ATV

Author: D.K.

  • Ethet: Simptoma e lashtë që i ka hutuar mjekët për mijëra vjet

    Ethet: Simptoma e lashtë që i ka hutuar mjekët për mijëra vjet

    Ethet mund të jenë shqetësuese, ndonjëherë të rrezikshme, por në thelb janë një pjesë thelbësore e sistemit tonë mbrojtës.

    Është ora 3 e mëngjesit. Djersët dhe të dridhurat ju zgjojnë, ndjeni si nxehtësia ju pushton ballin ndërsa ftohtësia ju rrëshqet përgjatë shpinës. Trupi po ju jep një sinjal të qartë: diçka nuk shkon.

    Ky mekanizëm i lashtë, që ekziston prej më shumë se 600 milionë vjetësh, është mënyra e trupit për të luftuar pushtuesit mikroskopikë. Ethet janë një reagim i zakonshëm ndaj infeksioneve virale, bakteriale apo fungale, një mburojë që na mbron edhe pse shpesh na lodh.

    Në historinë njerëzore, ethet kanë qenë shenjë paralajmëruese për sëmundje të rënda e madje vdekjeprurëse – aq sa shumë prej tyre morën emrin pikërisht nga ky simptomë: ethe të verdha, ethe Lassa, ethe skarlatine… lista është e gjatë.

    Vetëm në shekullin XX shkenca arriti të kuptojë realisht si dhe pse lindin ethet. Deri atëherë, trajtimet ishin shpesh primitive: grekët e lashtë i “ftohnin” trupat me urinim, agjërim apo gjakderdhje, metoda që mbetën në përdorim deri në shekullin XIX. Vetëm pas zbulimit të teorisë së mikrobeve nga Louis Pasteur në vitin 1861, u kuptua se ethet nuk janë sëmundje, por një reagim i trupit ndaj tyre.

    Pas vdekjes së shumë grave nga “ethe të lehonisë” në një spital në Paris, Pasteur urdhëroi mjekët të lajnë duart dhe të sterilizojnë mjetet – një praktikë që shpëtoi miliona jetë.

    Si funksionojnë ethet

    Një temperaturë trupore mbi 38°C konsiderohet ethe. Zakonisht ndodhin kur trupi rrit temperaturën për të krijuar një mjedis armiqësor për mikrobet, të cilat nuk shumohen dot në nxehtësi të lartë.

    Ethet janë pjesë e procesit inflamator, që përfshin gjithashtu dhimbjen, skuqjen dhe ënjtjen. Ato rrisin efikasitetin e qelizave imunitare, duke përshpejtuar luftën kundër infeksionit.

    Te fëmijët e vegjël, ethet janë më të shpeshta pasi hipotalamusi – pjesa e trurit që kontrollon temperaturën – ende po mëson ta balancojë atë. Pirogjenet, substancat që shkaktojnë ethe, e nxisin trurin të rrisë temperaturën për të penguar shumimin e mikrobeve.

    Kjo strategji nuk është vetëm njerëzore – edhe peshqit e zvarranikët kërkojnë vende më të ngrohta kur sëmuren, duke përdorur nxehtësinë si mjet mbijetese.

    Kur ethet bëhen të rrezikshme

    Edhe pse në shumicën e rasteve janë të dobishme, ethet mbi 40°C mund të shkaktojnë halucinacione, kriza, dëmtime të trurit apo zemrës, e në raste ekstreme, vdekje.

    Temperatura e lartë shoqërohet me dehidrim, pasi trupi djersin për t’u ftohur, ndërsa disa studime kanë treguar se nxehtësia e tepërt mund të dëmtojë ADN-në.

    Te fëmijët, ndonjëherë ndodhin kriza febrile – konvulsione të shkaktuara nga rritja e shpejtë e temperaturës – që rrallë janë të rrezikshme, por kërkojnë vlerësim mjekësor.

    Ethet që vazhdojnë për shumë ditë mund të jenë shenjë paralajmëruese për meningit, pneumoni apo sepsë, sëmundje që kërkojnë trajtim urgjent.

    Duhet t’i ulim gjithmonë ethet?

    Jo domosdoshmërisht. Një studim i vitit 2021 tregoi se shtypja e etheve mund të ngadalësojë shërimin, pasi ato janë pjesë e reaksionit mbrojtës evolucionar të trupit. Një tjetër kërkim nga viti 2014 zbuloi se ulja artificiale e temperaturës gjatë gripit mund të ndihmojë përhapjen e virusit – sepse njerëzit ndihen më mirë, dalin jashtë dhe infektojnë të tjerët.

    Pra, edhe pse shpesh na lodhin dhe na djersitin, ethet janë një dëshmi se trupi po lufton. Janë alarmi që ndez sistemin tonë imunitar – një mburojë e lashtë që vazhdon të na mbrojë edhe sot.

  • Lizzo paditet për këngën që bëri bujë në rrjete sociale

    Lizzo paditet për këngën që bëri bujë në rrjete sociale

    Këngëtarja amerikane Lizzo po përballet me një padi të re nga GRC Trust, e cila e akuzon atë për përdorim të paautorizuar të një mostre muzikore nga kënga e viteve ’70 “Win or Lose (We Tried)”. Sipas dokumenteve ligjore, pjesa është përdorur në një projekt muzikor ende të papublikuar, i cili u bë viral në rrjetet sociale gjatë muajit gusht.

    Padia është depozituar në Kaliforni, pasi Lizzo kishte ndarë një klip 13-sekondësh të këngës në Instagram dhe TikTok, që tërhoqi vëmendje të madhe për shkak se në tekst përmendej aktorja Sydney Sweeney dhe bashkëpunimi i saj me markën American Eagle.

    Përfaqësuesit e GRC-së pretendojnë se kanë tentuar të zgjidhin çështjen në mënyrë miqësore, por pa arritur marrëveshje.

    Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lizzo-s është shprehur i befasuar nga padia, duke theksuar se “kënga nuk është publikuar kurrë komercialisht dhe nuk është gjeneruar asnjë fitim prej saj”. Ai shtoi gjithashtu se ende nuk është marrë një vendim për publikimin e mundshëm të këngës në të ardhmen.

    Kjo nuk është hera e parë që Lizzo përfshihet në konteste ligjore për të drejta autori. Në vitin 2019, ajo u padit nga tre producentë për hitin “Truth Hurts”, ndërsa artistja Mina Lioness e akuzoi për përdorimin e frazës virale “I just took a DNA test, turns out I’m 100%…” nga një postim i saj në rrjete sociale. Më vonë, Lizzo e njohu Lioness si bashkautore të këngës.

  • Sanae Takaichi: Dikur bateriste, tani kryeministrja e parë femër e Japonisë

    Sanae Takaichi: Dikur bateriste, tani kryeministrja e parë femër e Japonisë

    Japonia shkruan histori: më 21 tetor 2025, Sanae Takaichi u bë kryeministrja e parë femër në historinë e vendit.

    Por përtej karrierës politike, 64-vjeçarja fsheh një anë krejt ndryshe – pasionin për muzikën heavy metal.

    Para se të hynte në politikë, Takaichi ishte bateriste në një grup heavy metal gjatë viteve të kolegjit, dhe sipas mediave japoneze, ajo ende luan në bateri elektronike për të çliruar stresin, zakonisht pasi bashkëshorti i saj shkon për të fjetur.

    Edhe pse nuk ekzistojnë video zyrtare të saj duke performuar, një interpretim i saj i vitit 2016 i këngës “Rusty Nail” nga grupi legjendar X Japan është bërë viral online.

    Në arenën politike, Takaichi njihet për qëndrimet e saj konservatore dhe për admirimin ndaj Margaret Thatcher, ish-kryeministres britanike që shpesh e frymëzon. Megjithatë, shumëkush mendon se për të, nofta “Zonja Heavy Metal” tingëllon më e përshtatshme sesa “Zonja e Hekurt”.

  • Samsung shtyn publikimin e Galaxy S26

    Samsung shtyn publikimin e Galaxy S26

    Fansat e telefonëve Samsung që mezi prisnin lançimin e Galaxy S26 duket se do të duhet të presin edhe pak më gjatë.

    Sipas raportimeve, kompania ka vendosur të shtyjë publikimin e modelit të ri, për shkak të disa faktorëve që po e vështirësojnë prodhimin dhe shpërndarjen në kohë.

    Një ndër arsyet kryesore mendohet të jetë ndryshimi në linjën e serisë kryesore Galaxy, që kërkon më shumë kohë për të prodhuar disa modele në sasi të mjaftueshme.

    Ndërkohë, një leak i ri nga “SammyPolice” ka zbuluar dizajnin e ri të kamerës së Galaxy S26 Ultra, duke ngjallur kureshtje mes adhuruesve të teknologjisë.

    Për më tepër, vendimi i Samsung për të anuluar modelin Galaxy S26 Edge, vetëm një vit pas prezantimit të S25 Edge, ka shtuar edhe më shumë spekulime për vonesa në prodhim dhe shpërndarje.

  • “TRENDI” I SHEKULLIT/Përse ju vajza ‘çmendeni’ pas meshkujve që nuk janë të gatshëm të krijojnë lidhje serioze me ju?

    “TRENDI” I SHEKULLIT/Përse ju vajza ‘çmendeni’ pas meshkujve që nuk janë të gatshëm të krijojnë lidhje serioze me ju?

    Sindroma “Peter Pan” —joshja ndaj një partneri që nuk rritet kurrë

    Sindroma Peter Pan përdoret për të përshkruar sjelljet që tregojnë mungesë pjekurie  shmangien e përgjegjësive personale dhe profesionale, mungesën e seriozitetit dhe dëshirën për të jetuar vetëm në momentin. Edhe nëse kjo ju kujton partnerin tuaj, ka shumë gjasa që ai t’ju duket sërish joshës.

    Meshkujt me këtë sindromë shpesh janë tërheqës, plot energji dhe sharm, por në të njëjtën kohë e kanë të vështirë të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në detyrat e jetës së përditshme. Ata kanë një magjepsje që është njëkohësisht irrituese dhe e parezistueshme.

    Ashtu si personazhi fiktiv në film, edhe një partner me “sindromën Peter Pan” mund t’ju ndihmojë të largoheni përkohësisht nga realiteti. Dhe kjo ndjesi çlirimi mund t’ju bëjë të anashkaloni shenjat paralajmëruese, duke ju shtyrë të vazhdoni marrëdhënien me të. Paaftësia e tij për t’u marrë seriozisht me jetën mund të sjellë shumë argëtim, aventura dhe çaste spontane veçanërisht nëse ju vetë keni ardhur nga një familje strikte ku argëtimi ishte i kufizuar.

    Shpesh, njerëzit ndihen tërhequr nga ata që mishërojnë cilësi që vetë nuk i kanë përjetuar apo nuk i kanë lejuar vetes t’i shijojnë. Edhe nëse keni qenë e vetmuar për një kohë të gjatë, një person që ju ndihmon të harroni përgjegjësitë mund t’ju duket si një frymëmarrje e freskët.

    Por kur kjo ndodh në një periudhë kur jeni në kërkim të stabilitetit apo përparimit profesional, joshja ndaj një “Peter Pan-i” mund të jetë e rrezikshme. Dashuria mund t’ju verbojë, duke ju bërë të injoroni faktin që partneri nuk ka plane, synime apo dëshirë për të ndërtuar të ardhmen. Një lidhje që nis me shumë gaz dhe qeshje mund të shndërrohet shumë shpejt në një realitet që s’përputhet me ëndrrat tuaja.

  • Furça juaj e dhëmbëve është plot me baktere

    Furça juaj e dhëmbëve është plot me baktere

    Bakteret nga tualetet, virusi i herpesit dhe maja që shkakton mykun mund të shumohen lehtësisht në furçat tona të dhëmbëve. Megjithatë, ekzistojnë mënyra të thjeshta për t’i mbajtur ato më të pastra*dhe për të reduktuar rreziqet që mbartin.

    Në fakt, furça e dhëmbëve është një ekosistem i vogël, por i ndotur. Qimet e saj të grisura formojnë një “shkurre” plastike që çdo ditë përmbytet përkohësisht nga uji, duke u kthyer në një ligatinë të pasur me lëndë ushqyese. Brenda kësaj strukture të dendur lulëzojnë miliona mikroorganizma.

    Sipas studimeve, një furçë dhëmbësh mund të strehojë nga 1 deri në 12 milionë baktere dhe kërpudha, që i përkasin qindra specieve të ndryshme, përfshirë edhe viruse të panumërta. Këto mikrobe formojnë filma biologjikë në sipërfaqet e ekspozuara të furçës ose depërtojnë në qimet e dëmtuara nga përdorimi.

    Pse ndodh kjo?
    Çdo ditë, furça ekspozohet ndaj ujit, pështymës, qelizave të lëkurës dhe mbetjeve ushqimore nga goja jonë duke u ofruar mikrobeve një mjedis ideal për t’u shumuar. Për më tepër, shkarkimi i tualetit ose ajri që hyn nga dritaret mund të sjellë mikroorganizma të tjerë, të cilët përfundojnë në furçën tonë. Dhe pastaj, dy herë në ditë, ne e fusim këtë përzierje mikrobesh në gojë.

    Sipas Marc-Kevin Zinn, mikrobiolog në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Rhine-Waal në Gjermani, mikrobet që ndodhen në furçat e dhëmbëve vijnë kryesisht nga tre burime:

    1. Goja e përdoruesit,
    2. Lëkura e tij,
    3. Mjedisi ku mbahet furça.

    Por edhe furçat e reja mund të mos jenë plotësisht sterile. Një studim mbi 40 furça të reja të blera në dyqane në Brazil zbuloi se gjysma e tyre ishin tashmë të kontaminuara me mikrobe përpara përdorimit.

    Kjo tregon se kujdesi dhe mirëmbajtja e furçës së dhëmbëve janë thelbësore për higjienën orale dhe për shmangien e ekspozimit të panevojshëm ndaj mikrobeve.

  • Shqetësime për kancerin dhe shtatzëninë: BE mund të ndalojë dezinfektuesit alkoolikë

    Shqetësime për kancerin dhe shtatzëninë: BE mund të ndalojë dezinfektuesit alkoolikë

    Dezinfektantët alkoolikë, të cilët prej dekadash konsiderohen të sigurt dhe janë pjesë e listës së barnave esenciale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që nga vitet 1990, mund të përballen me ndalim në Bashkimin Evropian.

    Muajin e kaluar, zyrtarë shëndetësorë të BE-së propozuan ndalimin ose zëvendësimin e produkteve që përmbajnë alkool, për shkak të dyshimeve mbi lidhjen e tyre me kancerin dhe rrezikun e shtuar të komplikacioneve gjatë shtatzënisë, raporton klankosova.tv.

    Nëse ky propozim miratohet, mund të pasohet nga tërheqja e dezinfektantëve për duar, detergjentëve dhe produkteve të tjera pastrimi që përdoren gjerësisht në spitalet e vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar nuk do të ndikohet nga ky vendim për shkak të daljes nga BE-ja (Brexit).

    Ekspertët paralajmërojnë se një masë e tillë do të kishte pasoja serioze për higjienën spitalore. Alternativat ndaj etanolit që ofrojnë mbrojtje të ngjashme mund të jenë më pak efektive ose edhe më të rrezikshme.

    Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë dhe higjienën në spitalet evropiane, duke vënë në pikëpyetje balancën mes shëndetit publik dhe masave mbrojtëse rregullatore.

  • Gratë që nuk gatuajnë çdo ditë për burrat kanë martesë më të lumtur

    Gratë që nuk gatuajnë çdo ditë për burrat kanë martesë më të lumtur

    Një studim i ri ka hedhur dritë mbi një aspekt interesant të marrëdhënieve bashkëshortore: gatimi i përditshëm nga gruaja për burrin nuk është domosdoshmërisht shenjë e një martese të lumtur apo të shëndetshme.

    Sipas kërkimeve të realizuara nga një grup sociologësh dhe psikologësh familjarë, mbi 1,500 çifte të martuara në Evropë dhe ShBA u analizuan për mënyrën si ndarja e detyrave të përditshme ndikon në cilësinë e martesës. Rezultatet treguan se gratë që nuk e marrin gatimin si detyrim të përditshëm, por e ndajnë këtë përgjegjësi me partnerin ose e bëjnë sipas dëshirës, raportojnë më shumë kënaqësi, më pak stres dhe një ndjenjë më të fortë barazie në çift.

    Kjo barazi në ndarjen e punëve të shtëpisë përforcon partneritetin dhe krijon një ndjenjë të ndërsjellë vlerësimi, ku të dy bashkëshortët kontribuojnë në mënyrë të drejtë dhe ndihen të respektuar për përpjekjet e tyre.

    Një ndër arsyet kryesore lidhet me presionin kulturor dhe shoqëror që shumë gra ndiejnë për të përmbushur rolin tradicional të “gruas ideale” – asaj që kujdeset për shtëpinë, fëmijët dhe burrin. Kur ky presion largohet, për shembull duke vendosur që gatimi të mos jetë një detyrim i përditshëm, gratë përjetojnë më shumë liri, vetëvlerësim dhe kontroll mbi jetën e tyre, çka ndikon pozitivisht në harmoninë bashkëshortore.

    Studiuesit theksojnë se mesazhi i studimit nuk është që gratë të mos gatuajnë fare, por që të mos ndjejnë presionin për ta bërë këtë çdo ditë si një detyrë automatike. Në fakt, çiftet që ndajnë bashkë përgjegjësitë e përditshme – përfshirë edhe gatimin – zakonisht kanë komunikim më të hapur, lidhje emocionale më të fortë dhe një ndjenjë më të theksuar partneriteti e respekti reciprok.

  • Nga ëndrra e fëmijërisë për t’u bërë aktor te filmi i radhës, Noizy ZBULON gjithçka!

    Nga ëndrra e fëmijërisë për t’u bërë aktor te filmi i radhës, Noizy ZBULON gjithçka!

    Iftuar special në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Salsano Rapi ka qenë artisti i mirënjohur, Noizy. Gjatë intervistës, ai ka folur për projektet e tij më të fundit muzikore, jetën personale dhe rrugëtimin e gjatë në skenën shqiptare. Me stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe energjinë karakteristike, Noizy ka ndarë edhe momente të veçanta nga karriera, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe planet që ka për të ardhmen, duke sjellë një bisedë të sinqertë dhe plot dinamizëm me dy moderatorët.

    Kohët e fundit, ai ka realizuar edhe “Troubleshooters”, një film aksion, i cili pati një sukses ndërkombëtar. A ka filluar që aktrimi të jetë profesioni i tij i preferuar?

    “Me thënë të drejtën, ëndrra ime e parë përpara se të bëhesha muzikant, ka qenë se e mendoja një ëndërr të parealizueshme, thjesht se kanë qenë ato gjërat që nuk dije çfarë të mendoje përpara gjumit dhe mendoje veten si aktor. Kur të kthehem në Shqipëri do bëhem aktor dhe do jem më i miri”.

    Gjithmonë me mendimin ‘kur të kthehem në Shqipëri’, Noizy u shpreh se gjithmonë e ka ëndërruar ta zhvillojë karrierën e tij në atdhe.

    “Kur të kthehem në Shqipëri. Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje të jetoja diku. Aq shumë më pati vrarë ai fakti, që thashë shparë që ma vodhën fëmijërinë, dhe përherë unë isha ai fëmija me peng në zemër. E thoja kur të kthehem në Shqipëri ‘do bëj këtë, do bëj këtë, do bëj atë’ . Ishte aktrimi, por muzika ishte degë e artit”.

    A ka për të ndodhur ndonjëherë që aktrimin ta ketë përpara muzikës?

    “Nëse unë do vendos që mos ndalem, të rri larg ekraneve, besoj ajo do ndodhi”.

    Noizy zbuloi se së shpejti do të realizojë një film të ri titulluar “The Blood Money” të zhanrit dramë dhe aksion.

    “Skenaristi është shqiptaro-gjerman. Është Enkelejdi, është super talent për dramat. Filmat e tij kanë arritur super sukses në Gjermani. Është dramë dhe aksion, por nuk ka armë. Ka më shumë boks. Historia e dikujt që u bë ‘street fighter’ që jam unë. Nis filmi dhe unë jam në burg. Kuptohet që në burg nuk jam për fajin tim. Historia ime bëhet automatikisht se unë kam qenë ‘street fighter’ në Angli. Kam qenë pjesë e kësaj jete, por nuk është plotësisht historia e jetës sime”.

  • Mos i neglizhoni! Këto shenja në fytyrën tuaj tregojnë se keni hipertension

    Mos i neglizhoni! Këto shenja në fytyrën tuaj tregojnë se keni hipertension

    Shumë veta e injorojnë mpirjet e vogla në faqe dhe nuk duhet ta bëjnë këtë. Shenjat e tensionit të lartë të gjakut shpesh nuk zbulohen derisa të jetë tepër vonë. Ka dy shenja që mund të shfaqen në fytyrën tuaj që tregojnë se keni hipertension.

    Hipertensioni, i njohur zakonisht si presioni i lartë i gjakut, prek miliona njerëz, nga fëmijët deri te të moshuarit. Presioni i lartë i gjakut mund të shkaktohet nga shumë faktorë, por më të zakonshmit janë diabeti, mbipesha dhe konsumi i tepërt i alkoolit.

    Ekzistojnë dy shenja paralajmëruese të fytyrës që mund të tregojnë këtë problem shëndetësor: mpirje e fytyrës dhe faqe të dobëta dhe të varura. Mpirja e fytyrës është zakonisht një shenjë e një problemi serioz në trup. Shkaku i mpirjes së fytyrës zakonisht lidhet me dëmtimin e nervave ose venave. Nëse më vonë përhapet në duar dhe trung, duhet të vizitoni një mjek.

    Prandaj, zakonisht mpirja në fytyrë është shenja e parë dhe më e hershme paralajmëruese për rrezikun e shtypjes së një krize hipertensionale.