ATV

Author: G.O.

  • Dyshohet se rrëmbyen një person dhe e malretuan fizikisht, arrestohen një grua dhe katër burra në Prishtinë

    Dyshohet se rrëmbyen një person dhe e malretuan fizikisht, arrestohen një grua dhe katër burra në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një grua dhe katër burra, nën dyshimin se kanë rrëmbyer një burrë, të cilin dyshohet se e kanë mbajtur për një kohë në një shtëpi duke e maltretuar fizikisht dhe i kanë marrë veturën.

    Gjatë kontrollit, është konfiskuar edhe një pistoletë.

    Me vendim të prokurorit, katër burrat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara grua është liruar në procedurë të rregullt

    “Prishtinë, 10.05.2026 – 22:00. Me 19.05.2026 janë arrestuar pesë të dyshuar; një femër dhe katër meshkuj kosovar, nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura duke rrëmbyer viktimën m/k, të cilin e kishin mbajtur për një kohë në një shtëpi duke maltretuar fizikisht si dhe i kanë marrë një veturë. Gjatë kontrollit është konfiskuar një armë pistoletë me një fishekë si dhe 2 gram substance narkotike marihuanë. Me vendim të prokurorit katër nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Tërmet 5.6 ballë godet Malatya-n në Turqi, epiqendra në Battalgazi

    Tërmet 5.6 ballë godet Malatya-n në Turqi, epiqendra në Battalgazi

    Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave i Turqisë ka njoftuar se një tërmet me magnitudë 5.6 ballë ka goditur rrethin Battalgazi të Malatya-s.

    Sipas deklaratës së AFAD-it, tërmeti kishte epiqendrën në lagjen Battalgazi të Malatya-s.

    Tërmeti ndodhi rreth orës 09:00 dhe u regjistrua në një thellësi prej 7.03 kilometrash.

  • Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një vizitë zyrtare në Pekin, ku u takua me udhëheqësin kinez Xi Jinping, në kuadër të forcimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Gjatë takimit të zgjeruar mes delegacioneve, Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë kanë hyrë në “një fazë të re me më shumë përparim dhe zhvillim më të shpejtë”, duke theksuar afrimin e vazhdueshëm politik dhe ekonomik mes dy fuqive.

    Nga ana tjetër, Vladimir Putin i cilësoi bisedimet me Xi si “thelbësore”, ndërsa tha se partneriteti mes Rusisë dhe Kinës është “shembullor”. Sipas mediave shtetërore kineze, presidenti rus deklaroi se objektivi i përbashkët i dy vendeve mbetet “mirëqenia e popullit rus dhe atij kinez”.

    Takimi, i cili ishte planifikuar të niste në mesditë sipas orës lokale, u shty për afro një orë. Më vonë gjatë ditës, dy liderët pritet të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare nënshkrimi, ku do të mbikëqyren 21 marrëveshje bashkëpunimi.

    Në fokus të takimit janë dy dokumente kryesore: deklarata për forcimin e mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik mes Kinës dhe Rusisë, si dhe deklarata mbi krijimin e një bote shumëpolare dhe një modeli të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Gjatë deklarimeve të tij, Xi Jinping komentoi edhe situatën në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si një “pikë kritike”, ndërsa tha se rajoni po kalon nga lufta drejt paqes.

    Sipas liderit kinez, ndalimi i armiqësive është “i domosdoshëm”, ndërsa rikthimi i konfliktit do të ishte “i papranueshëm”. Ai përmendi edhe propozimin e tij me katër pika për paqen në Lindjen e Mesme, i cili synon forcimin e konsensusit ndërkombëtar, uljen e tensioneve dhe promovimin e stabilitetit.

    Vizita e Putinit në Pekin vjen vetëm pak ditë pas udhëtimit të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, vizita e parë e një presidenti amerikan në gati një dekadë. Trump i përshkroi bisedimet me Xi Jinping si “shumë të suksesshme”, ndërsa lideri kinez i quajti ato një “pikë referimi historike”.

  • Dy cisterna kineze dalin nga Ngushtica e Hormuzit ndërsa çmimet e naftës bien pak

    Dy cisterna kineze dalin nga Ngushtica e Hormuzit ndërsa çmimet e naftës bien pak

    Dy cisterna kineze që transportonin naftë dolën nga Ngushtica e Hormuzit më herët sot, sipas të dhënave të transportit detar, duke rritur shpresat se lufta mund të zgjidhet së shpejti.

    Ka pasur sinjale pozitive nga SHBA-të dhe Gjiri, me Donald Trump që thotë përsëri se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”, transmeton Telegrafi.

    Çmimet e naftës u ulën për shkak të optimizmit, me naftën e papërpunuar Brent LCOc1 që ra në 110.16 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperonte pjesën më të madhe të humbjeve të saj.

    Toshitaka Tazawa, një analist në Fujitomi Securities, tha se investitorët janë “të etur të vlerësojnë nëse Uashingtoni dhe Teherani mund të gjejnë vërtet terren të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje paqeje”, me qëndrimin e SHBA-së “që ndryshon çdo ditë”.

    SHBA-të kanë luftuar për t’i dhënë fund luftës që filluan së bashku me Izraelin gati tre muaj më parë.

    Trump ka thënë vazhdimisht gjatë konfliktit se një marrëveshje me Teheranin është afër, ndërsa gjithashtu ka kërcënuar me sulme të rënda ndaj Iranit nëse nuk bie dakord për një marrëveshje.

    Ai është nën presion të madh politik në vend për të arritur një marrëveshje që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, ku rrjedh normalisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë.

    Çmimet e gazit mbeten të larta në SHBA dhe vlerësimi i miratimit të Trump ka pësuar një goditje përpara zgjedhjeve të Kongresit që afrohen në nëntor. /Telegrafi/

  • Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e reja të derivateve për datën 20 maj 2026, ku nafta është shtrenjtuar për 1 cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas vendimit të publikuar nga MINT, çmimi maksimal i lejuar për naftën (dizel) është 1.63 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet me 1.54 euro për litër dhe gasi me 0.75 euro për litër.

    Çmimet kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për 24 orët e ardhshme.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve po vazhdon të rëndojë qytetarët dhe bizneset, derisa tregjet ndërkombëtare të naftës mbeten të paqëndrueshme.

    Qytetarët mund të paraqesin ankesa lidhur me çmimet përmes adresës elektronike të ministrisë ose në numrin pa pagesë 0800 11000.

  • 56-vjeçari gjendet pa shenja jete në Skenderaj, nisin hetimet

    56-vjeçari gjendet pa shenja jete në Skenderaj, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 19 maj 2026, rreth orës 12:40, është pranuar një informacion për një person pa shenja jete pranë vendbanimit të tij në një fshat të Skenderajt.

    Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe ekipi emergjent i QKMF-së në Skenderaj. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë kompetente hetimore, ndërsa me autorizim të prokurorit janë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës mashkull, rreth 56 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Sipas policisë, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • NATO rrëzon dron të dyshuar ukrainas në hapësirën ajrore të Estonisë

    NATO rrëzon dron të dyshuar ukrainas në hapësirën ajrore të Estonisë

    Një incident ushtarak është regjistruar këtë të martë në Estoni, pasi forcat ajrore të NATO-s kanë rrëzuar një dron të dyshuar ukrainas që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

    Autoritetet estoneze konfirmuan se alarmi u aktivizua menjëherë pas identifikimit të dronit, ndërsa reagimi u krye nga misioni i Policisë Ajrore Baltike të NATO-s.

    Sipas ministrit estonez të Mbrojtjes, Hanno Pevkur, droni është neutralizuar nga një avion luftarak F-16 Fighting Falcon i Forcave Ajrore Rumune.

    Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në rajonin baltik, ku prej muajit mars janë raportuar disa raste të hyrjes së dronëve ushtarakë në hapësirat ajrore të vendeve si Finland, Letoni, Lituani dhe Estoni.

    Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kishte deklaruar javën e kaluar se Ukraina do të dërgojë ekspertë në Letoni për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe monitorimin e hapësirës ajrore në rajon.

  • Alarmon avokati i popullit në Shqipëri: Të mbyllen 5 burgje, cenojnë dinjitetin njerëzor

    Alarmon avokati i popullit në Shqipëri: Të mbyllen 5 burgje, cenojnë dinjitetin njerëzor

    Avokati i Popullit kërkon mbylljen e pesë burgjeve në Shqipëri, duke i konsideruar kushtet aty si degraduese dhe në shkelje të dinjitetit njerëzor.

    Sipas raportit pas inspektimeve në 18 institucione penitenciare gjatë vitit 2025, burgjet e Burrelit, Kosovës në Lushnjë, Kukësit, “Mine Peza” dhe “Jordan Misja” duhet të mbyllen deri në rikonstruktimin e tyre të plotë.

    Raporti evidenton mbipopullim alarmant në burgun e Lezhës, ku numri i të burgosurve është 65% mbi kapacitetin. Ndërkohë, të paraburgosurit qëndrojnë mesatarisht 253 ditë në qeli pa një vendim gjykate. Avokati i Popullit denoncon mungesën e kushteve bazë të jetesës, mungesën e mjekëve me kohë të plotë, probleme në trajtimin shëndetësor dhe mungesën e institucioneve për personat me probleme të shëndetit mendor.

    Institucioni i kërkon qeverisë rishikimin urgjent të politikës së paraburgimit dhe ndërhyrje të menjëhershme në sistemin penitenciar.

  • Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.

    Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.

    Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

  • “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka quajtur “sulme të ndyra” disa deklarata në drejtim të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku.

    “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon sulmet e ndyra të drejtuara kundër gjeneralëve të Luftës Çlirimtare, sulme që tani po përforcohen nga qarqe, prejardhja politike dhe familjare e të cilave u kalit në shërbim besnik ndaj Jugosllavisë dhe pushtimit serb”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Organizata e Veteranëve tha se “asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën që çliroi Kosovën”.

    “Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk shpërfaqin asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK thotë se “nuk është e rastësishme” kjo gjuhë “kundër UÇK-së”.

    “Pas dy vitesh krizë institucionale, nxitja e qëllimshme e militantëve kundër UÇK-së nuk është e rastësishme. Është një lëvizje e llogaritur për të helmuar jetën publike, për të përçarë shoqërinë shqiptare dhe për ta çuar Kosovën drejt përplasjes së brendshme. Interesit të kujt i shërben kjo sjellje? Qartazi, Serbisë, në fushatën e saj të gjatë për të kriminalizuar Luftën Çlirimtare dhe për të shkatërruar unitetin tonë kombëtar”.

    Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i është kërkuar që ta ndalë “nxitjen e këtyre sulmeve”.

    “Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK mori shkas nga disa deklarata të rënda dhe kërcënuese së fundmi të një mërgimtari të quajtur Naser Xhylani ndaj Daut Haradinajt, të cilin ai e quajti “Daut Radoiçiqi”.