ATV

Author: G.O.

  • Çitaku kërkon zgjedhje të parakohshme: Kosova është më e rëndësishme se egot e Kurtit

    Çitaku kërkon zgjedhje të parakohshme: Kosova është më e rëndësishme se egot e Kurtit

    Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Citaku, ka thënë se në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, Kosovën janë duke e udhëhequr një kastë avanturierësh.

    Ajo thotë se në një kohë kur kërkohet stabilitet dhe parashikueshmëri, Kosova ka një qeveri pa ide, pa vizion dhe të papërgjegjshme.

    Sipas Çitakut, Kosova asnjëherë s’ka qenë në një situatë të tillë në 25 vite liri dhe thotë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Ajo thotë se Kosova është më e rëndësishme se egot e kryeministrit Albin Kurti.

    Reagimi i plotë:

    Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë avanturierësh.

    Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjëshme, pa ide e pa vizion.

    Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellur në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite.

    Pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendëshëm, si në politikën e jashtme.

    Mbajtja sa më parë e zgjedhjeve parlamentare tashmë është jo vetëm kërkesë, por domosdoshmëri.

    Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit.

  • Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Një tërmet tjetër më pak i fortë e ka goditur Malin e Zi të shtunën herët në mëngjes, i cili ishte i dytë në tri ditët e fundit, njoftoi Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS).

    Tërmeti u regjistruar në orën 06:11 dhe, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, epiqendra e tij ishte në afërsi të një komune të Nikshiqit, qytetit qendror të Malit të Zi.

    Lëkundja nga tërmeti është ndier edhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas EMCS-së, tërmeti ka qenë 3.6 ballësh.

  • Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës

    Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë. Në po të njëjtën ditë Irlanda feston edhe festën e Shën Patrikut, i cilësuar ndryshe si shenjtori mbrojtës i shtetit të Irlandës.

    Në këtë festë të dyfishtë, duke e cilësuar si një nderë të madh që ndodhet aty për të festuar, Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.

    Kryeministri Kurti e cilësoi fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Irlandës si një nga bekimet e vitit 2024. Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars. Në këto takime, kryeministri veçoi se janë pajtuar që ta intensifikojnë bashkëpunimin në një numër fushash, sidomos në sektorin e teknologjisë, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.

    “Ne në Kosovë e vlerësojmë dhe e çmojmë partneritetin tonë me Irlandën”, tha kryeministri. Ai shtoi se në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, kryeministri iu shpreh veçanërisht mirënjohës kryeministrit irlandez, Varadkar për mbështetjen e tij të zëshmen për aplikimin tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

    Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai gjithashtu foli edhe për historinë e rëndësishme të Ditës së Shën Patrikut.

  • LDK-ja akuzon pushtetin se po vjedh miliona përmes kontratave njëburimore

    LDK-ja akuzon pushtetin se po vjedh miliona përmes kontratave njëburimore

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka akuzuar Qeverinë Kurti për numrin e lartë të kontratave njëburimore. Sipas LDK-së, dikastere të ndryshme kanë dhënë 780 kontrata të tilla në vlerë prej 209 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, LDK-ja ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që t’i hetojë këto kontrata.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se vlera totale e këtyre kontrata kapin shifrën e 209 milionë euro.

    “Vetëm 2,5 % të këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme. 97.5% e tyre janë të reja, të kësaj Qeverie. Këto janë kontratat ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy nga zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë. Të enjten, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për ballafaqim edhe ministrat e deputetët e VV-së lëshuan sallën”, tha Mustafa në konferencën për media të shtunën.

    Mustafa ka paraqitur kontratat që secila ministri i ka nënshkruar, sipas tij.

    “Në Ministrinë e Ekonomisë kemi për këtë periudhë 151 kontrata të tilla në vlerë 124 milionë e 606 mijë euro. Në MPB kemi 33 kontrata të dakorduara në katër sy në vlerë 25 milionë e 772 mijë. Në MI kemi 69 kontrata me 10 milionë e 570 mijë. Në MKRS 56 kontrata në vlerë 4 milionë e 763 mijë. Në MD kemi 13 kontrata n vlerë 4 milionë e 95 mijë”, ka deklaruar ai.

    Ndërsa, kontrata të tenderëve njëburimorë janë bërë në përgjithësi në nivelin qendror, ka theksuar Mustafa, teksa ka paraqitur edhe këtu shifrat e tyre.

    “Në përgjithësi në nivelin qendror kemi trend të kontratave me negocim të drejtpërdrejt. Kontrata për sigurimin e objekteve në vend se të ishin kontrata me konkurrencë të lirë, kemi 74 kontrata në vlerë 9 milionë e 539 mijë. Kontrata për ekspertë apo konsulentë 35 kontrata, 1 milion e 464 mijë. Kontrata për vetura me qira, katër kontrata 434 mijë”, ka theksuar ai.

    E anëtari i kryesisë, Visar Azemi, tha se Korporata Energjetike e Kosovës është burimi më i madh i kontratave njëburimore. Sipas tij, aty janë dhënë 106 kontrata të tilla në vlerë prej 100 milionë euro.

    “Për tri vite i dha 781 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë vlera e të cilëve është plot 209 milionë euro. Pa asnjë procedurë konkurruese e tenderuese iu kanë dhënë tenderë dhe kontrata është interesante se ndër vite ka shkuar duke u rritur kjo vlerë pra duke filluar me 30 milionë euro në vitin e parë, ka ikur vlera në 70 milionë euro në vitin e dytë për të përfunduar në 119 milionë euro në vitin e tretë por ko masakër financiare ka ndodhur me të madhe në KEK. Për ta kuptuar më mirë se këto kontrata njëburimore janë mekanizëm për hajninë nga ky pushtet mjafton të shihni se nga 200 milionë euro që janë vjedh në tenderë me negocim rreth 100 milionë euro janë dhënë vetëm nga KEK-u, pra gjysma e këtyre tenderëve dhe shumës janë dhënë nga KEK-u, pra janë 106 kontrata njëburimore”, u shpreh Azemi.

    “Në këtë ndërmarrje kryeshefi i secilës Nagip Krasniqi u arrestua dhe është në paraburgim si i dyshuar për keqpërdorim dhe korrupsion 13 tenderë me negocim direkt janë dhënë vetëm një biznesi. Një biznes tjetër i vetëm veç muhabet pa procedurë e konkurrencë ka përfituar 15 milionë euro vetëm për një tenderë se gjithë kjo është një tentim për ta mbuluar hajninë dhe korrupsionin e kësaj Qeverie e tregon më së miri fakti se kush po përfiton më së miri nga këto tenderë”, tha tutje Azemi.

  • Shoferët e trenave në Gjermani vazhdojnë të kërkojnë 35 orë pune në javë pa ulje page

    Shoferët e trenave në Gjermani vazhdojnë të kërkojnë 35 orë pune në javë pa ulje page

    Një sindikatë që përfaqëson shumë shoferë gjermanë të trenave dhe operatori kryesor kombëtar hekurudhor kanë rifilluar negociatat në një mosmarrëveshje të ashpër mbi orët e punës dhe pagat dhe janë optimistë se do të arrijnë një rezultat javën e ardhshme, ka bërë të ditur të shtunën kompania shtetërore.

    Sindikata GDL ka thirrur shoferët e Deutsche Bahn në grevë në mënyrë të përsëritur në mosmarrëveshjen që ka zgjatur për muaj të tërë. Një largim të martën përkoi me një grevë të ekuipazhit të kabinës në Lufthansa në një mosmarrëveshje të veçantë, duke shtuar përçarje për udhëtarët, raportoi AP.

    Pika kryesore e mosmarrëveshjes është kërkesa e GDL që orari i punës të reduktohet nga 38 në 35 orë në javë, pa ulje page. Disa operatorë më të vegjël privatë që operojnë shërbime rajonale kanë rënë dakord me kërkesën.

    Në një përpjekje të mëparshme për të bashkuar të dy palët, ishte ofruar një reduktim nga 38 në 36 orë pune në javë deri në vitin 2028, por detajet e propozimit të tyre nuk e kënaqën GDL-në.

    Të shtunën, Deutsche Bahn ka thënë se tani ka rifilluar bisedimet me sindikatat, të cilat i përshkroi si “intensive, por konstruktive”.

    “U arrit një mirëkuptim për shumë çështje. Të dyja palët janë të sigurta se do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje në javën e ardhshme. GDL do të përmbahet nga greva të mëtejshme deri atëherë”, thuhet në një deklaratë të Deutsche Bahn.

  • BE-ja kërkon që në Serbi të ketë përgjegjësi për krimet e luftës

    BE-ja kërkon që në Serbi të ketë përgjegjësi për krimet e luftës

    Bashkimi Evropian kërkon që në Serbi të sigurohet liria e shprehjes si e drejtë themelore dhe të mos dënohen ata që protestojnë kundër madhërimit të kriminelëve të luftës.

    Kështu tha zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë lidhur me dënimin me burg të një aktivisteje në Serbi për shkak se kishte hedhur vezë në një mural të gjeneralit Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

    “Drejtësia duhet të sigurojë përgjegjësi për krimet e luftës, e jo të dënojë ata që protestojnë kundër madhërimit të kriminelëve të luftës”, tha Pisonero.

    “Liria e shprehjes është e drejtë themelore në BE, e cila duhet të mbrohet. Çfarëdo mase e heqjes së lirisë apo çfarëdo sanksionimi penal duhet të jetë i justifikuar dhe proporcional. Një masë e tillë e vendosur në bazë të shprehjes së qëndrimeve politike është problematike dhe i nënshtrohet kufizimeve të prera sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut”, shton ajo.

    Aktivistja Aida Qoroviq me kolegen e saj, Jelena Jaqimoviq, ishin arrestuar në Serbi në ditën që shënon luftën kundër fashizmit sepse kishin hedhur disa vezë në një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq.

    Kjo aktiviste ishte dënuar fillimisht me 850 euro gjobë që është dashur ta paguajë deri me 14 dhjetor të vitit 2023. Në vendimin e gjykatës thuhej se Aida Qoroviq e kishte shkelur ligjin për rendin publik sepse “kishte hedhur vezë në drejtim të një ndërtese banimi”, dhe se kishte fyer policët kur ata po zbatonin detyrat e tyre.

    Qoroviq tha për Radion Evropa e Lirë më 14 mars se ka një afat prej tetë ditësh gjatë së cilit duhet të lajmërohet për të kryer dënimin në burgun “Padinska skela”, ku do të duhej të qëndrojë për tre muaj.

    Bashkimi Evropian disa herë ka tërhequr vërejtjen se në Serbi edhe nga niveli më i lartë, vihen në dyshim krimet e luftës, madhërohen kriminelët dhe mohohet gjenocidi. Blloku evropian po ashtu ka thënë se një sjellje e tillë nuk është në përputhje me synimin e shprehur nga Serbia se dëshiron të integrohet në BE dhe as me frymën e ndërtimit të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon./REL/

  • Atletico – Barcelona, derbi i fundjavës në La Liga

    Atletico – Barcelona, derbi i fundjavës në La Liga

    Barcelona do të luajë të dielën në udhëtim tek Atletico Madridi, në ndeshjen e fundit të xhiros së 29-të të La Ligas spanjolle.

    Ndeshja Atletico – Barcelona zhvillohet të dielën në orën 21:00.Të dyja skuadrat siguruan çerekfinalen e Ligës së Kampionëve në mesjavë duke eliminuar Interin, përkatësisht Napolin.

    Barcelona në çerekfinale avancoi për herë të parë që prej vitit 2020 dhe e vazhdoi serinë e nëntë ndeshjeve pa disfatë.

    Atletico Madridi në fundjavën e kaluar u befasua nga Cadizi duke u mposhtur 2:0, dhe kjo bëri që skuadra që drejtohet nga trajneri Diego Simeone, të kishte vetëm dy fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në ligë.

    Atletico Madridi është i katërti me 55 pikë, me dy pikë më shumë se Athletic Bilbao.

    Barcelona e treta ka 61 pikë.

    Girona e vendit të dytë dhe Real Madridi lider luajnë të shtunën.

    Nga ora 16:15, Real Madridi luan në udhëtim tek Osasuna, ndërsa Girona nga ora 18:30 luan si mysafire e Getafes.

  • E pengoi dhe tentoi ta sulmonte personin zyrtar, arrestohet një burrë në Prizren

    E pengoi dhe tentoi ta sulmonte personin zyrtar, arrestohet një burrë në Prizren

    Është arrestuar një burrë në Prizren, e cili dyshohet se ka penguar në punë dhe ka tentuar të kryente sulm fizik ndaj një zyrtar policor.

    “Viktima mashkull kosovar zyrtar policor, ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në zyrën për vërtetime të kaluarës kriminale, i dyshuari mashkull kosovar duke e penguar në kryerje të detyrës ka tentuar ta sulmojë fizikisht”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Zelensky zotohet se do t’i kundërpërgjigjet Rusisë për vrasjen e 20 njerëzve në Odesa

    Zelensky zotohet se do t’i kundërpërgjigjet Rusisë për vrasjen e 20 njerëzve në Odesa

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse që e sulmuan të premten qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi, Odesa, do të marrin “përgjigje të drejtë” nga forcat e Kievit.

    Rusia e sulmoi Odesën me raketa dhe me dronë të premten, duke i vrarë 20 njerëz dhe duke i plagosur mbi 70 të tjerë, tha Shërbimi Shtetëror Emergjent i Ukrainës.

    Dy raketa ruse Iskander-M, të shkrepura nga Krimea e uzurpuar nga Rusia, e goditën një zonë banimi në Odesa, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper.

    Disa nga të vdekurit ishin mjekë dhe shpëtimtarë, të cilët u vranë nga një raketë e dytë, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes për t’i mjekuar të plagosurit nga raketa e parë, tha Kiper.

    Zelensky e dënoi këtë sulm si “tinëzar” dhe i quajti “fundërrinë” forcat ruse që e kryen sulmin.

    Rusia i ka shpeshtuar sulmet në qytetin jugor ukrainas në javët e fundit, duke lëshuar dronë dhe raketa mbi të pothuajse çdo ditë këtë muaj.

    Sulmi i së premtes ishte ndër më vdekjeprurësit në javët e fundit.

    “Rusia po vazhdon ta terrorizojë Odesën”, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.

    Autoritetet ukrainase e kanë nisur një hetim dhe e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

    Zelensky u takua me komandantët e ushtrisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, dhe tha më vonë në Telegram se zyrtarët e tij i kanë identifikuar “vendet më të cenueshme” të armikut.

    Ai tha se sa më i shtrenjtë çmimi që Rusia duhet ta paguajë për agresionin e saj, “aq më afër do të jetë fundi i drejtë i kësaj lufte”./REL/

  • Sot luhet derbi mes Ballkanit e Llapit në Superligë

    Sot luhet derbi mes Ballkanit e Llapit në Superligë

    Sot zhvillohen dy ndeshje në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll.

    Vëmendja e gjitha do të jetë në Suharekë ku ndeshen dy pretendentët për titull, Ballkani dhe Llapi.

    Aktualisht, Ballkani gjendet në vendin e parë me 51 pikë, një më shumë se Llapi i pozitës së dytë.

    Sot gjithashtu luhet ndeshja mes Lirisë dhe Malishevës.

    Ekipi nga Malisheva është në super formë dhe po lufon për një pozitë në garat evropiane.

    E në krahun tjetër, prizrenasit janë të fundit dhe me një këmbë janë në Ligën e Parë.