ATV

Author: G.O.

  • LVV e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

    LVV e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

    Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nominimi i Kurtit ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjatë mbledhjes së së shtunës.

    Kryetarja e Forumit të Gruas në këtë parti, Albulena Haxhiu, ka pasur lëvdata për bashkëpartiakun teksa ka dhënë propozimin.

    “E propozoj se e njoh nga afër. E them me bindje me plotë, ai nuk e ka kuptuar pozitën e kryeministrit as si rehati e as si privilegj. Për të, pozita ka qenë për t’i ndihmuar qytetarëve. Për Albin Kurtin, shteti matet aty ku prek jetën e qytetarit. Përtej qeverisjes më të suksesshme, me te shteti nuk është strehë për të fortët e as strehë për plaçkë. Është i pashantazueshëm në politikë”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.

  • Pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht gruan, arrestohet pejani

    Pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht gruan, arrestohet pejani

    Një person në Pejë është arrestuar pasi sulmoi fizikisht gruan e tij.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore.

    Derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Pejë 08.05.2026, 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton PK.

  • Rubio: ShBA pret përgjigjen e Iranit për propozimin e armëpushimit

    Rubio: ShBA pret përgjigjen e Iranit për propozimin e armëpushimit

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni pret një përgjigje nga Irani lidhur me propozimet amerikane për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, me synim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

    Deklarata vjen në një moment kur Teherani ka akuzuar SHBA-në për shkelje të armëpushimit të brishtë të shpallur muajin e kaluar, ndërsa përleshjet në dhe rreth Ngushtica e Hormuzit janë përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit.

    Sipas raportimeve, ndërmjetësues pakistanezë i kanë dorëzuar Iranit një memorandum të shkurtër nga SHBA-ja, i cili mund të shërbejë si bazë për një armëpushim më të qëndrueshëm dhe për rifillimin e negociatave diplomatike.

    Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump tha se pret një përgjigje nga Irani “së shpejti”. “Do të marr një letër me sa duket sonte”, deklaroi ai, ndërsa i pyetur nëse Teherani po e zvarriste qëllimisht procesin, u përgjigj: “Do ta zbulojmë së shpejti”.

    Nga ana tjetër, Rubio, gjatë një vizite në Romë, u shpreh optimist për mundësinë e nisjes së negociatave serioze.

    “Presim një përgjigje prej tyre sot. Shpresoj të jetë një ofertë serioze. Shpresa është që kjo të na fusë në një proces të mirëfilltë negociatash”, tha ai.

    Ndërkohë, SHBA-ja dhe Irani vijojnë të testojnë qëndrueshmërinë dhe vullnetin e njëri-tjetrit përmes retorikës së ashpër, presionit diplomatik dhe incidenteve sporadike ushtarake, në përpjekje për të fituar avantazh në çdo marrëveshje të mundshme.

  • Ramiz Lladrovci pret që kryesia e PDK të votojë pro kthimit të Fatmir Limajt

    Ramiz Lladrovci pret që kryesia e PDK të votojë pro kthimit të Fatmir Limajt

    Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është përfshirë në debatin e fundit rreth përfshirjes së Fatmir Limajt në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Lladrovci ka thënë se pret lajme të mira nga Kryesia e PDK, duke thënë se argumenti se Limaj “na ka sharë” duhet analizuar meqë sipas Lladrovcit as nga PDK nuk ia kanë lënë keq.

    Lladrovci në fund ka thënë se një yll më shumë nuk ua zbeh ndriqimin yjeve që tashmë po shkëlqejnë.

    Pres lajm të mirë nga Kryesia e PDK-së e cila nuk do ta përsëris gabimin me votim për Fatmirin.

    Një nga “argumentet” negative se Fatmiri na paska sha, do parë në realisht, as na nuk e kemi kursye.

    Qielli është plotë yje, një yll ma shumë, nuk ia zbeh ndriçimin yjeve që po shkëlqejnë!”, ka shkruar Lladrovci.

  • Basha: Deklarata e Pavarësisë nuk është hedhur, po pritet të vendoset në objektin e ri të ministrisë

    Basha: Deklarata e Pavarësisë nuk është hedhur, po pritet të vendoset në objektin e ri të ministrisë

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka reaguar pas raportimeve lidhur me vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë në objektin e ri të ministrisë, duke thënë se dokumenti nuk është “hedhur”, por është pjesë e inventarit që po sistemohet gjatë bartjes në hapësirat e reja.

    Përmes një postimi publik, Basha tha se ministria aktualisht ndodhet në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri.

    “Sa i përket lajmit për vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë, dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë”, ka shkruar ai.

    Ai theksoi se procesi i bartjes dhe organizimit të inventarit nuk menaxhohet nga ministri, por nga zyrtarët e logjistikës, pasi sipas tij bëhet fjalë për çështje teknike dhe operative.

    “Me procesin e bartjes dhe organizimit të inventarit nuk mirret Ministri, por janë zyrtarët e Logjistikës, sepse këto janë çështje teknike dhe operative të organizimit”, ka deklaruar Basha.

    Ministri shtoi se objekti aktualisht funksionon në kushte të përkohshme, me orendi të bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar.

    Sipas tij, edhe Deklarata e Pavarësisë është pjesë e inventarit të bartur dhe po pret të vendoset në mur nga zyrtarët përgjegjës.

    “Pjesë e inventarit dhe e materialeve të bartura është edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila ‘nuk është hudh’, siç është raportuar padrejtësisht dhe me tendencë në shumë portale, por është sjell në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur”, ka theksuar ai.

    Basha u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e interpretimeve tendencioze, duke shtuar se ministria do të vazhdojë punën në shërbim të qytetarëve.

    “Ftojmë opinionin publik të mos bjerë pre e interpretimeve tendencioze dhe theksojmë se ministria vazhdon t’u shërbejë qytetarëve me nder, përkushtim dhe përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

  • Rama: Shqipëria më afër se kurrë familjes evropiane

    Rama: Shqipëria më afër se kurrë familjes evropiane

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë një mesazh urimi me rastin e shënimit të 9 Majit-Ditës së Evropës.

    Rama në rrjetet sociale ka thënë se Shqipëria është sot më pranë se kurrë familjes evropiane.

    “Mirëmëngjes  dhe në këtë Ditë të Europës, ku Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan ai.

    Çdo vit më 9 Maj, festohet kjo ditë e cila simbolizon fillimin e bashkëpunimit dhe unitetit në kontinent pas Luftës së Dytë Botërore.

  • Policia arreston tre persona në Viti, gjeti marihuanë në xhepat e tyre

    Policia arreston tre persona në Viti, gjeti marihuanë në xhepat e tyre

    Tre persona janë arrestuar në Viti, pasi policia gjeti dhe konfiskoi substanca narkotike te ata.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë dhe sipas policisë, tek i dyshuari i parë u gjeten 5.92 gramë marihuanë.

    Tek i dyshuari i dytë policia gjeti rreth 1.91 gramë marihuanë, sakaq tek i treti 0.67 gramë.

    Tre të dyshuarit janë intervistuar në stacion policor, për t’u liruar më pas në procedurë të rregullt.

    Rastet janë iniciuar veç e veç si “Posedim i narkotikëve”.

  • Costa i drejtohet qytetarëve të Kosovës si anëtarë të ardhshëm të BE-së: Po bëhet shumë punë që kjo të ndodhë

    Costa i drejtohet qytetarëve të Kosovës si anëtarë të ardhshëm të BE-së: Po bëhet shumë punë që kjo të ndodhë

    Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një video për Ditën e Europës, duke iu drejtuar si “anëtarë të ardhshëm të BE’së”.

    Costa në këtë video kujtoi se anëtarët që themeluan Bashkimin Europian i tejkaluan ndarjet dhe zgjodhën të bashkëpunojnë.

    “Të dashur qytetarë të Kosovës, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Në Ditën e Europës, ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, kur anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi ndarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme paqeje, lirie dhe prosperiteti mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore”.

    Costa tha se e ardhmja e kosovarëve përket në BE sikurse e atyre në rajon dhe tha se po bëhet shumë punë që kjo të ndodhë.

    “Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian. Po bëhet shumë punë e madhe që kjo të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit — Bashkimin Europian. Vazhdoni të punoni që kjo të realizohet. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Europa!”, tha Costa.

  • Publikohen çmimet e derivateve, sa kushton nafta këtë fundjavë?

    Publikohen çmimet e derivateve, sa kushton nafta këtë fundjavë?

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet tavan të derivateve të naftës.

    Çmimi i naftës është 1.63 euro për litër, benzina 1.51 euro për litër, dhe gasi 0.80 euro për litër, bazuar në vendimin e kësaj ministrie.

    MINT-i gjithashtu njofton se çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për sot dhe nesër.

    Gjatë ditës së premte, sipas njoftimit të kësaj ministrie, çmimi i naftës ka qenë 1.67 euro, që i bie se sot dhe nesër do të shitet për 4 centë më lirë.

  • I theu xhamin e veturës dhe i vodhi para, arrestohet i dyshuari

    I theu xhamin e veturës dhe i vodhi para, arrestohet i dyshuari

    Është arrestuar një person i dyshuar për vjedhjen e disa parave nga një veturë në Prishtinë, të cilës ia kishte thyer xhamin fillimisht.

    Rasti ndodhi më 2 maj, ndërsa ai u arrestua dje. Policia tha se ai dyshohet edhe për shumë për raste të vjedhjes.

    “Rr. Hajdar Dushi, Prishtinë 02.05.2026-NN. Viktima femër kosovare, ka lajmëruar se persona të panjohur duke i thyer xhamin e veturës, i kanë vjedhur një shumë parash nga aty. Me 08.05.2026 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i dyshuar për shumë raste vjedhje të tilla- ngjashme. Me vendim të prokurorit, i njëjti pas intervistimit është ndaluar për 48-orë. Rasti nën hetime vazhdueshme”.