ATV

Author: G.O.

  • Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Ato që i vlerësoi kërcënime dhe rreziqe që burojnë nga Serbia dhe aleanca e saj me Rusinë, ishin në qendër të fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në një diskutim në Britaninë e Madhe, për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

    Pasi sulmit terrorist paramilitar më 24 Shtator, në Banjskë, iu referua si pushtim i kufirit nga Serbia, ai argumentoi për rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes si garanci e paqes.

    “Një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë më parë. Mos-nënshkrimi i marrëveshjes që kemi është shenjë e qartë e mosbesimi/keqbesimi. Kështu që ne duhet të kemi mirëbesim që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj për të cilën jemi dakorduar deri tani. Dhe, kjo po ashtu do të thotë se kur ata refuzojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, ata duan të mbajnë të hapur një mundësi për të pushtuar Kosovën. Pra, unë nuk shoh ndonjë kuptim tjetër substancial për refuzimin për nënshkrim sesa që duan të mbajnë të hapur këtë derë, ashtu që të ketë një dritare si opsion për t’u kthyer dhe kryer agresion përsëri”, tha Kurti.

    Kryeministri shpalosi edhe pikëpamjet e tij lidhur me integrimin e rajonit në BE.

    “Nuk mendoj se duhet të jetë gjithçka ose asgjë. Dhe, një shtet nuk mund të mbajë peng të gjithë të tjerët. Më vështrimin tim, Serbia me regjimin e saj autoritar është duke e mbajtur prapa gjithë rajonin. Serbia e njeh de-jure Bosnjë e Hercegovinën, por nuk e njeh de-fakto, njësoj Malin e Zi. Në rastin e Kosovës është e kundërta. Ata na njohin de-fakto në masë të madhe, por jo de-jure. Ka një tezë të përgjithshme që Serbia po mban marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin ndaj Kosovës. Por, unë do të thosha të kundërtën, që Serbia përdorë agresivitetin ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt duhet ta dëshmosh vetën kohë pas kohe. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën Vucic”, shtoi tutje ai.

    Një përgjigje e dha edhe kur u pyet për mundësinë e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Më pëlqen çfarë regjisori amerikan i filmave, David Lynch, ka thënë për Donald Trump. Ai ka thënë se ju nuk mund ta kundërshtoni z. Trump në një mënyrë inteligjente. Nuk ka thënë se ai nuk është inteligjent, por ka thënë se ju nuk mund të jeni inteligjent me të! Kështu që nuk do të jetë lehtë”, deklaroi kryeministri kosovar.

    Teksa foli për komunitetin serb, kryeministri theksoi faktin se nga 1 Janari, në katër komunat në veri, janë regjistruar më shumë se 5800 aplikime për pajisje me pasaportë të Kosovës./atvlive.tv/

  • Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Avokatët Mbrojtës të Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, nuk po paguhen nga Ministria e Drejtësisë.

    Me këtë rast, u kërkua edhe pezullimi i procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Hagës, derisa çështja e pagesës të rregullohet.

    Avokati mbrotjës i Januzit, tha se kërkesën për financim në MD e kishte adresuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

    “ Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, thotë Jonathan Elystan Reese, avokati mbrojtës i Sabit Januzit.

    Avokati Reese kërkoi afate urgjente për çështjen e pagesave. E nëse kjo nuk ndodhë, sipas tij do kërkohet epilogu i Kushtetueses.

    Me këtë pajtohet avokatja mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    “Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në.”, u deklarua Felicity Gerry Kc, avokate mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    Pavarësisht telasheve të financimit, avokati i Haxhi Shalës tha se ai do vazhdojë ta mbrojë klientin e tij.

    “ Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje”, u shpreh Toby Cadman, avokat mbrotjës i Haxhi Shalës.

    Kërkesat për pezullim të procedurës janë kundërshtuar nga prokurorja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Jasmine Shahabbudin.

    Nicholas Guillou, gjyqëtari i procedurës paraprake tha se në rast të mospagesës së mbrotjes nga ana e MD-së, alternativë është sistemi i ndihmës financiare pranë DhSK-së dhe se ata do të paguhen ose nga ky sistem ose me mjete vetanake të vet të akuzuarve./ATVLIVE.TV/

  • Apeli ia rriti dënimin të sëmurit mendor nga 18 në 28 vjet burgim

    Apeli ia rriti dënimin të sëmurit mendor nga 18 në 28 vjet burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga 18 vjet sa e kishte dënuar Gjykata Themelore e Mitrovicës, Marko Bigoviqin për vrasjen e babait dhe vëllait të tij, Apeli ia ka rritur dënimin në 28 vjet.

    Apeli nuk ia ka falur besimin ekspertizës të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, I cili kishte konstatuar se Bigoviq ka probleme mendore, duke ia larguar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

    Por lënda i është kthyer për shqyrtim Gjykatës së shkallës së dytë nga Gjykata Supreme, e cila ia ka numëruar një varg shkeljesh Apelit, ndër të tjera se ka gabuar kur e ka marrë rolin e ekspertit. Sipas Supremes, çdo ndërhyrje në këtë drejtim mund të çojë në arbitrarizëm gjatë vendosjes.

    “Gjykata e Apelit, në rast se vlerëson se është e nevojshme që për shkak të
    dilemës lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ka mundur të hapë shqyrtim dhe të marrë prova të reja apo të urdhërojë ekspertizë të re nga grupi i ekspertëve të fushës përkatëse, por jo të merr vet rolin e ekspertit, pasi që gjykata nuk ka ekspertizën e duhur në këtë fushë”, thuhet nw vendimin e Supremes.

    Mbrojtja pret që në rivendosje, Apeli t’i marrë parasysh vërejtjet e Supremes, derisa sipas tyre të dënuarit nuk i është ndërprerë trajtimi mjekësor.

    Nga Qendra për Ndihmë Ligjore “Clard”, thonë se ekspertizat në rastet e vrasjeve të rënda duhet të merren si rrethana lehtësuese.

    Supremja në këtë vendim ka theksuar se Apeli i ka tejkaluar kompetencat e veta edhe duke i shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 28 vjet, duke mos e arsyetuar me fakte vendimtare lartësinë e dënimit.

    Bigoviq në vitin 2022, i kishte vrarë babanë dhe vëllain e tij binjak brenda shtëpisë së tyre në Mitrovicë të Veriut. Ndërsa pas procesit gjyqësor, gjatë të cilit përveç ekspertizës, ishin dëgjuar edhe dëshmitarë për gjendjen e tij psikike, Gjykata e kishte dënuar me 18 vjet burgim./atvlive.tv/

  • Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Intervistimi i të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ishte gati të niste në Prokurori.

    Pasi policia siguroi perimetrin, i pari përmes hyrjes nëntokësore u soll i dyshuari kryesor E.K. Intervistimi filloi në 10:30, e përfundoi shpejt, meqë 16 vjeçari u mbrojt në heshtje.

    “Klienti im ka qenë në gjendje të rëndë emocionale…” , deklaroi Skender Musa, avokat i të dyshuarit E.K.

    Për më pak se 20 minuta përfundoi edhe intervistimi tjetrit të dyshuar, 17 vjeçarit A.A, i cili po ashtu u mbrojt në heshtje. Derisa për media nuk u deklarua as avokati i tij.

    Por deklarim për media lidhur me intervistimin pati Tomë Gashi, avokat i familjes së viktimës.
    “I njëjti ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje dhe pse paraprakisht ka deklaruar se mbetet pranë deklaratës që ka dhënë në Polici. Dhe në pyetjen time, për një person i cili ka qenë i sulmuar nga ky para dy viteve, ai ka refuzuar të përgjigjet”’, tha Gashi.

    18 vjeçari Lulzim Fejzullahu ishte rrahur mesditën e 14 janarit dhe si pasojë e lëndimeve vdiq në Qendrën Klinike Universitare.

    Gati dy javë më vonë, Inspektorati Policor kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor i cili ka ndryshuar raportin fillestar./atvlive.tv/

  • Një shtetase e huaj humb jetën nga orteku në Brezovicë

    Një shtetase e huaj humb jetën nga orteku në Brezovicë

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Brezovicë, ku një grua 54- vjeçare ka humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së një orteku.

    ATV-ja raporton se viktima është shtetase e huaj dhe se në momentin kur ka rrëshqitur orteku i borës, e njëjta ishte duke skijuar bashkë me bashkëshortin e saj.

    Lajmin për vdekjen e viktimës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka deklaruar Veseli.

  • Kamberi: Në 20 vjet numri i nxënësve në Luginën e Preshevës ka shënuar rënie 58%

    Kamberi: Në 20 vjet numri i nxënësve në Luginën e Preshevës ka shënuar rënie 58%

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në 20 vjetët e fundit, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënë 25% në Serbi, por te shqiptarët në Luginën e Preshevës është një rënie marramendëse prej 58%.

    Ai tha se kjo është alarmuese dhe sipas tij, është rezultat i pakicës së neglizhuar qëllimisht nga qeveria.

    “Në 20 vitet e fundit, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënë 25% në Serbi, por te shqiptarët në Luginën e Preshevës është një rënie marramendëse prej 58% – më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare. Alarmuese! Ky është rezultat i pakicës së neglizhuar qëllimisht nga qeveria, me diskriminim aktiv”, ka shkruar ai në “X”.

  • Bëhen të pavlefshme dokumentet me emrin “Maqedoni”

    Bëhen të pavlefshme dokumentet me emrin “Maqedoni”

    Dokumentet personale të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër, “Republika e Maqedonisë”, nga 13 shkurti kanë dalë jashtë përdorimit për dalje dhe hyrje në këtë shtet.

    Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve, patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit me ato me emrin “Maqedonia e Veriut”, është obligim për banorët e këtij vendi, bazuar në atë që njihet si Marrëveshja e Prespës ndërmjet Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit të shtetit, që ishte arritur më 17 qershor 2018.

    Marrëveshja kishte hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2019 dhe kishte një periudhë prej pesë vjetësh për t’i zbatuar obligimet e saj, përfshirë edhe ndërrimin e dokumenteve personale.

    Nëpërmjet një letre qarkore dërguar të gjitha ministrive greke, ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, “rikujtoi se mesnatën e 12 shkurtit 2024, skadon periudha kalimtare pesëvjeçare lidhur me dokumentet për përdorim ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut”.

    Kreu i diplomacisë greke, gjithashtu ka bërë me dije se për të hyrë në territorin grek automjetet nga Maqedonia e Veriut duhet të kenë shënimin NMK ose NM.

    Pavarësisht skadimit të afatit të dokumenteve të vjetra, shërbimet doganore dhe policore të Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur se shtetas maqedonas në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi edhe më 13 shkurt e kanë kaluar kufirin me dokumentet e vjetra me emrin Republika e Maqedonisë.

    Edhe pas skadimit të afatit, më 12 shkurt, shumë shtetas nuk janë pajisur me dokumente personale me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.

    Sipas të dhënave të Ministrisë maqedonase të Punëve të Brendshme, rreth 650 mijë qytetarë nga 1.8 milion sa numëron Maqedonia e Veriut, ende nuk kanë arritur të bëjnë zëvendësimin e dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit.

    Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit për zëvendësimin e dokumenteve edhe pse kishin kohë të mjaftueshme për të aplikuar.

    Për shkak të mungesës së formularëve, qytetarët shqiptarë nuk mund të marrin pasaporta dhe letërnjoftime në dy gjuhë – shqip dhe maqedonisht.

    Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një konferencë për media të premten tha se qytetarët që ndodhen jashtë vendit pas datës 12 shkurt dhe që kanë dokumente të vjetra udhëtimi, do të mund të kthehen në vend me një fletë udhëtimi, e cila lëshohet në zyrën diplomatike dhe misionet konsullore.

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar më 12 shkurt, me procedurë të shpejtë, ndryshimet dhe plotësimet në dy ligje për sigurinë në komunikacion, me të cilat zgjatet vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin Republika e Maqedonisë deri në fund të vitit 2024.

    Përdorimi i tyre vlen vetëm brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ndryshimet u miratuan pasi ligji aktual nuk e parashikonte një gjë të tillë.

    Ndryshimi i tyre pasoi reagimet e shumta në opinion pasi në rast të kundërt, nga 13 shkurti të gjithë shtetasit me patentë shoferë të vjetër mund të përballeshin me gjoba të larta.

    Për gjendjen e krijuar, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që është nga radhët e VMRO DPMNE-së, e cila është pjesë e Qeverisë teknike, ka akuzuar ish-ministrin Oliver Spasovski, duke ftuar organet e ndjekjes të veprojnë për shkeljet ligjore dhe për mosveprim në kohë.

    Akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga Lidhja Social Demokrate e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski duke akuzuar opozitën për përhapje të panikut.

    “Përhapja e panikut dhe dhënia e çfarëdo deklarate populiste që nuk është në drejtim të zgjidhjes së problemit me dokumente personale, nuk sjell asgjë të mirë”, thuhet në reagimin e LSDM-së. /rel/

  • PE kërkon kushte shtesë për përdorimin e mjeteve nga plani i BE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor

    PE kërkon kushte shtesë për përdorimin e mjeteve nga plani i BE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor

    Parlamenti Evropian (PE) e ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian (KE) për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare.

    Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian. Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor.

    Të martën u paraqit edhe propozim rezoluta legjislative për rregulloren për themelimin e planit për reforma dhe rritje ekonomike. Për këtë u debatua të njëjtën ditë gjatë një takimi të përbashkët të komisioneve të PE-së për Politikë të Jashtme dhe për Buxhet.

    Parlamenti Evropian, krahas kushtëzimeve që i ka propozuar më herët edhe Komisioni, ka kërkuar edhe masa shtesë, me të cilat do të kushtëzohej përdorimi i mjeteve financiare nga ky plan, në mënyrë që të sigurohet më mirë mbrojtja e interesave të Bashkimit Evropian.

    Ndër kushtet kryesore për përdorimin e këtyre mjeteve janë sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i vlerave themelore e demokratike.

    Parlamenti Evropian ka kërkuar që, mes tjerash, përdorimi i mjeteve të kushtëzohet edhe me mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

    “Një parakusht tjetër do të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Unionit, përfshirë miratimin e masave kufizuese ndaj Rusisë, sikur edhe me kërkesat e BE-së për viza për vendet e treta”, thuhet në amendamentin që ka propozuar Parlamenti Evropian si kusht shtesë për përdorimin e këtyre mjeteve.

    Ky propozim ndryshim mund të ketë efekt kryesisht në rastin e Serbisë, pasi ajo është vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Por, për t’u përfshirë kjo në kushtëzime duhet të pranohet edhe nga Këshilli i BE-së, ku vendosin vendet anëtare të bllokut.

    Kosovës dhe Serbisë do t’u kërkohet specifikisht të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në propozimin e rregullores.

    Parlamenti Evropian ka propozuar që këtu të shtohet edhe një sqarim që kërkohet “rezultat i qartë i matshëm dhe rezultate konkrete”.

    Sipas këtij plani, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për rritje ekonomike dhe reforma të BE-së. Këto mjete do të kenë një kushtëzim të shtuar dhe do të përdoren vetëm nëse respektohen ato.

    Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim për përfituesit, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi të favorshme për të cilat do të garantonte BE-ja.

    Sipas propozimit të Komisionit Evropian, gjysma e mjeteve nga plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në kuadër të kornizës për investime, sepse mjetet ekzistuese që janë në dispozicion nuk konsiderohen të mjaftueshme për të tërhequr investime të duhura. Pjesa tjetër do të shkojë direkt në buxhetin e vendeve për të financuar disa nga reformat e nevojshme.

    Komisioni Evropian beson se ky plan do ta ndryshojë shumë Ballkanin dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike dhe me këtë do ta ndihmojë edhe progresin e këtyre vendeve drejt integrimit në BE.

    Parlamenti Evropian kërkon që të bëhet e qartë se instrumentet e para anëtarësimit (IPA) të mbeten mjetet kryesore për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe së mjetet nga plani për reforma dhe rritje ekonomike të jenë vetëm shtesë e jo zëvendësim i këtyre instrumenteve./REL/

  • Ministri hungarez thotë se anëtarësimi i Serbisë në BE s’duhet të kushtëzohet me Kosovën

    Ministri hungarez thotë se anëtarësimi i Serbisë në BE s’duhet të kushtëzohet me Kosovën

    Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të martën se Serbia “është e gatshme” për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se anëtarësimi i saj në bllok nuk duhet të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Hina, ai tha se kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “i padrejtë” ndaj Beogradit, sepse “kjo gjë nuk varet vetëm nga Serbia”.

    “Izolimi i Serbisë është taktika më e keqe e mundshme,” tha Sijarto.

    Kreu i diplomacisë hungareze tha se Serbia është “e gatshme të hyjë nesër në BE”, dhe se pa të, si vendi “më i madh dhe më i fortë” në Ballkanin Perëndimor, nuk ka stabilitet në bllok.

    Sijarto e shpjegoi retorikën e shpeshtë antiperëndimore dhe antievropiane të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një ndjenjë zhgënjimi për shkak të mungesës së përparimit drejt anëtarësimit, pavarësisht “kritereve të përmbushura”.

    “Unë besoj se qasja e burokracisë nga Brukseli duhet të ndryshojë ndaj saj [Serbisë]”, tha ministri hungarez.

    Serbia është kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së prej vitit 2012, ndërsa bisedimet për anëtarësim i hapi në vitin 2014.

    BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok do të varet nga përparimi i saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Sijarto tha gjithashtu se projekti i BE-së nuk do të përfundojë derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të saj.

    “Brukseli ka nevojë për rajonin [Ballkanin Perëndimor] më shumë se sa që i nevojitet rajoni”, tha ai.

    Siatro njoftoi se gjatë presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të theksojë përshpejtimin e këtij procesi, pasi “kjo do t’i japë BE-së freski dhe vrull të ri”./REL/

  • Pandemia dhe ndërrimi i Qeverisë, shkak i mosimplementimit të tërësishëm të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

    Pandemia dhe ndërrimi i Qeverisë, shkak i mosimplementimit të tërësishëm të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

    Përfundimi i akteve nënligjore në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijës, ishte temë diskutimi ndërmjet anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione me përfaqësues të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve, raporton Ekonomia Online.

    Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me ç’rast Qëndresa Ibra nga kjo Zyre tha se koha e pandemisë dhe ndryshimet e Qeverisë e kanë pamundësuar implementimin e tërësishëm të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

    “Sa i përket nxjerrjes së akteve nënligjore që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, siç e dini që Ligji është aprovuar në vitin 2019 dhe ndoshta nuk ka qenë ndoshta koha më e mirë e mundshme e cila na derivon në nxjerrjen e udhëzimeve administrative sepse në atë kohë ka qenë koha e Covid-19, ku mundësia që me u zhvillu dokumentet ku kanë kërku një pjesëmarrje më të madhe të grupeve punuese, ka qenë e limituar”, deklaroi ajo.

    “Kohëve të fundit është bërë edhe ndryshimi i strukturës organizative të brendshme të Qeverisë dhe kushtimisht kjo ka ndikuar edhe në ndaljen e hapave sa i përket aprovimit të të gjitha udhëzimeve administrative që burojnë prej Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës”, shtoi ajo.

    “Realisht nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkohen të nxjerrën 17 udhëzime administrative, 15 prej të cilave janë nën përgjegjësinë e institucioneve qeveritare, ndërsa 2 të institucioneve të pavarura, siç është Këshilli i Gjyqësor dhe Këshilli i Pavarur i Mediave. Prej këtyre 15 udhëzimeve që janë nën përgjegjësinë e Qeverisë, janë aprovuar nëntë, aktualisht janë finale të cilat i kanë tejkaluar edhe procedurat e konsultimit publik dhe procedurat e konsultimit paraprak dhe janë gjashtë udhëzime administrative. Njëra është nën përgjegjësinë e MASHTI-t që ka të bëjë me edukimin për mbrojtjen e fëmijës si dhe të gjitha udhëzimet tjera janë nën domenin e Ministrisë së Drejtësisë. Ideja se përse këto dokumente na kanë mbet pa aprovuar në Qeveri është për faktin se në kohën kur janë zhvilluar dokumentet, përgjegjësia e çështjes sociale ka qenë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe kohëve të fundit ky mandat u ndryshu kaloi në kuadër të përgjegjësisë së Ministrisë së Drejtësisë dhe ishte e pamundur që ne të vazhdojmë punën me aprovimin e dokumenteve në fjalë pa u rregullu juridikisht aspekti i strukturës organizative të brendshme”, u shpreh tutje ajo.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kërkoi të di për ngecjet sa i përket implementimit të këtij ligji.

    “E pata një kërkesë që të kemi një raport të detajuar edhe nga ZQM-ja por edhe nga organizata tjera, që ta dimë se ku jemi duke ngecur me implementimin e këtij Ligji jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm”, u shpreh ajo.

    “Çka më intereson të di më konkretisht është që Ligji zyrtarizon Programin e Vizitave në Shtëpi. Të gjitha gratë që janë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç. Pra ky është paraparë që të përdorët si mjet identifikimi për rrezikun eventual dhe pastaj të përcillet referimet tek sektorët tjerë përgjegjës. Më intereson të di se ku jemi me këtë pikë të zbatimit të Ligjit sepse e vlerësoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme se numri i grave shtatzëna po ashtu edhe fëmijëve, të drejtat e tyre jo gjithmonë janë duke u respektuar”, pyeti Musliu-Shoshi.

    E për këtë, mori përgjigje nga përfaqësuesja e ZQM-së.

    “Më kujtohet atë kohë kur e kemi zhvilluar çështjen që ju po i referoheni në kuadër të nenit për shëndetësi, ne e kemi vendos këtë dispozitë me idenë që të ndikojmë në masën më të madhe në aspektin e parandalimit të dukurive të ndryshme negative që mund evitohen tek fëmijët, andaj edhe kemi menduar që në kuadër të vizitave në shtëpi t’i bëjmë obligative për çdo fëmijë nga 0-3 vjeç”, deklaroi ajo.