ATV

Author: G.O.

  • Zelensky kërkon ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë

    Zelensky kërkon ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për zgjerimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar që Moska nisi ndaj shtetit të tij më 2022.

    Zelensky e bëri këtë thirrje më 25 prill, teksa u takua në Kiev me ministrin britanik të Financave, Jeremy Hunt, me të cilin bisedoi për situatën në Ukrainë dhe nevojën për ta bërë më të vështirë që të shmangen sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

    “Ne i kushtuam rëndësi të veçantë politikës së sanksioneve”, shkroi Zelensky në X, që më herët njihej si Twitter.

    “Është e rëndësishme të zgjerohen masat kufizuese kundër Rusisë dhe që shmangia e sanksioneve të jetë e pamundur”, shtoi ai.

    Zelensky falënderoi Britaninë për paketën e re të ndihmës ushtarake të cilën e prezantoi më herët gjatë javës kryeministri britanik, Rishi Sunak.

    Paketa në vlerë prej 622 milionë dollarësh – më e madhja që Britania deri më tani i ka dhuruar Ukrainës – u bë publike nga Sunaku gjatë vizitës që ai zhvilloi në Poloni më 23 prill, duke bërë që ndihma e përgjithshme ushtarake që Londra i ka premtuar Kievit gjatë këtij viti të arrijë në 3.71 miliardë dollarë.

    Britania, një prej aleateve kyçe të Ukrainës, po ashtu tha se do të dërgojë në Kiev paketën më të madhe ushtarake.

    Ministri britanik Hunt, gjatë vizitës në Ukrainë, u takua edhe me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal, me të cilin bisedoi për përmbajtjen e paketës së ndihmës ushtarake, e cila përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mbrojë më mirë qytetet nga sulmet ajrore ruse.

    Vizita e Hunt në Ukrainë vjen pak pasi presidenti amerikan, Joe Biden, më 24 prill nënshkroi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

    Sipas presidentit amerikan, ndihma e nevojshme, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, do të dërgohet brenda orësh./REL/

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Një takim trepalësh, mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, ka filluar të enjten pasdite në Bruksel, ku do të diskutohet për përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje për transferimin e mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

    Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

    Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

    Lajçak tha të martën, dy ditë para takimit të sotëm, se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

    Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, ai theksoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë.

    Megjithatë, takimi paraprak javën e kaluar në Bruksel, ku nuk pati fare takim trepalësh, përfundoi pa ndonjë rezultat.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit të 18 prillit se pala serbe nuk kishte ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të BE-së.

    “Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi më 18 prill.

    Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

  • “Nuk kanë pasur kurrë vajzë të bukur nga Kosova”, një video e Rita Orës po bën xhiron në internet

    “Nuk kanë pasur kurrë vajzë të bukur nga Kosova”, një video e Rita Orës po bën xhiron në internet

    Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar një video në TikTok, e cila është bërë virale në rrjetet sociale.

    Ajo këndoi një pjesë të këngës së njohur Jump nga Tyla, Gunna dhe Skillibeng, por bëri një modifikim të vogël të tekstit.

    Si gjithmonë, artisja që nuk lë vend pa përmendur Kosovën, vendosi që pikërisht tek kjo këngë të përmend emrin e vendlindjes.

    “Nuk kanë pasur kurrë një vajzë të bukur nga Kosova, më shohin mua dhe tani kjo është ajo që preferojnë”, këndonte Rita Ora, por në anglisht.

    Prej kur publikoi këtë video në TikTok, kjo videos e artistes shqiptare të hitit “Anywhere” është bërë virale kudo në rrjetet sociale.

    Kënga Jump, nga artistët Tyla, Gunna dhe Skillibeng numëron miliona klikime në YouTube.

    @ritaoraI said what i said… 🇽🇰

    ♬ original sound – Rita Ora

  • Murati kërkon nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Murati kërkon nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, janë 300 milionë euro të cilat po presin dritën e gjelbër nga kuvendi, për çka tha se është e rëndësishme që të mundësohet përdorimi i tyre.

    Para votimit të një sërë marrëveshjeve ndërkombëtare, ai edhe një herë ka lutur opozitën për mbështetjen me votë të tyre.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve. Pra janë 300 milionë euro që po presin e do të ketë edhe të tjera sepse kemi nënshkruar në vazhdimësi”, deklaroi Murati.

    Në seancë plenare, ai është pyetur nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri lidhur me inspektorët e punës. Murati u shpreh se që nga marrja e mandatit kanë dyfishuar numrin e tyre.

    “Janë mbi 60 inspektorë të punës, kurse nëse nuk gabojë kanë qenë diku 27 kur e kemi marrë mandatin. Është më se dyfishim, por ende ka punë për tu bërë. Kemi miratuar edhe Ligjin për Pagën Minimale, e cila do të rregullonte një pjesë të madhe të të punësuarve në sektorin privat. Janë mbi 100 mijë persona të cilët presin që ai ligj të hyjë në fuqi dhe të zbatohet, megjithatë ka qenë pikërisht Grupi Parlamentar i AAK-së, përfshirë edhe dy deputetë të tjerë që janë jashtë grupit parlamentar të cilët kanë nënshkruar dhe kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për Pagën Minimale i cili pret tash e sa kohë”, u shpreh ai.

  • Aeroportit të Prishtinës i shtohen edhe tri linja të reja

    Aeroportit të Prishtinës i shtohen edhe tri linja të reja

    Kompania ajrore e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë – Scandinavian Airlines (SAS) – do të nisë tri linja të reja që lidhin tri kryeqytetet skandinave me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, tha operatori i aeroportit të Prishtinës.

    Fluturimet që lidhin Prishtinën me Stokholmin e Suedisë dhe Oslon e Norvegjisë do të fillojnë më 27 qershor, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës në një postim në mediat sociale në fillim të kësaj jave.

    SAS do të nisë fluturimet nga Prishtina në Kopenhagë të Danimarkës më 3 korrik.

  • Kurti thotë se me O’Brien diskutuan për zbatimin e marrëveshjes bazë

    Kurti thotë se me O’Brien diskutuan për zbatimin e marrëveshjes bazë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për takimin që ka zhvilluar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien, dhe ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Kurti mes tjerash theksoi se temë e bisedës ka qenë respektimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes bazë.

    Shefi i qeverisë shtoi se i janë gjithmonë mirënjohës SHBA-së për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

    “Ne diskutuam rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë. Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Amerikës për rolin kryesor dhe mbështetjen për Kosovën në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Kurti në X.

    Ndërsa, O’Brien me anë të një postimi në X në mbrëmjen e së mërkurës potencoi se i ka kërkuar Kurtit përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “ShBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkroi O’Brien në X

  • Në seancë të mbyllur nis dëshminë dëshmitari i 57-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në seancë të mbyllur nis dëshminë dëshmitari i 57-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari  Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në fillim të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin është duke i parashtruar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

    Gjatë përgjigjeve të tij, dëshmitari tha se kishte parë vetëm një herë Jakup Krasniqin në Krojmir, pra zona në të cilën udhëhiqte vetë ai në batalionin e dytë të Brigadës 121, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Qat ditë, tjera ditë se kam pa. Për shkak se ushtarët kur e kanë pyet nuk kanë pas leje deri e kanë pa se kush është, ua kam spjegu. Tjera ditë nuk me kujtohet. Ka mujtë me qenë po se kam pa”, tha dëshmitari.

    Pas kësaj, dëshmitari është pyetur edhe nga prokurorja Silvia D’Ascoli e cila u fokusua tek disa urdhra që pretendohet se janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për komandantin e brigadës.

    Dëshmitari tha se nuk i kishte parë asnjëherë këta urdhra mirëpo, kur i kishte prezantuar Fatmir Limajt tek ushtarët, ai tha se ka menduar që po i thotë vetë.

    “Në bazë të dokumentit nuk e ka thanë vetë, por paska marrë urdhra. Unë se kam besu atëherë. Kam mëndu se po e thotë vetë”, tha dëshmitari.

    Pas prokurorisë, pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar fillimisht nga Christoph Barthe. Ai e pyeti dëshmitarin se pse anëtarët e LPK-së kanë marrë pozita udhëheqëse në luftë.

    “Këta e kanë udhëheq luftën. E organizuan hyrjen brenda në luftë. Na mundësuan neve me hy. Se di si ta shpjegojë ndryshe më mirë”, u përgjigj dëshmitari Qeriqi.

    Ndërsa, për vetën, ai tha se ka qenë vetëm vullnetar.

    “Kam qenë ni vullnetar, sa kam qenë në Gjermani kam marrë pjesë në tubime informative për UÇK-në, por nuk kam qenë anëtarë (LPK)”, tha ai.

    Për Hashim Thaçin, Ramiz Qeriqi tha se nuk i kanë ditur funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politik në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Nuk i kemi ditë pozicionet e tyre. Por me vonë e kemi kuptu që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditë pozitën e saktë, por mas lufte e kemi kuptu. Për Azem Sylën e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari.

    I pyetur se a e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve të UÇK-së, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

    “Jo, jo. Ju, lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

    Ndërsa, për takimet rastësore me Thaçin, Qeriqi tha se ka pasur vetëm rroba civile, por që nuk kanë qenë mbledhje

    “S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardh në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

    Se ku e bazon përshkrimin se Selimi ishte kryesori në UÇK gjatë periudhës mars-prill 1998, dëshmitari tha se nga udhëzimi që ia kishte dhënë Azem Syla.

    “Azem  Syla me ka drejtu drejtë tek Rexhep Selimi. Ne, kemi shku aty. E  kam kuptu se e kam marrë udhëzim nga Azem Syla tek Rexhep Selimi dhe pastaj jemi nda ku na kanë qu, prandaj, e kam ditë që ishte 1-shi. Unë jam drejtu në bazë të asaj që me ka drejtu Azem Syla tek Rexhep Selimi. Unë e kam ditë që ai është një udhëheqës që me u drejtu të Rexha që pastaj ai me na nda. Unë se kam ditë pozitën e tij”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, për Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajt, tha se rolin e tyre e ka kuptuar përmes asaj që ishte bërë publike në media.

    “Përmes mediave, përmes publikut kur ka dal me fol vetë. Kur kanë fol tjerët dhe përmes mediave se unë se kam taku.  (Për Fatmir Limajn) Si anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm, tjetër s’kam degju. Nuk e di për pozitë, tamam se di…Kam thanë që e ka pozitën me të lartë se unë. Unë i kam raportu atij e ai me ka thanë me raporton mua e unë në Likoc”, tha Qeriqi duke shtuar se kur flitej për Likocin bëhej fjalë për institucion dhe jo individë.

    Për Kadri Veselin, dëshmitari  tha se është takuar vetëm njëherë në Krojmir gjatë periudhës maj-qershor 1998 dhe se bashku kanë kriju pozicione mbrojtëse kundër forcave serbe.

    “Ka qenë vetëm në vizitë atëherë Kadria dhe jam kanë tu i ba pozicionet, tu i gjetë, me ka ndihmu ku me i ba pozicionet. Kemi bisedu dhe kemi vendos dhe e kam përmend që kemi pas sukses prej atyre pozicioneve”, tha ai duke shtuar se në atë kohë flitej se Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

    Për me vonë, Ramiz Qeriqi tha se ka mendu që Kadri Veseli ka qenë në shërbimin informativ të UÇK-së.

    “Ma vonë kemi mëndu që ka qenë në shërbim informativ, aty a ku ta di. Në atë kohë, jo se kam ditë…Siç kam thanë edhe këtu, mbas luftës kam mëndu se ka qenë në atë pozitë. Atë kohë, se kam ditë”, tha dëshmitari.

    Duke u kthyer sërish tek Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dëshmitari tha se ia ka dhënë një “Mercedes” në fund të 1998 që të lenin përshtypje të mira kur të dilnin në publik.

    “Nuk e di mujn e saktë, 98-ën është. Mund të jetë shtator-tetor mund të jetë. Këtë makinë ma ka dhënë dhuratë një qytetarë i fshatit Caralevë, në pension është. Në atë kohë nuk ka qenë personale e imja se e ka dhënë në emër të luftës. Kanë mujtë me e marrë kerrin edhe pa me pyet mua edhe pa urdhër. Ka qenë makinë e mirë në atë kohë. Kam thënë që ia kam dhënë se ka qenë dhuratë nga një bashkëqytetarë”, tha ai.

    Sipas tij, nga mediat e ka kuptuar që pozita e Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Kur kanë dal publike nëpër media e kam kuptu. Për Jakupin e di që zëdhënës ka qenë, për Fatmirin se kam ditë kurrë çfarë pozite ka pas. Vetëm ato publike se nuk di më shumë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka njohuri nëse kishte ndonjë pozicion tjetër përfshirë edhe pozitën si zëvdëskomandant”, tha ai.

    Ndryshe, dëshmitari ka filluar dëshminë të hënën më 22 prill, ku sipas prokurorisë ka qenë komandant i batalionit të dytë në Brigadën 121 në Zonën e Pashtrikut, raporton Betimi për Drejtësi.

    Vlen të theksohet se gjatë transmetimit ka pasur vazhdimisht probleme teknike gjatë paradites së sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Përveç këtij dëshmitari, dëshminë dje e ka mbaruar Ramiz Qeriqi i cili gjatë kohës së luftës ka qenë komandant në batalionin e dytë të Brigadës 121 në Zonën e Pashtrikut. Ai ka folur për kontaktet që kishte pasur me të akuzuarit, pozitat e tyre dhe funksionimin e UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq i ka thënë atij se është i dyshuar në këtë proces gjyqësor.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Së paku pesë të vrarë, përfshirë fëmijë, nga sulmet izraelite në Rafah

    Së paku pesë të vrarë, përfshirë fëmijë, nga sulmet izraelite në Rafah

    Së paku pesë njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qytetin Rafah në Rripin e Gazës të enjten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

    Në mesin e të vrarëve në sulmet e mëngjesit të së enjtes ishin edhe dy fëmijë, të identifikuar nga regjistrat spitalore si Sham Najjar, 6 vjeç, dhe Jamal Nabahan, 8 vjeç.

    Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, prej 2.3 milionë, ka kërkuar strehim në Rafah, ku Izraeli po kryen sulme pothuajse ditore teksa po përgatitet për një pushtim tokësor të qytetit.

    Pak ditë më parë, një foshnjë u nxor e gjallë përmes prerjes cezariane nga barku i një gruaje palestineze, e cila u vra nga një sulm izraelit në Rafah.

    Ndërkohë, në Gazën qendrore u vranë katër njerëz nga granatimet izraelite me tanke. Familjarët e tyre thanë për Associated Press se ata u vranë derisa po tentonin të zhvendoseshin në veri të Gazës, ku ushtria izraelite po përpiqet të mos i lejojë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.

    Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi palestinezë u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën një ligj me ndihmë rreth luftës në vlerë 95 miliardë dollarë, i cili i përfshin 9 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Gazën, për të cilën ekspertët thonë se është buzë urisë absolute, si dhe miliarda të tjerë ndihmë për Izraelin./REL/

     

  • Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Sot në Prishtinë u lansua Projekti “Gruaja Udhëheqëse në Sport për Promovimin e Aktivitetit Fizik të Pavarur nga Gjinia (GEIN)” i cili ka për qëllim të avancojë barazinë gjinore në sport dhe në parasport.

    Ky projekt ndërkombëtar aspiron të thyejë barrierat gjinore dhe të përfshijë në mënyrë të barabartë sportistët nga të dy gjinitë, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara. Iniciativa synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, duke i përgatitur ata për sukses dhe udhëheqje në arena ndërkombëtare.

    Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, në fjalën e saj në hapje të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përfshirjen e grave dhe përsonave me aftësi të kufizuara në sport: “Në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë rajonin, ne përballen me sfida të shumta në përfshirjen e grave dhe parasportistëve. Bashkëpunimi dhe angazhimi ynë janë thelbësor për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar që çdo person, pavarësisht gjinisë ose aftësive të kufizuara, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të udhëheqë.

    Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm dhe theksoi se projekti është një “fener shprese” për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se: “Aftësimi dhe arsimimi janë esenciale për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një të ardhme ku barazia gjinore është jo vetëm një ideal, por një realitet.”

    Dr. Agron Kasa, Rektori i Universitetit të Sporteve në Tiranë, theksoi se sporti është një mjet jetik për ndryshime pozitive: “Përmes mbështetjes së komunitetit evropian, ne po punojmë për të ndryshuar qasjet dhe për të promovuar liderët e ardhshëm, duke u përqendruar veçanërisht në rritjen e numrit të grave në pozita drejtuese.”

    Projekti GEIN është një partneritet ndërkombëtar midis Universitetit të Sporteve në Tiranë, Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Finlandës Juglindore, Universitetit Katolik të Leuven në Belgjikë dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ky projekt mbështetet financiarisht nga programet Erasmus+ të Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij është të rrisë kapacitetet në fushën e sportit në Shqipëri dhe Kosovë, për të promovuar barazinë gjinore përmes aktiviteteve edukative dhe mentorimit.

  • “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka falënderuar opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bogujevci ka thënë se kjo tregon që kur janë ekip, arrijnë shumë.

    “Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo.