ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për dhunim dhe detyrim në prostitucion

    Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për dhunim dhe detyrim në prostitucion

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar tre persona në Prizren, pasi dyshohen për “Dhunim” dhe “Detyrim në prostitucion”.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin se kanë kryer veprat e cekura, ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Tutje, Policia njoftoi se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i Presidentes Osmani

    Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i Presidentes Osmani

    Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës për afro 17 vjet, është emëruar këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani.

    Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës, duke theksuar se përgjatë angazhimit të tij, Krasniqi është shquar për përkushtim e profesionalizëm.

    “Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Sipas Presidencës, një kontribut të veçantë Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit.

    Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale.

  • Zyrtare, Roma shkarkon Jose Mourinhon

    Zyrtare, Roma shkarkon Jose Mourinhon

    Skuadra italian, Roma ka njoftuar se trajneri José Mourinho dhe bashkëpunëtorët e tij teknikë do të largohen nga klubi me efekt të menjëhershëm.

    Ky vendim i skuadrës romake vjen pas rezultateve të dobëta në këtë edicion të Serie-A, e sidomos pas eliminimit nga Kupa e Italisë nga rivali lokal, Lazio, përcjellë KosovaPress.

    Portugezi udhëhoqi Romën deri tek triumfi në Ligën e Konferencës në Tiranë më 25 maj 2022 dhe në finalen e Europa League në Budapest sezonin e kaluar.

    “Falënderojmë José në emër të të gjithë ne në AS Roma për pasionin dhe përkushtimin që ka treguar që nga ardhja e tij në Giallorossi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Romës.

  • Zbulohet arsyeja e ndarjes së Kendall Jenner dhe Bad Bunny

    Zbulohet arsyeja e ndarjes së Kendall Jenner dhe Bad Bunny

    Kendall Jenner dhe Bad Bunny e nisën vitin 2023 së bashku, por i dhanë fund lidhjes së tyre të dashurisë në dhjetor po të njëjtit vit.

    Duke qenë se kjo ishte lidhja e parë më e gjatë e Kendall që nga ndarja e saj nga Devin Booker, fansat ishin mjaft kureshtarë të dinin se çfarë ndodhi mes tyre. Sipas një burimi afër motrave Kardashians, askush nga familja dhe miqtë e Jenner nuk është se u befasua nga kjo ndarje.

    “Entertainment Tonight” raportoi se ndarja e tyre nuk ishte dramatike, duke cituar një burim që vuri në dukje se gjërat filluan të “ngatërroheshin” mes tyre pas një kohe.

    “Gjërat dalëngadalë filluan të shpërthejnë mes tyre”, tha burimi i brendshëm. “Ata të dy e dinin duke hyrë në këtë se me siguri nuk do të ishte një lloj marrëdhënieje e përjetshme dhe këtë e kanë ditur që nga fillimi.

    Jeta e tyre dinamike sipas burimit ishte arsyeja kryesore e ndarjes së tyre duke shtuar se janë ende të rinj dhe kanë shumë më tepër për të përjetuar. Megjithatë, nuk kishte “ndonjë negativitet mes tyre, dhe ata ende duan më të mirën për njëri-tjetrin”, shtoi burimi i brendshëm./atvlive.tv/

  • Në 2025 do të shfaqet filmi biografik i Michael Jackson

    Në 2025 do të shfaqet filmi biografik i Michael Jackson

    Këtë muaj do të fillojnë xhirimet e filmit biografik për këngëtarin Michael Jackson.

    Mbreti i popit do të portretizohet nga nipi 27-vjeçari tij. Filmi i titulluar ‘Michael’, do të dalë në kinema në mbarë botën në vitin 2025.

    Regjisori Antoine Fuqua tha se ky film do t’u sjellë shikuesve një portretizim të ndershëm e të shkëlqyer të njeriut të shkëlqyer, por të ndërlikuar, i cili u bë mbreti i muzikës pop.

    Filmi paraqet triumfet dhe tragjeditë e tij në shkallë epike, kinematografike, që nga ana e tij njerëzore dhe lufta personale e deri te gjenialiteti i tij krijues i pamohueshëm, i ilustruar nga performancat e tij më ikonike. Si kurrë më parë, shikuesit do të përjetojnë një vështrim të brendshëm të njërit prej artistëve më me ndikim dhe më të shquar që ka njohur ndonjëherë bota.

    Tutje ai tha se: Është e çuditshme se sa shumë i ngjan Michaelit … Tingëllon si ai, kërcen e këndon si ai. Është vërtet e çuditshme. Graham King, i cili është një producent fantastik, e gjeti dhe ma prezantoi mua, u befasova shumë nga aftësitë e tij./atvlive.tv/

  • Callum Turner nuk pranon të flas për lidhjen e dashurisë me Dua Lipën

    Callum Turner nuk pranon të flas për lidhjen e dashurisë me Dua Lipën

    Javën e kaluar qarkulloi në rrjete sociale një video ku Dua Lipa u shfaq me aktorin me Callum Turner duke vallëzuar. Pas publikimit të TMZ-së, një burim tha se ata kanë pak kohë që po dalin bashkë.

    Tutje burimi tha se: Kjo e bënë atë të lumtur dhe ajo është e emocionuar të shoh se si po shkojnë gjërat. Është shumë herët për të thënë nëse është afatgjatë kjo lidhje, por ata padyshim e pëlqejnë njëri-tjetrin.

    I pyetur nga fotoreporterët se a është në lidhje me Dua Lipën, Turner tha se nuk ka çfarë të komentoj.

    Dua Lipa ishte në lidhje me regjisorin Romain Gavras. Të dy u ndanë në dhjetor 2023./atvlive.tv/

  • Irani kryen sulme në Irak dhe Siri

    Irani kryen sulme në Irak dhe Siri

    Irani sulmoi me raketa atë që pretendoi se ishte “seli e spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe shënjestroi caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë.

    Katër civilë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas sulmit të së hënës mbrëma afër Konsullatës amerikane në Irbil, që është selia e rajonit gjysmë-autonom kurd, sipas këshillit të sigurisë së qeverisë rajonale kurde.

    Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha përmes një deklarate se goditi selinë e shërbimit të inteligjencës së Izraelit, Mossad, në rajonin kurd të Irakut. Në një deklaratë tjetër, Garda tha gjuajti një numër të raketave balistike ndaj “operacioneve terroriste”, përfshirë caqe të IS-it në Siri, duke shtuar se i ka shkatërruar këto caqe.

    Izraeli nuk ka pranuar menjëherë sulmin në Irbil dhe Ambasada izraelite në Uashington nuk ka komentuar lidhur me pretendimet iraniane se ka shënjestruar selinë e Mossad-it.

    Sulmet iraniane vijnë në një kohë të tensioneve të rritura në rajon dhe frikës se lufta në Gazë mund të zgjerohet.

    Që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, milicitë e mbështetura nga Irani në Irak pothuajse në baza ditore kanë kryer sulme me dronë nga bazave në Irak dhe Siri ku gjenden të stacionuar trupat amerikane. Këto sulme, sipas milicive, po kryen në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes që Uashingtoni i jep Izraelit dhe në përpjekje që të detyrojnë trupat amerikane të largohen nga rajoni.

    SHBA-ja dënon fuqishëm “sulmet e pamatura me raketa” në Irbil, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. Ai tha se sulmet “minojnë stabilitetin e Irakut”.

    Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se SHBA-ja ka gjurmuar raketat, që goditën caqe në veri të Irakut dhe në veri të Sirisë, dhe sipas tij, asnjë ndërtesë e SHBA-së nuk është goditur gjatë sulmeve. Sipas këtij zyrtari, nga të dhënat fillestare, sulmet ishin “të pamatura dhe joprecize”.

    Megjithatë, dëmi i plotë i shkaktuar nga sulmet nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

    Një zyrtar irakian i sigurisë tha se Irbili u shënjestrua nga “disa” raketa balistike, por nuk dha më shumë detaje. Një zyrtar tjetër i një prej milicive irakiane që mbështeten nga Irani, tha se dhjetë raketa ranë afër zonës ku gjendet Konsullata e SHBA-së. Ai tha se raketat u lëshuan nga Garda Revolucionare e Iranit. Të dy këta zyrtarë folën në kushte anonimiteti, raporton Associated Press.

    Më 2022, Irani kishte marrë përgjegjësinë për një sulm me raketa në po të njëjtën zonë afër kompleksit të Konsullatës amerikane në Irbil. Atëbotë, Teherani kishte deklaruar se sulmi ishte kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve izraelite në Siri, kur ishin vrarë dy anëtarë të Gardës Revolucuonare.

    Sulmet ajrore të Iranit në veri të Sirisë mbrëmjen e 15 janarit erdhën pasi IS-i më herët gjatë muajit mori përgjegjësinë për sulmin me dy bomba gjatë një ceremonie në përvjetorin e një gjenerali iranian, që u vra nga një sulm me dron të kryer nga SHBA-ja më 2020. Në sulmin në Kerman të Iranit u vranë të paktën 84 persona dhe u plagosën 284 të tjerë. Sulmi ndodhi gjatë ceremonisë së organizuar në nderim të gjeneralit të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani.

    Muajin e kaluar, Irani akuzoi Izraelin për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Seyed Razi Mousavi, gjatë një sulmi ajror në një lagje të Damaskut./REL/

  • Arrestohen gjashtë persona që ishin në kërkim, dërgohen në vuajtje të dënimit

    Arrestohen gjashtë persona që ishin në kërkim, dërgohen në vuajtje të dënimit

    Policia e Kosovës ka arrestuar dje gjashtë persona që ishin në kërkim. Dy janë arrestuar në Prishtinë, dy në Podujevë, një në Ferizaj dhe një në Obiliq.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se të njëjtit janë dërguar në vuajtje të dënimit.

    “ARRESTIM I PERSONIT TË KËRKUAR – Ferizaj / 15.01.2024 – 01:10. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar.

    -Podujevë / 15.01.2024 – 11:30. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar.

    -Obiliq / 15.01.2024 – 15:55. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar.

    -Podujevë / 15.01.2024 – 15:30. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar.

    -Prishtinë / 15.01.2024 – 17:25. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar.

    -Prishtinë / 15.01.2024 – 18:44. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, është arrestuar dhe dërguar në vuajtje të dënimit i kërkuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

  • Sot në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493 do të vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e sotme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ndryshe dje gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ka rinisur dje me dëshminë e një dëshmitari të ri të ZPS-së, W01493, i cili është dëshmitar i mbrojtur dhe ka dëshmuar përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, gjatë periudhës përkatëse ky dëshmitar ka shërbyer në zonën Operative të Dukagjinit dhe dëshmia e tij do të ofroj informacion për strukturën dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

  • Krasniqi në Belgjikë kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian

    Krasniqi në Belgjikë kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian

    Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi sot mori pjesë në takimin e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), i cila po mbahet në Namur të Belgjikës.

    Në fjalën e saj, Krasniqi i bëri thirrje BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës.

    “Shpreha optimizëm që Bashkimi Evropian gjatë presidencës belge do ta ketë parasysh Kosovën dhe ti jap statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, për çka kërkova mbeshtetjen e shteteve anëtare të BE-së

    Bashkimit Evropian i bëra thirrje për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, u bëra thirrje ta njohin shtetësinë sepse ka ardhur koha që ato të ndryshojnë qendrimin e tyre.

    Po ashtu, gjatë zhvillimit të punimeve të COSAC-ut u takova me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, por edhe të institucioneve të BE-së”, njofton Krasniqi.