ATV

Author: G.O.

  • Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vendin tonë”.

    Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

    Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

    “Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

    Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

    “Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

    Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

    Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

    Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

    “Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.

    Kosova do të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

    Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.

    “Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

    Ne kemi “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë në fushën ushtarake

    Maqedonci tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    Ai tha se Kosova me Turqinë kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

    “Ne në vazhdimësi kemi njësi dhe individë që i trajnojmë në Republikën e Turqisë. Kemi shumë ekipe të ushtrisë turke të cilat në Kosovë zhvillojnë trajnime të ndryshme për njësitë e FSK-së. Kemi gjithashtu raporte të shkëlqyera në aspektin e industrisë ushtarake, pra, më saktësisht të blerjeve ushtarake. Në këtë aspekt, për të rritur më shumë këtë bashkëpunim, në fillim të këtij viti nënshkruam një marrëveshje kornizë ushtarake me Republikën e Turqisë në Ankara bashkë me ministrin (Jashar) Gyler. Gjithë kjo mbështetje që Turqia ofron për kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë janë vërtet vitale që vendi ynë, më saktë Ministria jonë e Mbrojtjes dhe FSK, të kenë sot një nivel të lartë profesionalizmi dhe ndoshta të jetë ndër ushtritë më të zhvilluara në rajon në aspektin e gjithëmbarshëm”, theksoi ai.

    Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar.

    “Njësitë e veçanta që merren me drejtimin e Bajraktarëve TB2, zhvillojnë aktivitete të ndryshme me ta dhe me të vërtetë ne i shohim si asetet kyçe të FSK-së”, theksoi ministri.

    Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon.

    FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, filloi procesin e transformimit të saj në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.

  • Nëntë persona lëndohen nga një aksident trafiku në Klinë, dërgohen në spital

    Nëntë persona lëndohen nga një aksident trafiku në Klinë, dërgohen në spital

    Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes dy veturave në Klinë në mesnatë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    Ai tha se të lënduarit janë dërguar në spital.

    “Rreth orës 00:00 ka ndodhur një aksident në Klinë në mes dy veturave. Si pasojë e aksidentit 9 persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal për tretman mjekësor. Ndërsa, për rastin është duke u marrë njësia e trafikut rajonal”, njoftoi ai.

  • Turqia i arreston 48 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik

    Turqia i arreston 48 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik

    Autoritetet turke i kanë arrestuar 48 njerëz të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik, në lidhje me një sulm me armë në një kishë në Stamboll në janar, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya të shtunën.

    Një shtetas turk u vra nga dy pjesëtarë të armatosur të Shtetit Islamik në kishën katolike në Stamboll më 28 janar.

    Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ai u krye pas thirrjes së udhëheqësve të këtij grupi militant për t’i sulmuar hebrenjtë dhe të krishterët.

    Prej atëherë, autoritetet turke i kanë arrestuar qindra të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik.

    Shteti Islamik i ka kryer një sërë sulmesh në mbarë Turqinë, përfshirë një më 2017 në një klub nate në Stamboll, kur u vranë 39 persona.

    Sipas ministrit Yerlikaya, që nga qershori i vitit 2023, autoritetet turke kanë arrestuar 2.086 të dyshuar se kanë lidhje me Shtetin Islamik.

    Arrestimet e fundit vijnë po ashtu në kohën kur javë më parë një degë e Shtetit Islamik e mori përgjegjësinë për një sulm në një sallë koncertesh në Moskë të Rusisë, ku u vranë 144 njerëz./REL/

  • KFOR-i i dhuron mjete të punës brigadës së zjarrfikësve në Zubin Potok

    KFOR-i i dhuron mjete të punës brigadës së zjarrfikësve në Zubin Potok

    Komanda Rajonale-Lindje e KFOR-it i ka dhuruar radio, gjenerator dhe megafon brigadës së zjarrfikësve të Mitrovicës në Zubin Potok.

    “Kjo nismë synon të rrisë kapacitetet lokale për t’iu përgjigjur shpejt dhe efektivisht situatave emergjente që ndikojnë në mirëqenien e të gjitha komuniteteve”, shkruan në njoftimin e KFOR-it.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në postimin në Facebook.

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba, Themelorja i kishte dënuar me 66 vjet burgim tre të akuzuarit

    Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba, Themelorja i kishte dënuar me 66 vjet burgim tre të akuzuarit

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të akuzuar për vrasjen e B.V me 14 plumba.

    Në vendimin e siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, andaj çështja është kthyer rigjykim.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më 13 nëntor 2023 i kishte dënuar me 66 vite burgim (së bashku) të akuzuarit Jakupi, Ismajloviq dhe Osmani për vrasjen me 14 plumba në kafenenë “Premium”.

    Sipas aktgjykimit, Lirim Jakupi ishte dënuar me dënim unik prej 27 vjet burgim, Ismajloviq me dënim unik prej 24 vjet burgim, kurse Osmani me 15 vjet burgim.

  • Kosova, pjesë e hartës Gjeologjike Evropiane – Rizvanolli: Kosova pa fusnotë e me hartë të plotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian

    Kosova, pjesë e hartës Gjeologjike Evropiane – Rizvanolli: Kosova pa fusnotë e me hartë të plotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian

    Kosova është listuar si shtet me të drejta të barabarta me shtetet tjera evropiane, pjesë e Shërbimit Gjeologjik Evropian. Kështu ka njoftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Ajo tha se “Kosova tash është paraqitur në hartë me kufij të plotë e pa fusnotë, si dhe trajtohet njëjtë si të 37 vendet Evropiane pjesë të Shërbimit Gjeologjik Evropian”.

    Këtë “sukses”, ajo ia ka atribuuar Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, të cilët sipas saj “kanë pasur një angazhimi intenziv”.

    EGDI është Infrastruktura Evropiane e të Dhënave Gjeologjike të EuroGeoSurveys (EGS).

    Platforma siguron akses në grupet e të dhënave gjeologjike pan-evropiane dhe kombëtare dhe shërbimet nga Organizatat e Shërbimit Gjeologjik të Evropës.

  • Ismajli: Ka rritje të numrit të pacientëve me alergji ndaj polenit

    Ismajli: Ka rritje të numrit të pacientëve me alergji ndaj polenit

    Me ardhjen e stinës së pranverës është rritur numri i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të alergjisë nga poleni. Vështirësi në frymëmarrje, kollitje, temperaturë, teshtitje dhe skuqje e syve janë disa nga simptomat që e karakterizojnë këtë alergji. Derisa më të prekurit janë fëmijët, për shkak të rrugëve më të ngushta të frymëmarrjes.

    Specialisti pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli në një intervistë për KosovaPress thotë se është shtuar numri i pacientëve me simptoma të alergjisë së shkaktuar nga poleni. Ai thotë se në këtë rast pacientët duhet të shmangin ekspozimin në vendet ku ka më shumë lule.

    “Duket që është shtuar numri i pacientëve, vërehet puna e çdo kolegut edhe tek puna ime personale, është pak më dendur se herëve të kaluara. Ka shumë pacientë që ankohen për kollitje, teshtitje që shoqërohet edhe me shkuarje të hundës, temperaturë që me gjasë ka të bëjë edhe me alergjitë sezonale, në këtë rast alergjia në polen…Për fat të keq, disa njerëz, pranvera ndoshta është stina më e bukur, kanë fazën e keqe që të kenë një alergji në atë që prodhojnë lulet e që quhet polen. Ata pastaj reagojnë në mënyrë pak më të ndryshme sesa të tjerët. Simptomat e polenit janë më shumë të bezdisshme sesa që janë të rrezikshme, përveç të rastet kur disa janë edhe më alergjik sesa të tjerët dhe shkaktohet edhe vështirësi në frymëmarrje,” tha Ismajli.

    Ismajli potencon se në rastet kur alergjia reagon më ashpër te pacientët, duke shkaktuar vështirësi më të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe rrjedhje të hundëve, u rekomandohet përdorimi i inhalimit.

    Ai thotë se fëmijët vuajnë pak më shumë në stinën e pranverës me paraqitjen e alergjisë ndaj polenit, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta. Përveç fëmijëve, ai përmend edhe moshën mesatare.

    “Rastet shumë të rënda janë më të rralla, megjithëse hasim edhe aty ku ka vështirësi të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe probleme me hundët. Në ato situata ne japim edhe inhalime dhe tejkalohet kjo situatë…Ndoshta fëmijët vuajnë pak më shumë, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta dhe reagojnë pak më vrullshëm sesa ata që janë të rritur. Mirëpo, këtu kisha thënë edhe mosha mesatare, për shkak të një alergjenit shumë të fuqishëm që është pirja e duhanit”, potencon Ismajli.

    Për KosovaPress, Ismajli potencon se trajtimi i pacientëve me probleme në frymëmarrje për shkak të alergjisë, bëhet me pompa e assesi me infuzione apo me antibiotikë. Ndërkaq, simptomat e zakonshme potencon se trajtohen me sprej dhe medikamente të tjera.

    “Nëse flasim për (alergjitë) në frymëmarrje ajo çka përpiqem ta dalloj te pacienti është astma bronkiale, që refuzohet nga pacientët dhe ndonjëherë trishtohen kur u them se pacienti ose fëmija është me astmë. Tjetra është riniti alergjik, një formë tjetër e alergjisë. Kur është fjala për astmë trajtimi bëhet me pompa dhe assesi me infuzione apo antibiotik. Kurse te të tjerat trajtohen në mënyrë simptomatike, përdorimi i sprejit për hundë dhe fyt…Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të largohen nga alergjenët…Nëse flasim për polen, kuptohet që personat alergjikë është mirë të shmangin daljen në natyrë sidomos kur ka sasi të madhe të polenit”, shprehet Ismajli .

    Ndër të tjera, specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF-në e Prishtinës vlerëson se alergjia nga poleni është më shumë e bezdisshme sesa e rrezikshme. Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale. Bimët lëshojnë kokrra të vogla poleni, që barten përmes erës për të fekonduar bimë të tjera të së njëjtës specie në çdo pranverë, verë dhe vjeshtë, madje edhe në dimër.

    Sistemi imunitar i personave që kanë alergji ndaj polenit identifikon atë si një substancë të rrezikshme dhe fillon ta luftojë e që si pasojë e kësaj shfaqen sëmundjet alergjike.

  • ​Referendumi për bashkim: Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do të votonin pro

    ​Referendumi për bashkim: Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do të votonin pro

    Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në shumicë, janë shprehur për Barometrin e Euronews Albania se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.

    Një përqindje shumë e vogël si në Kosovë edhe në Shqipëri është shprehur se do të votonte kundër në një referendum të tillë, përkatësisht 12,7 % e të pyeturve në Shqipëri, dhe 24,2 % në Kosovë.

  • Shkon në 11 numri i të arrestuarve për sulmin në Moskë

    Shkon në 11 numri i të arrestuarve për sulmin në Moskë

    Një gjykatë në Moskë ka lëshuar urdhër për arrestimin e një burri nga Taxhikistani në lidhje me sulmin terrorist muajin e kaluar në një sallë koncertesh në Moskë, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për këtë rast.

    Gjykata e qarkut të Basmanit urdhëroi që Sharifzoda Zoir të mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit deri më 22 maj, duke e akuzuar atë për një vepër të paspecifikuar terroriste.

    Ajo nuk dha hollësi të tjera në komunikatën e publikuar më 5 prill.

    Zoir është personi i 11-të që është ndaluar, apo arrestuar në lidhje me dyshimet për përfshirje në sulmin e 22 marsit, në të cilin u vranë më shumë se 144 njerëz.

    Katër shtetas të Taxhikistanit akuzohen se u futën në sallën e koncerteve pak para se të niste një koncert dhe filluan të shtien me armë drejt njerëzve pa dallim, dhe pastaj ia vunë flakën ndërtesës.

    Nga 11 burrat e paraburgosur, 10 vijnë nga Taxhikistani, ndërsa njëri besohet se është nga Uzbekistani i lindur në Kirgistan, i cili ka shtetësi ruse.

    Dhjetëra njerëz të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, duke nxitur thashetheme se numri i të vdekurve nga ky sulmi mund të jetë shumë më i lartë.

    Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.

    Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, ndërsa autoritetet e Taxhikistanit janë duke i marrë në pyetje një numër të madh njerëzish, kryesisht të afërmit e të dyshuarve, si pjesë e hetimit për sulmin.

    Prapëseprapë, Kremlini ka ngulur këmbë, pa asnjë dëshmi, se Ukraina, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, është përgjegjëse për sulmin.

    Kievi dhe Uashingtoni i kanë mohuar këto akuza.

    Sulmi është cilësuar si dështim i madh i shërbimeve ruse të inteligjencës dhe të sigurisë.

    Shtetet e Bashkuara thanë se i dhanë informata specifike Rusisë paraprakisht, duke e paralajmëruar për një sulm të mundshëm terrorist.

    Raportohet se edhe Irani e kishte paralajmëruar atë para se të ndodhte sulmi./REL/

  • Policia dhe KFOR-i kapin në flagrancë dy serbë duke u futur ilegalisht në Kosovë

    Policia dhe KFOR-i kapin në flagrancë dy serbë duke u futur ilegalisht në Kosovë

    Njësia patrulluese e Policisë Kufitare së bashku me KFOR-in, gjatë patrullimit kanë vërejtur një veturë duke hyrë nga Serbia në Kosovë, jashtë pikës së kalimit kufitar.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, bëhet e ditur se brenda veturës ishin dy shtetas serb.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, teksa ka sugjeruar që të vazhdohet në procedurë të rregullt.

    “Fsh. Izvor, Zubin Potok 05.04.2024 – 16:20. Njësia patrulluese e Policisë Kufitare së bashku me KROR-in, gjatë patrullimit kanë vërejtur një veturë duke hyrë nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës jashtë Pikës së Kalimit Kufitar. Vetura është ndaluar, e njëjta drejtohej nga i dyshuari mashkull serb dhe në të ishte edhe një pasagjer mashkull serb. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe i njëjti ka sugjeruar qe rasti të iniciohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.