ATV

Author: G.O.

  • Trajneri i ri i Milanit nuk pritet mirë nga tifozët e klubit

    Trajneri i ri i Milanit nuk pritet mirë nga tifozët e klubit

    Milani tashmë ka zgjedhur Paulo Fonsecan si zëvendësuesin e Stefano Piolit.

    Shtypi italian e bën të sigurt marrëveshjen dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi.

    51-vjeçari i lindur në Mozambik, do të nënshkruaj një kontratë 2-vjeçare me klubin italian, me opsionin e zgjatjes së bashkëpunimit deri në verën e vitit 2027 nëse gjërat ecin mbarë.

    Trajnerit portugez i është premtuar e njëjta pagë sezonale që përfitonte Pioli: 4.5 milionë euro.

    Shumë emra qarkulluan, por drejtuesit e Milanit në fund kanë zgjedhur Fonsecan.

    Entuziazmi te populli milanist është në nivele të dobëta, me shumë prej tifozëve që pritnin një tjetër emër në stol.

  • Osmani dhe Fondi për Zhvillim i Katarit flasin për projekte mbi shëndetësinë dhe mbështetjen e veteranëve të UÇK-së

    Osmani dhe Fondi për Zhvillim i Katarit flasin për projekte mbi shëndetësinë dhe mbështetjen e veteranëve të UÇK-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar sot me zyrtarë të Qatar Development Fund ku u diskutua mbi mbështetjen e projekteve në fushën e shëndetësisë.

    Sipas njoftimit të presidencës, në takim takim, i cili u zhvillua me iniciativën e Osmanit, u fol edhe për mbështetjen e invalidëve dhe vetarënve të UÇK-së, për projekte të turizmit malor e projekte të tjera investive.

    “Përveç takimit me Presidenten Osmani, delegacioni i Qatar Developement Fund, nën shoqërimin e Këshilltares së Presidentes, Znj. Donika Kadaj Bujupaj, janë takuar edhe me Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Arben Vitia; Kryetarin e Kryeqytetit Z. Përparim Rama; kryetarin e Komunës së Istogut  Z. Ilir Ferati; Kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Z. Fadil Shurdhajn”, thuhet në njoftimin e presidencës.

  • Paralajmërimi për protesta, kërkohet shmangia e pikëkalimeve kufitare me Serbinë

    Paralajmërimi për protesta, kërkohet shmangia e pikëkalimeve kufitare me Serbinë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët planifikojnë të udhëtojnë sot përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë, të përdorin pika tjera për qarkullim, pasi atje për sot janë paralajmëruar protesta.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka theksuar se ky njoftim vlen deri në një njoftim tjetër.

    “Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimeve Kufitare me SRB, se në pjesën e SRB, për nesër, datë 25 Maj 2024, janë paralajmëruar protesta. Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim. Ky njoftim vlen deri në një njoftim tjetër. Ju falënderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim! Për çdo informatë shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim e së premtës të QKMK-së.

  • 26 vjet nga masakra në Lybeniq

    26 vjet nga masakra në Lybeniq

    Sot mbushen 26 vjet kur më 25 maj 1998, forcat serbe hynë në Lybeniq të Pejës, duke vrarë e masakruan nëntë banorë të Lybeniqit, e më vonë edhe burrat e tjerë të fshatit.

    Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

    Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj, ka thënë kohë më parë se drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar në ndjekjen dhe dënimin e autorëve të masakrave që u kryen në Lybeniq gjatë viteve 1998-1999.

    Sipas Imerajt, gjenocidi që kryen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe në Lybeniq është gjenocidi më i madh që është kryer ndaj popullsisë shqiptare në historinë e fshatit Lybeniq.

  • Rrebeshe shiu dhe bubullima, ky do të jetë moti për sot

    Rrebeshe shiu dhe bubullima, ky do të jetë moti për sot

    Rrebeshe shiu dhe bubullima parashihen pasditen e sotme.

    Vende-vende reshjet edhe mund të jenë paksa më intenzive. Temperaturat minimale zbresin në 9C e 11C, derisa ato maksimale arrinë deri në 24C e 25C.

    Rrebeshe dhe bubullima do të ketë edhe të dielën.

    “Ditën e diel rrebeshe më të shumta shiu dhe bubullima përfshinë edhe pjesë tjera të vendit, ndërkohë që temperaturat zbresin në 20C e 22C.  Ditën e hënë mundësi për mot relativisht më stabil, me më shumë intervale me diell, e temperaturat sërish rriten në 23C e 24C.  Nga dita e martë sërish mundësi për rrebeshe të shiut orëve të pasdites”, thuhet në njoftim.

  • Opozita kritikon ashpër qeverinë për mos anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Opozita kritikon ashpër qeverinë për mos anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Partitë opozitare e quajnë të paaftë dhe jo kompetente Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivi ka dështuar plotësisht në shumë aspekte e së fundi mosanëtarësimi në KiE dëshmon edhe një herë se sa e pa aftë është Qeveria aktuale, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi për Ekonomia Online ka thënë se dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës është dështim i kësaj Qeverie pasi sipas saj, nuk ka asnjë koordinim me aleatët.

    Ajo ka thënë se në momentet e fundit kemi parë “lojëra” nga Qeveria duke thënë se po e dërgojmë një draft- statut tjetër.

    “Kjo ka qenë pak a shumë e pritshme duke marrë parasysh faktin që si shtet nga kjo Qeveri nuk ka asnjë koordinim me aleatët tanë dhe nuk kemi asnjë mundësi praktike që të marrim votë. Nëse ne nuk kemi një koordinim me vendet mike e kemi parë si rrjedhojë kushtin i cili I është vendosur Kosovës. Nuk ka qenë i papritshëm ka qenë një ndër çështjet që është diskutuar në shumë takime prandaj është kërkuar veprim konkret nga kjo Qeveri që të marrë hapa konkret pra drejt dërgimit të Draftit të statutit të Asociacionit pra në Gjykatën Kushtetuese. Një hap i tillë ka munguar nga kjo Qeveri, përkundrazi në momentet e fundit kemi parë edhe lojëra që janë luajtur duke thënë që në një draft- statut tjetër po e bëjmë po e dërgojmë. Ajo ka qenë më shumë për konsum të brendshëm po fatkeqësisht ka pasur një kundër veprim edhe tek aleatët tanë të cilët sa i kanë acaruar me një veprim të tillë nëse mund të them dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur asnjë mbështetje që ne të jemi në agjendë në këtë mbledhje dhe aq më pak të kemi vote. Prandaj vlerësoj që qasja e Qeverisë ndaj aleatëve tanë duhet të ndryshojë duhet që ne të  lobojmë dhe të kemi bashkëpunim të tillë që masat t’i heken tanimë për Republikën tonë. Duhet që të punojmë shumë, të lobojmë që të jemi në agjendën e ardhshme të Komitetit të Ministrave dhe të jemi në koordinim të plotë me kërkesat e aleatëve tanë sepse është e vetmja mënyrë se si ne mund të arrijmë që të jemi në agjendë e mbi të gjitha dhe të kemi votën për”, ka thënë ajo.

    Musliu-Shoshi tutje ka thënë se pa i marrë hapat që janë kërkuar dhe pa e dërguar draft- statutin e Acociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ne kemi problem që të kemi një inciativë nga shtetet anëtare që të mbahet mbledhje urgjente. Ajo mendon se janë forcat politike të cilat vendosin se si do të ecet në këtë proces.

    “Në Këshillin e Evropës është Komiteti i Minstrave ai i cili vendos. Komiteti i Ministrave e dimë që mbahet një herë në vit pra mbledhja e rradhës e Komitetit të Minsitrave është në maj të vitit 2025, deri atëherë proceduralisht mundet vetëm nëse thirret ndonjë mbledhje e jashtëzakonshme apo urgjente e një gjë e tillë duhet të merret si inaciativë nga ndonjë shtet anëtar, tu marr parasysh faktin që asnjëherë nga shtetet anëtare të KiE nuk ka shprehur përkrahje për Kosovën. Pa marrë hapa të prekshëm që janë kërkuar, pa e dërguar draft statutin e Acoacionit në Gjykatën Kushtetuese, ne kemi edhe problem që të kemi një inciativë nga shtetet anëtare që të mbahet mbledhje urgjente dhe kjo rrjedhimisht kjo na lë. Me vet faktin që diskutimi i radhës hapat konkret kur mund të merren dhe zhvillimet tjera të brendshme brenda për brenda Republikës sonë dhe politikës na dërgojnë në faktin që mbledhja e rradhës pra Komiteti i Ministrave të vitit 2025 do të jetë koha kur potencialisht edhe ne mund të jemi në agjendë, pra krejt kjo varet nga politikat e brendshme sepse e dimë që deri në maj të vitit 2025 edhe ne do të kemi zgjedhje brenda për Brenda. Pastaj janë forcat politike të cilat do të vendosin se si do të ecet në këtë proces”, ka thënë Musliu-Shoshi për Ekonomia Online.

    Nga ana tjetër deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi është shprehur se kanë qenë shumë optimistë se do të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Sipas saj presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari e kanë dërgu një letër te Dora Bajakonis, ku janë zotuar se do ta implementojnë Asociacionin mirëpo, sipas saj edhe kjo dështoi.

    “Kemi pritur që të anëtarësohemi mirëpo ju e patë që është bërë kusht Asociacioni, për në KiE dhe atë nuk e kanë tregur krerët e shtetit sepse s’ka pasur aspak transparencë sa i përket proceseve integruese. Ndërsa ne e kemi parë që presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari e kanë dërgu një letër te Dora Bajakonis, ku janë zotu se do ta implementojnë Asociacionin sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo u pa që edhe kjo dështoi të gjitha proceset integruese të këtij vendi. Njeriu kryesor që ka dështu është pikërisht, Albin Kurti sepse ju e dini se nuk ka votuar atëherë demarkacionin në vitin 2016 kur është shtyer procesi i liberalizimit të vizave. Nuk e ka votuar Marrëveshjen e Stabiliizm Asociimit e shumë e shumë Marrëveshje tjera. Pastaj e humbi edhe mundësinë e artë që kishim të kalojmë në Këshillin e Evropës. Nuk besoj që do të jetë pikë në rend dite edhe një herë në këtë vit Kosova në KiE, sepse une e di që mbahen ato takime një herë në vit. Nëse këta vetëm e kanë Marrëveshjen që do ta implementojnë Acoacionin për këto ditët në vijim, mirëpo nuk besoj aspak”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.

  • Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, ua propozon datat për zgjedhje: Ta shpërndajmë Kuvendin deri më 29 maj

    Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, ua propozon datat për zgjedhje: Ta shpërndajmë Kuvendin deri më 29 maj

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se sot, u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe ua ka propozuar datat për zgjedhje, 30 qershorin dhe 7 korrikun.

    “Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka thënë se Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

    “Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afatave ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi.

  • Vetëaksident në Pejë, vetura bie në lumë

    Vetëaksident në Pejë, vetura bie në lumë

    Të premten rreth orës 14:50 në fshatin Dubovë të Pejës ka ndodhur një vetëaksident, ku një veturë ka rënë në lumë tek ura e Drinit të Bardhë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Siç bëhet e ditur, në veturë kanë qenë tre persona, ndërsa të njëjtit nuk kanë pësuar lëndime serioze.

    “Rreth orës 14:50, Policia ka marrë informatën për një vetaksident tek ura e Drinit të Bardhë, ku një veturë ka rënë në lumë, në fshatin Dubovë. Në veturë kanë qenë tre persona, të cilët me ndihmën e qytetarëve janë larguar nga vetura dhe nuk kanë pësua lëndime serioze. Të njëjtit me autoambulancë janë dërguar në Spitalin e Pejës”, njoftoi Fadil Gashi.

     

     

     

  • GjND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

    GjND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.

    Gjykata tha se ky urdhër vjen për shkak të “rrezikut të menjëhershëm” me të cilin përballen palestinezët, raporton REL.

    Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.

    Afrika e Jugut po e akuzon Izraelin për gjenocid, ndërsa avokatët e saj kërkuan nga gjykata javën e kaluar të vendosë masa urgjente.

    Ata thanë se sulmet izraelite në Rafah duhen ndalur për të siguruar mbijetesën e popullit palestinez.

    Vendimet e kësaj gjykate e cila është organi më i lartë i OKB-së për mosmarrëveshjet midis shteteve, janë përfundimtare dhe detyruese, por janë injoruar në të kaluarën.

    Izraeli vazhdimisht i ka kundërshtuar akuzat për gjenocid, ajo ato i ka cilësuar si të pabaza.

    Shteti i cili po akuzohet për vrasjen e civilëve, ka thënë në gjykatë se operacionet në Gaza janë vetëmbrojtje, dhe sipas saj synojnë militantët e organizatës Hamas, të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar.

    Një zëdhënës i qeverisë izraelite, tha dje se “asnjë fuqi në tokë nuk mund ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët e saj dhe të ndjekë Hamasin në Gaza”.

  • Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu deklarohen të pafajshëm

    Të pafajshëm janë deklaruar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Gjatë seancës të së premtes, Krivaqa para trupit gjykues deklaroi se “Jo nuk e pranoj fajësinë, nuk e pranoj akuzën e prokurorit”.

    Derisa të njëjtën përgjigje pati edhe i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu. “Jo”, tha shkurt ai.

    Gjykata Themelore e Ferizajt, më 4 gusht 2023, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit.

    Ndërsa, Arbër Sejdiun e kishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.