ATV

Author: G.O.

  • Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, IKShPK-ja thotë se s’ka raste të konfirmuara në Kosovë – ka një apel për prindërit

    Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, IKShPK-ja thotë se s’ka raste të konfirmuara në Kosovë – ka një apel për prindërit

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me një komunikatë, pas alarmimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rritjen e rasteve të fruthit në Evropë.

    Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IKShPK-ja ka bërë me dije se përkundrejt rritjes së madhe të rasteve në Evropë dhe në rajon, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth.

    Tutje, Instituti ka thënë se bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë këtu edhe fruthin, duke i ndërmarrë në vazhdimësi masat profillaktike dhe kundër- epidemike.

    Në njoftim, u është drejtuar edhe një apel prindërve.

    “Vaksinimi është mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së fruthit. Aktualisht, Kosova ka shkallë të mirë të mbulueshmërisë me vaksinën MMR (Fruth-Rubellë-Parotit).  IKShPK është duke punuar intensivisht në koordinim me ekipet e vaksinimit dhe institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor që të identifikohen fëmijët të cilët nuk kanë marrë vaksinën MMR sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.  Me ketë rast, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet në komunikatë.

    Fruthi është një ndër sëmundjet më ngjitëse dhe me vdekshmëri më të lartë te fëmijët nën 5 vjeç.

  • Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë Kiril Vatev, ka mbërritur të enjten për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast në pikën kufitare në Han të Elezit është pritur nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci.

    Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Ministri i Bullgarisë, Vatev së bashku me Ministrin Peci në takimin bilateral që do ta zhvillojnë gjatë ditës do të diskutojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore.

    Krahas kësaj, të dy së bashku do të realizojnë edhe një varg aktivitetesh, duke përfshirë këtu vizitat tek disa agrobiznese vendore në vendin tonë, për t’u njohur nga afër me potencialin zhvillimor të prodhuesve vendor.

    Ministri Peci dhe homologu i tij bullgar, Kiril Vatev gjatë kësaj vizite do të bisedojnë edhe për mundësitë e thellimit të shkëmbimeve tregtare mes shteteve të tyre në mënyrë që produktet e Kosovës të jenë pjesë e tryezave bullgare.

  • Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike.

    Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë, Visar Azemi tha se për shkak të pa aftësisë së qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike.

    Ai tha se kjo qeveri për tre vite nuk ka rritur për asnjë megavat kapacitetet e rigjenerimit të energjisë elektrike.

    Azemi potencoi se nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten dhe do të flisnin lidhur me këtë situatë, do ta quante atë “një mashtrues tipik e klasik”.

    Tutje, ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa shtoi se si LDK, janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

    Sipas tij, ndërtimi i centralit të gazit amerikan, rehabilitimi i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtrishme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja për ta zgjidhur këtë çështje.

  • Dorëhiqet qeveria e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet të marrë detyrën si kryeministër shqiptar

    Dorëhiqet qeveria e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet të marrë detyrën si kryeministër shqiptar

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi se sot kabineti i tij jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.

    Kryeministër i kësaj të fundit pritet të emërohet Talat Xhaferi, i cili do të dorëhiqet ndërkohë nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit.

    Qeveria teknike do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, të përcaktuara të mbahen më 8 maj.

    “Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën 28 janar të votohet Qeveria teknike”, deklaroi Kovaçevski.

     

  • Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen 7 raste të dhunës në familje

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen 7 raste të dhunës në familje

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë, njoftoi Policia.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë thuhet se rastet e tilla janë raportuar në komunën e Prishtinës, Lipjan, Fushë Kosovë, Prizren e Kaçanik.

    Rastet e dhunës sipas raportit të policisë:

    Prishtinë 23.01.2024 – 23:45. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin se e njëjta prej disa (5) vitesh ka shkaktuar probleme dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare-nënës së saj. E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Lipjan 24.01.2024 – 09:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 24.01.2024 – 13:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se ka pasur dhunë nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 24.01.2024-NN. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se ish bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare, në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike si dhe i shkakton probleme në vendin e punës së tij. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë 24.01.2024-NN. Viktima femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, ka shkaktuar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe m vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Prizren 23.01.2024 – 15:00. Më 24.01.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se ka pasur dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Kaçanik 24.01.2024-17:00. Viktima mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga djali i tij i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Vizita e Pendarovskit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugor

    Vizita e Pendarovskit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugor

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Ukraina thotë se i rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës

    Ukraina thotë se i rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës

    Rusia lëshoi katërmbëdhjetë dronë sulmues dhe pesë raketa në Ukrainë gjatë natës, tha më 25 janar forca ajrore e Ukrainës, e cila shtoi se u rrëzuan njëmbëdhjetë prej tyre.

    Qyteti-port, Odesa, u sulmua dy herë nga dronët rusë gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper në Telegram.

    Rusia shënjestroi gjithashtu Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me pesë raketa të drejtuara kundërajrore S-300, tha mbrojtja ajrore.

    Kiper tha në Telegram se gjatë sulmit në qytetin-port të Detit të Zi u plagosën dy persona.

    “Me gjithë punën efektive të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet e armikut, për fat të keq, një objekt industrial u godit në Odesa dhe ndërtesat e banimit dhe infrastruktura civile u dëmtuan,” tha Kiper.

    Lidhur me këtë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

    Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale.

    Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit, në qytetet ukrainase.

    Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL

  • LDK-ja mban sot konferencë për media

    LDK-ja mban sot konferencë për media

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se konferenca do të fillojë nga ora 10:00, në selinë qendrore të LDK-së.

    Ndërkohë, nuk janë bërë të ditura arsyet e thirrjes së kësaj konference.

  • Luftanija që ndezi shkëndijën e luftës mes SHBA-së dhe Spanjës 126 vjet më parë

    Luftanija që ndezi shkëndijën e luftës mes SHBA-së dhe Spanjës 126 vjet më parë

    Më 25 janar 1898, luftanija amerikane U.S.S. Maine, hyri në portin e Havanës, në Kubë, duke ndezur shkëndijën e luftës ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës.

    Misioni i anijes ishte të mbronte qytetarët amerikanë dhe pronat e tyre në Havanë, kundër dhunës së mundshme gjatë kryengritjes së Kubës kundër Spanjës.

    Më 15 shkurt, tri javë pas ankorimit të luftanijes, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm dhe e zjarrit që pasoi, anija Maine u fundos dhe humbën jetën 266 amerikanë. Gazetat amerikane fajësuan Spanjën dhe nxitën opinionin publik kundër spanjollëve me thirrjen “Kujtoni anijen Maine”.

    Në fakt, askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë se kush ishte përgjegjës për shpërthimin. Jo më vonë se dy muaj pas fundosjes së luftanijes Maine në portin e Havanës, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja ishin në luftë ndërmjet tyre. Luftimet zgjatën më pak se katër muaj.

    Fuqia ushtarako-detare e Shteteve të Bashkuara luajti rol të rëndësishëm në fitoren amerikane. Si pjesë e marrëveshjes së paqes në përfundim të luftës, Spanja hoqi dorë nga kontrolli mbi Kubën.