ATV

Author: G.O.

  • Miftaraj ia numëron sukseset dhe dështimet qeverisë Kurti në drejtësi: Kampion të ndërhyrjes në institucione

    Miftaraj ia numëron sukseset dhe dështimet qeverisë Kurti në drejtësi: Kampion të ndërhyrjes në institucione

    Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ehat Miftaraj ia ka bërë balancën, ndërmjet sukseseve dhe dështimeve të Qeverisë Kurti, në drejtësi. Krejt kjo pasi vet Kurti shkori në Facebook për drejtësinë në tri vitet e tij të qeverisjes, ku numëroi vetëm sukeseset, gjithmonë sipas tij.

    Miftaraj ndonëse ia njeh disa sukese, siç është vullneti politik për vettingun, ai ka renditur edhe një sërë dështimesh në këtë dikaster të qeverisë.

    “Kampion të ndërhyrjes në institucione të pavaruara”, e “amnistim të zyrtarëvet të saj”, janë disa nga kritikat e Miftarajt për drejtësinë në qeverinë Kurti.

    Postimi i plotë:

    Sukseset dhe dështimet e qeverisë Kurti në drejtësi të përmbledhura në tre vite:

    Sukseset:

    1. Vetting-u, meritat i takojnë qeverisë për vullnetin politik për të realizuar këtë proces jetik për sundimin e ligjit. Edhe pse Vettingu do jetë gjysmak dhe edhe pse ende nuk është miratuar Amandamenti Kushtetues në Kuvendin e Kosovës, prapë se prapë mund të konsiderohet si një sukses i kësaj qeverie.
    2. Themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale. Ky nuk mund të konsiderohet sukses i qeverisë së Kurtit, pasi ligji për gjykatë është ligj që është inicuar nga qeveria e kaluar, politike e përcaktuar me Strategjinë për Sundimin e Ligjit. Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale është sukses i plotë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe USAID. KGJK dhe USAID kanë udhëheq me këtë process, të cilin e kanë finalizuar me sukses. Qeveria nuk ka ndarë buxhetin e nevojshëm për funksionimin e duhur të kësaj gjykatë. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.
    3. Miratimi i ligjeve për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë, është sukses i kësaj qeverie. Sidoqoftë, qeveria s’ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, duke marr për bazë kompetencat shtesë të përcaktuara me ligj. Shto obligime, mos jep buxhet, krijo probleme të reja.
    4. Janë miratuar ligje të rëndësishme si Kodi i Procedurës Penale dhe ligje tjera.

    Dështimet:

    1. Reformimi i sistemit të drejtësisë penale, civile dhe administrative.

    Tre vite të shkuara dëm. Edhe pas tre viteve reforma në sistemin prokurorial është në fazën ZERO. Projekt-ligji për KPK është në Kuvend. I njejti projektligj është konsideruar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese se i cenon parimet e sundimit të ligjit. Të shpresojmë që së paku gjatë vitit 2024 ky ligj të miratohet dhe të hyj në fuqi. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përbërja e KPK do të ndryshoj tek pas dy ose tre viteve. Pra, reforma në KPK nuk do të arrijë të realizohet në mandatin e kësaj Qeverie.

    Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është në Gjykatën Kushtetuese. Draftin e parë të këtij Ligji Komisioni i Venecias e kishte konsideruar në tërësinë e tij si ligj kundër standardeve që garantojnë dhe promovojnë drejtat dhe liritë e njeriut.

    Drejtesia Civile:

    Për miratimin e Kodit Civil nuk ka vullnet politik nga partia në pushtet që i njëjti të votohet. Kodi Civil konsiderohet si ligji më i rëndësishëm për të drejtat e qytetarëve menjëherë pas Kushtetutës.

    Drejtesia Administrative:

    Reforma në drejtësinë administrative poashtu është vonuar shumë. Projektligji është miratuar në qeveri. Janë dashur tre vite që projekt ligji të hartohet dhe miratohet në qeveri.

    Premtimi elektoral se do të ngritet padi për gjenocid ka mbetur premtim në letër, premtim fiktiv dhe i parealizueshëm.

    Forcimi i kapaciteteve të PSRK, është poashtu premtim fiktiv. Kësaj prokurorie i janë ndarë buxhet për pak pozita për prokurorë dhe disa staf mbështetës. Rezultatet në trajtimin e krimeve të luftës janë të papërfillshme.

    Ndërhyrjet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe legjislativit në pavarësinë e gjykatave të rregullta dhe Gjykatës Kushtetuese. Partia në pushtet është kampion për të ndërhyrë në mënyrë të papërshtatshme në institucionet e pavarura. Raportet e ekspertëve eminentë të Këshillit të Evropës i kanë trajtuar si shqetësuese ndërhyrjet e Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve individual si dhe sistemit të drejtësisë. Kjo është e papranueshme për një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

    Dhe krejte ne fund, kjo qeveri e ka fuqizuar kulturen e pandeshkueshmerise ne luften kunder korrupsionit ne rastet kur zyrtare te kesaj qeverie jane perballur me hetime penale per korrupsion. Si rralle ndonjehere, vet Kryeministri apo ministrat e tij ka akuzuar organet e ndjekjes kur kane arrestuar apo filluar hetimet per korrupsion, si rasti Martin Berishaj, rasti i KEK, rasti i rezervave shteterore e shume raste tjera.

  • ​Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

    ​Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pritet ta propozojë sot Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

    Kreu i PDK-së ka ftuar sot konferencë për media, ndërsa sipas burimeve brenda PDK-së, lideri i kësaj partie pritet që në këtë konferencë do të dalë me propozimin zyrtar që kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e reja parlamentare.

  • ​Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim të të gjitha zotimeve nga dialogu

    ​Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim të të gjitha zotimeve nga dialogu

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pasi nuk ka rrugë tjetër.

    Hovenier i ka bërë këto komente në konferencën për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temë “ Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes” e organizuar nga Universiteti i Prishtinës së bashku me Universitetin e Arkansasit të SHBA-së, ku theksoi se presin zbatim të plotë të të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut.

    Ai shtoi se SHBA përsërit shumë qartë vizionin e tyre për një Evropë të tërë të lirë dhe në paqe, e ku shumë qartë edhe Kosova.

    “25 vjet më parë bota dëshmoi një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik të kryer nga regjimi monstruoz këtu në Kosovë… Ne kishim shteruar të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit të Millosheviqit, dhe siç tha presidenti Clinton më 23 mars 1999, një ditë para se NATO të fillonte operacionin Forcat Aleate “Nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë në Kosovë”. Operacioni Forca Aleate hapi rrugën për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të krijuar kushte për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën shtëpi. Ne e pranojmë dhe shprehim vlerësimin tonë për përkushtimin dhe sakrificat e NATO-s, këtu gjatë 25 viteve të fundit dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, ne përsërisim shumë qartë vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Dhe kjo është një Evropë që përfshin shumë qartë Kosovën”, ka thënë Hovenier.

    Hovenier theksoi se nuk ka rrugë tjetër në integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe konkretisht Kosova ka bërë zbatim të plotë të të gjitha zotimeve në kuadër të dialogut.

    “Rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk ka rrugë tjetër, dhe konkretisht mirëbesim dhe zbatim të plotë të të gjitha zotimeve që ka marrë Kosova në kuadër të dialogut… Ne shikojmë nga kjo qeveri ashtu siç kemi kërkuar nga të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës që të punojnë në partneritet me ne, ndërsa ne vazhdojmë në përpjekjet tona së bashku për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor.. Më shumë se 25 vjet që nga Operacioni i Forcave Aleate dhe pothuajse 25 vjet nga Çlirimi i Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës”, ka shtuar Hovenier.

    Në këtë konferencë nuk mungoi as një video nga Wresley Clark, komandanti suprem i aleatëve në Evropë i NATO-s gjatë viteve 1999-2000.

  • Policia për vdekjen e 48-vjeçares: Është qëlluar derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj

    Policia për vdekjen e 48-vjeçares: Është qëlluar derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për vrajsen e mbrëmshme që ndodhi, në Prishtinë. Për rastin e vrasjes me armë zjarri në rrugën “Jeronim De Rada”, Policia ka bërë të ditur se përpos njërit që ka vdekur në vendin e ngjarjes, një tjetër ka vdekur gjatë ditës së sotme në QKUK.

    Sipas PK-së, viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe se nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

    Në këtë rast, PK-ja ka bërë të ditur se katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

    Komunikata e plotë:

    Vriten dy persona në Prishtinë

    Mbrëmë rreth orës 21:15, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Jeronim De Rada në Prishtinë.

    Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga gotitja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.

    Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur :

    E. H,  mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur.

    E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

    Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë.

  • “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    Shefi i Intensivës Qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaqir Uka, ka thënë se gjendja e 21-vjeçares që u godit të martën nga treni është stabile por që lëndimet i ka jashtëzakonisht të rënda.

    Uka ka thënë 21-vjeçarja vazhdon të jetë e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura, ndërsa shtoi se pacientja ka lëndime në regjionin e kokës dhe të gjoksit.

    “Po gjendja e pacientes e cila ka marrë plagë nga lëndimi me goditje nga treni është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor për shkak të gjendjes shumë të rëndë dhe vazhdon të marrë tretmanin në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror. Lëndimet e saj janë kryesisht në regjionin e kokës, në regjionin e gjoksit dhe në regjionin e qafës.Lëndimet janë mjaftë serioze, vazhdon të mbetët edhe më tutje e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura mjekësore. Një gjendje prezantohet për momentin të jetë relativisht stabile, përkundër asaj që lëndimet janë jashtëzakonisht shumë të rënda. Po pacientja e cila është e lënduar nga goditja e trenit është e moshës 21 vjeçare”, ka thënë Uka për EO.

  • Tajlanda afër legalizimit të martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë

    Tajlanda afër legalizimit të martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë

    Tajlanda e ka bërë një hap më afër drejt barazisë martesore, pasi të mërkurën dhoma e ulët e Parlamentit e miratoi në lexim të dytë një projektligj për lejimin e martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

    Ky projektligjit duket të kalojë në Senat dhe ta marrë pëlqimin e mbretit, për t’u bërë ligj.

    Ai u mbështet nga të gjitha partitë e mëdha të Tajlandës, duke i marrë 400 vota nga 415 deputetë të pranishëm, dhe vetëm 10 kundër.

    “Ne e bëmë këtë për të gjithë popullin tajlandez, për ta zvogëluar pabarazinë në shoqëri dhe për të filluar të krijojmë barazi”, tha Danuphorn Punnakanta, kryetar i komisionit parlamentar, para se deputetët të votonin.

    “Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve ta shkruani historinë”, shtoi ai.

    Kalimi i këtij projektligji shënon hap të rëndësishëm drejt vulosjes së qëndrimit të Tajlandës si njëra prej shoqërive më liberale aziatike për çështjet e homoseksualëve, lezbikëve, transgjinorëve dhe biseksualëve (LGBT), duke qenë e hapur për bashkëjetesë me vlerat tradicionale dhe konservatore budiste.

    Tajlanda për një kohë të gjatë ka qenë vend tërheqës për çiftet e gjinisë së njëjtë, falë një skene të gjallë shoqërore e komunitetit LGBT për vendësit dhe mërgimtarët, si dhe ka bërë fushata për t’i joshur vizitorët e komunitetit LGBT.

    Ky ligj mund të futet në fuqi brenda 120 ditëve pas miratimit mbretëror.

    Kështu, Tajlanda do të bëhej vendi u tretë në Azi, pas Tajvanit dhe Nepalit, që e legalizojnë martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë./REL/

  • Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë

    Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë

    Ka vdekur gruaja që u plagos mbrëmë në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Uka, shef i Klinikës së Intensivës në QKUK.

    “Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.

    Ndryshe, mbrëmë si pasojë e të shtënave ka humbur jetën edhe viktima E.H, rreth 30-vjeç.

    Raportohet se viktima E.H u nis me urgjencë për në spital, mirëpo i njëjti s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    LEXONI EDHE:

    Gruaja që mbeti e plagosur në Prishtinë ishte kalimtare e rastit – ndodhet në gjendje kritike

  • Osmani: Asociacioni për anëtarësim në KiE nuk është kusht në këtë fazë

    Osmani: Asociacioni për anëtarësim në KiE nuk është kusht në këtë fazë

    Presidentja Vjosa Osmani në një prononcim për media ka thënë se raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në Këshill të Evropës, është pozitiv dhe se përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE, raporton Ekonomia Online.

    Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis.

    Osmani ka thënë se ajo që pritet që të ndodh sot është procedurë dhe se nuk mund të paragjykojnë rezultatin.

    Ajo ka theksuar se vendi ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim.

    “Raporti tashmë është pozitiv, përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtaret tjerë të KiE. Ajo çfarë do të ndodh sot është procedurë, kjo është një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për Asamblenë Parlamentare të KiE. Ne nuk mundemi të paragjykojmë rezultatin, kjo është në vullnetin e deputetëve individualë të shteteve që marrin pjesë sot në Komitet. Mirëpo çfarë mund të them është se Kosova ka bërë çfarë do që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në mënyrë që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim dhe deputetët e këtyre shteteve ta përkrahin këtë anëtarësim. Në qoftë se sot gjithçka kalon me sukses atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë Asamblesë Parlamentare të KiE ku edhe në qoftë se i marrim votat e nevojshme aty rekomandohet anëtarwsimi dhe ky rekomandim kalon prapë në Komitetin e Ministrave për muajin maj të këtij viti dhe aty vendoset për anëtarësimin përfundimtar. Janë disa hapa që kanë mbetur por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare por edhe jemi duke biseduar me shtet veq e veq si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve. Presim sot rezultatin shpresë që do të mbështetë kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropianë pa çasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kushdo që është pro të drejtave të njeriut, pro sundimit të ligjit dhe pro demokracisë si tri shtylla kryesore të Evropës i thotë po anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë ajo.

    Osmani ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është kusht për anëtarwsim por jo në këtë fazë në KiE dhe se në raportin e Bakojanis, sipas Osmanit, për asociacionin  flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit.

    “Interpretimet që i jep zonja Bakojanis apo interpretimet që i japin deputetë individualë janë interpretimet e tyre. Mirëpo në qoftë se lexoni letrën e saj në veçanti paragrafi 11-të i raportit e qartëson që kur flitet për asociacionin  flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit. Mos të harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 nëpërmjet ratifikimit por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, marrëveshjen bazike të 27 shkurtit 2023. Pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të viti 2023. Ajo çka është më rëndësi që ka qenë edhe kërkesë e imja në letrën që e kemi dërguar e ka përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën Kushtetuese, ligjet e Kosovës me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kjo është korniza jonë dhe nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, ka thënë ajo.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Novobërdë, Policia nis hetimet

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Novobërdë, Policia nis hetimet

    Një burrë në Novobërdë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Tentativë vrasjeje në Drenas/ Mosmarrëveshje mes 4 personave, njëri gjuan me armë dhe largohet nga vendi i ngjarjes

    Tentativë vrasjeje në Drenas/ Mosmarrëveshje mes 4 personave, njëri gjuan me armë dhe largohet nga vendi i ngjarjes

    Pasditen e së martës ka ndodhur një tentim vrasje në Drenas.

    Policia ka njoftuar se gjatë një mosmarrëveshje mes katër personave, njëri prej tyre ka shtënë me armë zjarri dhe është larguar në drejtim të panjohur.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar 2 gëzhoja, një thikë dhe një shufër metalike. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti i nënshtrohet procedurave hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin policor.

    Me urdhër të prokurorit rasti është hapur “vrasje e rëndë në tentativë” dhe po hetohet nga njësitet përkatëse të policisë.