ATV

Author: G.O.

  • Blinken jep mesazh për Kosovën dhe Serbinë: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm

    Blinken jep mesazh për Kosovën dhe Serbinë: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ai tha se procesi i dialogut në Bruksel, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, është mekanizmi i vetëm që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.

    Gjatë një konference për media në Vjenë, së bashku me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg, kryediplomati amerikan tha se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk iu duhet kthim prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian.

    “Ne po ashtu po punojmë së bashku [me Austrinë] për të përmirësuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, tha Blinken.

    SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e Brukselit dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

    Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja ka thënë se palët ende nuk kanë nisur ta zbatojnë marrëveshjen.

    Faktori ndërkombëtar insiston se dialogu është platforma për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, teksa tensionet mes tyre kanë qenë të larta.

    Tensionet janë të rritura që nga maji i vitit të kaluar, kur serbët kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë pasi më 24 shtator, një grup terrorist sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter./REL

  • Për dy vjet sistemi i hetuesisë mbetet pa kryeprokuror – Njohësit i bëjnë fajtor KPK-në e Presidencën

    Për dy vjet sistemi i hetuesisë mbetet pa kryeprokuror – Njohësit i bëjnë fajtor KPK-në e Presidencën

    Për më shumë se dy vjet, sistemi i hetuesisë ka mbetur pa kryeprokuror, për shkak të propozimit të Blerim Isufajt nga Këshilli Prokuroria i Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, raporton Ekonomia Online.

    E këto vonesa po konsiderohen si të dëmshme nga njohës të proceseve, teksa fajtor i bëjnë institucionet përgjegjëse.

    Mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, avokati Ardian Bajraktari, e konsideron të papranueshëm dhe mesazh të keq për vendin.

    “Pozita e Kryeprokurit të Shtetit është njëra prej pozitave tërëndësishme jo vetëm brenda për brenda sistemit të drejtësisëpor edhe në nivel të institucioneve, andaj fakti që pas më shumëse dy vitesh kemi ushtrues detyre është i papranueshëm dhe në këtë drejtim është një sinjal dhe mesazh tepër i keq për institucionet”, tha Bajraktari.

    Marrë parasysh afatin kohor në kohëzgjatje prej dy vitesh Bajraktari konsideron se përgjegjës për këtë janë dy institucione Këshilli Prokurorial dhe Institucioni i Presidencës.

    “Kjo për faktin se Këshilli Prokurorial në dy drejtime ështëpërgjegjës sepse ka dështuar ta administrojë mirë procesin dhe ta bind publikun se procesi është zhvilluar brenda parametrave dhe standardeve normale për të garantuar një proces korrekt dhe transparent si dhe institucioni i Presidencës i cili e ka mbajt për kohë të tërë në sirtarë të saj qoftë dekretimin ose mos dekretimin e kandidatit të propozuar nga ana e Këshillit Prokurorial”, tha tutje Bajraktari.

    Bajraktari vlerëson se procesi është dashur të kthehet në pikën zero, në momentin e kundërshtimit nga ana e Presidencës.

    “E kam thënë edhe ditën kur kemi pas njoftimin nga zyra e presidentes për mos dekretim, Këshilli Prokurorial i Kosovës sa më parë duhet ta shpallë konkursin të sigurohet që procesi tëzhvillohet si proces transparent në monitorim të mekanizmave qoftë të organizatave të shoqërisë civile poashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët vetëm e kanë shprehur gatishmërinë për ta bërë një gjë të tillë dhe të sigurohet se kushdo që zgjidhet cilido kandidat të zgjidhet mbi baza meritore që pastaj të mos kemi situata të tillë që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha Bajraktari për EO.

    Ndërsa avokatja, Albulena Ukimeri tha për Ekonomia Online se vonesa në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndikon në uljen e kapacitetit brenda këtij institucioni.

    “Duke qenë se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një prej figurave kyçe në kuadër të sistemit të drejtësisë në përgjithësi e atë prokurorial në veçanti meqenëse Kosova tash e dy vite ka ushtrues të detyrës se Prokurorit të Shtetit këtë çështje e konsideroj si diçka të dëmshme jo vetëm për çështjen e kryeprokurorit të shtetit por edhe për pozitat të cilat vazhdojnë të jenë pozita të larta dhe kyçe e që akoma janë më ushtrues detyre. Kjo pashmangshëm ndikon në uljen e kapacitetit brenda për brenda atij institucioni dhe uljen e progresit në përgjithësi dhe mos procedimit të procedurave në kuadër të një institucioni”, tha Ukimeri.

    Fajtor për këtë, Ukimeri i bën institucionet përgjegjëse. Konsideron se dozë të fajit më shumë ka institucioni që ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për këtë pozitë.

    “Sa i përket përgjegjësisë lidhur me këtë çështje konsideroj se kemi një ndërlidhje të institucioneve në aspektin e përgjegjësisë. E para të institucionit i cili ka zhvilluar të gjitha procedurat e rekrutimit për këtë pozitë të lartë e po ashtu edhe çështjen tjetër e cila është te institucioni i presidencës, përfundimisht sa i përket këtij procesi kujtoj që është pritur gjatë dhe është një proces i vonuar derisa në prill të vitit 2022 Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka dërguar presidencës emrin e kandidatit të propozuar nga ana e tyre për tu dekretuar e njëjta ka njoftuar në atë kohë opinionin publik se nuk do të ngutet në dekretimin e kryeprokurorit të shtetit por do të sheh mundësinë që do të shtjeren të gjitha apelimet dhe të gjitha mjetet e tjera ligjor dhe më pastaj do të shoh që të bëjë dekretimin e Prokurorit të Shtetit”, u shpreh ajo.

    Duke e konsideruar të dëmshëm faktin që për më shumë se dy vite Kosova vazhdon të ketë vetëm ushtrues detyre në këtë pozitë, avokatja Ukimeri tha se ky proces duhet të mbështetet në meritokraci dhe transparencë.

    “Mendoj se institucionet përgjegjëse për këtë proces duhet që të lëvizin me shpejtësi të jenë më serioze në këtë aspekt dhe të vazhdojnë me procedurat e paracaktuara në këtë drejtim do të shtoja edhe thirrjet dhe zërat të cilët kanë ardhur edhe nga ana e ShBA-ve dhe të BE-së, vendeve perëndimore por edhe të shoqërisë civile që edhe ky proces duhet të mbështetet në meritokraci, në transparencë të jetë i drejtë të jetë ligjor dhe gjithë këtë proces e shoh si një nismë të re për dizajnimin e një procesi të ri për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit por gjithnjë duke shtuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion i pavarur dhe nuk ka ndonjë mekanizëm apo instrument ligjor apo kushtetues që të them do ta detyronte kushtimisht Këshillin Prokurorial të Kosovës që të përshpejtojë procedurat dhe të rinis për zgjedhjen e Prokurorit të Shtetit”, tha ajo.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet lokalisht të ketë reshje shiu, kryesisht gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes. Reshjet në zona të caktuara mund të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-33 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 17°C.

  • Ukraina sulmon me dron rafinerinë e naftës në Rusi

    Ukraina sulmon me dron rafinerinë e naftës në Rusi

    Guvernatori i rajonit të Samara të Rusisë tha të shtunën se dronët ukrainas kishin goditur dy rafineri të naftës që i përkisnin gjigantit shtetëror të naftës Rosneft. Nuk raportohet për viktima por objekti është përfshirë nga flakët.

    “Këtë mëngjes ka pasur një sulm në rafinerinë e naftës Syzran dhe një tentativë sulmi në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk. Si rezultat, një njësi e përpunimit të produkteve të naftës ka marrë flakë në territorin e rafinerisë së naftës Syzran. Tentativa për sulm në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk u ndalua dhe nuk pati viktima”, tha shërbimi për shtyp i guvernatorit.

    Ukraina javët e fundit ka shënjestruar rëndë infrastrukturën e naftës të Rusisë.

    Guvernatori i provincës kufitare të Belgorodit, nën sulm pothuajse të vazhdueshëm muajt e fundit, tha se pesë persona, përfshirë një fëmijë, ishin plagosur në një sulm me dron në një makinë që udhëtonte pranë kufirit me Ukrainën.

  • ​Këshilltari i Bislimit konfirmon takimin në Bruksel, nuk e përmend dinarin si temë

    ​Këshilltari i Bislimit konfirmon takimin në Bruksel, nuk e përmend dinarin si temë

    Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka konfirmuar se shefi i tij ka ka pranuar një ftesë nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai tha se në fokus të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues, duke mos përmendur se çështja e dinarit do të jetë temë e takimit.

    “Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, shkruan ai.

    E konfirmon BE-ja, në takimin e së martës në nivel kryenegociatorësh diskutohet edhe për dinarin

     

  • ​Presidenti kroat jep dorëheqje

    ​Presidenti kroat jep dorëheqje

    Zoran Milanoviq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kroacisë.

    Milanoviq doli papritur para gazetarëve të mbledhur para partisë SDP dhe bëri të ditur se më nuk do të jetë president i shtetit kroat.

    Ai ka bërë të ditur se do të kandidojë për postin e kryeministrit të Kroacisë, raporton index.hr.

    Kjo do të thotë se në zgjedhjet parlamentare krejt papritur do të shohim një përplasje mes Milanoviqit dhe Plenkoviqit.

    Ky i fundit është kryeministër i vendit që nga viti 2016 ndërsa ka shërbyer edhe si deputet.

    Ndryshe, Kroacia do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 17 prill.

  • Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar mbi 25 për qind

    Bie eksporti i Kosovës, thellohet deficiti tregtar mbi 25 për qind

    Eksporti i mallrave në muajin shkurt të këtij viti kishte vlerën 70.3 milion euro, ndërsa importi 467.8 milionë euro, që është një rënie prej 3.9 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 19.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 25.2 për qind në muajin shkurt 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 397.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 317.5 milionë euro në vitin 2023.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për statistikat e Tregtisë së Jashtme, eksporti mbulon importin me 15 për qind.

    “Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,9 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15. 4 për qind e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 14.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.5 për qind e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15,6 për qind e përbëjnë produktet minerale; 11,8 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 10,2 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,9 për qind e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

    Sipas ASK-së eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 21,9 milionë euro, ose rreth 31,1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 7,1%.

    “Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,4%), Italia (4,5%), Holanda (2,5%), etj”, bën të ditur ASK.

    Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217,4 milionë euro, ose 46,5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 25,6%. Sipas ASK-së importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania 14,2%, Greqia 5,2%, Italia 4,5%, etj.

    Kurse, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.6 milionë euro, ose 40,7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4.9 për qind. “Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 15,2%, Shqipëria 13,8%, Serbia 6,2%, Mali i Zi 4,0%.

    “Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 76.5 milionë euro, ose 16.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 23,9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7,9%), Maqedonia e Veriut (5,5%), Serbia (1,8%)”, thuhet në raport.

    ASK bën të ditur po ashtu se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19. 8 milionë euro, ose 28.2%. “Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA 9,6% dhe Zvicra 8,2%. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 173. 8 milionë euro, ose 37,2%. Sipas këtij raporti vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 14,4% dhe Kina 9,5%.

  • Komandanti Ulutas takohet me Osmanin, kërkon koordinim KFOR- institucione

    Komandanti Ulutas takohet me Osmanin, kërkon koordinim KFOR- institucione

    Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, sot ka pritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrat qendrore në Prishtinë, Camp Film City.

    Në njoftimin për këtë takim, KFOR tha se në takim u diskutua mbi nevojën për koordinim dhe bashkëpunim mes KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.

    “Gjeneralmajor Ulutaş theksoi nevojën thelbësore për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve”.

    Gjithashtu, siç thuhet në njoftimin në X, Ulutas ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij në OKB.

    Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

  • Aliu iu bën thirrje prodhuesve, importuesve dhe tregtarëve që të aplikojnë për SRD

    Aliu iu bën thirrje prodhuesve, importuesve dhe tregtarëve që të aplikojnë për SRD

    Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shkruar sot se kanë mbetur edhe pak ditë në mbylljen e afatit për aplikim në themelimin e Administratorit të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave.

    Ministri, ka thënë se është një njoftim me rëndësi dhe të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë deri me datën 21 mars, raporton Ekonomia Online.

    “Ftojmë të gjithë prodhuesit, importuesit dhe tregtarët që të aplikojnë për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave (SRD-së), pasi që data e fundit për aplikim është 21 mars 2024”, ka thënë ministri.

    Postimi i plotë:

  • Prizrenasi gjen një kuletë me para dhe dokumente e dorëzon në Polici

    Prizrenasi gjen një kuletë me para dhe dokumente e dorëzon në Polici

    Rastet kur qytetarët tregojnë anën humane nuk janë edhe të pakta në vend. Një rast ka ndodhur sot në qytetin e Prizrenit bën të ditur Policia.

    Një qytetarë me inicialet A.P, ka gjetur një kuletë me shumë prej 525 euro dhe dokumente tjera duke i dorëzuar në stacionin policor.

    Policia, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ka konfirmuar se personit të cilit i kishte humbur kuleta ka qenë shtetas i Shqipërisë me inicialet A.D .Kuleta është dorëzuar në stacionin policor në Prizren.