    U ndalëm gjithashtu në angazhimin e plotë të Shqipërisë, në koordinim të ngushtë me Selinë e NATO-s, për të ofruar një Samit të suksesshëm në Tiranë.

  • Vdekja e foshnjës në Emergjencën e Ferizajt, reagon Spitali: Foshnja u gjet në gjendje të rëndë në tualet, nuk arriti të mbijetojë

    Vdekja e foshnjës në Emergjencën e Ferizajt, reagon Spitali: Foshnja u gjet në gjendje të rëndë në tualet, nuk arriti të mbijetojë

    Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë detaje lidhur me foshnjën e vdekur në Emergjencën e këtij institucioni.

    Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

    Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.

    Tutje, bëhet e ditur se menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.

    Spitali thekson se një ekip multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka nisur menjëherë procedurat reanimatore, por pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.

    Menjëherë pas konstatimit të rastit janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat tashmë kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa për shkak të hetimeve dhe privatësisë së palëve nuk janë dhënë detaje të tjera shtesë.

  • Jeta Statovci i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit

    Jeta Statovci i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ish-deputetja Jeta Statovci i është bashkuar për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Statovci ishte deputete e VV-së, në mesin e deputetëve të GUXO-s.

    Lajmin e ka bërë të ditur Osmani, përmes një postimi në Facebook.

    Postimi i plotë:

    E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit.

    Jeta Statovci ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë, për t’u rikonfirmuar tri herë radhazi me besimin e qytetarëve, duke qenë vazhdimisht ndër deputetet më të votuara.

    Na kanë bashkuar ndër vite virtyti, vizioni, vullneti dhe e vërteta. Mbi të gjitha, na bashkojnë vlerat mbi të cilat e nisëm këtë rrugëtim. E kur ato devijojnë, ne ringrihemi në këmbë, për dashurinë ndaj vendit dhe për rrugëtimin e sigurt të Kosovës.

    Na priftë e mbara, gjithmonë përkrah.