ATV

Author: G.O.

  • Kryeministri Kurti kujton demonstratat e vitit 1989 në 35-vjetorin e tyre

    Kryeministri Kurti kujton demonstratat e vitit 1989 në 35-vjetorin e tyre

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në 35 vjetorin e zhvillimeve dramatike të lëvizjes gjithpopullore ka kujtuar vrasjen e 25 demonstruesve dhe u plagosjen e 603 të tjerëve.

    “Mes kapitujve të historisë së shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia pushtuese dhe të rezistencës e kryengritjes së popullit të Kosovës për liri, sot i kujtojmë demonstratat popullore të vitit 1989, në 35-vjetorin e tyre.

    Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, policia e Serbisë i shtypi demonstratat paqësore të shqiptarëve gjithandej Kosovës, ku vetëm gjatë atyre dy ditëve u vranë 25 demonstrues dhe u plagosën 603 të tjerë. Ata po kërkonin të drejtat e tyre politike, duke e kundërshtuar shtypjen politike dhe instalimin e regjimit diskriminues dhe kriminal të Serbisë, që vetëm katër ditë më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Në ditët që i pasuan këto demonstrata, 1200 demonstrues shqiptarë u burgosën pas gjyqesh politike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    “Lavdi të rënëve në demonstratat e vitit 1989 mes të rënëve në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri!”, ka shkruar ai.

  • Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

    Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale, raporton Ekonomia Online.

    Jasharaj bëri të ditur se ky vendim erdhi nga takimet me përfaqësues të sindikatës në nivele komunale dhe ato të universiteteve.

    “Për ta mbajtur anëtarësinë e informuar ne mbajmë takime të rregullta me kryetarët e niveleve  komunal dhe universiteteve të cilët janë përfaqësues tonë që nga çerdhet deri në universitet dhe debatojmë për çështjet të cilat janë kërkesa e shqetësime të anëtarësisë. Në mbledhjen e fundit që e mbajtëm online e konsideruar mbledhje pak më  e jashtëzakonshme kryetarët raportuan se janë shtuar pakënaqësitë në anëtarësi”.

    Ai renditi disa arsye të pakënaqësive të cilat mund të dërgojnë nga protesta deri në grevë

    “E këto pakënaqësi lidhen kogja shumë me ligjin për pagat, sepse kishim një pjesë kogja mirë të punëtorëve të arsimit që ishin të pakënaqur me vet ligjin dhe ato që u solli ligji e pakënaqësia u shtua shumë me vendimin e pa konsultuar të qeverisë Kurti, ngritjen ironike të koefcinetit nga 105 në 110 euro lëvizje kjo që i shtoi pakënaqësitë te anëtarësia ngase kemi lëvizje ironike për vetëm 28 euro ne kishim kërkuar me shkresa së paku 130 euro, jo për tu bërë të pasur punëtorët e arsimit por të përballen më lehtë me kërkesat e  kohës dhe çmimet që vazhdimisht po ngriten por qeveria vendosi ashtu siç tek dhe pakënaqësitë janë shtuar shumë e këto pakënaqësi janë prezente për shkak se u bënë kogja do vite në Kosovën e çliruar dhe punëtorët e arsimit s’kanë ligj për sigurime shëndetësore. Përkundër premtimeve  reagime ka edhe takimet që i bëjmë për shkak të kushteve të punës nëpër shkolla të cilat nuk janë të shekullit 21 sepse qeveria po i sfidon punëtorët e arsimit të punojnë me shkumësa e shpuza karshi kërkesave shumë të mëdha të Kosovës dhe kjo beteja e mësimdhënësve edhe pse ata angazhohen vazhdimisht nuk po i jep rezultatet e pritura dhe një pjesë e opinioneve në vend që të kritikojnë qeverinë pse nuk po furnizon shkollat me mjete të duhura, pse bëri lojëra me tekste shkollore në këtë vit shkollor duke thënë se duhet ti bleni në librari dhe e keqja më e madhe pse e ka krijuar këtë tensionim jo vetëm në qeveri është  mungesa totale dhe gatishmërisë të qeverisë Kurti për dialog”.

    Jasharaj tha se të njëjtën rrugë, sipas tij po e ndjek edhe minstrja e arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Në këtë rast një shkollë të tillë të Kurtit po e vazhdon që nga greva e shtatorit zonja Nagavci e cila përkundër kërkesave tona nuk gjen kohë për tu takuar duke u arsyetuar se gjoja qenka shumë e angazhuar ose në Kosovë ose jashtë por ajo po harron se në mungesë të dialogut situatat sa vijnë e shtohen.”

    E në mungesë të dialogut, sindikatë -qeveri, Jashari bëri të ditur se më 1 Maj do të ketë protestë me numër të kufizuar.

    “Dhe kemi ardhur në këtë moment kur në mbledhjen e fundit me kryetarët e niveleve komunale dhe univesiteteve u shtuan zërat që në mungesë të dialogut që është faji vetëm i qeverisë dhe i askujt tjetër duhet me hi në diçka tjetër dhe kur nuk ka dialog dihet ka veprime sindikale dhe unë jam i sigurt se kryetarët marrin detyra që  të punojnë  me anëtarësinë që e bisedojnë  dhe jam i sigurtë se me 1  maj do të kemi një protestë në numër të kufizuar fillimisht do shkojmë me kryetarët e shoqatave të sindikatave, qerdheve, universiteteve me kryetarët e nivelit komunal dhe me stafin qendror këtu si alarm se po fillohet me veprimet sindikale”.

    Jasharaj ka shtuar se frikësohet se qeveria do të barikadohet si gjithmonë, do të hesht, nuk do të ulet as me 1 maj me përfaqësuesit e sindikatave.

    “Kam frikën se qeveria do të barikadohet si gjithmonë, do të hesht, nuk do të ulet as me 1 maj me përfaqësuesit e sindikatave dhe pastaj mund të shtohet pakënaqësia dhe anëtarësia mund të kërkoj që të vazhdohet me veprime sindikale dhe mund të vie e përsëritet fatkeqësisht vitit 2022 kur më në fund në mungesë totale dialogut për shkak të një qasje tejet të gabuar erdhi deri të ajo greva që filloi me pjesën e fundit të gushtit e vazhdoi tërë shtatorin duke krijuar një bllokadë totale të sistemit arsimor, me qerdhe të mbyllura, me shkolla të mbyllura dhe ne bëmë çmos ta lusim anëtarësinë duke parë se zoti Kurtit po i pëlqejnë grevat dhe o dëshirojnë të vazhdojnë ne e lutëm anëtarësinë ta mbyllin grevën dhe këtë e bëmë për hir të prindërve që ishin ën siklet ku ti lën fëmijëvet në mungesë të qerdheve dhe për hir të nxënësve të cilët po humbnin një muaj të tërë”

    Se sa do jetë afati i qeverisë, Jashari deklaroi se kjo gjë nuk dihet ende, teksa tha se protestës së Një Majit do i bashkohen edhe sindikata tjera.

    “Unë nuk e di nuk vendos vetëm uroj që protesta e 1 Majit të shkoj mbarë, pa probleme uroj që ti bashkohen edhe sindikata tjera SBASHKUT, ….për shkak se ne komunikojmë vazhdimisht me ta e edhe mediat e dinë se janë pakënaqësi kogja të mëdha edhe tek policia jonë e nderuar dhe kolegu im kryetari kishte ngritur vazhdimisht zërin…. dhe unë mendoj se ata në masën tonë e kanë të pamundur por edhe ata do jenë në mënyrë simbolike sepse janë në masë të vogël por do jenë në protestën e 1 Majit në mënyrë që ta alarmojmë dhe ti tregojmë qeverisë se pakënaqistë janë të mëdha dhe ne tash po kërkojmë veprime sindikale, çfarë do ndodh pas një majit nuk varen nga unë varet nga zëri i anëtarësisë dhe unë jam betuar se çdo kërkesë të shumicës së anëtarësisë  do jem në ballë të atij aktiviteti qoftë  në protestë qoftë ne grevë”.

  • ​25 vjet nga themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”

    ​25 vjet nga themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”

    Sot mbushen 25 vjet nga themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”. Krijimi i këtij formacioni ushtarak përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës në Gjakovë dhe Kosovë.

    Themelimi i kësaj brigade ishte bërë me urdhrin e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

    Kjo brigadë u ngrit pas kërkesave të ushtarëve gjakovarë të UÇK-së për ndërhyrje në qytetin e tyre, me qëllim të ndalimit të masakrave dhe krimeve të ushtrisë serbe ndaj civilëve në këtë komunë.

    Me datë 28 mars 1999 nga fshati Dashinoc, Komandant i ZOD-it, Ramush Haradinaj jep urdhëresën me nr. L8/862/99 për krijimin e njësitit në shkallë Brigade, të emërtuar Brigada 137 “Gjakova” e UÇK- së, bashkë me emërtimin e kuadrit komandues.

    Një ditë pas themelimit, pra më 29 mars 1999 kjo brigadë me shumë pjesëtarë të armatosur, secili prej tyre i pajisur edhe me nga një armë dhe armatim shtesë, u futen në qytetin e Gjakovës. Kjo brigadë ishte ndarë në 4 grupe, të cilat ishin vendosur në 4 pozicione të qytetit, si pikat më të mira strategjike të mundshme për zhvillimin e aktivitetit ushtarak të kësaj brigade.

    Tri grupet dhe Shtabi i Brigadës ishin vendosur në lagjet e Çabratit dhe një grupi vendoset në Orize. Në kuadër të detyrave të parashtruara, luftëtarët e kësaj brigade ndërmorën aksione të shumta për mbrojtjen e popullatës civile të Gjakovës.

    Veçohet “Epopeja e Çabratit” kur në luftën frontale me armikun, në një distancë të afërt, në datat 7, 8 dhe 9 maj ranë heroikisht 17 dëshmorë të kësaj brigade.

  • 25 vjet nga masakra në Izbicë

    25 vjet nga masakra në Izbicë

    Sot bëhen 25 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

    Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

    Sot 25 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

    Me rastin e 25-vjetorit të masakrës në Izbicë, Komuna e Skenderajt do të organizojë sot tubim përkujtimor në Kompleksin Përkujtimor në Izbicë, duke filluar nga ora 10:00.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 48-vjeçares që u vra në Prishtinë

    Sot i jepet lamtumira e fundit 48-vjeçares që u vra në Prishtinë

    Prishtina dy net më parë u trondit nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në rrugën ‘Jeronim De Rada’, ku si pasojë e një përleshjeje mes dy grupeve, ka mbetur i vrarë me armë zjarri i riu, Egzon Haziri, teksa u plagosën edhe tre persona tjerë. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnije Gashi, e cila nuk arriti t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ndërroi jetë dje në spital.

    Familjarë, miq e të afërm do të mblidhen sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit 48-vjeçares.

    Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet me kohën e ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri.

    E ndjera ka lënë pas vetes bashkëshortin dhe katër fëmijë.

    Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.

    Fitim Doda dhe Arijan Sijarina dyshohen për tentim vrasjen në lagjen Kolovicë, në orët e pasdites, ndërsa vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha po kërkohen për vrasjen e rëndë, që ndodhi në mbrëmje.

    Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Kontratat njëburimore, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

    Kontratat njëburimore, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca, njëra nga to e jashtëzakonshme.

    Në seancën e jashtëzakonshme që pritet të nis në orën 10:00, në rend dite është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    Ndërsa në orën 12:00 do të vazhdojë seanca plenare, ku në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt dhe 14 mars.

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024:

    24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    41. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024:

    16. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarrett e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    27. Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë,
    28. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    29. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,
    30. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

    III. Pika and papërfunduar nga Seanca and Jashtëzakonshme, and mbajtur më 14 mars 2024:

    1. Votimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

  • Qeveria anulon vendimin për pronën private që ia dha “Trepçës”

    Qeveria anulon vendimin për pronën private që ia dha “Trepçës”

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Në janar, me nënshkrim të kryeministrit, Qeveria e Kosovës ia dha njësisë veriore “Trepçës” për shfrytëzim, këtë tokë në Leposaviq, për nevoja të flotacionit.

    Mirëpo, mbrëmë ky vendim u anulua, meqë toka doli të mos jetë pronë e shtetit. 

    Parcela e cila thuhej se menaxhohej nga Agjencia Pyjore e Kosovës, ishte në pronësi private të një banori të komunitetit serb, për çka ATV-ja raportoi të hënën.

    Edhe pse në tokë të huaj, njësia veriore e ndërmarrjes që udhëhiqet nga serbët, eksploatoi material argjilor që aty.

    Madje, këtë e bëri jashtëligjshëm, pasi nuk u pajis me licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

    KPMM-ja aktualisht është duke bërë hetime për përgatitjen e një raporti, të cilin do t’ia dorëzojëpolicisë.

    Të hënën, nga Agjencia Pyjore e Kosovës thanë për ATV-në, se prona që menaxhohet nga APK-ja është fqinje me parcelën, e cila me vendim të Qeverisë iu dha “Trepçës” në janar.

    Rasti për këtë pronë, sipas burimeve të ATV-së, po hetohet nga Policia e Kosovës./atvlive.tv/

     

     

     

     

     

  • Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    E mërkura e 27 Marsit ishte afati i fundit për zbatim të vullnetshëm të aktgjykimit për kompensimin e konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulesë për veriun.

    Aktgjykimi i vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese, obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji që të detyrojë KEDS-in që t’u kthejë konsumatorëve shumën shtesë të faturuar “në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të aktgjykimit, nën pasojat e ekzekutimit me detyrim”.

    Në ZRRE përsëritën se janë duke punuar për gjetjen e një forme të përshtatshme, dhe në pajtim me ligjin, për kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Edhe pse e vlerëson vendim të drejtë, juristi Valdet Hoxha vlerëson se zbatimi mund të marrë më shumë kohë për shkak të ndërlikueshmërisë.

    “Por, një vendim i tillë është vështirë i implementueshëm, sepse ka specifika të veçanta dhe nuk dihet shuma e saktë e cila i është ngarkuar qytetarit, në këtë rast konsumatorëve shqiptarë. Por, besoj në vullnetin e mirë të ZRRE-së dhe KEDS-it për t’i kompensuar qytetarët. Në të kundërtën kam frikë se qytetarët do të detyrohen, që përmes padive individuale dhe angazhimit të ekspertëve financiarë t’i realizojnë të drejtat e tyre përmes gjykatës kompetente”, deklaroi avokati Valdet Hoxha.

    Ekspertë të sektorit energjisë kanë përmendur të paktën tri forma: kompensimin direkt në fatura; përshtatjen në tarifa; dhe, subvencionimin nga Qeveria.

    Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët nga Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.

    Në një llogaritje jo-zyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro./atvlive.tv/

  • Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës Albin Kurti numëroi sukseset e qeverisë së tij, derisa shënoi 3 vjet në pushtet.

    Në vazhdën e sukseseve të arritura, kryeministri Kurti numëroi edhe ndërtimin, rinovimin dhe adoptimin e çerdheve duke rrumbullakuar numrin në 34. Por premtimin, që për çdo vit të qeverisjes të ndërtohen nga 40 çerdhe nuk ndodhi ngase që nga 2021-ta, u ndërtuan vetëm 4 nga 160 sa u tha.

    Njëra nga komunat që do ta kishte një çerdhe, nëse gjithçka do të shkonte, sipas planit, do të ishte komuna e Deçanit, e cila ende nuk e ka asnjë çerdhe publike.

    “Në komunën e Deçanit nuk e kemi asnjë çerdhe publike, edhe pse kemi bërë kërkesë për ndërtim të çerdheve ende s’kemi marrë asnjë përgjigje. E kemi dëgjua ministren që ka thanë që komunat nuk kanë qenë të gatshme, por ne komuna e Deçanit jemi kanë të gatshëm dhe të gjitha dokumentet i kemi përcjellë për në ministri, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria as pro e as kundër”, deklaroi Besnik Hulaj nga drejtoria e Arsimit në Deçan.

    Deklarimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat janë fajtore për mosndërtimin e çerdheve, po e kundërshton nënkryetari i Asociacionit të Komunave.

    “Përgjegjësia duhet të bartet në komuna e jo të jetë nën përgjegjësinë e nivelit qendror. Nëse niveli qendror mendon që të bartë këtë përgjegjësinë në nivelin lokal, atëherë komunat do të jenë më të përgjegjshme, por derisa kjo mundësi ekziston vetëm në nivelin qendror nuk mund të fajësohet niveli lokal”, tha Sazan Ibrahimi, nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Krejt ky mosrealizim i premtimeve për çerdhet po shihet me shqetësim edhe nga njohësit e arsimit.

    “Fusha e arsimit ka nevojë të madhe për investime që të përmirësohet gjendja, fatkeqësisht në bazë të parametrave qeverisja aktuale nuk ka përmbushë aspak premtimet. Premtimet, fjalët kanë qenë shumë të bukura, por jo punët sepse ka çaluar në realizimin e tyre, këto investime kanë qenë shumë të vogla më tepër kanë qenë sa për sy e faqe, Kryeministri mundohet që adaptimin e objekteve të vjetra mundohet me paraqitë si rezultat”, u përgjigj njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëntë komuna nuk kanë asnjë çerdhe publike, 18 prej tyre e kanë vetëm nga një, ndërsa 7 komuna kanë nga dy e më shumë.

    Sipas një raporti për Kosovën nga BE-ja, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor mbetet e ulët, në 6,7% nën mesataren në rajon./atvlive.tv/

  • Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    PËRGATITI: HARIS ADEMI

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, thotë se Kosovës i duhet ta përmbushë obligimin që ka marrë në dialog me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

    Sipas tij, duhet të gjendet mënyra e duhur e zbatimit, sipas kornizave kushtetuese të Republikës.

    “Ka shumë marrëveshje dhe ka disa obligime që pala serbe nuk i ka përmbushur në të kaluarën, dhe i ka shtyrë sërish, dhe janë po ashtu obligime për palën kosovare. Kosova ka përmbushur shumë obligime në të kaluarën, dhe kemi në pyetje Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk është në pyetje se si duhet të implementohet ky asociacion, pasi ka marrëveshje për këtë, pyetja është si do të implementohet. Unë vetëm mund të kërkoj propozime të mira si të zbatohet, sepse do të duhet të bëhet, dhe duhet të bëhet pa probleme dhe në asnjë mënyrë të vërë në pikëpyetje, apo në dyshim shtetësinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Mandl.

    Politikani i njohur si mik i Kosovës, po qëndron në Prishtinë, për shkak të punimeve të Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë.

    Nga këtu, thotë se BE duhet t’i heqë sa më shpejt masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat i quan shaka të keqe dhe absurde. Ai shton se çështja e masave nuk duhet të përzihet me themelimin e Asociacionit.

    “Masat padyshim që nuk janë zgjidhja e duhur dhe shpresoj që do të hiqen së shpejti. Po ashtu, ky është qëndrimi i shumicës së Parlamentit Evropian”, shtoi tutje eurodeputeti Mandl.

    Për më tepër, i bën thirrje BE-së ta përshpejtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të paktën deri te zyrtarizimi si vend kandidat.

    “Ka një rrugë të gjatë përpara, sikurse për të gjithë kandidatët tjerë, por Kosova ende nuk është zyrtarisht vend kandidat, kështu që është mirë të ecet përpara. Kjo është ajo që e rekomandoj për institucionet e tjera të Bashkimit Evropian”, tha Mandl.

    Aplikimin për anëtarësim në Union, Kosova e ka dorëzuar në dhjetor të 2022-ës, në të njëjtin vit me Ukrainën. Mandl thotë se me të drejtë, shumica po flet për vendin që është në luftë me Rusinë, mirëpo nuk duhet të lihet anash as shteti i vogël ballkanik./atvlive.tv/