ATV

Author: G.O.

  • Ahmeti: Me votën tonë kemi shansin historik të vulosim orientimin euro-amerikan

    Ahmeti: Me votën tonë kemi shansin historik të vulosim orientimin euro-amerikan

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pasi ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votim tha se kanë shansin historik të vulosin orientimin euro-amerikan.

    “Sot në Zajazin tim shfrytëzova të drejtën demokratike të votës për të lënë gjurmë kontributi në trasimin e së ardhmes evropiane. Me votën tonë kemi shansin historik të vulosim njëherë e përgjithmonë orientimin tonë euro-amerikan, t’i themi JO Rusisë, PO Europës”, ka shkruar ai.

    Ai ka ftuar qytetarët të votojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim për fitoren e kauzës së tyre evropiane.

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

    Në garë janë edhe dy kandidat shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronit Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja dhe Arben Traravari nga koalicioni VLEN, i cili përbëhet nga parti opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut.

  • Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që ta lirojë nga detyre ish-kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

    Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se shumë shpejt do të iniciohen procedura për shpalljen e konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Në shtator, ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

    Krasniqi më 25 prill 2023 ishte pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

  • Parlamenti Evropian miraton planin prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor

    Parlamenti Evropian miraton planin prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor

    Parlamenti Evropian e ka miratuar të mërkurën planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor.

    Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

    Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.

    Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.

    Sipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së sotme në Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

    Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

    Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

    Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.

    Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit të sotëm, kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike.

    Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm.

    Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.

    Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).

    Sipas tekstit të miratuar sot në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

    Në emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia, njëri nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve e tjetri nga Partitë Popullore Evropiane. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

    Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

    Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian.

    Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, qysh në pjesën e dytë të këtij viti. Por, para se kjo të ndodhë duhet të konstatohet se vendet që duan të përfitojnë i kanë përmbushur kushtet për një gjë të tillë. /REL

  • Raportohet për zjarr në një rafineri ruse të naftës

    Raportohet për zjarr në një rafineri ruse të naftës

    Dronët ukrainas i kanë goditur objektet e energjisë dhe karburantit në rajonin rus Smolensk, duke ua vënë zjarrin atyre, tha të mërkurën guvernatori rajonal Vasily Anokhin.

    “Rajoni ynë është duke u përballur me sulme nga dronët ukrainas përsëri”, shkroi Anokhin në Telegram.

    Ai tha se nuk ka viktima dhe se ekipet e shpëtimit po punojnë për ta shuar zjarrin në Smolensk dhe në rrethinat e Yartsevos.

    Kanali YE Astra në Telegram e publikoi një video të xhiruar nga dëshmitarët, e cila shfaq një zjarr të madh në një rafineri.

    Në javët e fundit, Ukraina ka kryer sulme në rafineritë ruse të naftës dhe në ndërtesat e tjera industriale duke përdorur dronë me rreze të gjata veprimi.

    Një sulm më 17 mars i kishte për cak dhjetëra rafineri ruse të naftës, që raportohet se përbënin rreth 12 për qind të kapacitetit të Rusisë për përpunimin e naftës.

    Sulmi i së mërkurës vjen një ditë pasi Senati amerikan e miratoi një paketë të shumëpritur me ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë rreth 60 miliardë euro./REL

  • ​PDK: Korrupsioni në Qeverinë Kurti, kryefjala e raportit të DASH-it për Kosovën

    ​PDK: Korrupsioni në Qeverinë Kurti, kryefjala e raportit të DASH-it për Kosovën

    Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është pritur me shqetësim nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Subjekti më i madh opozitar vlerëson se raporti i fundit i DASh-it për Kosovën shpërfaqë paaftësinë dhe dështimin e skajshëm të Qeverisë Kurti në të gjitha fushat.

    Blerta Deliu-Kodra, deputete e këtij subjekti tha se të gjeturat e raportit faktojnë se tash e katër vjet Kosova udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili, edhe këtë herë, sikur vitin e kaluar, është tejet i zymtë, tregon më së shumi se si është realiteti në Republikën e Kosovës. Ky raport, që padyshim është kredibil dhe mirë i analizuar, shpërfaqë dështimin e skajshëm të kësaj Qeverie në të gjitha fushat, më të rëndësishmet në udhëheqjen e shtetit”, shtoi ajo.

    Deliu-Kodra përmendi edhe vendimet e Gjykatës Themelore ndaj ministrave të qeverisë Kurti.

    “Kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat kanë shpallur fajtore ministren e MINT, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e MPJD, Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë…. Rastet eklatante të kësaj Qeverie dhe eksponentëve të tyre gjatë këtij mandati që ndërlidhen me korrupsionin masiv qeveritar janë të shumta. Aferat e ambasadorit Martin Berishaj, Nagip Krasniqit të KEK-ut, Faruk Mujkës, Ridvan Muharremit dhe ministres Rozera Hajdari lidhur me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore që tejkalojnë 200 milionë euro, deri te raportimet e fundit të mediave për faljen e borxheve të kompanive nga ministri Liburn Aliu, të cilat vetëm sa forcojnë argumentet të cilat i ka dhënë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Fatkeqësisht, siç e keni parë, Vetëvendosja në vazhdimësi ka refuzuar kërkesat tona për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare duke shtuar dyshimet tona se sa të thella janë këto afera korruptive dhe sa thellë janë zhytur përfaqësuesit e partisë në pushtet në afera korruptive”, theksoi ajo.

    Deputetja Deliu-Kodra potencoi se viteve të fundit Kosova ka pësuar rënie në ranglistën për lirinë e medias si pasojë e presionit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti.

    Sipas saj kjo pasqyrë nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe integrimit të saj euro-atlantik.

    Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda tha se në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përshkruhet me saktësi dobësimi i përgjithshëm i nivelit të sundimit të ligjit dhe në veçanti ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë.

    “Disa herë në këtë raport të DASH-it përdoret fjalia “ndërhyrjet politike në drejtësi” një gjë e cila nuk ka qenë kaq e shpërfaqur po ndodh në këtë qeveri. Kjo tregon qartë për përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për gati 4 vite mandat për të ndërhyrë në drejtësi dhe për të mbrojtur njerëzit e saj të korruptuar. Kjo është një gjë të cilën ne si PDK e kemi thënë vazhdimisht, sot ajo është konfirmuar edhe nga raporti i DASH-it”, tha ai duke përmendur se nuk është bërë asgjë për të realizuar reformat e premtuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka filluar ende procesi i vettingut dhe kanë vazhduar shkeljet e Kushtetutës”, theksoi ai.

    Gruda përmendi edhe problemet e shumta që ka Kosova me dhunën kundër grave dhe dhunën në familje.

    Ai përmendi se pas shpalljes ditë zie pas vrasjes së një gruaje ministrja e Drejtësisë shkoi në fushatë për zgjedhje në Maqedoni të Veriut dhe në “ekskursionin e saj politik” nëpër shtetet tjera të Evropës, Gjermani e Suedi.

  • Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

    Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

    Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

    Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

    Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

    Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica e madhe e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

    Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtarë i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.

    “Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.

    Të njëjtat burime kanë thënë se edhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, por hezitim deri tash ka pasur më shumë nga Komisioni Evropian, ku ndikim të madh ka komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.

    Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Sonyong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

    Ata kanë thënë se situata ende është e tensionuar dhe problemet e shkaktuara në veri nuk janë tejkaluar as pas mundësisë ofruar serbëve në katër komuna në veri për të votuar për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

    Që të dy, sipas burimeve diplomatike, u janë shmangur pyetjeve direkte se a po e shkel Serbia Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Vetëm kanë konstatuar se Serbia është angazhuar në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Gjatë diskutimit, sipas burimeve diplomatike, ka pasur thirrje që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës sa më shpejt, sepse ato kanë krijuar përshtypjen se BE nuk ka qasje të balancuar ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës.

    Më të zëshmet në kërkesat për heqjen e masave ndaj Kosovës kanë qenë Finlanda, vendet Baltike, Kroacia, Polonia, Sllovenia dhe disa vende të tjera. Ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë dashur të lënë përshtypjen se vendet e QUINT-it kanë qëndrim të përbashkët dhe kanë preferuar heqjen graduale të masave.

    Hungaria, e cila deri vonë ka qenë kundër, tash nuk është shprehur kundër.

    Vendet anëtare kanë bërë thirrje që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sa më parë që të jetë e mundur të raportoj para Këshillit të BE-së për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave. Ky raport është i nevojshëm në mënyrë që masat të hiqen, në tërësi apo pjesërisht.

    Burimet e BE-së kanë thënë se edhe konkluzionet nga takimi i ministrave të BE-së nga 12 dhjetori i vitit 2023 përmendin “heqjen e masave” e jo heqjen graduale siç kërkojnë disa vende.

    “Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme për heqjen e masave në rast se arrihet progres i mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave. Këshilli do të përcjellë çështjen dhe do t’i kthehet në bazë të raportit të përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e këtyre kërkesave”, shkruan në konkluzionet e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar.

    Ka një paqartësi brenda BE-së edhe rreth nevojës që vendet anëtare të pajtohen për heqjen e masave. Kjo, sepse kur ishin vendosur masat, ishte thënë se “kjo është kompetencë e Komisionit Evropian“. Tash kërkohet që për heqjen e tyre të ketë pajtim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Burimet e BE-së pas debatit të fundit ku u pa gatishmëria e vendeve anëtare thonë se “BE-ja po afrohet drejt heqjes së masave ndaj Kosovës, porse ende nuk është punë e kryer“.

    Pse i janë vendosur Kosovës masa ndëshkuese?

    Që pothuajse një vit, Kosova ka qenë nën disamasa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa ishin vënë pasi BE-ja thoshte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Në maj të vitit 2023, tensionet në atë pjesë të Kosovës kulmuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata dolën nga zgjedhjet që popullsia shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok i bojkotoi.

    Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të mundësonte largimin e atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësonjnë vullnetin e banorëve.

    Të dielën,Kosova mbajti procesin e votimit që mund të çonte në shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave, por sërish pati bojkot, pas thirrjes që bëri partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

    Pasi që nuk u siguruan votat e mjaftueshme, procesi dështoi. Por, pas mbajtjes së procesit, Qeveria e Kosovës dhe liderë si kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kërkuan që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.

    Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës lidhur me efektet që kanë pasur masat ndëshkuese, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. As BE-ja s’deshi t’i komentojë efektet specifike të këtyre masave./REL

  • Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

    Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se investimet në QKUK po bëhen për shkaqe elektorale. Ai vlerëson se gjendja nëpër spitale vazhdon të jetë e rëndë dhe se investimet në shëndetësi kanë qenë minimale.

    Haxhiu ka deklaruar se para zgjedhjeve po bëhen investime të tilla por që sipas tij nuk e përmirësojnë gjendjen nëpër spitale.

    Pikëpyetja e pacientëve sipas deputetit të PDK-së janë listat e pritjes për analiza e operacione.

    “Siç e dini në tri buxhetet të cilat janë miratuar ka pas planifikime për investime në sektorin e shëndetësisë. Shumica e këtij buxheti ka shkuar në suficit, investimet në sektorin e shëndetësisë kanë qenë minimale. Tash para zgjedhjeve kanë filluar diçka me disa renovime të cilat nuk janë se përmirësojnë kushtet më të mira për operacione për të reduktuar numrin e pritjes së pacientëve. Ne kemi probleme substanciale në menaxhim. Pas gjithë këtyre investimeve, pyetja kryesore që e bëjnë pacientet a ka më i ra me prit prapë tri vjet për një operacion në listë të pritjes. Sa ka me prit për analiza? Sa ka me prit për procedura diagnostikuese?”, u shpreh Haxhiu.

    Deputeti i PDK-së shprehet i zhgënjyer edhe për listat e gjata të pritjes nëpër klinika, teksa përmend raste kur pacientët vdesin derisa t’u vijë radha për koronografi.

    “Siç e dini në Kardiologji, listat e pritjes ndonëse ka pasur investime prapë vazhdojnë të jenë të gjata, prapë listat e pritjes vazhdojnë të jenë të gjata edhe në klinika tjera, kështu nuk ka përmirësim të ofrimit të shërbimit shëndetësor tek pacientët. Në Kardiologji kemi pas raste që pacientet të cilët kanë qenë në listë të pritjes kanë vdekur pa mundur me realizu një koronarografi. Kur stafi i klinikës i ka thirr familjarët, me mllef janë përgjigjur pas një viti e gjysmë se pacienti ka ndërruar jetë dhe këto janë brenga të mëdha në sistemin tonë shëndetësor”, u shpreh tutje Haxhiu.

    Haxhiu ka thënë se investimet janë “kozmetikë” dhe se nuk e përmirësojnë gjendjen në shëndetësi. Ai ka thënë se ekzekutivi ka dështuar ta sjellë në Kuvend Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

    “Kjo krejt çka po bëhet po bëhet një lloj kozmetike e cila nuk ka efekt në përmirësimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë po vazhdohet me këso lloj investimesh elektorale derisa për tri vite qeveria nuk ka qenë në gjendje të miratojë strategjinë e shëndetësisë dhe nuk ka qenë në gjendje t’i sjellë në kuvend dy ligjet bazike, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore”, ka thënë Haxhiu.

  • Anulohet kufizimi i punës së barnatoreve në kryeqytet

    Anulohet kufizimi i punës së barnatoreve në kryeqytet

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim për anulimin e një kufizimi për punën e barnatoreve.

    Retkoceri ka thënë se PDK kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët.

    “Sot anuluam orarin e barnatoreve – më nuk do të ketë kufizime!”, ka shkruar Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.

    “Pacientët e kryeqytetit në vitin e fundit hasën në shumë vështirësi në furnizim me barëra gjatë kujdestarisë, posaçërisht në situata emergjente dhe për pasojë ishin detyruar që të furnizohen me këto barëra nga barnatoret në komunën e Fushës Kosovës apo Graçanicës”.

  • Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri tash nuk ka shkelje të procesit zgjedhor

    Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri tash nuk ka shkelje të procesit zgjedhor

    Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se deri më tani nuk ka pasur shkelje të procesit të votimit, ndërsa MPB-ja tashmë i ka dislokuar të gjithë policët në mbarë vendin të cilët duhet të kujdesen për realizimin e procesit zgjedhor në mënyrë demokratike.

    “Nuk kemi vërejtur shkelje të rënda të procesit zgjedhor. Dita është e bukur, shpresoj që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje demokratike. Të gjitha departamentet e punëve të brendshme janë përfshirë me kushte teknike. Ne veprojmë sipas udhëzimeve të përcaktuara nga shtabi zgjedhor”, shtoi Toshkovski.

    Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë shtatë kandidatë.

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi zgjatë deri në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

    Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë.

    VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

    Përzgjedhja e shefit të shtetit duhet të ndodh në rrethin e dytë kur do të vendoset për dy kandidatë të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Megjithatë edhe për përzgjedhjen e tyre nevojitet plotësimi i censusit, përkatësisht në zgjedhje të dalin më së paku 40% të votuesve të regjistruar. Rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, KSHZ duhet t’i publikojë para mesnatës së 24 prillit. Ndërkohë, janë gjithsej 942 vëzhgues, gazetarë dhe përkthyes të huaj janë të akredituar për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale.

  • ​5 xhudistë e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Zagreb

    ​5 xhudistë e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Zagreb

    Ekipi kosovar i xhudos nga nesër (25 prill) deri më 27 prill do merr pjesë në Kampionatin Evropian të Xhudos për Senior.

    Evropiani i Xhudos për Senior do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ku pjesëmarrës do të jenë 47 shtete me 427 garues, nga të cilët 240 janë meshkuj e 187 femra, raporton KosovaPress.

    Kosovën në këtë Evropian do ta përfaqësojnë xhudistët e njohur si Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Akil Gjakova, Dardan Cena dhe Loriana Kuka.

    Distria dhe Flaka ndeshen ditën e parë (nesër) kurse ditën e dytë ndeshet Akili dhe Dardani ndërsa Loriana ndeshet në ditën e tretë.

    Ekipi kosovar është nën udhëheqjen e trajnerit dhe selektorit Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.

    Xhudistët që e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Kroaci:

    Distria Krasniqi (-52 kg)

    Flaka Loxha (-57 kg)

    Akil Gjakova (-73 kg)

    Dardan Cena (-73 kg)

    Loriana Kuka (-78 kg)