ATV

Author: G.O.

  • Osmani pret në zyre Maqedoncin dhe Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

    Osmani pret në zyre Maqedoncin dhe Jasharin: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jasharin.

    Osmani ka thënë se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO.

    “Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO. Sot përgëzova Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari për angazhimin e institucioneve tona të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë”, ka shkruar Osmani.

  • Shtohet numri i qytetarëve me grip sezonal

    Shtohet numri i qytetarëve me grip sezonal

    Rastet me grip sezonal ende mbeten të larta bazuar në të dhënat nga testimet e kryera. Sipas një përgjigje të Institutit Kombëtare të Shëndetit Publik për ATV-në, nga përditësimi i fundit i të dhënave, nga fillimi i javës janë testuar edhe 176 mostra të dyshimta për influenzën A prej të cilave, 35 raste kanë rezultuar pozitive.

    Nga IKShPK-ja kanë thënë se virusi prek kryesisht personat me imunitet të dobët, të moshuarit dhe fëmijët.

    Ndërkaq, sipas të dhënave, në javën e parë të këtij muaji, janë raportuar afro 6 mijë raste të gripit.

    Derisa në mesin e 326 mostrave nga pacientët, si raste të dyshimta për COVID-19, 63 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

  • BQK ndalon ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë 500 euro

    BQK ndalon ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë 500 euro

    Nga data 1 shkurt 2024 institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 euro, sipas rregullores së re të BQK-së për Operacionet me Paratë e Gatshme.

    Rregullorja në fjalë përcakton procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara, kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara.

    Ajo po ashtu rregullon standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Kosovës.

    Rregullorja e re përcakton edhe kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme, rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës, si dhe procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

    Sipas kësaj rregulloreje, me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizik dhe personat juridik që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga shuma.

    Asnjë person fizik apo juridik nuk mund të ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, asnjë person fizik apo juridik nuk mund të importojë dhe pajiset me makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave nëse nuk është i licencuar si institucion financiar për ofrim të aktiviteteve bankare, apo institucion financiar jo-bankar me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

    BQK thekson se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Republikën e Kosovës është e drejte ekskluzive e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Kosovë mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare.

  • Rregullorja e re e “Prishtina Parking”, 1862 qytetarë do të rimbursohen

    Rregullorja e re e “Prishtina Parking”, 1862 qytetarë do të rimbursohen

    Parking Prishtina ka njoftuar qytetarët se ata që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë kësaj ndërrmarje.

    Kjo ka ndodhur si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, ku 1,862 qytetarë do të rimbursohen.

    Njoftimi i plotë:

    Si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, Prishtina Parking do të rimbursoj 1862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44130 euro.

    Qytetarët që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë ndërmarrjes Prishtina Parking.

  • Kina regjistron sërish rënie të numrit të popullsisë

    Kina regjistron sërish rënie të numrit të popullsisë

    Popullsia e Kinës është zvogëluar për të dytin vit me radhë, duke rritur shqetësimet në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

    Të dhënat e publikuara të mërkurën kanë treguar që Kina ka pasur 1.409 miliard banorë deri në fund të vitit 2023 – 2.08 milionë më pak sesa më 2022.

    Shifrat e fundit janë dyfish më të mëdha sesa në vitin paraprak, të cilat patën shënuar rënien e parë në 60 vjetët e fundit.

    Mirëpo, ekspertët kanë thënë se një rënie e tillë ka qenë e pritshme për shkak të zgjerimit të klasit urban dhe zvogëlimit të numrit të lindjeve.

    Të mërkurën, Pekini ka thënë se shkalla e lindshmërisë ka rënë në 6.39 për 1.000 banorë dhe trendi është në linjë me vendet tjera të avancuara të Azisë Lindore, Japoninë dhe Korenë e Jugut.

    Një arsye tjetër për rënie të numrit të popullsisë ka qenë edhe politika që një familje të ketë vetëm një fëmijë – e cila ka datuar prej viteve 1980 – për të kontrolluar mbipopullimin në atë kohë.

    Qeveria e ka pezulluar atë politikë më 2015, me qëllim të shmangies së trendit të rënies së numrit të popullsisë, dhe ka prezantuar masa tjera për nxitje të natalitetit.

    Më 2021, autoritetet i kanë relaksuar edhe më shumë masat, duke ua mundësuar çifteve që t’i kenë deri në tre fëmijë.

    Të dhënat e fundit kanë rritur shqetësimet për ekonominë kineze, pasi ky vend e ka fuqinë punëtore si motorin kryesor për qarkullim financiar.

    Ndonëse dikur ka qenë vendi më së shumti popullsi në botë, tani është India vendi që e mban primatin.

    Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më 2022, India ka 1.425 miliard banorë./REL/

  • Lëndime në sy, probleme me frymëmarrje – kjo është gjendja shëndetësore e minatorëve që u lënduan nga acidi

    Lëndime në sy, probleme me frymëmarrje – kjo është gjendja shëndetësore e minatorëve që u lënduan nga acidi

    Të paktën shtatë minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit në Minierën e Trepçës. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

    Zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të shtatë të lënduarve, teksa e njëjta ka bërë të ditur se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Shtatë minatorë janë sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi të njëjtit kanë pësu lëndime si pasojë e derdhjes së acidit. Pesë nga ta janë ende në trajtim në Emergjencë, ndërsa dy janë pranu në Repartin e Oftamologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.

    Ata që janë pranu në Repartin e Oftamologjisë, kanë lëndime në sy dhe janë në gjendje goxha të rëndë, rreth problemeve me sy, tjerët  kanë dhimbje gjoksi, problem me frymëmarrje, djegie të fytit për shkak të atij acidit që është derdhë në Minierë”, tha Mustafa.

  • Disa minatorë të Trepçës lëndohen rëndë, iu ra acidi në trup

    Disa minatorë të Trepçës lëndohen rëndë, iu ra acidi në trup

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Minierën e Trepçës, ku disa minatorë kanë pësuar lëndime si pasojë e derdhjes së acidit, raporton Gazeta Sinjali.

    Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë.

    Zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të shtatë të lënduarve, teksa e njëjta ka bërë të ditur se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Shtatë minatorë janë sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi të njëjtit kanë pësu lëndime si pasojë e derdhjes së acidit. Pesë nga ta janë ende në trajtim në Emergjencë, ndërsa dy janë pranu në Repartin e Oftamologjisë për trajtim të mëtutjeshëm. Ata që janë pranu në Repartin e Oftamologjisë, kanë lëndime në sy dhe janë në gjendje goxha të rëndë, rreth problemeve me sy, tjerët kanë dhimbje gjoksi, problem me frymëmarrje, djegie të fytit për shkak të atij acidit që është derdhë në Minierë”, tha ajo.

    Të lënduarit nuk pritet të transferohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi të njëjtit po marrin trajtimin e nevojshëm në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

    “Të gjitha profilet tjera si kirurgu dhe gjithë të tjerët kanë ardhë dhe kanë pasë konsulta oftamologjike dhe të gjitha në Emergjencë”, tha Mustafa për Sinjalin, teksa e njëjta bëri me dije se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencë.

  • Kurti takohet me anëtarin e Këshillit Federal të Zvicrës, flasin për sulmin terrorist në Banjskë

    Kurti takohet me anëtarin e Këshillit Federal të Zvicrës, flasin për sulmin terrorist në Banjskë

    Dita në Davos, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, nisi me takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans.

    Kryeministri Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj shtetit tonë. Më tej, ai theksoi të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tre viteve të fundit.

    Veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike të vendit, si aspekte që ndërlidhen me drejtësinë dhe zhvillimin e prosperitetin. Po ashtu dhe lufta kundër ilegalitetit në veri por edhe bashkëpunimi me institucione të sigurisë të vendeve mike e partnere, ka sjellë rezultate të prekshme në parandalimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve ilegale.

    Kryeministri e informoi Këshilltarin Federal Jans mbi procesin e Vetingut dhe mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. U bisedua dhe për situatën e sigurisë në rajon, për sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë, për përpjekjet tona për integrimin e komunitetit serb dhe të drejtat e tyre politike pluraliste, demokratike dhe sociale.

    Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës sonë në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri u vlerësua nga z. Jans. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti theksoi dhe ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë.

    Kryeministri Kurti potencoi dhe iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike: për Transferimin e Personave të Dënuar dhe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

    Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin Federal Jans për bisedën produktive dhe idetë e shkëmbyera.

  • Konjufca për zgjedhjet e reja: Sa më herët aq më mirë për Kosovën, gara do të jetë për vendin e dytë

    Konjufca për zgjedhjet e reja: Sa më herët aq më mirë për Kosovën, gara do të jetë për vendin e dytë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë për Ekonomia Online dhe mediat tjera se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është në të mirë të Kosovës, ndërsa garën më të madhe e sheh për vendin e dytë.

    Konjufca i ka përmendur edhe sondazhet e fundit që e nxjerrin VV-në të parën me një përqindje të lartë.Konjufca ka thënë se zgjedhjet parlamentare nëse mbahen më shpejt është më mirë për Kosovën por që kërkon koordinim me institucionet përgjegjëse, përfshirë Qeverinë e Presidencën.

    “Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën, mirëpo natyrisht që Qeveria i ka planet e veta, projektet që është duke i realizuar e pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet me marrëveshje me subjektet politike, po edhe mes kryeministrit, presidentes e edhe mes meje si kryeparlamentar”, u shpreh Konjufca.

    Ai e ka komentuar edhe koalicionin që pritet të lidhet ndërmjet AAK-së dhe Nisma Socialdemokrate.

    “Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash, Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën me sa e mbaj mend po ndodh sërish, e sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë, rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për vendin e dytë”, deklaroi Konjufca.

  • Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse ajrore në Bregun Perëndimor

    Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse ajrore në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Ahmed Abdullah Abu Shalal, i cili sipas ushtrisë izraelite ishte përgjegjës për infrastrukturën dhe kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, ishte në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e së mërkurës në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.

    Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë parandaluar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes. Kjo organizatë tha përmes rrjeteve sociale se “të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve tona”.

    Ushtria izraelite pretendoi se Abu Shalal dhe celula e tij planifikonin të kryenin një sulm dhe kishin marrë fonde dhe udhëzime nga “ burimet iraniane”. Ushtria nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

    Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.

    Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor./REL/