Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka bërë të ditur se SHBA-ja ka ndarë më shumë se 1.5 miliard dollarë ndihmë pjesërisht për sektorin energjetik të Ukrainës dhe situatën humanitare si rezultat i pushtimit 27-mujor të Ukrainës nga Rusia.
Njoftimi u bë pasi Harris mori pjesë në një samit të paqes në Ukrainë në Luzern, Zvicër, ku ajo do të takoheh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Shuma prej 1.5 miliard dollarësh përfshin 500 milionë dollarë fonde të reja për ndihmën e energjisë dhe ridrejtimin e 324 milionë dollarëve në fondet e shpallura më parë drejt riparimit emergjent të infrastrukturës energjetike dhe nevojave të tjera në Ukrainë.
Departamenti amerikan i Shtetit është deklaruar sërish në lidhje me qëndrimet e tyre për raportin në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për Reporterin, DASh-i ka vlerësuar se e ardhmja e dy vendeve është në institucionet evropiane. Tutje, amerikanët besojnë se dialogu është e vetmja rrugë.
“E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane, normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara” – ka theksuar DASh.
Presidentja Vjosa Osmani është paraqitur live nga Zvicra ku ka folur për Samitin për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok.
Ajo ka thënë se Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleat.
Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.
“Është me rëndësi që të qëndrojmë bashkë si aleatë, të mbrojmë parimet si në vitet e 90-ta në Kosovë”, ka thënë presidentja përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo ka treguar edhe çka do të flitet në Samit.
“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”.
“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën, ka takuar homologun e saj malazez, Jakov Milatović, raporton Ekonomia Online.
Osmani ka thënë se me presidentin e Malit të Zi, ka diskutuar për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes.
“Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dhënë mesazh urimi, teksa nuk ka lënë pa uruar edhe për Ditën e Çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emër timin ju uroj këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit. Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj”, uroi Tërnava.
Ai tha se festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.
“Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë e në familjet tona me gëzime e hare, e me një gjuhë falënderuese, duke u përhapur në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në ditën më të vlefshme të vitit, në këtë ditë të bekuar të Arafatit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh., njëherit, të dashur qytetarë, ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”, ka thënë ai.
Tërnava ka bërë lutje për paqe në krejt botën, me theks të veçantë në Palestinë e Ukrainë.
Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë. Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë. Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithherë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore. Le të mbetet kjo festë simbol i sakrificës, shërbimit dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm, me thirrjen për qytetarët që të frymëzohen nga kuptimet e unitetit, dashurisë dhe paqes, e larg urrejtjes e përçarjeve”, u shpreh ai.
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një burrë tjetër.
Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Rr. Sadri Kelmendi , Pejë 14.06.2024-16:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Pejës. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.
Po mbushen 14 vjet që nga vdekja e njërës ndër figurave më të lartësuara të aktrimit shqiptar, Bekim Fehmiut.
Pas vetes ai la vepra të pashlyera, si në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare.
Fehmiu arriti kulmin e tij me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.
Disa nga rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shaw, Dirk Bogarde e Irene Papas.
Një burrë në Jabllanicë ka raportuar në Polici se gruaja me vajzën e tyre janë larguar dhe nuk e di ku gjenden.
Policia e ka iniciuar si “person i zhdukur” rastin dhe ka nisur hetim.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se dy viktimat bashkëshortja me vajzën e tyre janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre. Rasti nen hetime”, thuhet në raportin e PK-së.
Princesha e Uellsit, Kate Middleton, njoftoi të premten se po bën përparim të mirë me kurën ndaj kancerit dhe se do të marrë pjesë të shtunën në paradën ceremoniale për nder të ditëlindjes së mbretit Charles III. Kjo është hera e parë që princesha Kate shfaqet në publik që kur u mësua diagnoza e saj.
Bashkëshortja 42-vjeçare e princit William nuk është shfaqur në publik gjatë këtij viti. Ajo njoftoi më herët në muajin mars se po bënte kimio-terapi për një lloj kanceri, për të cilin nuk dha detaje.
“Po bëj përparim të mirë, por siç mund ta dijë çdokush që ka bërë kimioterapi, ka ditë të mira dhe ditë të këqija”, tha princesha Kate nëpërmjet një deklarate të premten, duke shtuar se i kanë mbetur edhe “disa muaj të tjerë” kurimi.
“Pres me padurim të ndjek paradën për ditëlindjen e mbretit këtë fundjavë me familjen time dhe shpresoj se do të jem edhe në disa aktivitete publike gjatë verës, por gjithnjë duke e ditur se nuk e kam kaluar ende rrezikun”, tha princesha Kate.
Ky njoftim është një moment i rëndësishëm, megjithëse nuk parashikon një rikthim të plotë të princeshës Kate tek funksionet e saj publike. Pallati mbretëror qarkulloi një fotografi të princeshës Kate, të marrë më herët këtë javë në pallatin Windsor, ndërsa ajo qëndron pranë një peme, me veshje të thjeshtë, xhinse dhe xhaketë.
Pallati mbretëror tha se mbreti e priti me kënaqësi lajmin për pjesëmarrjen e princeshës. Parada për ditëlindjen e mbretit mbahet çdo vit në muajin qershor. Mbreti Charles, i cili gjithashtu po kurohet për një lloj kanceri për të cilin nuk dihen detaje, pritet të mbikëqyrë ceremoninë, gjatë së cilës forcat ushtarake parakalojnë me veshje ceremoniale dhe flamuj.
Princesha Kate pritet të udhëtojë me një karrocë me kuaj nga Pallati Buckingham së bashku me fëmijët: princin George, 10 vjeç; princeshën Charlotte, 9 vjeç; si dhe princin Louis, 6 vjeç. Ajo mund të marrë pjesë edhe tek shfaqja tradicionale e anëtarëve të familjes mbretërore në ballkonin e pallatit Buckingham. /VOA/
Edhe pse Kosova ka kushte klimatike për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore, sasinë më të madhe të tyre e importon.
Domatet, specat, patatet e mollët – ndër më të konsumuarat gjatë stinës së verës – shumica vijnë nga jashtë.
“Për të gjitha këto, kushtet në Kosovë – qofshin klimatike, qofshin tokësore – janë të favorshme”, thotë profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, për Radion Evropa e Lirë.
Por, tregu është i orientuar nga importi, për shkak të migrimit të qytetarëve nga zonat rurale, si dhe mungesës së interesimit për t’i punuar tokat, sipas tij.
Vendet nga ku importon Kosova, përfshijnë ato të rajonit, të Bashkimit Evropian dhe Turqinë.
Të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2023.
Kur krahasohen të dhënat për domaten në pesë vjetët e fundit, del se importi i saj ka pasur vlerën më të lartë në vitin 2023 – afro 12 milionë euro.
Vlera e importit të specave në vitet 2023 dhe 2022 ishte e ngjashme – mbi pesë milionë euro, ndërsa vlera më e lartë e eksportit ishte vitin e kaluar.
Me patate, ndërkaq, eksporti e kaloi importin vetëm në vitin 2020, ndërsa vlera e importit mbeti e njëjtë në dy vjetët e kaluar – mbi 3 milionë euro.
Kur krahasohen të dhënat e dy vjetëve të fundit për mollë, del se importi i tyre ka shënuar rritje për më shumë se dy milionë euro në vitin 2023. Eksporti, ndërkaq, ka mbetur në disa mijëra euro.
Përveç këtyre, Kosova importon sasi të mëdha edhe të qepës, lakrës, spinaqit, ashtu si edhe të kumbullave, mjedrave, dardhave e të tjera.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.
Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.