ATV

Author: G.O.

  • Sulmoi fizikisht një grua, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Sulmoi fizikisht një grua, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Në Graçanicë është arrestuar një person i dyshuar pasi në ora 03:30 ka sulmuar fizikisht viktimën femër.

    Sipa raportit 24-orësh të Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

     

  • Mbyllen dy burgje në Kosovë

    Mbyllen dy burgje në Kosovë

    Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani ka njoftuar se gjatë këtij viti, do të mbyllen dy burgje.

    “Ne kemi dy burgje të cilat nuk i plotësojnë standardet më të mira evropiane për të funksionuar. Është burgu i Pejës dhe Burgu i Prizrenit për shkak të vjetërsisë dhe infrastruktura nuk i plotëson kriteret apo nevojat të cilat i kemi si shërbim. Ne kemi vendosur që këto dy burgje të mbyllen dhe të ndërtohet një burg i ri i cili i shërben të gjithë rajonit të Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Sukarekën, Prizrenin, Rahovecin, Ferizaj, Shtimen sepse nuk do të jetë vetëm qendër e paraburgimit, ku do të jetë edhe qendër korrektuese, në një masë do ta lehtësojë edhe Burgun e Dubravës , sepse familjarët nga vise të ndryshme, vise të largëta të Kosovës do ta kenë më të lehtë vizitimin e tyre në burgun e Prizrenit”, deklaron Dibrani për Kosovapress.

    Tutje, thekson se prioritete për këtë vit mbeten kompletimi i infrastrukturës, ndërtimi i burgjeve të reja, renovimi i burgjeve të vjetra dhe ngritja profesionale e stafit.

  • Mbi gjysmë ore pritje në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për dalje nga Kosova

    Mbi gjysmë ore pritje në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për dalje nga Kosova

    Nga 30 deri në 40 minuta janë duke pritur qytetarët për të dalë nga Kosova në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolona e veturave që janë duke pritur të dalin nga Kosova te Dheu i Bardhë është e gjatë 150 metra, ndërsa ajo në Merdarë është 100-150 metra.

    Sa i përket pikave tjera kufitare, nuk ka pritje as në hyrje e as në dalje.

  • Tërmeti në Japoni, Haradinaj: Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez

    Tërmeti në Japoni, Haradinaj: Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me tërmetin në Japoni.

    Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se mbetet me shpresën që tërmeti të kalojë me sa më pak dëme.

    “Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez!”, ka shkruar Haradinaj.

    Është duke u shtuar se numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit që goditi pjesën perëndimore të Japonisë.

    Mediet lokale kanë thënë se deri më tani 48 persona kanë humbur jetën. Ekipet e shpëtimit po përpiqen të shpëtojnë njerëzit e bllokuar nën rrënoja, ndërsa moti është tejet i ftohtë.

    Tërmeti me magnitudë 7.6 e pati epiqendrën në prefekturën Ishikava, zona që u godit më rëndë nga lëkundjet.

  • Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Sipas një sondazhi të publikuar të martën, vetëm 15% e izraelitëve duan që kryeministri Benjamin Netanyahu të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza, megjithëse shumë të tjerë ende mbështesin strategjinë e tij për të shtypur militantët në enklavën palestineze.

    Netanyahu premtoi të shtypë Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku 1200 njerëz u vranë dhe 240 u rrëmbyen në Gaza. Forcat izraelite kanë shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës në ofensivën e tyre hakmarrëse gati tre-mujore.

    Netanyahu ka thënë se një presion i tillë intensiv ushtarak është gjithashtu jetik për të siguruar që 129 pengjet e mbetura që mbahen ende në Gaza të kthehen pasi rreth 100 u liruan në fund të nëntorit në një marrëveshje shkëmbimi që përfshin gjithashtu qindra të burgosur palestinezë.

    Në sondazhin e kryer nga Instituti i Demokracisë së Izraelit (IDI), 56% e të pyeturve thanë se vazhdimi i ofensivës ushtarake ishte mënyra më e mirë për të rimarrë pengjet, ndërsa 24% mendonin se më e mira do të ishte një marrëveshje shkëmbimi që përfshin lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë nga burgjet e Izraelit.

  • Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me mbajtjen në burg të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ndërrimin e moteve.

    Mustafa tha se është vështirë të krenohen këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesorë të lirisë dhe liderët që përmbysën diktaturën komuniste “e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit.

    “Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë! Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar?”, shkroi Mustafa.

    Aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahen ish presidenti, Hashim Thaçi, ish kryetarët e kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti i VV-së Rexhep Selimi e luftëtarë të tjerë.

  • Turqia arreston 33 persona që dyshon se po spiunonin për Izraelin

    Turqia arreston 33 persona që dyshon se po spiunonin për Izraelin

    Autoritetet turke kanë ndaluar 33 persona që dyshohet se po spiunonin në emër të Izraelit, raportoi më 2 janar agjencia shtetërore e lajmeve turke.

    Autoritetet ende po kërkojnë edhe 13 persona të tjerë që besohet se kanë lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, raportoi agjencia Anadolu.

    Të dyshuarit u arrestuan gjatë bastisjeve në Stamboll dhe në shtatë provinca të tjera. Ata dyshohet se po planifikonin të kryenin aktivitete, përfshirë edhe “vëzhgim” dhe “ndjekje, sulm dhe rrëmbim” të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi, raportoi agjencia turke.

    Anadolu nuk dha informacione për të dyshuarit apo për shtetasit e huaj, që supozohet se ishin shënjestruar. Ky njoftim vjen disa javë pasi kreu i agjencisë së sigurisë në Izrael, Shin Bet, tha përmes një audio-incizimi, se organizata e tij është e përgatitur që ta shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – “në çdo vend”, përfshirë në Liban, Turqi dhe Katar.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Izraelin për “pasoja serioze” nëse vazhdon me kërcënime që të sulmojë zyrtarët e Hamasit që gjenden në tokën turke.

    Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar raportet më 2022, duke riemëruar ambasadorë në shtetet përkatëse pas vitesh raporte të tensionuara. Por, këto raporte shpejt u përkeqësuan pas luftës Izrael-Hamas dhe Ankaraja është një prej kritikeve më të zëshme të veprimeve të ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës.

    Fillimisht, Izraeli tërhoqi diplomatët e tij nga Turqia për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe më pas njoftoi se po tërhiqte diplomatët për arsye politike, duke përmendur “rritjen e deklaratave të ashpra” nga zyrtarët në Turqi. Turqia po ashtu ka tërhequr ambasadorin e saj nga Izraeli.

    Erdogan ka shprehur një sërë kritikash ndaj Izraelit, duke i përshkruar veprimet e këtij shteti në Gazë si “gjenocid”. Ai ka bërë thirrje që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të ndiqet penalisht për “krime lufte” dhe e ka krahasuar atë me liderin nazist, Adolf Hitler.

    Erdogan, qeveria e të cilit në të kaluarën ka qenë nikoqire e disa zyrtarëve të Hamasit, po ashtu ka thënë se grupi radikal palestinez po lufton për çlirimin e tokave të tij dhe popullit të tij./REL

  • Pesë të vdekur pas përplasjes së dy avionëve në Tokio

    Pesë të vdekur pas përplasjes së dy avionëve në Tokio

    Pesë persona kanë vdekur pasi një avion pasagjerësh dhe një i rojeve bregdetare japoneze u përplasën në pistën e Aeroportit Haneda të Tokios.

    Të 379 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit të pasagjerëve, që u përfshi nga zjarri pasi ateroi në Haneda, kanë shpëtuar, njoftoi më 2 janar Japan Airlines.

    Në pistë, ky avion u përplas me një avion të rojeve bregdetare japoneze, raportuan mediat japoneze duke cituar Ministrinë e Transportit. Pesë persona që gjendeshin në avionin e rojeve bregdetare raportohet se kanë vdekur.

    Ndërkaq, piloti – një prej gjashtë pilotëve në bord – ka pësuar lëndime serioze.

    Fluturimi 516, që po transportonte pasagjerë nga Hokaido, u përfshi nga zjarri në pistë dhe më pas u dogj i tëri. Por, 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan.

    Sipas televizionit TBS, avioni i rojeve bregdetare po transportonte materiale në zonën e goditur nga tërmetet në perëndim të Japonisë.

    Ministria e Transportit citohet të ketë thënë se të gjitha pistat në këtë aeroport të Tokios janë mbyllur./REL

  • Specialja shtynë seancat e parapara mes 12 dhe 15 shkurtit me kërkesë të mbrojtjes së Veselit

    Specialja shtynë seancat e parapara mes 12 dhe 15 shkurtit me kërkesë të mbrojtjes së Veselit

    Gjykata Speciale ka vendosur që të shtyjë seancat e parapara mes datava 12 dhe 15 shkurt 2024. Kjo pas kërkesës së mbrojtjes së Kadri Veselit si rezultat i vdekjes së avokatit Andrew Strong dhe nevojës që avokati i ri të familjarizohet me rastin, shkruan Gazeta Express.

    “Rasti Thaçi dhe të tjerët. Anulohen katër seanca në shkurt sipas kërkesës së mbrojtjes së Veselit”, ka njoftuar Specialja.

    Megjithatë Specialja nuk e ka aprovuar të plotë kërkesën e mbrojtjes së Veselit, duke qenë se kanë kërkuar anulimin e seancave edhe nga 29 deri më 31 janar dhe gjithashtu edhe me 1 shkurt.

    “Paneli e sheh të përshtatshme që të lirojë vetëm ditët e seancave të planifikuara për 12-15 shkurt 2024, dhe të mbajë pjesën tjetër të ditëve të seancave siç ishte planifikuar më parë”, thuhet në vendim, duke sqaruar se shtyrja edhe e seancave të tjera mund të shkaktojë telashe tek dëshmitarët e planifikuar.

  • Për 24 orë, Policia konfiskon 29 patentë shoferë

    Për 24 orë, Policia konfiskon 29 patentë shoferë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe gjatë vitit 2024 ka vazhduar me aktivitete konkrete në terren duke realizuar detyrat e saja ligjore e operacionale, për të ofruar siguri për pjesëmarrësit në trafik.

    Në 24 orët e fundit janë realizuar 496 pika kontrolli të automjeteve dhe janë konfiskuar 29 patentë shoferë.

    “Policia e Kosovës, sikurse ditëve të kaluara edhe në këtë fillim të vitit 2024, ka vazhduar me aktivitete konkrete në terren duke realizuar detyrat e saja ligjore e operacionale, për të ofruar siguri për pjesëmarrësit në trafik. Sipas planifikimeve ka pasur patrullime parandaluese, por si zakonisht janë realizuar edhe Pika të Kontrollit për Automjete, ku në nivel vendi janë realizuar 496 pika kontrolli, sipas detyrave që dalin nga urdhri operativ për shtim të masave të sigurisë në trafik. Gjatë 24 orëshit të fundit nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete me qëllim që të parandalohen e edhe të ndëshkohen ata që nuk kanë përfillur rregullat në trafik, ku mund të veçojmë se për shkelje më të rënda policia ka konfiskuar 29 patentë shofer drejtuesve të automjeteve”, thuhet në komunikatë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka qëllim të vetëm ndëshkimin por parandalimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik, andaj apelon te pjesëmarrësit në trafik që të respektohen rregullat për një siguri edhe më të madhe.