ATV

Author: G.O.

  • Sonte përballja e parë e debatit presidencial Biden-Trump

    Sonte përballja e parë e debatit presidencial Biden-Trump

    Ata kanë thumbuar për muaj të tërë, por Joe Biden dhe Donald Trump së shpejti do të kenë një shans për t’u përballur me njëri-tjetrin, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për debatin e parë të fushatës zgjedhore presidenciale 2024.

    Kandidatët e supozuar të partisë Demokratike dhe Republikane do të dalin në skenën e debatit në Atlanta, Georgia sonte (të enjten në mbrëmje), më pak se pesë muaj përpara votimit më 5 nëntor.

    Sondazhet e opinionit tregojnë se presidenti Biden dhe ish-presidenti Trump mbeten të bllokuar në një garë të ngushtë që ekspertët thonë se mund të zbresë në një pjesë të vogël të shteteve kyçe.

    Ja çfarë duhet të dini për debatin dhe ndikimin e tij të mundshëm në fushatë.

    Biden, presidenti aktual demokrat dhe sfiduesi i tij republikan Trump do të ndeshen kundër njëri-tjetrit për herë të parë në ciklin zgjedhor të vitit 2024. Ata debatuan për herë të fundit me njëri-tjetrin më 22 tetor 2020, si pjesë e garës presidenciale të atij viti.

    Për të marrë pjesë në debat, kandidatët presidencialë duhej të plotësonin një sërë kriteresh të përcaktuara nga rrjeti amerikan i lajmeve CNN, i cili po pret ngjarjen.

    Kjo përfshinte mbajtjen e emrit të tyre në fletëvotimet shtetërore të mjaftueshme për të arritur pragun e Kolegjit Zgjedhor të nevojshëm për të fituar presidencën, dhe marrjen e të paktën 15 përqind mbështetje në katër sondazhe të veçanta kombëtare të votuesve të regjistruar dhe të mundshëm.

  • Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Një person është arrestuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, më saktësisht në rajonin e Gjakovës.

    Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari është me inicialet S.L. dhe është serb.

    “Andaj, sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës (DHKL), në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndalur dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.)”, thuhet në njoftim.

    Tutje, bëhet e ditur se ndaj tij me urdhër nga organet e drejtësisë i është bastisë shtëpia në Leposaviq ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore.

  • OBSh-ja: Një në tre të rritur në rrezik sëmundjesh nga mungesa e aktivitetit fizik

    OBSh-ja: Një në tre të rritur në rrezik sëmundjesh nga mungesa e aktivitetit fizik

    Pothuajse 31% e të rriturve në mbarë botën, rreth 1.8 miliardë njerëz, mund të preken nga sëmundjet për shkak të mungesës së aktivitetit fizik. Kjo është bërë e ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke komentuar të dhënat e një raporti të ri të publikuar në revistën “The Lancet Global Health”.

    Me këtë prirje, nivelet e pasivitetit mund të arrijnë në 35% deri në vitin 2030. Mungesa e aktivitetit fizik i vë të rriturit në rrezik më të madh të sëmundjeve kardiovaskulare si sulmi në zemër, por edhe goditjet në tru, diabeti i tipit 2, demenca dhe kanceri. Prandaj, OBSH-ja rekomandoi që të rriturit të angazhohen në 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar ose 75 minuta aktivitet fizik me intensitet të fuqishëm, në javë.

    Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se këto gjetje të reja nxjerrin në pah një mundësi të humbur për të reduktuar kancerin, sëmundjet e zemrës dhe për të përmirësuar mirëqenien mendore.

    Normat më të larta të pasivitetit fizik u vunë re në rajonin Azi-Paqësor (48%) dhe Azinë Jugore (45%), ndërsa nivelet e pasivitetit në rajone të tjera variojnë nga 28% në vendet perëndimore me të ardhura të larta deri në 14% në Oqeani.

  • Gjumi i tepërt është i dëmshëm, këto janë pasojat!

    Gjumi i tepërt është i dëmshëm, këto janë pasojat!

    Gjumi është shumë i rëndësishëm. Ai ndihmon trupin të rifurnizohet me energji. Por, ashtu si çdo gjë tjetër, bën dëm kur është me tepri.

    Personat që flenë më shumë se 10 orë në ditë, në përgjithësi nuk gëzojnë një shëndet të mirë krahasuar me ata që flenë 7-8 orë në ditë. Në fakt, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë fle një person.

    Michael Irwin, profesor në Shkollën e Mjekësisë në Jutah (SHBA), është i bindur se të flesh shumë do të thotë t’i shkaktosh vetes sëmundje.

    Sipas tij, ka disa probleme që shkakton gjumi i tepërt:

    Rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës

    Kur fle shumë, rrezikon zemrën. Të flesh më shumë se 8 orë në ditë rrit mundësinë e vdekjes nga sëmundjet e zemrës me 34%. Femrat janë të prirura të flenë më shumë sesa meshkujt dhe kjo i bën më të rrezikuara.

    Shkakton probleme me peshën

    Shumë studime kanë treguar se njerëzit që nuk flenë mjaftueshëm, janë më të shëndoshë. E njëjta gjë mund të thuhet me ata që flenë më shumë seç duhet. Kur fle, nuk je në lëvizje dhe për këtë arsye ka më shumë mundësi të shtosh në peshë, pasi duke fjetur nuk djeg kalori.

    Mund të zhvilloni diabet

    Shumë gjumë mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak. Glukoza e lartë rrit rrezikun e diabetit.

    Truri mjegullohet

    Nëse keni probleme me përqendrimin, atëherë ka mundësi që po flini më shumë se 8 orë në ditë. Fjetja e tepërt plak trurin sipas studimeve të fundit.

    Rrezikoni vdekje të parakohshme

    Është e frikshme, por e vërtetë. Studime të shumta kanë treguar se njerëzit që flenë më shumë janë më të rrezikuar nga vdekja e parakohshme. Kjo sepse diabeti dhe sëmundjet e zemrës njihen si shkurtues jete.

    Probleme me humorin

    Depresioni dhe gjumi ecin paralel me njëri-tjetrin. Shpesh, njerëzit me depresion flenë shumë. Nga ana tjetër, gjumi i gjatë përkeqëson depresionin

  • Pas 30 vitesh, aktori Eddie Murphy i rikthehet rolit që e bëri të famshëm

    Pas 30 vitesh, aktori Eddie Murphy i rikthehet rolit që e bëri të famshëm

    Tridhjetë vjet pas pjesës së tretë dhe të fundit të “Beverly Hills Cop”, aktori amerikan Eddie Murphy kthehet në rolin e Axel Foley.

    Heroi i filmit të ri të Netflix “Beverly Hills Cop: Axel F” kthehet në Beverly Hills, ku mëson se vajza e tij dhe prokurorja Jane (Taylor Paige) është në rrezik pasi ajo zbulon korrupsionin në komisariat gjatë një hetimi.

    Murphy, së bashku me anëtarët e kastit origjinal, Judge Reinhold dhe John Ashton, e shfaqën premierën e filmit të enjten përballë stacionit të policisë së Beverly Hills ku zhvillohet pjesa më e madhe e aksionit.

    Megjithatë, premiera, ku morën pjesë aktori Martin Lawrence, muzikanti Lil Nas X dhe të tjerë, ishte shumë ndryshe nga premiera origjinale e vitit 1984.

    Filmi origjinal fitoi mbi 300 milionë euro

    Ky fitoi 300 milionë euro në mbarë botën dhe u bë një film i famshëm i viteve 1980.

    Dy filmat e tjerë u realizuan në 1987 dhe 1994.

    “Është një pjesë e madhe e jetës së njerëzve, ishte një hit dhe të gjithë e pëlqyen, por ishte më shumë se kaq. U ngjau disi në zemrat e tyre”, tha aktori Paul Reiser, i cili luajti personazhin e Jeffrey Friedman.

    Filmi i ri i referohet edhe viteve 1980, tha regjisori Mark Molloy.

    “I pashë ata dy filmat e parë dhe kuptova që doja të bëja një film të tillë”, duke shtuar se donte ta bënte modest, pra pa shumë post-produksion.

    Filmi, i cili do të jetë i disponueshëm nga 3 korriku, luajnë gjithashtu Kevin Bacon dhe Joseph Gordon-Levitt.

  • Zaimina gati rrëzohet, thotë se e kapi syri i keq

    Zaimina gati rrëzohet, thotë se e kapi syri i keq

    Ndonëse për një kohë të gjatë është shkëputur nga muzika, Zaimina Vasjari di të tërheqë vëmendjen e ndjekësve.

    Bukuroshja shqiptare është aktive në rrjetet sociale, ku poston imazhe dhe foto nga jeta e saj e përditshme.

    Së fundmi, derisa po pozonte për një video në ‘InstaStory’, Zaimina gati u rrëzua derisa ecte përgjatë një korridori.

    Ajo kishte veshur një fustan ngjyrë bezhë të lirshëm që i nxirrnin në pah veçoritë e bukura të trupit.

    Por, siç duket ajo u shpërqendrua gjatë ecjes kur për pak edhe u rrëzua.

    Pasi publikoi videon në ‘InstaStory’, këngëtarja e hitit ‘Veç ti”, tha se kishte kapur syri i keq. /Telegrafi/

     

  • Një i vrarë dhe disa të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Një i vrarë dhe disa të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Rusia kreu sulme ajrore në Ukrainë mëngjesin e së enjtes dhe i bombardoi vendbanimet civile në rajonin lindor të frontit, Donjeck, duke e vrarë në person dhe duke i plagosur 14 të tjerë, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë.

    Vrasja ndodhi në qytetin industrial Toretsk, ndërsa të plagosurit janë banorë të Memrisk, Selidovo dhe Komar, tha në Telegram guvernatori rajonal Vadym Filashkin.

    Ushtria ukrainase raportoi se Rusia e sulmoi Ukrainën me gjashtë raketa lundruese dhe me 23 dronë mëngjesin e së enjtes.

    Mbrojtja ajrore ukrainase i rrëzoi pesë prej raketave dhe të gjithë dronët e lëshuar mbi objektivat në Ukrainë, tha ushtria.

    Dy dronë u shkatërruan në rajonin lindor Herson të enjten, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin, duke shtuar se një person u vra dhe 16 u plagosën, përfshirë dy fëmijë, nga bombardimet ruse të mërkurën.

    Në rajonin jugor Dnipropetrovsk, Rusia kreu sulm masiv me artileri në qytetin Nikopol, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak në Telegram.

    Shkolla dhe çerdhe u dëmtuan nga ky sulm, sipas tij. Ai nuk raportoi për viktima.

    Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, tha se shtatë dronë ukrainas u rrëzuan nga kundërajrorët rusë, katër prej tyre në rajonin Tver, dy mbi rajonin e Moskës dhe një mbi rajonin Belgorod.

    Sota raportoi, bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve, se një sulm me dron ndodhi në Redkinski në Uzinën Eksperimentale në rajonin Tver, ku prodhohet karburanti për avionë. Kjo fabrikë është sulmuar në të kaluarën nga dronët.

    Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është sulmuar vazhdimisht nga Rusia, në muajt e fundit i ka sulmuar vazhdimisht objektet për prodhimin e karburantit brenda Risisë, kryesisht rafineritë e naftës./REL/

  • IHMK-ja paralajmëron mot jo stabil edhe dy ditët e ardhshme: “Vende-vende” mund të ketë shembje dheu

    IHMK-ja paralajmëron mot jo stabil edhe dy ditët e ardhshme: “Vende-vende” mund të ketë shembje dheu

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot jo stabil edhe gjatë dy ditëve në vijim.

    Si pasojë IHMK paralajmëron se në disa vende mund të ketë shembe të dheut dhe të drunjve.

    Ky institut thotë se për shkak motit pritet të ketë reshje shiu vende-vende me intensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjve, shkarkime rrufesh etj.

    “Të nderuar, situata e përgjithshme Hidrometeorologjike ditëve të fundit është jo stabile, si pasojë e reshjeve të shiut të përcjellura me stuhi lokale me breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar edhe vërshime të shpejta sidomos të disa rrjedhave ujore me karakter malorë (rrëket, prrocakt etj)”, thuhet në njoftim.

    Sipas IHMK-së, situata e përgjithshme hidrometeorologjike në vend akoma nuk është stabile.

    “Ngase edhe sot dhe gjatë dy ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu vende-vende me ingensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjëve, shkarkime rrufesh etj”.

  • Vdes aktori hollivudian Bill Cobbs

    Vdes aktori hollivudian Bill Cobbs

    Bill Cobbs, aktori i njohur shumëvjeçar me role të paharrueshme në filma sikurse “Night at the Museum” dhe “The Bodyguard” ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

    Një nga anëtarët e familjes së Cobbs shkroi në Facebook se aktori vdiq “i qetë” në shtëpinë e tij në Kaliforni të martën. TMZ ishte i pari që raportoi për vdekjen e tij.

    “Një partner i dashur, vëlla i madh, xhaxha, prind zëvendësues, kumbar dhe mik, Bill së fundmi dhe i lumtur festoi ditëlindjen e tij të 90-të i rrethuar nga të dashurit e tij”, shkroi familja e tij në mesazh.

    “Si familje ne ngushëllohemi duke ditur që Bill ka gjetur paqe dhe prehje të përjetshme me Atin e tij Qiellor. Ne kërkojmë lutjet dhe inkurajimin tuaj gjatë kësaj kohe”.

    Karriera e Cobbs u shënua me afro 200 role në filma dhe televizion. /Telegrafi/

  • Kuvendi sot mban seancë, në rend dite 32 pika

    Kuvendi sot mban seancë, në rend dite 32 pika

    Kuvendi i Kosovës sot me fillim do ta mbajë seancën e radhës plenare.

    Sipas agjendës, deputetët do t’i trajtojnë 32 pika, në mesin e tyre edhe votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.

    Gjithashtu parashihet të ketë edhe votime të tjera si: votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”; votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të DASH-it, Projekt-Deklarata për raportet e Kosovës me ShBA-në.

    Kjo seancë pritet të fillojë nga ora 10:00.