ATV

Author: G.O.

  • Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e saj të 22-të në formë elektronike, ku ka marrë disa vendime që lidhen me sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen e aktiviteteve të teknologjisë dhe inovacionit.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një mekanizëm i paraparë për financimin dhe menaxhimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

    Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e 153 mijë eurove për mbështetjen e realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila bashkon aktivitetet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

    Vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të mbajtur nga Qeveria në detyrë, ndërsa detaje shtesë për zbatimin e tyre pritet të bëhen publike nga institucionet përgjegjëse.

  • Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë vendosur fletëvotimet të cilat janë shtypur në Slloveni, e të cilat janë sjellë në Kosovë gjatë këtyre ditëve.

    Duke folur për votimin që organizohet brenda vendit, ai ka treguar se janë shtypur 1 milionë e 641 mijë e 450 fletëvotime, të cilat janë të planifikuara të përdoren në vendvotime të rregullta, ato me kusht, për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe një pjesë e tyre do të shërbejnë si rezervë.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1,605,000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë; dhe 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Këto fletëvotime, aktualisht janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në kuadër të përgatitjeve logjistike, të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në qendrat komunale të numërimit dhe nga aty të dielën në mëngjes në qendra të votimit”, ka deklaruar Elezi.

    Ndërkaq, duke folur për votimin jashtë vendit, Elezi ka treguar se fletëvotimet tashmë janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, një pjesë janë shpërndarë për votuesit e regjistruar për votim me postë dhe pjesa tjetër do të përdoret për votim në përfaqësitë diplomatike, më 6 qershor.

    “Po ashtu, nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28,850 fletëvotime. Siç e kemi shpjeguar më herët, fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor”, ka deklaruar ai.

    “Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike për 27,724 votues e regjistruar paraprakisht. Votimi do të mundësohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Më 6 qershor përfundon votimi jashtë vendit, përkatësisht votimi me postë, për 104,488 votuesit e regjistruar për këtë lloj votimi”.

    “Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Në 911 Qendra Votimi me 2,498 Vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, do të mundësohet votimi me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, ka shtuar ai.

  • Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Një e mitur në Mitrovicë ka treguar një gjest të rrallë ndershmërie pasi ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në rrugën “Lah Nimani”, e cila përmbante dokumente personale dhe 2000 euro para të gatshme.

    Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur vajza ka gjetur kuletën dhe menjëherë e ka dorëzuar në stacionin policor lokal, pa tentuar ta mbajë për vete.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, pas verifikimit të dokumenteve, është arritur të identifikohet pronari i kuletës, të cilit më pas i janë kthyer sendet dhe shuma e parave.

    Pronari ka shprehur mirënjohje për veprimin e të miturës, duke vlerësuar ndershmërinë e saj dhe reagimin profesional të zyrtarëve policorë.

    Në një deklaratë zyrtare, Policia e Kosovës ka vlerësuar lart këtë rast, duke e cilësuar si një shembull pozitiv për shoqërinë dhe për forcimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit.

    Sipas policisë, raste të tilla kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe promovimin e vlerave të ndershmërisë dhe përgjegjësisë në komunitet.

  • Mbi 20 anije kaluan në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit

    Mbi 20 anije kaluan në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit

    Të dhënat e gjurmimit detar dhe mediat shtetërore iraniane kanë njoftuar se mesatarisht 20 deri në 30 anije tregtare dhe cisterna nafte kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit brenda 24 orëve.

    Lëvizjet e anijeve zhvillohen nën kushte të rrepta, ku kërkohet autorizim paraprak. Anijet duhet të marrin leje dhe të koordinohen me Marinën e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).

    Edhe pse është shënuar një fluks i konsiderueshëm i anijeve, ai mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën para konfliktit, kur në këtë zonë kalonin mbi 130 anije në ditë.

    Zona vazhdon të mbetet e militarizuar. Raportohet se anijet që përpiqen të kalojnë pa koordinim me autoritetet iraniane janë ndaluar ose detyruar të kthehen prapa.

    Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane dhe kanë sanksionuar autoritetin e sapokrijuar të ngushticës nga Irani, i cili synon të mbledhë tarifa transiti për kalimin nëpër këtë rrugë strategjike detare.

  • FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    Bordi i Paqes, mekanizmi ndërkombëtar në kuadër të të cilit vepron Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, ka njoftuar se dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar stafit të këtij misioni.

    Sipas njoftimit, majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala do të shërbejnë si oficerë ndërlidhës.

    Roli i tyre është të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit ndërmjet Forcës Ndërkombëtare dhe Kosovës.

    Në njoftim thuhet se përfshirja e tyre e zgjeron koalicionin ndërkombëtar të personelit, në mbështetje të përpjekjeve për siguri dhe stabilizim në kuadër të Bordit të Paqes.

  • Arrestohet kosovari në Maqedoninë e Veriut, kërkohej për “vjedhje të rëndë” në rajonin e Tetovës

    Arrestohet kosovari në Maqedoninë e Veriut, kërkohej për “vjedhje të rëndë” në rajonin e Tetovës

    Policia nga Njësia Policore Mateç ka arrestuar një 37-vjeçar nga Kosova, me inicialet N.N., i cili kërkohej në bazë të një telegrami të lëshuar më herët nga SPB Tetovë.

    Sipas autoriteteve, arrestimi është realizuar më 29 maj 2026, rreth orës 14:00. I dyshuari kërkohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, e paraparë me nenin 236 të Kodit Penal.

    Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Stacionin Policor të Tetovës, ku është ndaluar për procedura të mëtejshme. Nga policia bëhet e ditur se, pas kompletimit të dokumentacionit dhe zbardhjes së plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.

  • Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Prizreni do të mirëpresë edhe këtë verë edicionin e katërt të festivalit “Prizren Rock n Blues Fest”, i cili do të mbahet më 3, 4 dhe 5 korrik, me premtimin për një program më të madh dhe plot befasi për publikun.

    Në tri net magjike, në dy skena gjigante, në lokacionin përballë kompleksit sportiv Sezai Surroi, ngjiten virtuozët vendorë dhe ndërkombëtarë të skenës së rock-ut dhe blues-it.

    Dire Straits Legacy vjen me ritmet e paharruara të rock-ut botëror.

    Telex, gjigantët e rock-ut dhe funk-ut nga Shkupi, rikthejnë hitet evergreen në skenë pas shumë vitesh.

    Rock-bendi i njohur turk Kolpa vjen për herë të parë për një performancë të paharruar në vendin më të bukur, në Prizren.

    Jo vetëm kaq.

    Në skenë rikthehen ritmet e kolosëve të muzikës rock, me performancat e Led Zeppelin 2 dhe Attitude Guns N’ Roses Band.

    Bombastik si asnjëherë më parë, grupi i njohur TNT sjell muzikën autentike.

    BB Poqi, në jubileun e tij të 40-të, do të sjellë performanca të paharruara.

    3 Mosketjerët do të dëshmojnë simbiozën fantastike të tri legjendave të muzikës shqiptare rock.

    Në skenën e madhe të Prizren Rock n Blues ngjiten edhe Zwada, Hawolf, Rool, Urban Band, Flawia Zere, Beska and All Star Band dhe Dolludizgin.

    Më 3, 4 dhe 5 korrik, tri net energjike, në lokacionin përballë sallës Sezai Surroi, nën qiellin e hapur, në vendin më të bukur, në Prizren.

  • Ulen çmimet e naftës dhe benzinës, gazi mbetet në 74 centë për litër

    Ulen çmimet e naftës dhe benzinës, gazi mbetet në 74 centë për litër

    Çmimet maksimale të derivateve kanë shënuar ulje të re për naftën dhe benzinën.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër naftë sot mund të shitet deri në 1 euro e 52 centë, apo tre centë më lirë se një ditë më parë.

    Rënie më të madhe ka pasur benzina, e cila sot tregtohet deri në 1 euro e 43 centë për litër.

    Çmimi maksimal i gazit ka mbetur i pandryshuar. Një litër gaz sot mund të shitet deri në 74 centë.

  • Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Në përvjetorin e 27-të të rënies së dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Marinë të Skënderajt.

    Kurti përkujtoi dhe nderoi dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, që ranë heroikisht më 30 maj 1999. Ata u vranë në fshatin Arllat, rrugës për të mbrojtur dhe strehuar civilët e rrethuar nga forcat armike serbe, të cilat po kryenin spastrim etnik e gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Dy luftëtarë nga familje patriotike, Rasimi e Ragipi u bënë dëshmorë të lirisë që e fituam dy javë pas rënies së tyre dhe gjaku i tyre ndodhet në themelin e shtetit që kemi ndërtuar, e zhvillimin dhe forcimin e të cilit e kemi obligim. /Telegrafi/

  • SHBA godet një motoskaf të dyshuar për kontrabandë droge, humbin jetën tre persona

    SHBA godet një motoskaf të dyshuar për kontrabandë droge, humbin jetën tre persona

    Forcat amerikane kanë kryer një sulm ajror ndaj një motoskafi të dyshuar për kontrabandë droge në Paqësorin lindor, duke vrarë tre persona që ndodheshin në bord, njoftoi Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM).

    Në një deklaratë zyrtare, SOUTHCOM bëri të ditur se mjeti lundrues ishte “i angazhuar në operacione të trafikut të drogës”, ndërsa personat e vrarë i përshkroi si “tre narko-terroristë”.

    Komanda amerikane publikoi edhe një video që, sipas saj, paraqet momentin e sulmit ndaj motoskafit në fjalë.

    Sipas të dhënave të publikuara, SHBA-të kanë ndërmarrë dhjetëra operacione të ngjashme që nga shtatori i vitit të kaluar kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor.