ATV

Author: D.K.

  • Londra merr skenën e modës: rikthehet fryma britpop në koleksionet pranverë 2026

    Londra merr skenën e modës: rikthehet fryma britpop në koleksionet pranverë 2026

    Pasarelave të New York-ut u kalon stafetën Londra. Kryeqyteti britanik këtë javë prezanton koleksionet e pranverës 2026, në një atmosferë të ndezur nga nostalgjia britpop. Rikthimi i grupit Oasis dhe popullariteti i “gjeneratës së Britpop-it” në TikTok kanë sjellë ringjalljen e “Cool Britannia”.

    Java e Modës nisi me një debat në parlament për fuqinë ekonomike të industrisë së modës në Mbretërinë e Bashkuar.

    Nën drejtimin e Laura Weir, drejtoreshës së re të British Fashion Council, ky sezon vjen me ndryshime të mëdha: tarifat e pjesëmarrjes për stilistët janë hequr dhe është shtuar mbështetja përmes sponsorimeve.

    Emilia Wickstead, Simone Rocha dhe Erdem prezantojnë tri qasje të ndryshme ndaj elegancës – nga glamuri i Hollivudit të viteve ’50, tek fjongot lozonjare dhe drama historike, deri te qepjet aristokratike.

    Roksanda pritet të spikasë me koleksionin e saj plot ngjyra dhe linja arkitekturore. Ndërkohë, dizajnerët e rinj Tove, Johanna Parv dhe Talia Byre sjellin minimalizmin e viteve ’90 me nota sportive, kurse Aaron Esh dhe Dilara Findikoglu mbeten në qendër të vëmendjes me teatrin dhe estetikën rock’n’roll.

    Findikoglu, e cila ka veshur yje si Charli XCX, Dua Lipa dhe Madonna, po e ngjit Londrën në hartën e modës globale.

    Gjigandi i javës mbetet Burberry. Sfilata e saj të hënën pritet të rikthejë frymën e britpop-it, duke mbledhur pasardhësit e ikonave të rock-ut në një show që riafirmon statusin e Burberry si megabrandi i fundit britanik.

  • Tregu i Skenderajt tashmë mbahet në Polac

    Tregu i Skenderajt tashmë mbahet në Polac

    Tregu tradicional i Skenderajt, i cili për vite me radhë ka qenë pjesë e pandashme e qytetit, tashmë nuk do të mbahet më aty. Vendimi për ta zhvendosur në fshatin Polac ka sjellë reagime të shumta e pakënaqësi tek qytetarët, të cilët janë mësuar që pazarin ta bëjnë në qendër.

    Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, tregu në Polac po vazhdon të funksionojë me gjallëri. Ofertat janë të shumta, sidomos për prodhimet bujqësore dhe perimet e freskëta. Specat, që janë ndër më të kërkuarit në këtë periudhë të vitit për përgatitjen e ajvarit dhe turshive, po shiten me çmime që variojnë nga 4 euro e 50 cent deri në 6 euro për një thes.

    Përveç mundësisë për të bërë blerje, tregu i Polacit po shihet edhe si një hapësirë socializimi, ku njerëzit jo vetëm blejnë produkte, por edhe kalojnë kohë së bashku në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.

    Organizatorët shpresojnë që me kalimin e kohës banorët do t’i përshtaten kësaj ndërrese dhe tregu të vazhdojë të mbetet një pikë takimi e rëndësishme për komunitetin.

  • Tesla Cybertruck kalon testet e sigurisë

    Tesla Cybertruck kalon testet e sigurisë

    Tesla Cybertruck ka kaluar me sukses testet e ashpra të përplasjes nga Instituti për Sigurinë në Autostrada (IIHS), duke konfirmuar një nivel të lartë mbrojtjeje për pasagjerët.

    Problemet me dritat e përparme dhe rripin e sigurimit i pamundësuan Cybertruck-ut të merrte çmimin prestigjioz Top Safety Pick.

    Në testin e përplasjes frontale, kukulla e vendosur në ulësen e shoferit tregoi lëndime minimal në kokë, gjoks dhe këmbë, ndërsa pasagjerët në ulëset e pasme shfaqën vetëm rrezik të vogël për gjoksin.

    Testet e sistemit të shmangies së përplasjeve treguan gjithashtu performancë të shkëlqyer, me Cybertruck që shmangu të gjitha skenarët e emergjencës, ditën dhe natën, përfshirë pengesat lëvizëse.

    Sipas IIHS, dobësia kryesore e automjetit qëndron te sistemi i ndriçimit të përparmë, i cili krijon shkëlqim të tepërt dhe ndriçim të pabarabartë midis anës së majtë dhe të djathtë të rrugës.