ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë

    Arrestohet Agron Gashi, i dyshuari për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë

    Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e mesditës Agron Gashin, i dyshuar për plagosjen e trefishtë të ndodhur mbrëmë, në Pejë.

    Arrestimin e 21-vjeçarit e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli.

    Nga incidenti që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, për shkak të plagëve, të plagosurit janë dërguar nga Spitali rajonal i Pejës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

    I dyshuari Agron Gashi ёshtё recidivist i veprave penale, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Ndërkohë, një person është arrestuar gjatë orëve të natës pas plagosjes në Pejë.

    I arrestuari po dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

    Arrestimi u konfirmua nga Ersan Qavolli, prokurori që po e trajton rastin, derisa ka treguar se të plagosurit janë babai, i biri dhe dhëndri.

    “Mund të ju konfirmoj që kemi arrestuar një person për dhënie të ndihmës, pas kryerjes së veprës penale. I dyshuari kryesor është ende i paarritshëm në arrati. Policia po punon për kapjen e tij”, tha Qavolli.

  • Gjashtë simptoma të qarta që tregojnë intolerancën ndaj glutenit

    Gjashtë simptoma të qarta që tregojnë intolerancën ndaj glutenit

    Gluteni është pjesë përbërëse e shumë vakteve të shijshme, si p.sh. pasta, makarona dhe ëmbëlsira, dhe kjo për shkak se gjendet te gruri, thekra dhe elbi. Megjithatë, për disa njerëz mund të jetë e vështirë të tretet dhe për këtë arsye duhet ta shmangin atë në baza ditore.

    Gastroenterologia Rabia De Latour nga Shkolla e Mjekësisë të NYU thekson se përveç njerëzve me sëmundje celiake (një çrregullim autoimun në të cilin konsumimi i glutenit shkakton dëmtime të përhershme në zorrën e hollë), ka edhe një numër më të vogël njerëzish që kanë zhvilluar intoleranca ndaj glutenit ose ndjeshmëri joceliake ndaj glutenit.

    Sipas studimeve të publikuara në Gastroenterology dhe The Psychiatric Quarterly, ky grup përbën midis 0.5 dhe 13 për qind të popullsisë. Kanë shumicën e simptomave të celiakisë, por nuk shfaqin ndryshime fiziologjike, si dëmtim të zorrës së hollë dhe kequshqyerje.

    Megjithatë, ka disa simptoma mjaft të qarta të intolerancës ndaj glutenit që nuk duhet t’i injoroni.

    Nauze dhe ngërçe pas ngrënies
    Të përzierat dhe ngërçet që shfaqen pas ngrënies së vakteve që përmbajnë gluten mund të tregojnë se jeni intolerant ndaj glutenit. Për këtë arsye shpesh sugjerohet që të mbani një ditar ku të shkruani se çfarë ushqimesh keni ngrënë dhe si jeni ndier pas vaktit.

    Fryrje
    Fryrja e barkut mund të shkaktohet nga shumë gjëra, nga hormonet e deri te ushqimet, si fasulet, por nëse nuk jeni duke e tretur glutenin siç duhet, lukthi juaj padyshim mund të ndihet i fryrë dhe i ndjeshëm.

    Lëkurë të thatë
    Shumë njerëz me ndjeshmëri ndaj glutenit raportojnë sëmundje të lëkurës, duke përfshirë lëkurë jashtëzakonisht të thatë, skuqje, puçrra në fytyre dhe njolla nga ekzema.

    Humbje peshe
    Humbja e paqëllimshme e peshës është një nga simptomat kryesore të sëmundjes celiake, sepse kur zorrët tuaja dëmtohen, ju nuk e përthithni siç duhet ushqimin që hani. Megjithëse ndjeshmëria jo-celiake ndaj glutenit nuk i dëmton zorrët, mund t’ju bëjë të hani më pak për shkak të dhimbjes që ndodh.

    Nuk ndiheni mirë
    Ndryshimet e disponimit ose ndjenjat e rritjes së depresionit ose ankthit pas konsumimit të ushqimeve që përmbajnë gluten është një simptomë te njerëzit me ndjeshmëri jo-celiake ndaj glutenit – njofton Women’s Health.

    Keni probleme me kujtesën
    Një nga simptomat kryesore neurologjike të raportuara nga pacientët me ndjeshmëri ndaj glutenit është e ashtuquajtura mjegull e trurit, ose thjesht ndjenja sikur nuk mund të mendojnë qartë dhe kanë vështirësi në kujtimin e gjërave. /Telegrafi/

  • Miratohet Projektligji i Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

    Miratohet Projektligji i Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

    Me 93 vota për, Kuvendi i Kosovës ka votuar Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha para deputetëve se ratifikimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është e rëndësishme për Kosovën.

    Të rëndësishme e pa edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.

  • Miratohet Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për infermierë, kirurgë, veterinarë, farmacistë dhe mami

    Miratohet Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për infermierë, kirurgë, veterinarë, farmacistë dhe mami

    Kuvendi i Kosovës ka vazhduar e seancën e jashtëzakonshme ku në rend dite janë ratifikimi i tri Marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë mbledhje është miratuar për shqyrtim Projektligji nr.08/L-301 për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermierë, kirurgë, veterinarë, farmacistë dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, të cilin e prezantoi ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia tha se më tre nëntor 2022 Kosova ka nënshkruar Marrëveshje, të cilat janë të plotfuqishme nga 1 qershori 2023, bazuar në direktiva për njohjen e kualifikimeve. Kjo Marrëveshje ua mundëson që profesioni të ushtrohet lirshëm në secilat prej 6 vendet e Ballkanit perëndimor.

    Nga 95 deputetë të pranishëm, me 93 vota pro Kuvendi e miratoi këtë Marrëveshje.

  • ​Rezoluta për Srebrenicën votohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

    ​Rezoluta për Srebrenicën votohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot do të votojë për rezolutën për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

    Që nga njoftimi e deri në momentin kur duhet të merret në konsideratë, Rezoluta shkaktoi reagime të shumta, veçanërisht të stuhishme nga Serbia, shkruan N1 e Sarajevës.

    Siç ka njoftuar përfaqësuesi i Bosnjës dhe Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija, versioni përfundimtar i rezolutës është miratuar para disa ditësh me përfshirjen e amendamentit të parë të Malit të Zi dhe një amendamenti tjetër.

    Nga vetë njoftimi se Rezoluta do të shqyrtohet në OKB, pasuan reagime të shumta dhe të dhunshme nga Serbia, zyrtarët e së cilës nuk duan të lejojnë që “populli serb të shpallet gjenocid”.

    Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka bërë përpjekje të mëdha për të penguar miratimin e kësaj rezolute dhe ka paralajmëruar miratimin e rezolutës për Jasenovacin, sipas N1.

    “Pas disa raundeve konsultimesh gjithëpërfshirëse, propozimi përfundimtar i Rezolutës për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë 1995, nga grupi kryesor ndër-rajonal, shkoi te Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të gjitha misionet e përhershme në OKB”, njoftoi Lagumxhija.

    Më poshtë lexoni tekstin përfundimtar të dakorduar të Rezolutës së lartpërmendur.

    Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës në 1995.

    Duke vënë në dukje se ndjekja penale e personave përgjegjës për gjenocidin dhe krimet e tjera ndërkombëtare në sistemet kombëtare të drejtësisë, duke përfshirë Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë si dhe Mekanizmin Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale, mbetet qendrore në procesin e pajtimin kombëtar dhe ndërtimin e besimit, si dhe për rivendosjen dhe ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe duke pranuar se bashkëpunimi i fortë rajonal ndërmjet prokurorive kombëtare është thelbësor në promovimin e paqes, drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit midis vendeve në rajon,

    Duke përsëritur angazhimin e palëkundur për ruajtjen e stabilitetit dhe promovimin e unitetit në diversitet në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë tridhjetë vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin humbën të paktën 8,372 jetë, mijëra të zhvendosur dhe familje dhe komunitete të shkatërruara,

    Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila do të festohet çdo vit;

    Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë edhe sistemet e tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, edhe në kujtim, në drejtim të parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të asaj dukurie të gjenocid në të ardhmen;

    Ai gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;

    Thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrosjes dinjitoze të tyre, dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë që ende nuk janë sjellë para drejtësisë;

    U bën thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, sipas nevojes, dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke respektuar vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

    I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të krijojë një program informacioni të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar aktivitetet e tij në përgatitje për përvjetorin e tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që të sjellë këtë rezolutë në vëmendjen e të gjithë shteteve anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e shoqërisë civile për shënimin e duhur;

    Fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe aktorët e tjerë përkatës, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë shënime dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nderimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, si dhe aktivitetet e duhura të edukimit dhe ndërgjegjësimit publik. /Danas/

  • Vazhdon dëshminë në sesion privat dëshmitari i 65-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon dëshminë në sesion privat dëshmitari i 65-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mbanë kodin W04710 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar e filloi ditën e djeshme dëshminë e tij dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Alexandra Insinga ai është i afërm i një viktime e cila është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përpara se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se do të diskutojnë lidhur me një çështje fillimisht, por që seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe informacionit konfidencial.

    Megjithatë, vlen të theksohet se është bërë modifikimi për pushimet në orarin e sotëm të seancës për sesionin e paradites ndërsa, orari i pasdites mbetet i pandryshuar.

    “Seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00. Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30”, thuhet gjithashtu edhe në njoftimin e DhSK-së.

    Kujtojmë që gjatë fundit të seancës së djeshme, kryegjykatësi Charles Smith III tha se ZPS-ja ka propozuar që dy dëshmitarë të tjerë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për çka tha se vendimi do të merret me vonë. Ndryshe, palët mbrojtëse nuk e kundërshtuan këtë parashtrim të ZPS-së.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Kovaçevski e konfirmon zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së

    Kovaçevski e konfirmon zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së

    Dimitar Kovaçevski e ka konfirmuar zyrtarisht dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të partisë LSDM.

    Kjo u bë e ditur në një dokument të publikuar nga partia në fjalë, ku thuhet se dorëheqja e Kovaçevskit u bë në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.

    “Ju njoftojmë se në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, kryetari Dimitar Kovaçevski konfirmoi dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së, të cilën e kishte shpallur më 8 maj, si akt tejet moral dhe në përputhje me Statutin e Partisë”, thuhet në njoftim.

  • Vendi po zbrazet në heshtje, Gërxhaliu: Shqetësues rënia e numrit të qytetarëve që jetojnë në Kosovë

    Vendi po zbrazet në heshtje, Gërxhaliu: Shqetësues rënia e numrit të qytetarëve që jetojnë në Kosovë

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e quan kampanjë elektorale përdorimin e shifrave të mëdha nga institucionet për numrin e të punësuarve në Kosovë.

    Sipas tij, nuk ja vlen as të komentohen deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, rreth krijimit të rreth 90 mijë vendeve të reja të punës, raporton EO.

    Kjo, për shkak që si ç thotë Gërxhaliu sikur të krijoheshin vende të reja të punës nuk do të kishte rënie të eksporteve.

    “Komentet që vijnë nga insititucionet qeveritare sa i përket punësimit në Kosovë nuk ja vlen edhe të komentohen është mëse e vërtetë që Kosova po zbrazet, është mëse e vërtetë që nga Kosova po iket dhe po të kemi do të thotë një sektor privat aq të zhvilluar dhe të krijohen vende të reja të punës, atëher definitivisht nuk do të kishim rënie të eksporteve nuk do të kishim një numër kaq të vogël të investimeve të huaja qoftë direkte, qoftë indirekte nuk do të kishim rritje të importeve dhe me siguri diaspora do të investonte në prodhim, në teknologji, në edukim dhe jo vetem në konsum”, është shprehur Gërxhaliu për EO.

    Ai shton se në Kosovë shkalla e papunësisë është mjaftë e madhe.

    Derisa ka edhe një pyetje për institucionet e vendit.

    “Në këtë drejtim kuptohet që është një vit zgjedhor, kampanjat politike pothuajse kanë filluar dhe është për të ardhur keq se si institucionet e Kosovës nuk e dallojnë termin regjistrim apo zyrtarizim të punësuarve e jo punësim, dhe në këtë drejtim besoj që në Kosovë kemi një shkallë shumë të madhe të papunësisë, në çoftëse ju referoni të dhënave statistikore Kosova ka afër 1 milionë e 150 mijë qytetarë të gatshëm për punë duke pasur parasysh se në sektorin publik janë të punësuar afër 470, në zyre të punësimit presin masksimum 51 mijë, dhe lind pyetja ku ështe fati i 700 mijë qytetarëve të tjerë të Kosovës prandaj është një shifër shumë më tepër e frymëzuar nga dimensioni politik dhe zgjedhor se sa është real dhe kontribut ekonomik dhe social i qeverisë aktuale”, ka shtuar ai.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu ka folur edhe për fenomenin e ikjes së qytetarëve nga vendi, duke thënë se në Kosovë po ndodhë një ikje e heshtur.

    Por, ka shtuar se mëkati më i madh në këtë drejtim është se përse askush nuk kërkon llogaridhënie se qfarë po bëhet nga Qeveria në këtë drejtim.

    “Është e vertetë që në Kosovë është një fenomen dhe po ndodh një ikje e heshtur dhe në këtë drejtim nuk ka reagim nga qeveria, dhe besoj që mëkati më i madh që po i bëhet Kosovës është fakti që po numërohen të ikurit, por askush nuk e kalkulon atë, apo nuk kërkon llogaridhënie çka po bëhet nga ana qeveritare që qytetarët të rimbesin në Kosovë”, është shprehur ai.

    Ai thotë se një ndër sëmundjet më të mëdha që i ka ndodhur Kosovës në vitin 2023, dhe në këta muaj të vitit 2024 është ikja masive.

    “Ndoshta është dashtë të mendojmë më tepër në aspektin social dhe shëndetsor. Pse nuk miratohet ligji për sigurime shëndetësore, pse nuk ka lehtësira në shëndetsi, pse nuk rriten pagat dhe përgjegjësia në këto sektore dhe tek atëherë mund të motivohen ndoshta të rinjtë që të mbesin në Kosovë. Prandaj vërtetë një ndër sëmundjet më të mëdha që po i ndodhë Kosovës në vitin 2023, dhe fillimi i vitit 2024 është një ikje masive, një ikje e cila ndoshta në të parë nuk lë gjurmë, por me kalimin e kohës vëtetë do të jetë një indikator mjaft shqetësues”, ka thënë ndër të tjera Gërxhaliu për EO.

    Gërxhaliu, ka folur edhe për stagnimin e investimeve në Kosovë, duke shtuar se derisa nga politikanët e vendit tonë përmendet lufta apo edhe ndonjë konflikt i mundshëm atëherë ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës.

    “Në qoftë se çdo ditë kemi një okabular të tillë të shprehjeve nga politik bërësit kryesor se në Kosovë dotë ketë luftë, do të ketë sulme do të ketë terrorizëm është dëmi më i madh që mund t’ia bëjnë Kosovës në heshtje, prandaj besoj që dialogu dhe partneriteti nuk kanë alternativë. Çdo devijim apo hap i marrur nga institucionet pa kordinim me SHBA-në është në dëm të Kosovës dhe në këtë drejtim besoj që duhet të kuptohet që vetëm me aleatë dhe me miq mund të ecë Kosova përpara”, është shprehur Gërxhaliu për EO.

    Shton se çdo lëkundje për ta minuar partneritetin me SHBA-në dhe vendet mike evropiane është përsëri në dëm të Kosovës.

    “Armata apo armatimi më modern edhe më i fuqishëm që posedon Kosova është partneriteti me SHBA-në, dhe me vendet mike evropiane dhe në këtë drejtim se të kemi partneritet me ta Kosova do të ketë siguri, Kosova duhet të ketë prespektiv dhe ardhmëri. Çdo lëkundje apo devijim për të minuar këtë partneritet është në dëm të Kosovës dhe në interes të armiqve të Kosovës, prandaj besoj që është koha kur duhet të promovohet një frymë e re pro-amerikane, pro-evropiane demokratike ku definitivisht imazhi i Kosovës do të përmirësohet”, ka thënë Gërxhaliu.

    Është paralajmëruar së numri i popullsisë në vend do të jetë më i vogël sesa ai i vitit 2011.

    E, për këtë Gërxhaliu ka pohuar se kjo është shqetësuese, pasi sipas tij parashikimet dhe planifikimet për projekte kapitale lidhen me numrin e popullsisë.

    “Parashikmet dhe planfikimet për projekte të ndryshme kapitale janë shumë të lidhura me numin e popullatës dhe në këtë drejtim me të vërtetë është shqetësuese që kemi një numër më të v ogël të qytetarëve të Kosovës se sa në të kaluarën por dua të besoj që është koha kur duhet vërtetë të kemi kampanja vetëdijësuese për të motivuar qytetarët për të jetuar në Kosovë, për të krijuar kushte më të mira dhe ato kushte duhet të jenë obligim dhe definitivisht performanc e qeverisë deri më tani. Vertetë pritjet kanë qenë shumë më të mëdha se sa që është realizuar, por besoj që demokrafia është një ndër shtyllat kryesore të zhvillmit ekonomik qoftë në aspektin kohor afat –shkurtë, qoftë afat- mesëm, qoftë afat-gjatë” , ka deklaruar ai.

  • Pse nuk duhet të hani pas orës 6 pasdite?

    Pse nuk duhet të hani pas orës 6 pasdite?

    Nuk është vetëm ajo që ju hani që rrit rrezikun për sëmundje të zemrës – studiuesit tani thonë se edhe koha kur ju ushqeheni gjithashtu mund të luajë një rol.

    Gratë që kanë konsumuar darkën pas orës 6 pasdite mund të përballen me një rrezik më të madh të vrasësit kryesor në botë, sugjeroi një studim një vjeçar.

    Ato që hëngrën më vonë kishin më shumë faktorë rreziku, siç janë tensioni i lartë, indeksi i lartë i masës trupore (BMI) dhe kontrolli i dobët i sheqerit në gjak.

    Ekspertët e Universitetit Columbia, të cilët studiuan 112 gra, thonë se zgjedhja për të ngrënë më herët në mbrëmje mund të jetë një mënyrë ‘e thjeshtë’ për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

    Shëndeti kardiovaskular u vlerësua duke përdorur masat Simple 7 të Shoqatës së Zemrës Amerikane. Ato përfshijnë mos pirjen e duhanit, të qenit aktiv, të ushqyerit e shëndetshëm, pesha e shëndetshme si dhe kolesteroli i ulët, presionin e gjakut dhe niveli i sheqerit në gjak.

    Studimet kanë treguar vazhdimisht se njerëzit që i përmbahen më shumë masave kanë një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

  • ​Sonte mësohet kampioni i Kosovës në basketboll

    ​Sonte mësohet kampioni i Kosovës në basketboll

    Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion i Superligës së Kosovës në basketboll do të përfundojë sonte në Mitrovicë. Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, ku kush fiton do të shpallet kampion i Kosovës.

    Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.

    Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.

    ‘Xehetarët’ synojnë trofeun e katërt këtë edicion, pasi kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike.

    Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.

    Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.

    Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat kishin nga dy fitore ndaj njëra tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.