ATV

Author: G.O.

  • Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Kirurgu Luan Mustafa, i cili dyshohet se ka sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, është suspenduar nga puna per tre muaj me 50% të pagës.

    Lajmin për suspendim e Mustafës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

    “Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, konfirmoi drejtori Emini.

    Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të martën ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kirurgun Arbër Morina.

    Lidhur me rastin, kirurgu Morina ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij në Spitalin e Gjilanit, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

  • Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 42 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare.

    “Kujtojmë sot sakrificën e heronjve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë tinëzisht në Gjermani 42 vite më parë nga shteti Jugosllav. Mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare. Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë. Lavdi! 🇦🇱🇽🇰”, ka shkruar Hoxhaj.

  • ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.

    Mbledhja e nënshkrimeve do të nisë në orën 09:00.

    Në Mitrovicë të Veriut, peticioni nis bëhet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.

    Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

    Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

    Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

    Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

    Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

    Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

    E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

    Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

    Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

    Iniciativa për shkarkimin e Erden Atiqit, serbët përzgjedhin sallën e sporteve për organizimin e peticionit

  • Reshjet e borës shkaktojnë anulimin e fluturimeve në Gjermani

    Reshjet e borës shkaktojnë anulimin e fluturimeve në Gjermani

    Reshjet e dendura të borës dhe ato të shiut në mbarë Gjermaninë më 17 janar kanë shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe linjave të transportit me trena, si dhe mbylljen e shkollave.

    Në aeroportin e Frankfurtit – që është aeroporti më i madh në Gjermani – mbi 500 fluturime janë anuluar. Ndërkaq, në Munih mbi 250 fluturime që pritej të ateronin dhe të niseshin, po ashtu u anuluan.

    Aeroporti Saarbruecken në perëndim të Gjermanisë u mbyll, përderisa aeroportet në Dyseldorf dhe Koln, po ashtu janë prekur nga vonesat dhe anulimet e fluturimeve.

    Operatori kombëtar i trenave, Deutsche Bahn, ka anuluar disa udhëtime në distancë të gjatë dhe ka njoftuar se maksimumi i shpejtësisë së trenave të tij të shpejtë do të kufizohet deri në 200 kilometra në orë për shkak të motit ekstrem.

    Reshjet e shiut në mbarë Gjermaninë perëndimore dhe jugore po ashtu kanë shkaktuar ngrirjen e rrugëve, gjë që ka rezultuar me shumë aksidente rrugore mëngjesin e së mërkurës. Si masë parandaluese, shumë shkolla dhe çerdhe në vend janë mbyllur, ndërkaq disa kompani u kanë ofruar punonjësve të tyre mundësinë që të punojnë nga shtëpia./rel/

  • Katari dhe Franca dërgojnë ilaçe për pengjet në Gazë

    Katari dhe Franca dërgojnë ilaçe për pengjet në Gazë

    Një dërgesë me ilaçe për dhjetëra pengje që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është nisur për në këtë territor, pasi Franca dhe Katari ndërmjetësuan marrëveshjen e parë mes Izraelit dhe grupit radikal që nga armëpushimi njëjavor, i cili përfundoi në nëntor.

    Dërgesa me ilaçe po dërgohet përmes Egjiptit dhe do t’i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili më pas do t’ia dorëzojë Hamasit. Katari tha se marrëveshja po ashtu përfshin dërgimin e ndihmës shtesë mjekësore dhe humanitare për palestinezët në enklavën e rrethuar.

    Marrëveshja vjen pas më shumë se 100 ditë që kur ka nisur lufta e cila ka nxitur tensione në mbarë Lindjen e Mesme, përderisa ditët e fundit ka pasur sulme dhe kundërsulme nga veriu i Irakut për në Detin e Kuq dhe nga jugu i Libanit për në Pakistan.

    Në Gazë, radikalët palestinezë ende po rezistojnë në territorin bregdetar që po përballet me një nga fushatat më vdekjeprurëse ushtarake në historinë moderne. Rreth 85 për qind e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre, dhe sipas Kombeve të Bashkuara, çereku i popullsisë është duke u përballur me uri.

    Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe aftësitë e tij qeverisëse për t’u siguruar që grupi të mos e përsëris më sulmin e 7 tetorit, që nxiti luftën. Luftëtarët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë afër 250 pengje.

    Izraeli po ashtu është zotuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende janë në Gazë, pasi shumica prej tyre u liruan në nëntor, gjatë këmbimit me palestinezët e burgosur në Izrael. Izraeli ka thënë se vetëm presioni ushtarak do të sjellë lirimin e më shumë pengjeve, por përderisa lufta vazhdon, pengjet janë në rrezik që të vriten nga sulmet izraelite apo gjatë operacioneve të shpëtimit.

    Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm, kërkesë që është refuzuar nga Izraeli dhe aleatja e tij kryesore, SHBA-ja.

    Që kur ka nisur lufta, gjatë ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë 24.285 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy të tretat e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Mbi 60.000 persona janë plagosur dhe vetëm më pak se gjysma e spitaleve në Gazë janë pjesërisht funksionale./REL/

  • ​Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    ​Arrestohet një shtetas serb, tentoi t’u japë ryshfet policëve

    Një shtetas i Serbisë është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi i njëjti është munduar ta korruptojë një polic duke i dhënë bashkë me dokumente, një kartëmonedhë prej pesë eurosh.

    Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se njëjti është arrestuar nga policia dhe është dërguar në stacionin policor në Prizren

    “Me date 16.01.2023, rreth orës 16:30 një patrulle policore e Njësisë e së Rregullimit të Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në fshatin Piranë të Prizrenit ka ndaluar një kamion me tabela të Serbisë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

    “Shoferi kamioni I. V. I lindur në vitin .1983 në Krushevac – Serbi, Shtetas Serb, pasi është ndaluar nga patrulla policore dhe i janë kërkuar dokumentet, ai bashke me dokumente jep edhe një kartëmonedhë prej pesë (5) eurove. I njëjti është prangosur nga policia dhe është dërguar në Stacionin Policor Prizren Veri”, vazhdon njoftimi.

    Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit kujdestar, të njëjtit i është dhënë aktvendimi për ndalim për 48 orë.

    Kundër të njëjtit është dërguar kallëzim penal për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

  • Si të trajtojmë varësinë nga blerja?

    Si të trajtojmë varësinë nga blerja?

    Varësia ndaj blerjeve, njohur ndryshe si kompulsiviteti i blerjes, është një gjendje psikologjike që karakterizohet nga një nevojë e madhe dhe e pandalshme për të bërë blerje, e cila vepron si një mënyrë për të përballuar ndjenjat e padëshiruara apo stresin.

    Varësia ndaj blerjeve vërehet shpesh nëpër kulme të stresit emocional ose kur individi përjeton ndjenja si depresioni, ankthi, vetmia, ose mungesa e vetëvlerësimit. Psikologët thonë se për këta njerëz, blerja shërben si një ilaç i përkohshëm për të ndihmuar të ndihen më mirë, duke i distancuar ata nga ndjenjat negative.

    Sipas Dr. April Lane Benson, e cila është e specializuar në trajtimin e çrregullimit të blerjes kompulsive, varësia ndaj blerjeve mund të jetë një mënyrë si individët përpiqen të plotësojnë një zbrazëti emocionale.

    Në secilën blerje, veçanërisht kur ajo përmbush nevojat e menjëhershme emocionale ose shërben si ilaç për të balancuar ndjenjat negative, sistemi limbik i trurit, veçanërisht amigdala dhe hipokampusi , aktivizohet.

    Njerëzit që mund të vuajnë nga ky lloj kompulsiviteti zakonisht kanë simptoma si: impuls blerës, i paarsyeshëm dhe i tepërt, ndjenje faji pas blerjes, përballje me problemet financiare si pasojë e shpenzimeve të tepruara, konflikte në marrëdhëniet personale si rezultat i sjelljes së blerjes dhe fshehja e blerjeve si një formë e mohimit të problemit.

    Media dhe reklamat e ndryshme na prezantojnë një shumëllojshmëri zgjedhjesh dhe mund të na stimulojnë të besojmë se blerja e produkteve të caktuara do të përmirësojë cilësinë tonë të jetesës. Sipas një studimi nga Journal of Consumer Research, ekspozimi i përsëritur ndaj reklamave nxit pritje të palogjikshme për kënaqësi dhe lumturi që mund të vijnë nga blerjet.

    Cila gjini ka më shumë tendencë për obsesionin e blerjes , ka qenë subjekt i shumë studimeve psikologjike, dhe për disa nga ta del të jetë se gratë mund të përjetojnë varësi ndaj blerjeve në një shkallë më të lartë se burrat.
    Për njerëzit që nuk mund të kontrollojnë blerjet e tyre, preferohet të kenë vizion afatgjatë për çka është e nevojshme dhe si blerjet ndikojnë në jetën personale dhe atë sociale./atvlive.tv/

  • Kurti: Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu u kthyen në emra referencialë për të gjithë ata që luftuan për Kosovën

    Kurti: Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu u kthyen në emra referencialë për të gjithë ata që luftuan për Kosovën

    Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe të Kadri Zekën në 42 vjetorin e vrasjes së tyre nga shërbimi sekret serb në Gjermani.

    Kurti tha se mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete.

    Postimi i plotë:
    “Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre. Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat”.

    “Atë të diel dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba”.

    Kurti tha se ishte një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, “sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit”.

    “Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës pritet të nisë gjatë 2024-ës

    Renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës pritet të nisë gjatë 2024-ës

    Ndonëse nuk pati një program të veçantë, në mesin e rreth 12 mijë vizitorëve gjatë vitit 2023, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan edhe fëmijët e kopshteve.

    Krahas renovimit, restaurimit dhe trajtimit të fondit muzeor që pritet të fillojë gjatë vitit 2024, kërkohet edhe një program i veçantë për këtë grup-moshë, në mënyrë që ata të ndahen sa më të kënaqur.

    Në një intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu thotë se deri në gjysmën e dhjetorit 2023, numri i vizitorëve është 11 mijë e 451.

    Ajo thotë se mbi tre mijë persona kanë vizituar Kompleksin etnologjik “Emin Gjiku”, ndërsa rreth katër mijë të tjerë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

    Aliu potencon se krahas detyrave dhe prioriteteve për 2024, obligohen të hartojnë edhe një program për fëmijët e kopshteve.

    “Numri i vizitorëve në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është 11 mijë e 451 vizitorë. Nuk është përfundimtar, sepse pas këtij raporti kemi pas edhe më tutje vizitorë. Kemi një numër prej 3 mijë e 617 në kompleksin etnologjik ‘Emin Gjiku’ dhe kemi një numër të vizitorëve diku ndoshta te katër mijë në ‘Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova’ … Muzeun Kombëtar të Kosovës këtë vit e kanë frekuentuar të gjitha grup-moshat, flas edhe për fëmijët e kopshteve. Mendoj që kjo përbën risi, në cilësinë e vizitorëve, që të gjithë kanë ardhur në mënyrë të organizuar, vizita të paralajmëruara dhe konfirmuara nga stafi i muzeut…Krahas shumë detyrave dhe prioriteteve që na parashtrohen për vitin e ardhëm na obligon që të ndërtojmë dhe një program, sado që është i vogël, i thjeshtë në kuptimin e fjalës që të kemi një program edhe për këto grup-mosha. Muzeu është shquar vite për programin e njohur ‘ABC-ja e Muzeut”, por që nuk e ka përfshirë këtë grup-moshë”, thotë Aliu.

    Nevoja për të filluar renovimin, restaurimin dhe trajtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës po konsiderohet më se domosdoshme nga drejtoresha, Vjollca Aliu.

    Ajo shpreson që gjatë vitit 2024, projekti për rregullimin e Muzeut do të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës.

    “Është përtej nevojave dhe obligimeve parashtrohet një prej kërkesave imediate jo vetëm si ndërtesë, si funksion gjithsesi, prioriteti është te fondi muzeor për çka edhe ekziston Muzeu Kombëtar i Kosovës, sepse ka një fond të jashtëzakonshëm… Sa i përket angazhimeve konsideroj që tani jemi në fund të vitit dhe një pjesë e madhe e obligimeve kanë përfunduar…Projekti ka qenë në proces të rishqyrtimit dhe përfundimisht është miratuar nga Instituti i Kosovës për mbrojtje të monumenteve, e kemi të konfirmuar nga ministria që ka pasur angazhime në mënyrë që proceduar të iniciohet këtë vit. Shpresoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë një nga projektet që ministria do t’i trajtojë me prioritet përsëri, në mënyrë që të fillojë renovimi, restaurimi dhe trajtimi i fondit të muzeut”, thekson Aliu.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, thotë se tashmë ekziston projekti përfundimtar i restaurimit të përgjithshëm të ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës.

    Ai shton se projekti ka kaluar fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit për restaurimin e ndërtesës.

    Çeku potencon se pjesë qendrore e renovimet janë depot, hapësirat ku ruhen eksponatet, artefaktet dhe koleksioni muzeor. Ai beson se me këto punime, do të krijohen kushte për ruajtjen më të mirë dhe më të dinjitetshme të pasurisë së muzeut.

    “Ne tashmë e kemi projektin përfundimtar të restaurimit të përgjithshëm të ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës. Projekti ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e ndërtesës. Pjesë qendrore e restaurimit janë depot, hapësirat ku ruhen eksponatet, artefaktet, pra koleksioni muzeor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, por edhe hapësirat e tjera ekspozuese të cilat përfshijnë edhe ri konceptimin e ekspozitave permanente, por edhe ri dizajnimin e hapësirave për ekspozita të përkohshme. Besoj që me këtë ndërhyje që do të bëhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës do të krijohen kushte edhe për ruajtjen më të mirë dhe më të dinjitetshme të pasurisë, të koleksionit muzeor, por edhe për aktivitete më të mira në të ardhmen për ekspozita të përkohshme në hapësirat e këtij institucioni”, tha ministri Çeku.

    Ndër ekspozitat më të veçanta, drejtoresha Vjollca Aliu konsideron fotografitë e fotografëve Afrim Hajrullahut dhe Alban Bujarit, derisa vlerësoi si të mira edhe ekspozitat e tjera.

  • Presidentja Osmani flet për raportet me Edi Ramën: Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim

    Presidentja Osmani flet për raportet me Edi Ramën: Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për ndryshimin “për të mirë” në raportet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

    Osmani ka thënë se pavarësisht dallimeve në disa çështje, është shumë me rëndësi që shqiptarët të unifikojnë politikën e tyre të jashtme.

    “Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara. Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Prandaj, bashkëpunimi me Shqipërinë në fuqizimin e shtetit të Kosovës është esencial”, ka thënë presidentja Osmani per Reporterin.