ATV

Author: G.O.

  • Masat e BE-së ndaj Kosovës, sot diskutohet raporti i Borrellit

    Masat e BE-së ndaj Kosovës, sot diskutohet raporti i Borrellit

    Në takimin e sotëm të Komitetit për Politikë dhe Siguri, do të bisedohet edhe për raportin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, për masat e BE-së ndaj Kosovës, për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, një vit më parë.

    Kështu bëri të ditur dje emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    “Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit”, tha Lajçak.

    “E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen. Kryeministri Kurti nuk është brenda vendit, për këtë s’kemi pasur takim”, deklaroi Lajçak.

    Ai qëndroi dje për vizitë në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin diskutuan së bashku rifokusimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Pas përfundimit të takimit, Lajçak tha se u fol për mundësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, ka konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

  • Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Josep Borrellin dhe cili është raporti i saj me Kosovën?

    Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Josep Borrellin dhe cili është raporti i saj me Kosovën?

    Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës, dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

    Këto janë vetëm disa prej pikave të forta për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

    Sa i përket Kosovës, ajo është takuar disa herë me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ka thënë se mbështet synimet euro-atlantike të këtij shteti.

    Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Evropian në legjislaturën e re të bllokut evropian.

    Aktualisht këtë pozitë e mban Josep Borrell.

    Liderët e BE-së janë takuar më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të bllokut, por nuk kanë arritur pajtueshmëri.

    Ky ka qenë takimi i tyre i parë pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Evropian më 6-9 qershor.

    Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat.

    Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane – që ka fituar më së shumti vota – ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.

    Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa për pozitën e shefit të Këshillit Evropian, shkruan REL.

    E kërkuar në Rusi

    Qëndrimi i ashpër ndaj politikave të Rusisë mund të jetë njëra prej dilemave nëse Kallas do të mund të bëhet kryediplomate e BE-së, duke marrë parasysh qëndrimet e disa liderëve evropianë ndaj Moskës, edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, thuhet në një material të agjencisë Reuters.

    Shembull, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban vazhdon të kultivojë marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Për dallim prej Orbanit, Kallas e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit.

    Emri i saj është në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse për, siç është thënë, shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.

    Estonia, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, kanë rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

    E lindur në Tallin, ajo është stërmbesa e shefit të parë të Policisë së Estonisë, pas daljes së vendit nga Perandoria Ruse kur ka përfunduar Lufta e Parë Botërore, por që është zhytur më pas në Bashkimin Sovjetik, më 1940.

    Nëna e Kallasit i ka pasur vetëm gjashtë muaj kur familja e saj është detyruar të zhvendoset me forcë në Siberi, më 1949, bashkë me 20.000 estonezë tjerë.

    “Rusia nuk ka ndryshuar”, ka thënë ajo vitin e kaluar, sipas raportimeve të Reutersit, kur e ka shënuar përvjetorin e ekzilit të nënës së saj.

    “Ky djall jeton ende në Rusi”.

    Kosova dhe Estonia – “të kaluar të ngjashme historike”

    Kryeministrja Kallas është takuar vjetëve të fundit edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe me kryeministrin, Albin Kurtin.

    Pas takimit me Osmanin, më 2021, Kallas pati thënë se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” – referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.

    Ajo e ka përmendur në atë takim edhe nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

  • Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi”

    Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi”

    Ish-eurodeputetja, Doris Pack do të dekorohet me çmimin “Qytetare Nderi” e Komunës së Podujevës.

    Sipas njoftimit, ceremonia do të mbahet në Teatrin “Avdush Hasani”, duke filluar nga ora 10:00.

    Përndryshe, ndihma e saj gjatë dhe pas luftës për Kosovën dhe popullin e saj, janë arsyeja pse dje Komuna e Podujevës ka emërtuar një rrugë në qytet me emrin e ish-eurodeputetës, Doris Pack.

    Ish-eurodeputetja, Pack, e cila ndjehej krenare për këtë ngjarje, ka thënë se do të ketë kontakte me kolegët e saj në Parlamentin Evropian për ta ndihmuar popullin e Kosovës.

    Sipas saj, Kosova meriton të jetë anëtar i Këshillit të Evropës dhe shpreson se do të ndodhë së shpejti.

  • Sot parashihen temperatura të larta

    Sot parashihen temperatura të larta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-34 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s. Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16h mundësisht mos t’iu ekspozoheni rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë”, thuhet në njoftim.

  • Ushqimet që mjekët rekomandojnë t’i hani në mëngjes

    Ushqimet që mjekët rekomandojnë t’i hani në mëngjes

    Përkundër asaj që mund të keni dëgjuar, ngrënia e mëngjesit nuk është e nevojshme për të gjithë.

    Në fakt, shmangia e ngrënies së vaktit të mëngjesit mund të jetë më e mirë se të konsumohen ushqime të shpejta në këtë periudhë, transmeton lajmi.net.

    Megjithatë, një mëngjes ushqimor, i balancuar mund t’ju japë energji dhe t’ua ndërpres oreksin e madh gjatë pjesës tjetër të ditës.

    Sido që të jetë, më poshtë mund të gjeni 12 ushqimet më të mira që mund të hani në mëngjes, të rekomanduara nga vetë mjekët.

    – Vezët

    – Kosi grek

    – Kafeja

    -Bollguri

    -Farat “Chia”

    – Boronicë

    – Arra

    – Çaji i gjelbër

    – “Shake protein”

    – Frutat

    – Farat e lirit

    – Gjiza.

  • Prokuroria merr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

    Prokuroria merr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj profesorit, Xhevat Krasniqi.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal ndaj çështjes në fjalë. Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xh. K. Kjo çështje penale është duke u trajtuar në pajtim me dispozitat ligjore të KPPRK-së”, tha Ulaj.

    Xhevat Krasniqi është pezulluar nga puna më 23 prill pasi ishte denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

  • Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës

    Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, ka konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

    Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

    Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

    Megjithatë, nuk dihet nëse Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave.

    Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

    Megjithatë, në atë takim nuk pritet të merret një vendim se si të veprohet për masat.

    Dorëzimi i këtij raporti, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk do të thotë se masat hiqen menjëherë.

    Ky raport vetëm do t’iu shërbejë vendeve anëtare për ta rikthyer këtë çështje në agjendë dhe për të filluar shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave në të ardhmen.

    Ndonëse ka kaluar një vit, pak dihet se kush saktësisht është prekur prej këtyre masave.

    Zyrtarët kanë thënë publikisht se janë pezulluar takimet mes zyrtarëve evropianë dhe atyre të Kosovës, janë pezulluar disa takime në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit dhe janë pezulluar dhe janë ndaluar prokurimet e reja të projekteve që burojnë nga IPA 2023 [Instrumentet e Para-Anëtarësimit], dhe nuk kanë filluar diskutimet për IPA 2024.

    Zyrtarë të BE-së kanë diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrell-it.

    Dorëzimi i raportit është shtyrë disa herë.

    Si njëra prej arsyeve për shtyrje është përmendur aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit për mbyllje të degëve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, por edhe kundërshtimet e ndryshme të disa zyrtarëve të Komisionit Evropian.

    Disa burime diplomatike i patën thënë Radios Evropa e Lirë atë muaj se shumica e vendeve të bllokut kanë qenë në favor të heqjes së masave kufizuese për Kosovën.

    Dallimi i vetëm mes vendeve anëtare ka qenë nëse masat duhet të hiqen menjëherë apo gradualisht./REL

  • Izraeli ia heq vizat Kosovës, Gërvalla e Arbel nënshkruajnë marrëveshjen

    Izraeli ia heq vizat Kosovës, Gërvalla e Arbel nënshkruajnë marrëveshjen

    Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët, raporton Ekonomia Online.

    Kjo marrëveshje u nënshkrua të martën ndërmjet ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel.

    Më herët gjatë ditës, Arbel është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.

    Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, nën drejtimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

    Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.

    Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës.

  • Lajçaku në Kosovë, takohet me zëvendëskryeministrin Bislimi

    Lajçaku në Kosovë, takohet me zëvendëskryeministrin Bislimi

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të takohet në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se takimi do të nisë në orën 18:00.

    Lajçak së fundmi është takuar me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilin tha se kanë diskutuar për çështjen e dialogut. Siç ka njoftuar Lajçaku, ata janë takuar në Athinë.

    Një ditë më parë, Lajçaku u shpreh se momentumi i ri për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian “nuk duhet humbur”.

  • Osmani publikon album me fotografi nga Samiti i Paqes për Ukrainën në Zvicër

    Osmani publikon album me fotografi nga Samiti i Paqes për Ukrainën në Zvicër

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka publikuar fotografi nga takimi në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, raporton Ekonomia Online.

    Në faqen zyrtare në Facebook, Osmani, ka shkruar se ka publikuar një album me fotografi nga atje.

    Në postim, presidentja shihet me shumë figura politike nga shumë shtete të botës.

    “Foto album – – Samiti i Paqes për Ukrainën në Zvicër”, shkruan presidentja.