ATV

Author: G.O.

  • Aksident trafiku në Gjilan, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në Gjilan, lëndohen tre persona

    Tre persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti i cili ka ndodhur të mërkurën rreth orës 03:30 në rrugën “Avdullah Tahiri”, në Gjilan.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se aksidenti ka ndodhur mes dy veturave.

    “Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar tre persona të cilët pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar”, thuhet në raport.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore.

  • Tronditet Tirana: Vëllai vret vëllanë dhe më pas veten

    Tronditet Tirana: Vëllai vret vëllanë dhe më pas veten

    Një ngjarje e rëndë në familje tronditi kryeqytetin mëngjesin e kësaj të enjteje.

    Pas një konflikti mes dy vëllezërve, V.C. 63-vjeç ka vrarë L.C. 68 vjeç dhe më pas ka vrarë veten.

    Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në banesën e L.C.

    Sipas TopChannel, V.C.ka qëlluar me armë zjarri pistoletë vëllanë e tij, dhe me pas veten, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen të dy.

    Policia ndodhet në vendin e ngjarjes për sqarimin e rrethanave./TCh

  • Policia po heton vdekjen e një burri që u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Policia po heton vdekjen e një burri që u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e vdekjes së një burri i cili është dërguar nga familjarët pa shenja jetë në Spitalin e Gjakovës.

    Rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:30.

    “Rr. Mihaj Gremena, Gjakovë 03.01.2024 – 10:30. Raportohet se nga familjarët (nga prindi i viktimës) është dërguar në Spitalin e Gjakovës viktima mashkull kosovar pa shenja jete”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit thuhet se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Cameron në Kosovë, nis takimin me ministren Gërvalla

    Cameron në Kosovë, nis takimin me ministren Gërvalla

    Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron po qëndron për vizitë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në ditën e dytë të vizitës, Cameron ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Pas takimit, Gërvalla dhe Cameron do të deklarohen për media.

    Ministrin britanik të Punëve të Jashtme do të takojë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Ndryshe, Cameron ka arritur mbrëmë në Prishtinë.

    Mbrëmë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një darkë pune ka pritur Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.

    Kurti, duke i uruar mirëseardhje Sekretarit Cameron, u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e afërt të Republikës së Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, teksa e uroi Sekretarin Cameron për detyrën e tij të re dhe Vitin e Ri 2024.

    Ky i fundit në një postim në Twitter shkruan se ishte kënaqësi të takojë ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

    “Kënaqësi të pres ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Prishtinë në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar të këtij viti. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur dhe besnik i Republikës së Kosovës, që para krijimit të shtetit tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që gëzojmë”, shkruan Kurti.

  • Azemi: Gjashtëmujori i parë i këtij viti, mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës

    Azemi: Gjashtëmujori i parë i këtij viti, mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se liberalizimi i vizave do ndikojë edhe në sektorin privat.

    Sipas tij, pronarët e kompanive të ndryshme, gjashtëmujorin e parë të këtij viti e kanë një lloj testi si mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës para se të ketë mungesë të fuqisë punëtore.

    Pas qershorit, Azemi i druhet një migrimi masiv të qytetarëve.

    “Vetëm ata të cilët nuk e kanë pa gjendjen reale, e dinë që edhe këtë vit ka mungesë punëtorësh, unë pres që pjesën e dytë të këtij viti të kemi një shpejtim, një fluks më I madh i njerëzve që të ikin nga Kosova me kusht që të gjejnë një punë me kushte më të mira. Pronarët e kompanive e kanë si një lloj testi gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe së paku të ofrojnë kushte që i përmbush ligji i punës dhe marrëveshjen kolektive, por nëse vazhdojmë me këtë gjendje si është te punëtorët dhe sektori privat, është ngulit diçka që duhet me ik patjetër”, deklaroi Azemi.

    Tutje, ai tha se gjendja e sektorit privat të Kosovës duhet rifreskuar e të jetë në një gjendje më të mirë, pasi mungesa e punëtorëve e ka bërë të veten, duke shtuar se pjesa më e mirë puntore është humbur.

    “Fatkeqsisht duhet të themi se pjesën më të mirë punëtore e kemi humbur, çka do që do të ndodh do jetë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore e jo se ata ia kanë bërë hyzmeti që ta kemi këtë gjendje më të mirë”, tha ai.

    Sipas tij, në Kosovë paga minimale duhet të jetë 500 euro.

    “Ne bëjmë shumë takime me punëtorët e sektorit privat që të jenë stabil në Kosovë në vendin e punës, të kryejë shërbim si duhet, Mendoj që paga minimale të jetë 500, me pagesën e udhëtimit e heqjen e ushqimit dhe me këtë opsion mendoj se ndoshta do parandalohet kjo ikje masive, në të kundërtën edhe 600 e 700 e si mbulon këto dyja kjo është e kotë, ju e dini që deri më tani nuk është respektuar ligji e as marrëveshja mes pronarit e punëtorit, e kjo ka bërë që të jemi në një gjendje të tillë”, u shpreh ai.

    Azemi përmendi gjithashtu një shifër për të cilën uroi të mos jetë e vërtetë, duke thënë se deri në 150 mijë punëtorë do jenë më pak se vitet e kaluara.

    “E dimë që ka mungesa kudo nëpër botë, mirëpo në Kosovë nga një numër i vogël popullsie të ikë një numër aq i madh është shumë e rëndë, me çka fatkeqësisht shpresoj që kjo e dhënë e imja të mos jetë e vërtetë por unë frikësohem që këtë vit diku 100-140 mijë punëtorë do t’i kemi më pak se vitet e kaluara”
    Nuk ka sektor të paprekshëm, ne shpeshherë ndodh në gastronomi që punëtori i kualifikuar po ik e po përmbushet me një tjetër po nuk është zgjidhje pasi së pari nuk është i kualfikuar dhe pjesa e ndërtimtarisë do jetë më i prekuri pasi sikur një punëtor mungon atëherë 5 deri n 10 punëtorë dalin nga sistemi”, u shpreh tutje Azemi për EO.

    Ndërkaq, në raport me qeverisjen qendrore, i pari i sindikatës tha se shuma e ofruar indirekt nga ta është qesharake, kur as shpenzimet vetjake nuk mund të mbulohen.

    “Nuk kisha pasë dëshirë ta them, sepse do doja të kisha vullnet,që të kishim dialog e kontakte, por me këtë qeverisje, këtë kryeminister e ministrin e Financave, të cilëti i kemi partnerë pasi paga minimale është indirekt e deleguar nga Qeveria e Kosovës, ne në fakt me këtë punë që e kanë bërë jo që nuk jemi të kënaqur, themi se ka munguar dialogu social për të cilin ne është dashtë me i qitë në tavolinë problemet tona dhe ata është dashtë me ofru atë çka mund të bëjnë, por realisht nuk e kanë bë. Dhe për caktimn e pagës minimale ne kemi thënë se 264 euro është diçka qesharake, është një vendim që as në aspekt elementar nuk i përmbush kriteret, merreni me mend t’i thuash dikujt sot se puno me pagë 250 euro, kur dihet se sot me atë shumë vetëm shpenzimet e një personi nuk mund të mbulohen”, deklaroi Azemi.

  • Presidentja Osmani takon sot ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron

    Presidentja Osmani takon sot ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet sot me ministrin e Jashtëm të Mbretësisë së Bashkuar, Lordin David Cameron.

    Sipas një njoftimi nga Presidenca, takimi do të fillojë në orën 09:10.

    “Në orën 09:10, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron”, njofton Presidenca.

  • Edi Rama publikon foton e ditës, Papa Françesku me plis në dorë

    Edi Rama publikon foton e ditës, Papa Françesku me plis në dorë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar dje një fotografi të Papa Françeskut.

    Kreu i Kishës Katolike shihet me plis në dorë, ku i është vizatuar shqiponja e flamurit kombëtar shqiptar.

    “PHOTO OF THE DAY”, ka shkruar Rama në Facebook.

    Në të kaluarën Papa Françesku e kishte vizituar Shqipërinë.

  • Gjendja në pikat kufitare, pritje deri në dy orë në Jarinje dhe mbi një orë në Merdarë

    Gjendja në pikat kufitare, pritje deri në dy orë në Jarinje dhe mbi një orë në Merdarë

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, qytetarët më së shumti po presin në pikën kufitare Jarinje për të dalë nga Kosova.

    Kolona në këtë pikë është 100 metra, dhe pritja është deri në dy orë.

    Pritje mbi një orë po ndodh në pikën kufitare Merdarë, ku në dalje kolona është 200 metra dhe njerëzit po presin deri në 70 minuta.

    Sipas të dhënave, po në dalje te Dheu i Bardhë, kolona është deri në 150 metra dhe njerëzit po presin deri në 40 minuta.

    Në pikat e tjera s’ka kolona as në hyrje e as në dalje dhe pritjet zgjasin vetëm tre deri në pesë minuta.

  • Haxhu kritikon opozitën por nuk kursen as KPK-KGJ: Kundërshtojnë reformat

    Haxhu kritikon opozitën por nuk kursen as KPK-KGJ: Kundërshtojnë reformat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se reformat në drejtësi po kundërshtohen nga sistemi i drejtësisë dhe opozita. Aleate të Gjykatës Kushtetuese, i konsideron partitë opozitare, për të cilat thotë se po ruajnë interesat e tyre.

    Sipas saj, konkurset e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës shpërfaqin pazaret brenda këtij sistemi.

    Në intervistën për KosovaPress, Haxhiu flet edhe për kundërshtimet e disa deputetëve të pushtetit për Kodin Civil. Ajo thotë se gjatë vitit do të procedohet në Kuvend dhe se pret që të miratohet.

    Optimiste nuk është edhe për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, për çka deklaron se vetëm ekipet profesionale mund ta trajtojnë këtë rast.

    Sistemi i drejtësisë është i pavarur vetëm në letër, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Teksa komenton raportet me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, ajo konsideron se kjo po ndodhë për shkak të reformave.


    “Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj që kështu do të përfundoj mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat, të cilat ne i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës…”, deklaron Haxhiu për KosovaPress.

    Problemet më të theksuara, siç thekson Haxhiu, janë brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Ajo konsideron se në konkurset e fundit janë shpërfaqur haptazi pazaret.

    Në intervistën për KosovaPress, ministrja Haxhiu shton se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e rëndësishme.

    “Opozita ka zgjedhur që ta pengojë reformën në drejtësi”, thotë Haxhiu mes tjerash.

    Madje, Haxhiu konsideron që opozita është bërë aleate e Gjykatës Kushtetuese.

    Tutje, shton se Kushtetuesja nuk duhet të marrë një vit kohë për reforma të rëndësishme, por të trajtohen këto raste me prioritet. Jo vetëm nga opozita, por Kodi Civil nuk po gjen mbështetjen e as të deputetëve të shumicës.

    “Është e rëndësishme që të kalojë (Kodi Civil), sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil. Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend. Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut… Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë”, shprehet Haxhiu.

    Teksa flet për opozitën përmend edhe rastin e Astrit Deharit, ku thotë se përgjegjës, siç shprehet ajo, të vrasjes më të rëndë në Kosovë, janë të gjithë ata që kanë qenë para shtatë vitesh në qeveri.

    Haxhiu përmend prioritetet dhe planet për vitin 2024, ku shprehet se do të vazhdohet me procedimin e ligjeve që ndërlidhen me reformë në drejtësi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se brenda mandatit të saj do të jetësohen premtimet e qeverisë për sistemin e drejtësisë.

  • Mbi 11 mijë kompani të reja u regjistruan në ATK gjatë vitit 2023

    Mbi 11 mijë kompani të reja u regjistruan në ATK gjatë vitit 2023

    Numri i bizneseve vendore, të cilat u regjistruan si tatimpagues në Administratën Tatimore të Kosovës gjatë vitit 2023, është 11 mijë e 431.

    Këto të dhëna janë bërë të ditura nga ATK.

    Nga ky institucion kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti, inspektorët e ATK-së kanë mbylllur 18 biznese.

    “Numri i bizneseve të regjistruara prej 01.01.2023 – 18.12.2023 është 11,431, ndërsa numri i biznese të mbyllura është 18”, ka thënë për lajmi.net Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.