ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet instruktori i një autoshkolle në Pejë, pranoi 500 euro për kryerjen e testit

    Arrestohet instruktori i një autoshkolle në Pejë, pranoi 500 euro për kryerjen e testit

    Është arrestuar një person në Pejë, pasi që është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person, për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë-shofer.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se personi i dyshuar i moshës 56-vjeçar është arrestuar gjatë ditës së djeshme, raporton Ekonomia Online.

    Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale.

    Ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Iranianët votojnë për president të ri

    Iranianët votojnë për president të ri

    Qytetarët iranianë kanë filluar votimin të premten herët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit para më shumë së një muaji.

    Kandidatët, përfshirë një reformist të vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.

    Fituesi mund të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të shkuar, Ayatollah Ali Khamenei, në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës dhe ekonomisë së dobët.

    Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve. Dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili, dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf. Si dhe reformisti Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 më fuqitë botërore.

    Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.

    Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

    Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.

    Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.

    Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.

    “Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./REL/

  • Sot shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

    Sot shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

    Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot aktgjykimin për rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit.

    Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

    Të akuzuar janë Nedelko Spasojeviq, ish-polic; Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut; Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit; Dragisha Markoviq, ish-polic, dhe Zharko Jovanoviq, ish-polic.

    Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm dhe, gjithashtu, janë mbrojtur në liri.

    Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

    Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

    Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.

    Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.

    Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

    Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

    Përndryshe, Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë.

    Ai ka dhënë dorëheqje nga partia në shtator të vitit 2023, kur ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

    Në këtë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Vrasësi dhe organizatori nuk dihen

    Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të bëhet pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

    Në vitin 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para është ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti është ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.

    Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.

    Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

    Disa media në Kosovë e kanë identifikuar atë si Millan Mihajlloviq nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili, pas disa muajsh në paraburgim, ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

    Vëllai i Oliverit, Mirosllav Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së tij, se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes do të mund të gjejnë qetësi vetëm kur të gjenden vrasësi dhe organizatori dhe të ndëshkohen.

    Deri ku ka arritur procesi në Serbi?

    Serbia ka nisur hetime të veçanta në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018.

    Më shumë se gjashtë vjet më vonë, procesi është ende në “fazën para-hetimore”.

    Zyrtarë të lartë serbë, përfshirë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë shpesh në publik se e dinë se kush e ka vratë Ivanoviqin dhe kanë dalë në mbrojtje të Radoiçiqit.

    Në qershor të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Bratisllav Gashiq, aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka thënë se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe po e kërkon atë person nga autoritetet gjermane, “nën mbrojtjen e të cilave është”.

    Gashiq ka qenë, gjithashtu, kreu i Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA).

    Pasi Gjermania ka mohuar se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiq ka thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar, përkatësisht është transmetuar pa pikëpyetjen, që do t’i kishte dhënë kuptim tjetër.

    Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiq ka thënë se shërbimet serbe, prej muajsh, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që mund të kenë pasur motiv për vrasjen dhe mund të kenë qenë të përfshirë.

    Në mes të vitit 2019, ai ka deklaruar se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”. Duke iu drejtuar publikut, ai ka thënë se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.

    Oliver Ivanoviq ka qenë udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria Demokraci, Drejtësia” kur është vrarë.

    Në fillim të vitit 2014, ai ka qenë edhe një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur është ndaluar nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

    Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës ka urdhëruar një rigjykim të Ivanoviqit, pasi, në vitin 2016, është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte kundër civilëve të Kosovës, në vitet 1999 dhe 2000.

    Rigjykimi ka filluar më 24 mars të vitit 2017 dhe, më 21 prill, atij i është hequr arresti shtëpiak dhe i është lejuar të mbrohej në liri./Radio Evropa e Lirë

  • Qeveria sot pritet të marrë vendim për ndalimin e “Tik-Tok-ut” në të gjitha institucionet publike

    Qeveria sot pritet të marrë vendim për ndalimin e “Tik-Tok-ut” në të gjitha institucionet publike

    Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Në mbledhjen e sotme e cila pritet të fillojë në ora 14:00, në rend dite janë dhjetë pika.

    Ndër të tjera në mbledhjen e sotme të ekzekutivit do të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të Rrjetit Social “Tik Tok” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës.

    Në mbledhjen e sotme po ashtu do të bëhet shqyrtimi i Drafti i Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 dhe Planin e Veprimit 2024-2026, shqyrtimi i Drafti i Strategjisë së Punësimit në Kosovë 2024-2028 dhe Planit të Veprimit 2024- 2025 dhe shqyrtimi i Draftit të Strategjisë së Turizmit të Republikës së Kosovës 2024-2030 dhe Plani e Veprimit 2024-2026.

  • Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Byronë, IKD: Një nga dështimet e radhës së Qeverisë në reformën për drejtësi

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Byronë, IKD: Një nga dështimet e radhës së Qeverisë në reformën për drejtësi

    Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që shpall të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e kanë konsideruar si dështim të radhë të qeverisë aktuale sa i përket reformës në drejtësi, raporton Ekonomia Online.

    Hulumtuesi i lartë në IKD, Lavdim Makshana, ka thënë për Ekonomia Online se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se ligji në fjalë është në kundërshtim me parimet dhe vetë Kushtetutën.

    Ai ka theksuar se me konstatimin e katër neneve, ligji është rrëzuar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese.

    “Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë vendimin që ky ligj është në kundërshtim me parimet dhe vetë Kushtetutën, janë kontestuar katër nenet e këtij ligji përkatësisht është kontestuar fushëveprimi i këtij ligji, është kontestuar përbërja e Byrosë, është kontestuar periudha e verifikimit si dhe është kontestuar çështja e shqyrtimit në shkallë të parë. Të gjitha këto, në njëfarë mënyrë, Gjykata Kushtetuese, ka gjetur se këto nene të ligjit, nuk janë në harmoni me vetë kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Makshana për EO.

    “Meqenëse janë kontestuar katër nene, ligji është rrëzuar në tërësi nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se këto katër nene janë thelbësore për tërësinë e ligjit, pra pa këto nene ligji nuk mund të qëndrojë dhe në njëfarë mënyrë përbëjnë pjesën kryesore të ligjit për Byronë dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar në tërësi ligjin për Byronë, pra është një nga dështimet e radhës të qeverisë sa i përket edhe reformës në drejtësi”, ka thënë Makshana për EO

    Ai ka thënë se një nga premtimet kryesore elektorale të kësaj qeveri që ka qenë reforma në drejtësi ka dështuar, sipas tij, jo vetëm për shkak të ligjit në fjalë por edhe ligjeve tjera.

    “Një nga premtimet më kryesore elektorale ka dështuar dhe nuk është arritur të bëhet ajo reforma në drejtësi, jo vetëm për shkak të këtij ligji por edhe shumë ligjeve tjera duke filluar nga ligji për Këshillin Prokurorial, ligjet që kanë të bëjnë me Vettingun që ende nuk e kemi, pra nuk janë votuar amandamentet kushtetuese e as ligji nuk është as në finalizim”, ka thënë ai.

  • Përballja Biden – Trump: Kritikojnë ashpër njëri-tjetrin në debatin presidencial në Atlanta

    Përballja Biden – Trump: Kritikojnë ashpër njëri-tjetrin në debatin presidencial në Atlanta

    Presidenti demokrat, Joe Biden dhe rivali i tij republikan, Donald Trump kritikuan ashpër njëri-tjetrin për çështjen e ekonomisë, abortin, imigracionin dhe politikën e jashtme gjatë mandateve të tyre në debatin e të enjtes, duke u dhënë votuesve një mundësi për të parë në debat kandidatët më të moshuar presidencialë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

    Biden është 81 vjeç, ndërsa ish presidenti Trump 78 vjeç.

    Biden fliste me zë të ngjirur dhe ngatërroi fjalët në disa raste gjatë debatit, ndërsa Trump e goditi atë me kritika të njëpasnjëshme, që përfshinin disa gjëra të pavërteta që i ka thënë shpesh, duke përfshirë pretendimet se emigrantët kanë sjellë një valë krimi dhe se demokratët mbështesin vrasjen e foshnjave.

    Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti Biden ishte me grip.

    Vështrimi i plotë i publikuar nga VOA:

    Ekonomia

    Joe Biden dhe Donald Trump bënë një numër gabimesh faktike në fillim të debatit të enjten në Atlanta.

    Presidenti Biden e filloi debatin me një gafë, duke pretenduar se kishte krijuar 15,000 vende pune. Numri i saktë është më shumë se 15 milionë vende të reja pune gjatë mandatit të tij, një nënvlerësim dramatik nga një kandidat, që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve në aftësitë e tij për të udhëhequr ekonominë e vendit.

    Biden tha gjithashtu se “një dozë e insulinës kushton 15 dollarë tani, në krahasim me 400 dollarë.” Por kostoja e insulinës për amerikanët e moshuar, të cilët janë pjesë e programit të sigurimeve shëndetësore të qeverisë, është ulur në 35 dollarë bazuar në ligjin e pakësimit të inflacionit, të cilin Presidenti Biden e nënshkroi në vitin 2022. Kjo ulje e kostos së ilaçit të insulinës hyri në fuqi në vitin 2023, duke detyruar shumicën e kompanive të sigurimeve shëndetësore që ta ulin në 35 dollarë koston e ilaçit.

    Trump tha se ekonomia amerikane ishte gati të fillonte të paguante borxhin e saj kombëtar përpara pandemisë së Covid-19. Por, deficiti buxhetor po rritej gjatë mandatit të Trump, sepse shkurtimi i taksave në vitin 2017, një ligj që e ka mbështetur ai, nuk ka ndihmuar në uljen e deficitit ashtu siç kishte premtuar ai. Trump trashëgoi një deficit buxhetor prej 585 miliardë dollarësh dhe ai u rrit në 984 miliardë dollarë në 2019, duke shënuar një rritje prej mbi 3 trilionë dollarësh vetëm në 2020 pas fillimit të pandemisë, sipas Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti Biden nga mesi i debatit filloi të përqendrohej në sulmet ndaj zotit Trump duke përmendur gjyqin në Nju Jork, në të cilin zoti Trump u shpall fajtor për fshehjen e pagesave për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniel për të mbajtur të fshehur një marrëdhënie seksuale me të. Presidenti Biden e quajti rivalin e tij republikan “një njeri të shpallur fajtor për një krim”.

    Ish Presidenti Trump u përgjigj duke përmendur gjyqin ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, në të cilin ai u shpall fajtor për akuzën se ka gënjyer në një formular për blerjen e një arme mbi historinë e përdorimit të drogës.

    I pyetur për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 nga një turmë e mbështetësve të tij, ish-presidenti Trump u përgjigj duke thënë se ai nuk ishte përgjegjës për protestën në Kapitol dhe pretendoi se shumë nga të arrestuarit ishin të pafajshëm.

    “Ky është presidenti më i keq në historinë amerikane. Ky njeri nuk e kupton demokracinë amerikane”, tha Presidenti Biden në përgjigje të këtyre komenteve të rivalit të tij republikan.

    Ish-presidenti Donald Trump u ankua se emigrantët që po hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme po strehohen në “hotele luksoze” ndërsa veteranët e ushtrisë sonë janë në rrugë.

    Siç pritej, ai u përqendrua shumë në çështjen e krimeve të emigrantëve. Ai tha gjithashtu se emigrantët po vijnë në Shtetet e Bashkuara nga “institucionet mendore” dhe “azilet”. Ai nuk ka dhënë prova për këtë pretendim, të cilin e ka bërë shpesh në tubimet elektorale.

    Lufta Rusi-Ukrainë

    “Ne jemi si një vend i pazhvilluar dhe kjo është e turpshme”, tha zoti Trump në debatin televiziv në selinë e kanalit CNN në Atlanta.

    “Ne nuk respektohemi më”, tha zoti Trump, duke fajësuar për këtë Presidentin Biden. “Ata mendojnë se ne jemi budallenj.”

    Gjatë debatit, zoti Biden dhe zoti Trump ishin dakord në kundërshtimin e kushteve të presidentit rus Vladimir Putin mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Por, zoti Trump përsëriti pretendimet e tij se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të kishte qenë president.

    “Nëse do të kishim një president të vërtetë, një president që respektohej nga Putini, ai nuk do ta kishte sulmuar kurrë Ukrainën”, tha zotin Trump.

    Ai kritikoi gjithashtu Presidentin Biden për ndihmat e mëdha që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit.

    “Vazhdoni, lëreni Putinin të hyjë në Ukrainë dhe pastaj në Poloni dhe vende të tjera. Shihni se çfarë ndodh atëherë. Ai nuk e ka idenë se çfarë po thotë”, tha Presidenti Biden për zotin Trump.

    Zoti Biden tha se zoti Trump do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO dhe do të rrezikonte një luftë në zgjerim. Dhe për udhëheqësin rus, Presidenti Biden tha: “Fakti është se Putini është një kriminel lufte”.

    Lufta Izrael-Hamas

    Një nga temat e politikës së jashtme në debat ishte edhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

    Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden për mënyrën se si e ka trajtuar luftën në Rripin e Gazës, duke thënë se zoti Biden “është bërë si një palestinez” për shkak të kërkesës së Presidentit Biden që Izraeli të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Gaza. Zoti Trump ka kritikuar gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë në një intervistë në prill se ai duhet të kishte parandaluar sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

    Presidenti Biden i hodhi poshtë kritikat se administrata e tij ka zvarritur dërgimin e disa llojeve të armëve në Izrael. “Ne po i ofrojmë Izraelit të gjitha armët që i nevojiten”, tha ai. Presidenti Biden gjithashtu përmendi propozimin e tij me tre faza për arritjen e një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, duke fajësuar grupin militant palestinez për mungesën e një marrëveshje armëpushimi.

    Zoti Trump e kundërshtoi këtë vlerësim duke thënë se “Izraeli është ai që e ka kundërshtuar propozimin. Dhe ju duhet t’i lini izraelitët të mbarojnë punën”, tha ai.

    Izraeli filloi një ofensivë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u morën peng 250 të tjerë.

    Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 37600 njerëz. Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në raportet e saj mbi numrin e viktimave.

    Debati ishte një shans për të dy kandidatët që të flisnin për planet dhe vizionin e tyre për vendin dhe të bindin votuesit e pavendosur.

    Në Atlanta të Xhorxhias, një shtet i pavendosur dhe i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, ishin të pranishëm politikanë republikanë që janë në listën e kandidatëve për nënpresident, përfshirë senatorin nga Ohajo JD Vance, ish guvernatorin e Dakotës së Veriut Daug Bergum, senatorin nga Karolina e Jugut Tim Scott dhe senatorin nga Florida Marco Rubio.

    I mbajtur mbi katër muaj përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, debati Biden-Trump ishte një nga debatet me të hershme presidenciale në ciklin katër vjeçar të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte gjithashtu një përsëritje e dy debateve të tyre të vitit 2020, që u mbajtën dy muaj para zgjedhjeve, në të cilat zoti Biden fitoi ndaj Presidentit të atëhershëm Donald Trump. Debati i ardhshëm mes Presidentit Biden dhe ish Presidentit Trump është caktuar të mbahet më 10 shtator.

  • 23 vjet nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë

    23 vjet nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë

    Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili njihet edhe si kasapi i Ballkanit, më 28 qershor 2001 u ekstradua në Hagë, pasi më 27 maj 1999 u bë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë. Më vonë Millosheviq u akuzua për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë.

    Ai ishte ekstraduar me urdhrin e qeverisë serbe. Millosheviq u arrestua në Beograd më 1 prill 2001, pasi ishte përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

    Gjykimi ndaj Millosheviqit në Hagë nisi më 12 shkurt 2002. Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë zgjati deri më 25 shkurt 2004. Mbrojtja e tij nisi në fund të gushtit të atij viti.

    Procesi gjyqësor ndaj Millosheviqit u ndërpre dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare që ai kishte dhe tensionit të lartë të gjakut.

    Më 22 shkurt, Millosheviq deklaroi se nuk ishte në gjendje të vazhdonte marrjen e dëshmitarëve në pyetje, ndërsa më 24 shkurt refuzohet kërkesa e tij për shërim në Rusi.

    Më 11 mars në ora 9:30, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij.

  • Edhe sot mot i ndryshueshëm në Kosovë

    Edhe sot mot i ndryshueshëm në Kosovë

    Mot i ndryshueshëm parashihet ditën e premte në vend, me intervale me diell e vranësira.

    Pasdite herë herë priten edhe zhvillime të rrebesheve me bubullima, por me pak gjasa që të zhvillohen në stuhi më të ashpra me breshër.

    Temperaturat minimale zbresin në 14C e 17C, derisa ato maksimale pa ndryshim prej ditës së sotme, shkojnë në 24C e 27C, njofton Prishtina Weather.

    Mot më stabil parashihet në fundjavë, me intervale më të gjata me diell dhe rritje të temperaturave deri në 32C e 33C. Pak mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu mbeten ditën e shtunë, kryesisht përreth zonave malore. Të hënën edhe më nxehtë me maksimale deri në 34C. Nga dita e martë sërish pritet përkeqësim i motit, me zhvillime të mundshme të stuhive me shi e breshër në pjesë të vendit, ndërkohë që edhe temperaturat pësojnë rënie në 25C.

  • ​Anëtarësimi në KiE, ministrja Gërvalla takon kryesuesin e Grupit të Partive Popullore

    ​Anëtarësimi në KiE, ministrja Gërvalla takon kryesuesin e Grupit të Partive Popullore

    Në kuadër të takimeve në Këshillin e Evropës në Strasburg, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar deputetin kroat, kryesuesin e grupit të partive popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Davor Ivo Stier.

    Gërvalla me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e madh të grupit të partive popullore, përkatësisht delegacionit kroat në mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Mbështetja e palëkundur e Stier dhe delegacionit kroat ka qenë vendimtare në arritjen e një shumicë të jashtëzakonshme prej 82% të votave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës,” tha Gërvalla.

    Ministrja Gërvalla gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me grupet politike dhe Komitetin e Ministrave për finalizimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kosova mbeti gjashtë agjendës në takimin e Këshillit të Ministrave më 17 maj 2024 pasi një pjesë e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës kërkuan që Kosova të hedhë hapa drejt themelimit të asociacionit.

    Megjithëse KiE e la Kosovën jashtë agjendës, presidentja Vjosa Osmani pati deklaruar se anëtarësimi në këtë organizatë është çështje kohe.

    “Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, kishte shkruar Osmani në X.

    Kosova u la jashtë Këshillit të Evropës, për faktin që qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese një draft statut të BE-së për themelimin e asociacionit.

    Një letër zotimi Kosova e dërgoi një ditë më herët në KiE, ku thuhej se Kosova do ta hartojë deri në fund të muajit maj një draft-statut për asociacionin, por kjo nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë.

    Kosova ka një vit ka aplikuar për anëtarësim në KiE. Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e KiE mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Por, vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me themelimin të asociacionit për të cilin Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 konsideroi se nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

  • Parlamenti i Spanjës nuk mbështet iniciativën e partisë katalunase “Junts” për njohjen e shtetit të Kosovës, 293 deputetë votuan kundër

    Parlamenti i Spanjës nuk mbështet iniciativën e partisë katalunase “Junts” për njohjen e shtetit të Kosovës, 293 deputetë votuan kundër

    Parlamenti i Spanjës me shumicë dërmuese të votave ka votuar kundër iniciativës së partisë katalunase “Junts” për t’i kërkuar Qeverisë spanjolle njohjen e shtetit të Kosovës.

    Në videon e publikuar nga Parlamenti i Spanjës bëhet e ditur se 293 deputetë kanë votuar kundër, 25 në favor dhe 27 deputetë kanë abstenuar.

    Ditë më parë, Miriam Nogueras, anëtare e Parlamentit, zëdhënëse e partisë katalunase në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se presin mbështetje nga të gjitha partitë politike katalane, baske dhe galike.

    “Nuk mund të them të njëjtën gjë nga partitë politike spanjolle. Ne do të negociojmë deri në minutën e fundit”, ishte shprehur Nogueras. /Telegrafi/