ATV

Author: D.K.

  • Këngëtarja Lola Young padit producentin e hitit të saj “Messy”

    Këngëtarja Lola Young padit producentin e hitit të saj “Messy”

    Këngëtarja e njohur britanike Lola Young ka ndërmarrë veprime ligjore kundër producentit të mirënjohur Carter Lang, në lidhje me një mosmarrëveshje për kreditimin e këngëve që ajo pretendon se ka shkruar.

    Rasti është regjistruar në Gjykatën e Londrës në emër të Young dhe Sony Music Publishing, vetëm një ditë pas anulimit të të gjitha shfaqjeve të saj, pas kolapsit në skenë gjatë një performance në New York.

    24-vjeçarja, e cila u bë e famshme në fund të vitit të kaluar me superhitin “Messy”, që qëndroi katër javë në krye të top-listave dhe është kënga e dytë më e dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2025, pretendon se kontributi i saj në krijimin e disa projekteve nuk është njohur siç duhet.

    Producenti Carter Lang, i cili figuron si një nga katër producentët e kredituar në “Messy”, ka bashkëpunuar me Young edhe në projekte të tjera muzikore. Ai është i njohur për punën e tij me disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë si SZA, Post Malone, Justin Bieber, Renee Rapp dhe Rosé.

    Aktualisht, as Lola Young dhe as përfaqësuesit e Carter Lang nuk kanë dhënë një deklaratë publike mbi zhvillimet e fundit, por çështja pritet të marrë vëmendje të madhe në botën e muzikës ndërkombëtare.

  • Ndahet Çmimi Nobel në Mjekësi, ja çfarë arritje kishin shkenctarët

    Ndahet Çmimi Nobel në Mjekësi, ja çfarë arritje kishin shkenctarët

    Stokholm, 6 Tetor 2025 – Çmimi Nobel në Mjekësi i këtij viti iu akordua Mary Brunkow, Fred Ramsdell (të dy nga SHBA) dhe Shimon Sakaguchi (Japoni) për zbulimet e tyre që lidhen me një formë të veçantë të tolerancës imune – aftësinë e trupit për të zvogëluar përgjigjen imune ndaj shkaktarëve të caktuar.

    Instituti Karolinska në Stokholm njoftoi se punimet e tyre kanë hapur rrugën për një fushë të re kërkimi dhe kanë nxitur zhvillimin e metodave të reja të trajtimit, përfshirë terapitë për kancerin dhe sëmundjet autoimune.

    Laureatët studiuan qelizat T rregullatore, mekanizmat natyralë të sigurisë së sistemit imunitar që parandalojnë qelizat imune të sulmojnë trupin.

    “Tani e kuptojmë më mirë se si funksionon sistemi imunitar dhe pse jo të gjithë zhvillojnë sëmundje të rënda autoimune,” tha Olle Kämpe, kryetar i Komitetit të Nobelit.

    Çmimi Nobel në Mjekësi për këtë vit vlerësohet me 11 milionë krona suedeze (rreth një milion franga zvicerane). Ky njohje shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e njohurive mbi mbrojtjen e trupit nga sulmet e vetë-sistemit imunitar.

  • Vuçiq nga Shqipëria: “Sërbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”

    Vuçiq nga Shqipëria: “Sërbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është deklaruar se pavarësisht sfidave që e presin rajonin, Sërbia do të mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian dhe ndaj bashkëpunimit me vendet fqinje.

    “Edhe pse na presin shumë sfida, Sërbia mbetet e përkushtuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbetet një nga prioritetet kryesore, e jo një temë dytësore”, tha Vuçiq, duke theksuar rëndësinë e Procesit Brdo–Brioni si një platformë që mund të sjellë rezultate konkrete për rajonin.

    Ai shtoi se pret që nga ky proces të dalin konkluzione të qarta, pasi sipas tij, vetëm sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e të gjitha palëve mund të sigurojnë besimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

    “Jam i bindur se zgjerimi i BE-së duhet të mbetet pjesë e rëndësishme e agjendës së rajonit, sepse perspektiva e anëtarësimit sjell reforma, investime dhe rritje ekonomike,” shtoi më tej presidenti serb.

    Në fund të fjalës së tij, Vuçiq theksoi se Sërbia do të mbetet një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian, duke përsëritur angazhimin e Beogradit për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane.

  • Fjolla Morina po përjeton një periudhë të lumtur dashurie

    Fjolla Morina po përjeton një periudhë të lumtur dashurie

    Prej kohësh, ndjekësit kanë vënë re se Fjolla Morina po kalon një nga periudhat më të bukura të jetës së saj. Edhe pse këngëtarja ka zgjedhur të mos zbulojë hapur detaje për romancën e re, postimet e saj në rrjete sociale flasin vetë për gjendjen e saj shpirtërore.

    Së fundmi, Fjolla ka ndarë në Snapchat pamje nga një surprizë tejet romantike dhoma e saj e mbushur me buqeta trëndafilash të kuq, të vendosura me kujdes në çdo cep, duke krijuar një atmosferë dashurie që të rrëmben menjëherë.

    Këto momente kanë mjaftuar për të kuptuar se zemra e artistes është sërish e lumtur. Ajo duket më e qetë, e fokusuar në veten dhe me një energi pozitive, që pasqyrohet në çdo paraqitje të saj publike.

    Dashuria, mesa duket, po i ka dhënë Fjollës një frymë të re dhe një buzëqeshje të sinqertë, duke e bërë të shkëlqejë si dikur, ndoshta edhe më shumë.

  • Peja qyteti mes alpeve shqiptare që ruan shpirtin e traditës dhe bukurinë e natyrës

    Peja qyteti mes alpeve shqiptare që ruan shpirtin e traditës dhe bukurinë e natyrës

    Peja, një ndër qytetet më të vjetra dhe më piktoreske të Kosovës, mbetet një qendër e rëndësishme kulturore, historike dhe turistike në vend. E vendosur në perëndim të Kosovës, në rrëzë të Bjeshkëve të Nemuna, ky qytet ofron një kombinim unik të trashëgimisë tradicionale dhe peizazheve natyrore mahnitëse.

    Qyteti njihet për Arkitekturën orientale, çarshinë e vjetër, Xhaminë e Bajraklisë, si dhe për Patriarkanën e Pejës, e cila është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Rrugicat me kalldrëm dhe aromat e kafeneve tradicionale ruajnë ende shpirtin e dikurshëm të qytetit, duke i dhënë Pejës një karakter të veçantë që të fton të ndalesh e ta shijosh.

    Por Peja nuk është vetëm qytet historie ajo është edhe porta drejt aventurave malore. Zona përreth ofron shtigje ecjeje, ujëvara madhështore si ajo e Drinit të Bardhë, kanione, dhe qendra të zhvilluara të turizmit malor që çdo vit tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj.

    Megjithëse qyteti përballet me sfida infrastrukturore dhe nevoja për më shumë investime në turizëm, banorët e Pejës njihen për mikpritjen, punën e ndershme dhe dashurinë ndaj qytetit të tyre.

    Peja mbetet një simbol i qëndrueshmërisë, kulturës dhe natyrës shqiptare, ku çdo rrugicë, lumë apo mal rrëfen historinë e një qyteti që jeton mes traditës dhe zhvillimit modern.

  • Tregu i Fushë Kosovës – mes mangësive dhe gjallërisë së përditshme

    Tregu i Fushë Kosovës – mes mangësive dhe gjallërisë së përditshme

    Tregu i Fushë Kosovës mbetet një nga pikat më të gjalla të qytetit, ku çdo të martë zhvillohet një jetë e veçantë mes zhurmës, ngjyrave dhe aromës së produkteve vendore. Si shumë pazare në Kosovë, edhe ky treg ruan shpirtin tradicional të shitjes e blerjes, ku mund të gjesh pothuajse gjithçka — nga prodhimet bujqësore e veshjet, deri te mjetet shtëpiake — me çmime të lira dhe të përballueshme për qytetarët.

    Megjithatë, pavarësisht gjallërisë që e karakterizon, tregu përballet me mangësi serioze infrastrukturore. Në vendin ku çdo ditë kalojnë qindra njerëz, mungon një tualet publik, ndërsa në ditët me shi, shitësit detyrohen të përballen me baltën dhe mungesën e mbulesave adekuate.

    Këto kushte e bëjnë punën e tyre të vështirë, por shqiptarët, si gjithmonë, gjejnë mënyrën për të vazhduar punën dhe për të siguruar fitimin e përditshëm, sado i vogël të jetë ai.

    Edhe pse larg standardeve të tregjeve moderne, tregu i Fushë Kosovës mbetet një hapësirë ku bashkohen njerëzit, tregtarët dhe historia e jetës së përditshme — një vend ku energjia, këmbëngulja dhe optimizmi e mbajnë gjallë traditën e tregtisë popullore në Kosovë.

     

  • Mbi 300 raste sivjet me kancer të gjirit, përfshirë 3 burra

    Mbi 300 raste sivjet me kancer të gjirit, përfshirë 3 burra

    1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit – mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta

    Statistikat tregojnë se një në tetë gra preken nga kanceri i gjirit, duke e bërë këtë sëmundje një nga sfidat më serioze për shëndetin e grave në mbarë botën. Pikërisht për këtë arsye, informimi dhe ndërgjegjësimi mbeten thelbësorë për parandalimin dhe zbulimin e hershëm.

    Në Klinikën e Onkologjisë në Kosovë, gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 300 raste të reja me kancer të gjirit, ndër to edhe tre raste tek meshkujt. Të dhënat nuk dallojnë shumë nga ato të vitit paraprak, duke treguar një trend të qëndrueshëm të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

    Me fillimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, institucionet shëndetësore dhe organizatat e ndryshme kanë shtuar thirrjet për kontrolle të rregullta mjekësore, si mënyra më e mirë për ta parandaluar dhe trajtuar me sukses këtë sëmundje.

    Sipas drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit në trajtim.

    “Shumica e pacientëve për fat të mirë diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, mbi 50 për qind e tyre. Kjo e bën trajtimin shumë më të lehtë dhe më efektiv,” – theksoi ai.

    Kurtishi shton se për nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar rreth 320–330 raste, nga të cilat 3 janë meshkuj, duke vlerësuar se deri në fund të vitit 2025, numri total i rasteve të reja pritet të mbetet nën 460, njëjtë si në vitin 2024.

    Fushata ndërgjegjësuese gjatë gjithë tetorit rozë synon të kujtojë se vetëkontrolli dhe kontrollet e rregullta mjekësore mund të jenë hapi i parë drejt shpëtimit të jetës.

  • Vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij

    A e dini se çdo herë që takojmë një person të ri, truri ynë ka nevojë vetëm për disa sekonda që të krijojë një përshtypje për të? Psikologët thonë se mjaftojnë mesatarisht 7 deri në 10 sekonda, që të vendosim nëse dikush na duket i besueshëm, i sjellshëm, i fuqishëm apo jo, por na duhet edhe me pak kohe ta gjykojme bukurine…

    Dhe çka është më interesante, këto sekonda nuk varen aq shumë nga ajo që ai person thotë por nga pamja e jashtme, veshja, qëndrimi dhe mënyra se si shikon apo buzëqesh.

    Studimet tregojnë se rreth 55% e vlerësimit të parë bazohet vetëm tek paraqitja vizuale. 38% tek toni i zërit, dhe vetëm 7% tek fjalët që përdorim. Pra, para se të dëgjojmë realisht njeriun përballë nesh, mendja jonë tashmë ka krijuar një “etiketë” për të.

    Ky fenomen është i njohur në psikologji si “efekti i parë i shtypjes”.

    Ai shpesh çon në paragjykime: njerëzit që duken të veshur bukur ose kanë një pamje të kuruar, vlerësohen më pozitivisht, ndërsa ata që nuk i kushtojnë shumë rëndësi pamjes, shpesh gjykohen si më pak seriozë apo të painteresuar.

    Por, a është kjo e drejtë? Jo domosdoshmërisht.

    Pamja e jashtme shpesh nuk përfaqëson aspak karakterin, moralin apo aftësitë e një personi. Megjithatë, shoqëria moderne, sidomos në vendet ku paragjykimet kulturore janë të forta, e lidh vlerësimin me imazhin.

    Në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës, ende ekziston mendimi se duhet të dukesh bukur e të vishesh mirë për t’u respektuar e për t’u marrë seriozisht.

    E megjithatë, gjithnjë e më shumë ekspertë po theksojnë se vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij. Sepse përtej paraqitjes së parë, shpesh fshihet një personalitet krejt ndryshe, një histori e thellë dhe një shpirt që nuk shihet me sy.

    Prandaj, pyetja që mbetet është: a duhet të lejojmë që vetëm disa sekonda të vendosin gjithçka për mënyrën si e shohim një njeri? Apo duhet të mësojmë të shkojmë përtej pamjes dhe të zbulojmë kush është ai në të vërtetë ?

  • Driton Selmani shpalos artin e tij në Viennacontemporary

    Driton Selmani shpalos artin e tij në Viennacontemporary

    Artisti kosovar Driton Selmani po përfiton një mundësi të veçantë për të prezantuar krijimtarinë e tij në panairin prestigjioz të artit bashkëkohor “Viennacontemporary”, ku Galeria Ernst Hilger i ka dedikuar një hapësirë të posaçme.

    I njohur për mënyrën se si ndërthur humorin me ndjeshmërinë dhe për përdorimin e materialeve të zakonshme – si qeset plastike – Selmani eksploron në veprat e tij kujtesën kolektive, historitë e harruara dhe trashëgiminë kulturore.

    Pas përfundimit të studimeve Master në Bournemouth, ai kishte mundësinë të qëndronte jashtë Kosovës, por zgjodhi të rikthehet në vendlindje për të zhvilluar artin e tij aty ku ndien rrënjët dhe frymëzimin.

    Pas ekspozitës personale në Kahan Art Space (2023) dhe instalacionit publik “Only Time Will Tell” në MuseumsQuartier, Vjenë, Selmani këtë vit do të prezantohet në Zona 1 të panairit, një pjesë e kuruar posaçërisht për artistët nën moshën 40-vjeçare. Ai do të jetë krah emrave ndërkombëtarë si Hélène Fauquet dhe Huda Takriti, duke përfaqësuar me dinjitet artin kosovar në një skenë ndërkombëtare.

    Krijimtaria e Driton Selmanit shihet si një shembull i fuqishëm i artit bashkëkohor që lidh kulturën lokale me trashëgiminë globale, sfidon perceptimet tradicionale dhe hap një dialog të thellë mbi kujtesën, kohën dhe identitetin kulturor në epokën moderne.

  • Kulla Eiffel ndryshon lartësinë sipas temperaturës

    Kulla Eiffel ndryshon lartësinë sipas temperaturës

    Kulla Eiffel në Paris nuk është gjithmonë po aq e gjatë. Një nga fakti më tërheqës rreth kësaj strukture ikonike është se ajo mund të zgjatet deri në 15 centimetra gjatë verës për shkak të nxehtësisë. Ky fenomen ndodh për shkak të zgjatjes termike të metaleve, një proces natyror ku materiali shtrihet kur ngrohet.

    Ndërsa temperaturat rriten, trarët metalikë të kullës zgjaten dhe kjo ndryshon paksa lartësinë e saj. Kur temperaturat bien gjatë dimrit, metali tkurret përsëri, duke rikthyer Kullën në lartësinë e zakonshme. Ky efekt nuk është i dukshëm për vizitorët, por për inxhinierët dhe studiuesit që monitorojnë strukturën, është një tregues i fuqisë dhe fleksibilitetit të materialeve.

    Kulla Eiffel, e ndërtuar në vitin 1889 nga Gustave Eiffel, qëndron si një simbol i Parisit dhe është një nga strukturat më të njohura turistike në botë. Ky fenomen i vogël termik tregon se edhe strukturat më të forta kanë një adaptim natyror ndaj ndryshimeve të mjedisit, duke reflektuar mënyrën se si materiali i metaleve reagon ndaj nxehtësisë dhe të ftohtit.

    Vizitorët mund të mos e ndiejnë ndryshimin, por kjo gjë e bën Kullën Eiffel edhe më të mahnitshme: një kombinim midis arkitekturës së shkëlqyer dhe ligjeve të natyrës, që e bën çdo vizitë në Paris edhe më të veçantë.