ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet në njoftim.

  • Mark Rutte në krye të NATO-s, Haradinaj: Shpresojmë në mbështetjen e tij për anëtarësim në NATO

    Mark Rutte në krye të NATO-s, Haradinaj: Shpresojmë në mbështetjen e tij për anëtarësim në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për zgjedhjen e Mark Rutte në krye të NATO-s.

    Haradinaj ka thënë se përvoja e tij e gjatë politike e diplomatike, është garancë për nië udhëheqje të suksesshme të Aleancës së NATO-s.

    “Zgjedhja e Mark Rutte në krye të Aleancës së NATO-s, është një lajm i jashtëzakonshëm. Përvoja e tij e gjatë politike e diplomatike, është garancë për nië udhëheqje të suksesshme të Aleancës së NATO-s. Duke qenë kryeministër i Holandës, Rutte ka qenë një prej mbështetësve të mëdhenj të proceseve demokratike në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Sekretari i ri do të jetë zë i fuqishëm në mbështetjen e Kosovës për anëtarësimin në NATO.

    “Shpresojmë se ai do të jetë një zë i fuqishëm në mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në NATO, që është synim i palëkundur i yni. Falënderime pafund Sekretarit aktual të NATO-s, Stoltenberg si dhe urimet më të mira pasuesit të tij, Mark Rutte!”, është shprehur Haradinaj.

  • Melinda Ademi ndryshon stilin e flokëve – mahnit me transformimin

    Melinda Ademi ndryshon stilin e flokëve – mahnit me transformimin

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Melinda Ademi, po shijon sukseset e projekteve të reja.

    Ajo po vazhdon të jetë në top, me këngë që grumbullojnë miliona, për vetëm një kohë të shkurtër.

    Derisa po vazhdon përgatitjet për një këngë të re, ajo ka vendosur të bëjë një ndryshim në dukje.

    Artistja ka zgjedhur të ndërrojë stilin e flokëve, ku vjen me një përzierje shumë interesante.

    Bukuroshja transformimin e ka ndarë me ndjekësit në rrjete sociale, gjegjësisht në InstaStory.

    Megjithatë, reperja i ka qëndruar besnike stilit të saj të flokëve që nga fillimi, duke mos zgjedhur shpesh që të bëjë ndryshime.

    Ajo tani ka paralajmëruar një tjetër këngë solo që lansohet së shpejti. /Telegrafi/

     

  • Dafina Zeqiri ndan momente të lumtura me të dashurin nga Italia

    Dafina Zeqiri ndan momente të lumtura me të dashurin nga Italia

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, po shijon një lidhje dashurie prej shumë kohësh.

    Ajo dhe Kreshnik Gjergji janë një nga çiftet më të pëlqyera në estradë, të cilët fliten për çdo detaj.

    Ata së fundmi ndodhen në Itali, ku edhe nuk kanë munguar me disa fotografi krah njëri-tjetrit.

    Ka qenë këngëtarja që ka ndarë së fundmi disa momente të tyre të lumtura, e që marrin vëmendje edhe me dukjen elegante.

    Artistja e njohur ka zgjedhur një fustan të zi transparent, kurse i dashuri i saj një kostum të ngjashëm.

    Dyshja këto ditë aluduan sërish se mund të jenë në pritje të një fëmije së bashku.

    Të njëjtit do të martohen së shpejti në një ceremoni me miqtë e familjen. /Telegrafi/

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by DAFINË MOJ (@dafina.zeqiri)

  • Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Bashkimi Evropian në faqen zyrtare ka publikuar orare tjera të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Takimet, që fillimisht ishin planifikuar për orën 15:00, do të nisin nga ora 16:30.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.

    Kryeministri Kurti tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.

    “Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.

    BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.

  • Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Katër zjarre në ambiente të jashtme dhe disa ndërhyrje të lehta ka regjistruar në 24 orët e fundit Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) në Maqedoninë e Veriut.

    Prej atje njoftojnë se përmes numrit të vetëm të emergjencës 112 janë marrë njoftime për dëme të shkaktuara nga stuhia që ka përfshirë rajonin Shën Nikollës dhe Negotinës.

    Në 24 orët e kaluara ka pasur zjarre përballë kazermës së Prilepit ku digjej bimësi e ulët, në Strumicë, në Valandovë dhe në disa vende tjera ku është djegur bimësi e ulët.

    Stuhia që ka goditur dje rajonin e Shën Nikollës ka shkaktuar dëme sidomos në afërsi të fshatit Kadrifakovë.

    QMK njoftoi se kishte marrë raporte për dëme. Në vendngjarje janë dërguar ekipe të policisë, Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtje dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistare dhe Rajonale, zjarrfikëset nga NJTKZ Shën Nikollë si dhe nga QKM, ndërsa pasojat e stuhisë janë sanuar.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ashtu që ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Lajmin e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Betimi për Drejtësi.

    Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.

    Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    E vetë Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të mërkurën se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

    “Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar dhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, tha Zyra serbe në një njoftim.

    Ajo tha se vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

    Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk kanë dhanë ndonjë njoftim.

    Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

    Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

    Zyra serbe e akuzoi Kurtin se me ndalimin e Petkoviqit “deshi të tregonte se nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, në ditën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ndodhen në Bruksel për një takim të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

    Vitin e kaluar, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

    Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhej se komuniteti serb në Kosovë ishte “i ekspozuar ndaj dhunës”.

    Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestani, pasi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosën ta mbajnë atë në Manastirin e Graçanicës për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

    Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

    Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL/

     

     

  • Presidentja Osmani uron Rutten: Urime mikut tonë të dashur, mezi pres të punojmë së bashku

    Presidentja Osmani uron Rutten: Urime mikut tonë të dashur, mezi pres të punojmë së bashku

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Mark Rutten për emërimin e tij në krye të NATO-s.

    Osmani e ka cilësuar Rutten si mik të dashur të Kosovës, ndërsa tha se lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën.

    “Urime mikut tonë të dashur Mark Rutte që u emërua si sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Përvoja, lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën!”, shkroi Osmani.

    Ajo shtoi se gjatë viteve kanë punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe se nuk ka dyshim se bashkëpunimi i fortë do të vazhdojë derisa ai të marrë këtë përgjegjësi të re.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë kontinentin tonë dhe më gjerë”, shkroi Osmani në “X”.

  • Stoltenberg me lëvdata për Rutten: Po e lë NATO-n në duar të mira

    Stoltenberg me lëvdata për Rutten: Po e lë NATO-n në duar të mira

    Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka lavdëruar pasardhësin e tij në krye të Aleancës, Mark Rutte.

    “Marku është një transatlanticist i vërtetë, një lider i fortë dhe një ndërtues i konsensusit. I uroj atij çdo sukses ndërsa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n. E di që po e lë NATO-n në duar të mira”, tha ai, raporton The Guardian.

    Mark Rutte, kryeministri holandez në largim, është zgjedhur zyrtarisht si sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s.

    Aleanca ushtarake tha në një deklaratë se “Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s, duke pasuar Jens Stoltenberg”.

    “Z. Rutte do të marrë funksionet e tij si Sekretar i Përgjithshëm nga 1 tetori 2024, kur mandati i Stoltenberg përfundon pas dhjetë vjetësh në krye të Aleancës”, u tha në njoftim.