ATV

Author: G.O.

  • ​Më 22 mars mbahet forumi ekonomik Kosovë-Slloveni

    ​Më 22 mars mbahet forumi ekonomik Kosovë-Slloveni

    Pas një pune të madhe nga të gjitha palët, po ofrohet data e njërës nga ngjarjet më të rëndësishme: Forumi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë

    Më 22 mars, në Kranjska Gora, mbi 80 biznese do të jenë pjesë e këtij forumi, ku do të kenë mundësi edhe për takime B2B, si pikënisje për suksese të reja

    Në njoftim thuhet se në forum do të marrë pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari si dhe U.d i drejtorit të KIESA-s, z. Zef Dedaj.

    Nga qeveria sllovene do të marrë pjesë ministri i Ekonomisë, Turizmit dhe Sportit, z. Matjaž Han, si dhe drejtori i Agjencisë SPIRIT, z. Rok Capl.

    Oda Sllovene e Bizneseve, si bashkëorganizatore e këtij forumi, ka kënaqësinë që të ju ftoj të aplikoni për të marrë pjesë në këtë forum.

    Detajet për regjistrimin dhe pjesëmarrjen mund t’i gjeni në linkun:

    https://kiesa.rks-gov.net/page.aspx?id=1,134,781

     

  • Kontratat njëburimore, Abdixhiku-Qeverisë: Nga Kuvendi mund të ikni, por nga e vërteta jo

    Kontratat njëburimore, Abdixhiku-Qeverisë: Nga Kuvendi mund të ikni, por nga e vërteta jo

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se subjekti politik që drejton në ditët në vijim do të merret me tenderët njëburimor që ka dhënë Qeveria Kurti.

    Ai ka kritikuar shumicën parlamentare që të enjten lëshoi sallën derisa po flitej për këtë temë.

    “Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtetës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, shkruan Abdixhiku.

  • Escobar i zbehë pritjet e Qeverisë: Janë edhe dy kushte që duhet plotësuar për Këshillin e Evropës – njëra është Asociacioni

    Escobar i zbehë pritjet e Qeverisë: Janë edhe dy kushte që duhet plotësuar për Këshillin e Evropës – njëra është Asociacioni

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se janë dy kushte të tjera për Këshillin e Evropës.

    Sipas Escobar njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni.

    Emisari, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    “Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhen të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

    Escobar tutje ka thënë se “ende shpreson që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e menjëhershme të parave të gatshme në euro për këta njerëz”, tha ai./REL/

  • Konjufca: Gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm

    Konjufca: Gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm

    Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca shënjuese me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme. Aty, u vlerësua lartë roli dhe kontributi i ish-deputeteve ndër vite, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm.

    “Në këto ditë si sot nuk mund të mos i kujtojmë gratë intelektuale. Në historinë e re të Kosovës, numri i grave të angazhuara politikisht është rritur vazhdimisht, dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Konufca.

    Në seancë ishin ish-deputete si Kaqusha Jashari, Flora Brovina, Besa Gaxherri e shumë të tjera.

    Ish-deputetja, Flora Brovina ka thënë se rruga deri tek këto ulëse nuk ka qenë e lehtë.

    “Askush nuk na i dhuroi këto ulëse sepse jemi gra, por ishte dëshira të marrim pjesë në çdo lëvizje” , ka theksuar ajo

    Ish deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, u shfaq në foltore me një bluzë mbi të cilën ishte fotografia e të ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra muaj më parë.

    “Në memorien time dua të kthej tri momente të grupit të grave deputeteve kur jemi bërë bashkë e ka pas momente kur unë përkundër grupin tim parlamentar kam votuar diçka tjetër se ka qenë në interes të gruas. Për herë të parë është ndarë buxhet me propozimin e grave, e unë dua të falënderoj ato qe kanë filluar e krijuar këtë grup duke iu dalluar historia që keni dhënë”, tha ajo.

    Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt duke thënë se edhe sot e kësaj dite ndihet ë trishtuar nga ajo ngjarje që pasqyron realitetit ne vend.

    “Jo rastësisht vendosa ta përmend këtë rast në këtë takim, kur këto ngjarje janë shndërruar ne dukuri. Nuk duhet të lejojmë që kjo dukuri të lëshoj rrënjë, nuk mund të mendohet një shoqëri demokratike kur ka ngjarje të tilla andaj të nderuara deputete kudo që jeni të rrisim përgjegjësinë që kemi”, tha Haxhiu.

  • Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Komisioni Zgjedhor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Dardan Vuniqi dhe dy anëtarët, prokurori Agron Qalaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, kanë mbajtur sot procesin zgjedhor për anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale.

    Në bazë të kompetencave ligjore, nga radhët e PS-së, nga 16 prokurorë sa ka kjo prokurori, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KPK-së e kanë shfrytëzuar prokurorët Milot Krasniqi dhe Habibe Salihu.

    Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë pesëmbëdhjetë (15) prokurorë. Pas procesit të votimit, Komisioni Zgjedhor konstatoi se nga ky votim, prokurori Milot Krasniqi ka marrë dhjetë (10) vota, ndërkaq prokurorja Habibe Salihu tre (3) vota, si dhe dy (2) vota të tjera shpallen të pavlefshme.

    Komisioni Zgjedhor do të njoftojë Këshillin Prokurorial se nga ky proces i votimit, prokurori që ka marrë më së shumti vota është Milot Krasniqi.

    Procesi zgjedhor në Prokurorinë Speciale është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtares së KPK-së nga radhët e kësaj prokurorie, prokurores Merita Bina-Rugova.

  • Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi përmes një komunikate për media se janë ndaluar tre të mitur, lidhur me shkaktimin e zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega, në Kaçanik.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se tre (3) të miturit, kanë kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Ferizaj’, thuhet tutje në komunikatë.

    Kujtojmë se nga ky zjarr ishin djegur dy zyre në katin e dytë të këtij objekti, e që të njëjtat i përkisnin gjykatësve derisa në to kishte dosje të ndryshme.

    Çkado që është djegur nga dokumentet, sipas zyrtarëve të Gjykatës, do të rikthehet meqë janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike. Dëmet, sipas zyrtarëve të gjykatës, ishin vetëm materiale./atvlive.tv/

     

  • Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Një anije e mbushur me ushqim ka mbërritur të premten në bregdetin e Rripit të Gazës, raporton Reuters.

    Dërgimi i kësaj anijeje me ndihma u bë për ta testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze, e cila është buzë urisë absolute pas një fushate ushtarake pesëmujore tanimë nga Izraeli.

    Anija me gati 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një dok që po përgatitet në Gazë. Së shpejti pritet ta nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma.

    Nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës, pasi agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave tek njerëzit në nevojë.

    Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje.

    Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

    Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.

    Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adëan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

    Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

    Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./REL/

  • Maqedonci takon ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, diskutojnë për sigurinë në vend

    Maqedonci takon ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, diskutojnë për sigurinë në vend

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë vendit, në të gjitha etapat e shtet ndërtimit.

    Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se në takim u bisedua lidhur me temat që kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë në vend”.

    “Si dhe për operacionin Interflex dhe bashkëpunimin e deritanishëm në fushën ushtarake në përgjithësi, që në aspektin strategjik ka rol unik për stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën euroatlantike të vendit dhe gjithë rajonit”.

    Të dyja palët rikonfirmuan vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera në mes të të dyja vendeve.

  • Escobar mbërrin në Qeveri, zhvillon takim me Kurtin

    Escobar mbërrin në Qeveri, zhvillon takim me Kurtin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, raporton Ekonomia Online.

    Takimi po mbahet në ndërtesën e Qeverisë, ndërkaq sipas agjendës, nuk është paralajmëruar deklarim për media.

    Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë, për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

    Zëvendësndihmës Sekretari amerikan është takuar me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, ndërsa gjatë ditës së sotme ka vizituar Manastirin e Deçanit, një ditë pasi kryeministri i Kosovës kërkoi të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastiri i Deçanit.

    Duke folur për atë se çka u diskutua në takim, Escobar e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

    “Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani.Para nisjes në Kosovë, në një konferencë online, zyrtari amerikan e ka quajtur vendim “katastrofal” dhe “jo kompetent”, rregulloren e BQK-së.

  • ​S’ka kuorum, përfundon seanca e Kuvendit

    ​S’ka kuorum, përfundon seanca e Kuvendit

    Në mungesë të deputetëve ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në lidhje me numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

    Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash kërkohet që ministrat të raportojnë me shkrim Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për numrin e kontratave njëburimore dhe arsyeshmërinë e tyre. Po ashtu që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha kontratat njëburimore pas miratimit të kësaj rezolute, si dhe qeveria të sjellë draf-ligjin e ri për prokurimin publik.

    Krahas këtyre, Bajrami paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.

    Mirëpo, kjo rezolutë nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kuorum për vendimmarrje.