ATV

Author: G.O.

  • Vdekje e dyshimtë në veri të Mitrovicës

    Vdekje e dyshimtë në veri të Mitrovicës

    Një person është gjetur pa shenja jete në Mitrovicë të Veriut.

    Rastin, Policia e Kosovës e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Mitrovicë Veri / 12/13.03.2024 – 18:00/10:50. Raportohet se në banesën e tij, është gjetur pa shenja jetë viktima mashkull/k. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Dinari dhe dialogu, emisari amerikan sot takohet me kryeministrin Kurtin

    Dinari dhe dialogu, emisari amerikan sot takohet me kryeministrin Kurtin

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të takohet me kryeministrin Albin Kurti

    Se kryeministri Kurti, do të takohet sot me Escobarin e ka konfirmuar dje, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Dje emisari Escobar takoi të parën presidenten Vjosa Osmani në vizitën zyrtare të nisur në Kosovë. Në orën 10:00 ai arriti në Presidencë ku zhvilloi takimin me Osmanin, me të cilën më vonë doli në konferencë për media.

    Në krye të fjalimit të tij, Escobar i kushtoi disa fjalë presidentes që duket se ishin mesazh për kryeministrin. Atë e quajti garantuesen kryesore të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

    “Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni garantuesja kryesore dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe faleminderit për këtë. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha linjat e interesave”.

    Ndërsa nga ora 19:00 ka takuar krerët opozitarë në një takim të përbashkët.

    Por, ndërkohë që po zhvillonte takimin me Osmanin u dha një lajm nga kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të cilin më pas do ta komentonte Escobar.

    Kurti njoftoi se i kanë kërkuar Agjencionit të Kadastrit që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit.

    Këtë vendim, emisari amerikan e cilësoi si të vështirë, por të nevojshëm. Ai me këtë rast përmendi institucionet e Kosovës.

    “Dua ta përmend sa me rëndësi është vendimi i sotëm për Manastirin. Ishte vendim i vështirë, por i nevojshëm dhe i falënderojmë institucionet për gjithë bashkëpunim”.

    Një ditë para se të vijë në Kosovë, të martën Escobar nga Brukseli pati disa vërejtje të ashpra për komunikimin diplomatik me Kurtin, duke pranuar se ka çarje.

    “Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”.

    Madje, Escobar shtoi se jo vetëm SHBA-ja ka probleme në komunikim, por është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Emisari amerikan zbuloi arsyen e vizitës së tij në Kosovë kur u pyet se pse nuk po shkon në Maqedoninë e Veriut.

    “Situata në Kosovë është e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.

    Këtu ai iu referua edhe situatës me dinarin, vendimin për të cilin e cilësoi “katastrofik” dhe “jokompetent”.

    Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.

  • Ushqimi i shpejtë mund të shkaktojë demencë

    Ushqimi i shpejtë mund të shkaktojë demencë

    Sipas një studimi, përdorimi i shpeshtë i ushqimit të shpejtë mund të shkaktojë demencë me pasoja të pakthyeshme. Në këtë hulumtim u zbulua se një njeri në kohën tonë ha 650 kalori më shumë në ditë në krahasim me vitet e shtatëdhjeta. Kjo sasi është e barabartë me një hamburger, një pije dhe ca patate të fërguara.

    Profesori i Universitetit Kombëtar të Australisë, Nicolas Cherbuin, dhe ekipi i tij i hulumtuesve gjetën dëshmi të forta se shprehitë e këqija të ushqyerjes dhe mungesa ose niveli i ulët i aktivitetit fizik shkaktojnë rënie të funksionit të trurit, përfshirë demencën dhe tkurrjen e tij.

    “Njerëzit po hanë në dëm të trurit të tyre me shprehi të këqija të ushqyerjes dhe me pak ose fare ushtrime fizike”, tha profesori Cherbuin.

    “Shumë njerëz që vuajnë nga demenca dhe simptoma të tjera të problemeve njohëse, përfshirë tkurrjen e trurit, janë duke e shtuar rrezikun gjatë tërë jetës përmes përdorimit të tepërt të ushqimit të pashëndetëshëm dhe përmes mungesës së ushtrimeve”, shtoi ai.

    Profesori Cherbuin sqaroi se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga demenca, tkurrja e trurit dhe probleme tjera mendore është përdorimi i ushqimit të shëndetshëm dhe kryerja e aktiviteteve fizike, shkruan “Daily Mail”.

  • Kuvendi mbledh deputetët për seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi mbledh deputetët për seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 10:00.

    Ndërkaq, në këtë seancë pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

  • Ulutas takon Kurtin: Koordinimi i institucioneve të sigurisë me KFOR-in është çelës për siguri

    Ulutas takon Kurtin: Koordinimi i institucioneve të sigurisë me KFOR-in është çelës për siguri

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, është takuar sot me kryeministrin, Albin Kurti, ku u theksua se koordinimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë janë çelësi për sigurinë e qëndrueshme.

    Tutje, thuhet se komandanti i KFOR-it përsëriti mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. #KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet mes tjerash në një njoftim në Facebook.

  • ​Tejkaloi shpejtësinë, gjobitet me 300 euro shoferi në Ferizaj

    ​Tejkaloi shpejtësinë, gjobitet me 300 euro shoferi në Ferizaj

    Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor më 12 mars 2024 rreth orës 21:52 në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, në Fshatin e Vjetër, kanë ndaluar shoferin S.G. (21), i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 80 km/orë ka zhvilluar shpejtësi 146 km/orë.

    Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 300 euro, tri pikë negative dhe tre muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë-shoferit.

    Policia Rajonale në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit rrugor, pasi veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik.

    Ajo njëherësh fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojë të gjitha kundërvajtjet në trafik në stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe numrat kujdestarë 192, 0290/326-250, 0290/322-406. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • ​Malisheva e mposht Llapin, Hazrollaj nuk di të ndalet

    ​Malisheva e mposht Llapin, Hazrollaj nuk di të ndalet

    Ka përfunduar edhe ndeshja e fundit e programit të sotëm të Superligës së Kosovës.

    Skuadra e Malishevës po e vazhdon formën fantastike këtë sezon, ku e ka mposhtur sot Llapin me rezultat të ngushtë 2:1, raporton KosovaPress.

    Heroi i vendasve ishte ylli, Drilon Hazrollaj i cili shënoi që të dy golat sot. Me golat e sotëm Hazrollaj numëron 16 gola në Superligën e Kosovës.

    Fillimisht, Hazrollaj shënoi për 1:0 në minutën e 28’ ndërsa e thelloi epërsinë në 2:0 në minutën e 48’.

    Ndërkaq, golin e nderit për Llapin e shënoi Ahmed Januzi në minutën e 51’.

    Me pikët e reja, Malisheva ngjitet në kuotën e 44 pikëve në vendin e katërt, krahas Llapit që zë vendin e dytë me 50 pikë të arkëtuara.

    Rezultati final i ndeshjes, 2:1 në favor të Malishevës.

  • Ramosaj: Kurti me Urdhër Ekekutiv goditi Deçanin

    Ramosaj: Kurti me Urdhër Ekekutiv goditi Deçanin

    Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se kryeministri Albin Kurti goditi këtë vend nëpërmjet Urdhërit ekzekutiv për tokën e Manastirit të Deçanit.

    Ramosaj thotë se ka tri vite që ka pritur një takim me kryeministrin Kurti për këtë temë dhe ka një porosi për të: ’Kur nuk je i zoti të bësh hajr në vend, mos bëj as sherr’.

    Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.

    Kurti tha se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

    Postimi i plotë i Ramosajt:

  • Edhe shefi i EULEX-it në Kosovë mirëpret vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit

    Edhe shefi i EULEX-it në Kosovë mirëpret vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit

    Shefi i EULEX-it në Kosovë, Pietro Barbano e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me tokat e Manastirit të Deçanit.

    “Unë e mirëpres shumë zbatimin e vonuar të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit. Siguria juridike është themeli i Sundimit të Ligjit!”, shkroi Barbano në platformën X.

    Këtë hap e ka mirëpritur edhe shefi i BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadori gjerman Jorn Rohde.

  • ​Ahmeti: Zbatimi i vendimit për manastirin e Deçanit, mbetet kushti i vetëm për anëtarësim në KiE

    ​Ahmeti: Zbatimi i vendimit për manastirin e Deçanit, mbetet kushti i vetëm për anëtarësim në KiE

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se tashmë është plotësuar edhe kushti i vetëm për anëtarësim në Këshill të Evropës, që ishte zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit.

    Në një konferencë për media së bashku me ministren Artane Rizvanolli, Ahmeti ka theksuar se deri në plotësimin e këtij kushti janë angazhuar përbrenda e kanë lobuar jashtë, derisa shtoi se ky ka qenë kushti i vetëm.

    “Sot Republika e Kosovës ka adresuar dhe përmbushur të gjitha rekomandimet kryesore, standardet, kushtet, shqetësimet e shënuara në raportin e juristeve eminent në memon e dhjetorit të raportueses Theodora Bakoyannis në draft raportin e parë fillestar të saj në komitetin për çështje politike dhe demokraci dhe në shqetësimet e ngritura nga të tri raportuese gjatë vizitave dhe takimeve që kemi pasur me to që nga tetori. Në periudhën e fundit të procesit, është fokusuar përgjegjësisht nga ana e raportueseve të Këshillit të Evropës në tri kushte kryesore para anëtarësimit, për të cilat jemi angazhuar përbrenda dhe kemi lobuar jashtë, e që nga janari e tutje ka mbetur vetëm një kusht, që në sytë e juristëve eminentë të raportueseve dhe grupeve kryesore politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është parë si kusht i panegociueshëm. Ky kusht është zbatimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”, tha Ahmeti.

    Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur mbi vendimin e Kushtetueses e cila obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës gjatë periudhës 202-2017.

    Ajo ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses nuk paraqet ndonjë kërkesë ndaj qeverisë, ndërsa shtoi se presin që ZRrE si institucion përgjegjës të marrë vendimin në bazë të këtij gjykimi, por edhe të jep sqarime për mënyrën se si do të zbatohet kjo në praktikë.

    Ajo ka theksuar se e rëndësishme është se tashmë ky problem është zgjedhur.

    “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk paraqet ndonjë kërkesë ndaj qeverisë, megjithatë presim që ZRrE si institucion përgjegjës të marrë vendimin në bazë të këtij gjykimi, por edhe të japë sqarime për mënyrën se si do të zbatohet kjo në praktikë, duke qenë se aktualisht ka shumë pikëpyetje në këtë aspekt. Përderisa ne si qeveri jemi duke analizuar implikimet potenciale që zbatimi i vendimit do të mund të ketë. Mos pagesa e energjisë elektrike nga konsumatorët në komunat veriore, dhe rrjedhimit nevoja për të mbuluar këtë hendek për hir të ruajtjes së sovranitetit padyshim që ka qenë shumë e padrejtë dhe barrë e rëndë financiarisht për gjithë ne të tjerët, qytetarët e Kosovës që e kemi paguar energjinë elektrike dhe tatimet…Më e rëndësishmja në temën e pagesës për komunat veriore është se tashmë ky problem është zgjedhur, një problem që për 23 vite na ka kushtuar 348.5 milionë euro, dhe në vitet e fundit edhe na ka rrezikuar kyçjen dhe anëtarësimin në asociacionin e operatorëve të transmisionit të Evropës, tani më është zgjidhur…Për furnizimin atje, për nominim të kërkesën blerje, përgjegjësinë e ka marrë kompania Elektrosever, që d.m.th borxhet kanë një adresë që d.n.th janë ndalur devijimet nga sistemi elektroenergjetik evropian, që në një mënyrë janë vjedhje e energjisë nga sistemi evropian ”, tha Rizvanolli.

    Mes tjerash, Rizvanolli ka thënë se në mbledhjen e qeverisë miratuan themelimin e ndërmarrjes së re publike qendrore, e cila do të quhet Korporata e ruajtjes së energjisë (KRE), për çfarë tha se shërbimet që do të ofrohen janë të shumëfishta.

    “Miratuam themelimin e ndërmarrjes së re publike qendrore e cila do të quhet Korporata e ruajtjes së energjisë (KRE). Kjo ndërmarrje do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë kapacitete prej 125 megavateve të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri të cilat po i ndërtojmë përmes programit kompakt mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve të përfaqësuar nga Korporata e sfidave të mijëvjeçarit MCC në vlerë prej 236 milionë dollarësh në total. KRE do të funksionojë si shoqëri aksionare me aksionar të vetëm në Republikën e Kosovës dhe përgjatë pesë vjetëve të fazës së zhvillimit dhe të ndërtimit të baterive do të financohet nga programi kompakt. Shpejt do të fillojë rekrutimi i bordit drejtues të ndërmarrjes. Qe nga fillimi i operimit të baterive që pritet të jetë nga viti 2028, ndërmarrja do të jetë financiarisht e vetëqëndrueshme dhe pritet të ketë fitim vjetor prej rreth 10 milionë euro. Shërbimet që do të ofrohen janë të shumëfishta…Shërbimet të cilat do t’i ofrojë ndërmarrja e re janë të nevojshme për një sistem të energjisë të balancuar mirë e që ofron shërbim të pandërprerë të energjisë elektrike për qytetarët e bizneset e vendit dhe këto gjithashtu janë të rëndësishme për të plotësuar edhe kushtet që i kemi nga Asocacioni i operatorëve të transmisionit të Evropës, mirëpo edhe për të integruar burime të ripërtritshme të energjisë”, tha Rizvanolli.