ATV

Author: ATVLive

  • 9 Maji, Dita e Europës – cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së që kanë lënë gjurmë?

    9 Maji, Dita e Europës – cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së që kanë lënë gjurmë?

    Dita e Europës sot festohet pak para zgjedhjeve europiane që zhvillohen në fillim të qershorit Deutsche Welle tregon, se në cilat fusha ka lënë gjurmë Parlamenti Europian në vitet e fundit, dhe në cilat jo.

    Fillimisht largimi i Britanisë së Madhe nga BE, pastaj Pandemia e COVID-19, pastaj lufta e Rusisë në Ukrainë, – që prej zgjedhjeve të fundit europiane zhvilluar në vitin 2019, parlamentarët europianë kanë qenë para sfidave të mëdha. Prandaj njeriu harron lehtë, cilat kanë qenë temat e agjendës.

    Green Deal: Si janë punët me premtimet për klimën?

    Në vitin 2019, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së, prezantoi një plan për të ulur deri në vitin 2030 emisionet e dioksidit të karbonit në BE me 55 përqind që sasisë që ka qenë në vitin 1990, dhe deri në vitin 2050 për të arritur neutralitetin e emisioneve. Në këtë mënyrë u reagua ndaj presionit të ushtruar prej të rinjve aktivistë që dolën të protestonin në rrugë në shumë vende, në të ashtuquajturën “valën e gjelbërt”. Gjatë zgjedhjeve të para pesë vjetëve shumë deputetë të gjelbër morën vende në Parlamentin Europian, si kurrë më parë.

    Që nga ajo kohë Parlamenti i BE-së, ka marrë pjesë në bisedimet për përpilimin e disa ligjeve, me anë të të cilave mendohet të mbahen premtimet për përmbushjen e Pakteve të Gjelbërta, Green Deals. Mes tyre bëjnë pjesë për shembull planet për ndalimin dekadën e ardhshme të prodhimit të automobilëve me motor djegës dhe vendosjen e taksave mbi produkte të caktuara importi që mbajnë vulën e prodhimit të sasisë së lartë të dioksidit të karbonit, në mënyrë që ata që ndotin ambientin të detyrohen të paguajnë.

    “Parlamenti Europian e ka dëshmuar veten se është ligjvënës me përvojë në çështjet e politikës së ambientit”, thotë Peggy Corlin, drejtuese e zyrës në Bruksel të Institutit të Fondacionit Robert-Schuman.

    Gjatë këtyre ditëve sondazhet kanë treguar se tendenca shkon në disfavor të Të Gjelbërve. Për shkak të protestave zhvilluar në mbarë BE-në, Brukseli liberalizoi disa rregulla për ekonominë ekologjike, në mënyrë që të lehtësojë bujqit.

    Dhe në muajin shkurt, ligjet me ndihmën e të cilave natyra e shkatërruar duhet kthyer sërish në gjendje të mirë, ekologjike, mezi arritën të merrnin aprovimin në votimin përfundimtar. Fraksioni më i madh i qendrës së djathtë, ktheu mbrapsht përkrahjen e ligjit, sepse kishte rezerva për sigurinë e lëndëve ushqimore. Në kuadër të bisedimeve teksti i ligjit u zbut në mënyrë të konsiderueshme.

    Mbrojtësit e klimës i kritikuan të dyja versionet se zbusin premtimet e bëra më parë për klimën.

    BE nxorri ligjet e para në botë për inteligjencën artificiale dhe Big Tech

    Që prej vitit 2019, BE ka nxjerrë një seri ligjesh për të frenuar pushtetin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Vitin e kaluar hyri në fuqi një rregullore e re, e cila detyron platformat online që të luftojnë në mënyrë aktive përmbajtjet e dëmshme.

    BE vuri në funksion disa herë kompetencat e reja digjitale dhe kontrolloi rrjetet sociale. Kështu me presionin e ushtruar nga BE, u ndaluan pjesë të aplikacionit TikTokLite që kishin të bënin me një sistem të diskutueshëm shpërblimi.

    Andrea Renda, drejtor kërkimor në institutin Centre for European Policy Studies me qendër në Bruksel, tha për Deutsche Wellen, se deputetët e BE-së, morën pjesë “në mënyrë të konsiderueshme” në ashpërsimin e ligjeve të para për rregullimin e Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, paralajmëroi Renda, BE ndodhet para një „problemi të madh zbatimi”, sepse çdo rregull është pajisur me procese të ndryshme zbatimi.

    Migracioni në BE: megjithë arritjet vazhdojnë kundërshtimet

    Për një kohë të gjatë vazhdon të jetë një nga temat më të diskutueshme: migracioni dhe politika e azilit të BE-së. Pas diskutimeve dhjetravjeçare, në fillim të muajit prill, Parlamenti i BE-së dha aprovimin përfundimtar të reformës së azilit. Shumë qeveri kombëtare e cilësuan këtë si histori suksesi.

    Sipas ligjeve të reja, çdo vend i BE-së duhet të pranojë një numër të caktuar të migrantëve që mbërrijnë në brigjet e BE-së, ose duhet t’i paguajë një dëmshpërblim vendeve të tjera që i marrin migrantët. Për të përshpejtuar dëbimet, azilkërkuesit do të vlerësohen edhe sipas propabilitetit të pranimit të kërkesës së azilit. Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikojnë këtë ligj të ri.

    “Sipas këndvështrimit të ligjvënësit dhe duke patur parasysh gjithë procesin rezultati mund të shihet si sukses,” thotë Helena Hahn, analiste migracioni në institutin European Policy Center, me qendër në Bruksel. Por, thotë Hahn, rezultati zhgënjeu edhe shumë qeveri.

    “Arsyeja, pse deputetët thanë Po më në fund, është gjykimi se është më mirë me një pakt, sidoqë të jetë ai, se sa pa pakt fare. Nëse reformat nuk do të ishin aprovuar, atëherë me siguri që do të merrej një shuplakë në zgjedhje,” shpjegon ajo. “Partitë e qendrës dhe spektrit të majtë nuk donin të përballeshin me këto pasoja.”

    Futje hundësh nga jashtë: Spiunë në shtëpinë e demokracisë europiane?

    Hijet e një serie skandalesh për futje hundësh të supozuara nga fuqitë jo europiane, bien ende mbi Parlamentin. Në vitin 2022, prokuroria belge kreu një hetim për një sistem ndikimi mbi deputetët që mendohet të jetë bërë kundrejt pagesave. Rasti u bë i njohur si „Katargate”, megjithëse Katari hodhi poshtë të ketë marrë pjesë në të.

    Në prill të këtij viti, u shfaqën njëra pas tjetrës njoftime për një aksion të supozuar rus propagande, dhe para fillimit të javës një punonjës i një deputeti gjerman të BE-së, u arrestua me akuzën e kryerjes së spiunazhit për Kinën. “Unë pyes çfarë do ndodhë tjetër,” thotë për Deutsche Wellen, deputeti socialdemokrat gjerman në Parlamentin Europian, Gabriele Bischoff. “Është vërtet e rëndësishme që ne të bëjmë demokracinë tonë rezistente ndaj ndikimeve të huaja.” Vitin e kaluar Parlamenti Europian forcoi mbrojtjen e Whistleblowern dhe ashpërsoi rregullat e transparencës për deputetët.

    Politika e BE: Përkrahje për Ukrainën, dënim të Rusisë

    Parlamenti Europian nuk mund të vendosë ligje me forcën e vet. Ai është i detyruar të diskutojë propozimet e tij me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Prandaj, Dhoma e tij shpesh luan me „pushtetin e dobët”, dhe nxjerr rezoluta që nuk janë ligjërisht të detyrueshme, për të rritur kështu persionin mbi institucionet e tjera të BE-së.

    Deputeti europian i qendrës, Billy Kelleher nga Irlanda tregon se parlamentarët e ushtruan këtë lloj ndikimi në kuadër të luftës ruse në Ukrainë. Ata detyruan qeveritë që të ulin varësinë nga gazi rus dhe të forcojnë përkrahjen për Ukrainën.

    “Parlamenti ishte me të tjerët që në fillim kur që me një listë të zgjeruar sanksionesh kundër Rusisë, detyruan uljen e aftësisë së saj për të financuar luftën në Ukrainë,” thotë Kelleher për Deutsche Wellen. Ai është një mes shumë deputetëve, që ka vizituar Ukrainën, që në shkurt të 2022.

    Përndryshe Parlamenti ka pak pushtet direkt në politikën e jashtme, sepse vendimet merren nga qeveritë e BE-së. Deputetët kërkojnë gjithjë e më shumë rritjen e ndikimit. Me argumentin, se ata janë zgjedhur në fund të fundit direkt nga qytetarët e BE-së për të qenë anëtarë të Parlamentit.

    Por kjo nuk është diçka me prioritet për të gjithë politikanët BE-së. “Ne duhet të respektojmë vendimet e qeverive kombëtare, sepse ata janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit,” thotë deputeti europian, Nicola Procaccini, kryetar i fraksionit nacionalist të djathtë ECR.

    Ashtu si partitë e spektrit të qendrës së djathtë deri tek të djathtët e skajshëm edhe partia e Procaccinisit mund të marrë në zgjedhjet e BE-së të këtij qershori vota nga votat e qendrës dhe të majtës.

  • Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

    Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe me rastin e 26-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Dr.Hazir Malaj, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, kryeministri Kurti foli për kontributin e komandantit Ilir Konushevci e Hazir Malaj. Tha se armët që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e komandant “Mërgimit”, nofkë kjo e bartur gjatë luftës.

    Kurti tha se barra për Konushevcin ishte e dyfishtë, pasi ishte i ngarkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria në Kosovë.

    “Në vitet e 90-ta është dashur të bëhet shumë punë vetmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci ‘Mërgimi’, i cili kishte një barrë të dyfishtë: Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha Kurti.

    “Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, u shpreh Kurti.

    Këshilltari ushtarak i presidentes Vjosa Osmani, Gjeneral Sefer Isufi, tha se personaliteti e heroit Konushevci, bartet me krenari nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Në nderim të njërit prej themeluesve të UCK, njeherit të lokomotivës së logjistikës së UÇK-së, heroit të Kombit Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij. Vlerat e ushtarakut që barte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrëfyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë pavarësinë dhe mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe njëherë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenaria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, u shpreh ai.

  • Dita e Evropës, shkallët e Arbërisë “vishen” me ngjyrat e flamurit të BE’së

    Dita e Evropës, shkallët e Arbërisë “vishen” me ngjyrat e flamurit të BE’së

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se me rastin e Ditës së Evropës, shkallët e Arbërisë janë veshur me ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian.

    Rama ka thënë se rrugëtimi i Kosovës drejt BE’së është i natyrshëm dhe i pashmangshëm dhe se kjo është simbolika e këtij veprimi.

    “Rrugëtimi jonë drejt Bashkimit Evropian është i natyrshëm dhe i pashmangshëm. Në Ditën e Evropës, i veshëm shkallët ikonike të Arbërisë me ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian si simbol i këtij rrugëtimi”, ka shkruar Rama.

  • Ambasadori italian në Beograd: S’është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Asociacioni element kyç

    Ambasadori italian në Beograd: S’është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Asociacioni element kyç

    Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori ka thënë se ende nuk ka ardhur koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës duke theksuar se për një gjë të tillë është i domosdoshëm përparimi thelbësor në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Ky është qëndrimi që ka mbajtur Italia së bashku me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe këtë po përpiqemi ta arrijmë në Strasburg”, tha Gori për Tanjug në lidhje me kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës.

    Ai shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Prandaj jemi të bindur se nëse nuk ka progres substancial në lidhje me këtë qëllim, nuk është koha e duhur për t’u marrë me apo për ta vënë në agjendë çështjen e kandidaturës së Kosovës për Këshillin e Europës”, ​​tha ambasadori italian.

    I pyetur për hapat që po i ndërmerr Italia për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, ai tha se tashmë janë ndërmarrë hapa në Strasburg në koordinim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

    “Ne po mundohemi t’i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë përparim në çështjen e Asociacionit, por deri më tani nuk kemi parë ndonjë përparim”, tha Gori dhe ritheksoi se qëndrimi i Italisë është se nuk është ende momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se nuk do ta çdojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur se ky i është paraqitur si kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE këtë muaj.

  • ​Alarmon Rafuna, bën thirrje për veprime urgjente të Qeverisë për të mbrojtur ekonominë

    ​Alarmon Rafuna, bën thirrje për veprime urgjente të Qeverisë për të mbrojtur ekonominë

    Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe përmirësuar ekonominë e Kosovës. Ai në një intervistë për KosovaPress derisa thotë se ka nevojë për reforma në politikat fiskale, konsideron se qeveria duhet të ndihmojë më shumë bizneset vendase, pasi që sipas tij, ka rënie të theksuar të eksportit, për çfarë thotë se kjo dëmton edhe ekonominë e vendit.

    Sa i përket investimeve publike dhe projekteve kapitale, Rafuna bën thirrje për qeverinë që të fillojë sa më shpejtë implementimin e projekteve për të stimuluar dhe nxitur rritjen ekonomike.

    Ai i shqetësuar shprehet edhe me masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ku tashmë bëhen një vit. Ai derisa thotë se kërkesat që vijnë nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar duhet të zbatohen dhe të implementohen nga Qeveria, vlerëson hapin e zgjedhjeve të mbajtura në veri si pozitiv, por thekson se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët në mënyrë që të adresohen edhe sfidat tjera që prekin ekonominë e vendit.

    “Ne si Odë Ekonomike për shkak se po dëmtohet ekonomia jonë, bizneset, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe imazhi, kërkesa jonë ka qenë që kërkesat që vijnë nga partnerët ndërkombëtar. Në këtë rast nga Bashkësia Evropiane dhe nga miqtë tjerë, nga ShBA-të, Anglia, të harmonizohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të dakordohen dhe gjitha këto masa të implementohen… (Kërkesat për zgjedhjet në Veri), është një hap që e ka bërë Qeveria, që është të përgëzohet, mirëpo duhet të shihen cilat janë kërkesat tjera dhe duhet sa më urgjent, sa më shpejtë të hiqen masat që nuk i meriton Republika e Kosovës…Për momentin, sipas të dhënave që posedojmë si Odë jemi këtu, jemi të 300 milionëshi, mirëpo nuk do të thotë që kjo muajt e ardhshëm nuk rritet, për shkak se vijnë projektet që vendet tjera përfitojnë, ndërsa Kosova nuk përfiton, dhe kjo vlerë mund të shkojë duke u rritur”, deklaron Rafuna.

    Në lidhje me rritjen e çmimit të produkteve të konsumit, e cila sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në muajin mars e prill të këtij viti, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.3 për qind krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, Rafuna përmend nevojën për ndërhyrjen e politikave financiare për të shmangur rritjen e atyre çmimeve.

    Ai ka pohuar se lajmi i mirë është se inflacioni është në rënie, por gjithashtu ka vënë në duke nevojën për të analizuar dhe eliminuar kostot shtesë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.

    “Duhet të merren masat e politikave fiskale, financiare, por edhe tek pjesa administrative në mënyrë që të ndihmohet që çmimet sidomos për produktet e konsumit të përditshëm të mos shtrenjtohen sepse ndikon drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve. Tani është lajm i mirë që inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë, por rajon dhe gjithë Evropën, lajmi mirë është që kemi dalë edhe prej sezonit të dimrit dhe nuk është më kërcënimi i mungesës së energjisë elektrike ose ngritja e çmimit të energjisë elektrike, normat e interesit kanë filluar që të bien në vendet e BE-së, tani edhe në Kosovë, ky është lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu, duhet të shohim ku është ajo kostoja shtesë që po e kanë bizneset tona që po ndikon në ngritjen e çmimeve dhe të eliminojmë edhe atë pjesë nga ana e Qeverisë”, shton Rafuna.

    Ai ka shtuar se rënia e investimeve kapitale po ndikon direkt tek bizneset.

    “Po ndikojnë shumë, sepse një ndër elementet që ndikon drejtpërdrejt në rritje të bruto produktit vendor janë edhe investimet publike, në këtë rast që vinë prej projekteve kapitale që parashihen të financohen nga mjetet publike, nga paratë e parapara në buxhetin e shtetit, d.m.th me ligjin e buxhetit për vitin 2024. Për ne ka qenë shqetësuese kur kemi parë edhe komunikatën e Fondit Monetar që nuk i referohet shumë investimeve publike. Kërkesa jonë ka qenë gjithmonë më së paku në qoftë se nuk ka mundësi të shtojë shumën e mjeteve për shpenzime kapitale, së paku të shpenzohet ajo shumë e cila është e planifikuar. Ne jemi dëshmitar që dy apo tre vitet e kaluara ka qenë më e vogël shuma që ka njohur ndonjëherë historia e implementimit të projekteve kapitale. Dhe kërkesa jonë sërish shkon për Qeverinë, ministritë përkatëse qe të fillojnë të implementojnë projektet në kuptim të plotë të ligjit, duke e respektuar çdo dispozitë të tij, mirëpo të fillojnë sa më herët në mënyrë që projektet të implementohen, por edhe ajo shumë qe ka qenë e paraparë të shkojë tek biznesi, deri tek hallka e fundit”, shton Rafuna.

    Ai gjithashtu shpreh shqetësimin për rënien e eksportit dhe bënë thirrje Qeverisë që të lobojë sa më shumë për përmirësimin e imazhit të vendit për të siguruar stabilitet dhe ambient të favorshëm në të bërit biznes.

    “Ankesat janë të shumta, ankesa më e madhe për momentin është gjetja e tregut më të madh, duhet të ndihmohen prodhuesit. Nëse shohim të dhënat nga doganat, por edhe nga ASK shohim se ka rënie të eksportit në këta tre muajt e fundit, dhe kjo është shqetësuese, për arsyeje se duhet parë sa i përket eliminimit të mundësisë që Kosova të paraqitet si një vend i tensionuar, si një vend i krizës, këtu duhet të kemi kujdes të gjithë, duhet të punojmë sa më shumë në përmirësimin apo tregimit të imazhit të Kosovës, që është një vend i qetë, demokratik, në vend që ndikon në stabilitet edhe të BE-së, ambient i të bërit biznes. Është edhe çështja e mos ndërmarrjes në politikat fiskale, është viti i gjashtë që nuk ka një freskim të politikave fiskale. Më pas reforma në sistemin arsimor, për ta lidh arsimin me kërkesat e tregut, duhet shëndetësia e me radhë. Institucionet duhet të jenë më të shpejta, sepse nuk kemi kohë që të presim dhe të shohim prej një shikimi të lirë se çfarë po ndodh, duhen veprime konkrete dhe të shpejta”, thotë Rafuna.

    Eksporti i mallrave në muajin shkurt të këtij viti kishte vlerën 70.3 milionë euro, ndërsa importi 467.8 milionë euro, që është një rënie prej 3.9 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 19.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 25.2 për qind në muajin shkurt 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 397.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 317.5 milionë euro në vitin 2023.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për statistikat e Tregtisë së Jashtme, eksporti mbulon importin me 15 për qind.

  • VMRO prin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    VMRO prin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, përderisa kundërkandidati i saj, Stevo Pendarovski, pranoi humbjen.

    Më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë.

    Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave.

    Bazuar në rezultatet e KSHZ-së për Davkovkën kanë votuar mbi 65 për qind e votuesve ndërsa Pendarovski ka arritur të merr rreth 30 për qind të votave.

    VMRO-ja po ashtu po prin në zgjedhjet parlamentare, që po ashtu u mbajtën të mërkurën.

    “Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t’i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha ajo në adresimin e parë pas zgjedhjeve.

    Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ndërkaq, tha se rezultatet janë të qarta, duke i uruar fitoren kundërkandidates së tij.

    “Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.

    Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31 për qind e trupit votues.

    Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO po udhëheq e me rreth 40 për qind të votave të fituara.

    Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave.

    Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave.

    Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.

    Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, Davkova udhëhoqi bindshëm me një diferencë prej 20 për qind të votave në krahasim me kundërkandidatin e saj socialdemokrat Pendarovski.

    VMRO DPMNE-ja në paraqitjen e parë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00 tha se “të mërkurën ka dështuar skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.

    Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”.

    Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.

    Zëdhënësja e Lidhjes Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, Bogdanka Kuzeska tha se zgjedhdjet “ishin të suksesshme, paqësore dhe dinjitoze, siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian”.

    Procesi zgjedhor u zhvillua në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

    “Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t’i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tona bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë”, ka deklaruar më herët gjatë 8 majit shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.

    Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.

    Në garën për Parlamentin e ri morën pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore u zhvillua mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

    Në radhët e Frontit Evropian garuan edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

    Zgjedhjet parlamentare u mbajtën me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

    Beteja kryesore për partitë shqiptare pritet të jetë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

    Ndërkaq, që zgjedhjet presidenciale të ishin të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, sipas legjislacionit, duhet që dalja të jetë së paku 40 për qind.

    Tani, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.

    Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.

    Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.

    “Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re”, thotë Novakovski.

    Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.

    Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

    Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj. /Radio Evropa e Lirë

  • Kurti nuk e pranon asociacionin si parakusht për anëtarsim në KIE

    Kurti nuk e pranon asociacionin si parakusht për anëtarsim në KIE

    Përgatiti: Haris Ademi

    Kryeministri Albin Kurti tregoi publikisht të mërkurën, se nuk do ta pranojë kushtëzimin e disa shteteve evropiane, për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, para anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    Ai tha se një veprim të tillë do ta bënte vetëm nëse Serbia do ta nënshkruante marrëveshjen për normalizim, dhe jo duke e prishur pakon. Prandaj, sipas tij, drafti i BE-së për Asociacionin mbetet vetëm non-paper.

    “Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që nuk i ka pranuar dhe nuk janë zyrtare, në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ka qenë dhe mbetet absurde. Tri herë gjatë procesit, është tentuar që kjo të futej si parakusht për anëtarësim”, tha Kurti.

    Kërkesën për dërgimin e draftit në Kushtetuese e kanë shprehur Gjermania, Franca e Italia. Kurti i cilësoi këto shtete aleate si një lloj pengese në këtë proces, duke thënë se ky kushtëzim është kundër vlerave të KiE-së.

    “Assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim”, tha Kurti.

    Sipas tij, Kosova nuk pranon këso kushtesh për anëtarësim në KiE, pasi këto janë çështje të ndara.

    Sipas kryeministrit, vendosja e Asociacionit si parakusht për anëtarësim, është rrëzuar tri herë, në dy fazat e para, në Komitetin për Politikë dhe Asamblenë Parlamentare, ku Kosova mori votat e nevojshme.

    Në një përgjigje për ATV-në, Këshilli i Evropës e konfirmoi se Kosova nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave më 16 e 17 maj, por nuk tregoi nëse mund të ketë ndryshime deri të enjten tjetër. Vetë Kurti beson se kjo duhet të ndodh.

    Komiteti i Ministrave do të ishte faza e fundit për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës.

  • Miratohet projektligji i ri për banka

    Miratohet projektligji i ri për banka

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Qeveria ka miratuar projektligjin e ri për Banka.

    Sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, ky projektligj është më i pasur sesa aktuali, dhe me anë të tij më shumë të drejta do t’i kalojnë Bankës Qendrore.

    Mirëpo, i njëjti nuk do të vlejë për institucionet mikro-financiare.

    “Ligji do të zbatohet vetëm për subjekte që ushtrojnë veprimtari bankare financiare por jo edhe ato mikor- financiare të cilat janë paraparë të rregullohen me ligj të veçantë”, tha Murati

    Po ashtu, gjatë mbledhjes së të mërkurës, u miratua edhe udhëzimi administrativ për të Drejtat dhe Ofrimin e Shërbimeve për Mbrojtjen e Fëmijës.

    Ekzekutivi miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për shfrytëzim e një hapësire te Spitalit i përgjithshëm të Gjilanit, për ndërtimin e shkollës së mesme për mjekësisë.

    Ministri Arben Vitia tha se gjendja e shkollës aktuale është shumë e rëndë.

    Qeveria miratoi edhe 16 pika të tjera, përfshirë shpronësime të pronave të paluajtshme për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë si dhe ndarjet buxhetore për Kuvendin.

  • Pesë muaj nga rënia e çatisë së komunës së Prishtinës

    Pesë muaj nga rënia e çatisë së komunës së Prishtinës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Erërat e forta të 18 janarit, rrëzuan një pjesë të çatisë së komunës së Prishtinës, duke lënduar rëndë Elza Ujkanin, e cila për disa momente mbeti nën gërmadha.

    Si pasojë e plagëve, 23 vjeçja, u dërgua në QKUK për t’u operuar, dhe u lirua tek pas 2 muajsh trajtim.

    Prokuroria kishte nisur hetimet, të cilat rezultuan me ndalimin e menaxherit të projektit dhe pronarit të kompanisë që kishte kryer rinovimin e çatisë.

    Pesë muaj pas, Demokracia Plus publikoi një analizë për pjesën e prokurimit të kontratës për rinovimin e kulmit e cila rezulton se në dy raste të ndryshme kompania ishte dënuar për falsifikim dhe mashtrim në prokurim publik.

    “Në rastin e parë kompania NBT-ING Sh.P.K., në vitin 2018 kishte falsifikuar dokumente në tenderin për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Vërbeshticë-Shtërpc, në vlerë të parashikuar të kontratës 1 milion euro të iniciuar nga kompania e Suharekës. Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe i shqiptoi gjobë në vlerë prej 900 euro. Rasti i dytë Kompania NTB-ING Sh.P.K., vazhdoi të fitojë kontrata publike, dhe në rastin e dytë është në vitin 2020 në tenderin ‘Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale’, në vlerë rreth 1 milion euro. Pavarësisht dy rasteve të dënimit nga ana e gjykatës, kjo kompani vazhdojë të fitojë tender publik dhe deri tek rasti i Komunës së Prishtinës, ku ra kulmi”, tha Dragusha nga Demokraci Plus.

    Dënimet e tilla sipas anëtarëve të shoqërisë civile që janë angazhuar në hulumtim, nuk janë në proporcion me nivelin e rrezikut.

    “Këto dallime në mes të vendimeve të gjykatave dhe shkeljeve po shpërfaqin një mos përputhje në vendimmarrje prej organeve kompetente. Gjithashtu po inkurajojnë operatorët ekonomik që të vazhdojnë me kryerjen e këtyre vendimeve. Andaj, në këtë linjë Demokraci Plus rekomandon që kurdo që ka raste kur dërgohen dokumente të falsifikuara, autoritetet kontraktuese të përdorin listën e zezë dhe të diskualifikojnë operatorët ekonomik. Gjithashtu, gjykata gjatë marrjes së vendimit të kenë parasysh rrezikun e shkaktuar nga shkelja dhe të shqiptojnë dënime në proporcion me rrezikun e shkaktuar”, tha Egzona Kozhani nga Demokracia Plus.

    Objekti i komunës së Prishtinës është përuruar në vitin 2009. Por, çatia u rindërtua edhe njëherë në vitin 2023. Tenderin 380 mijë eurosh, për ta kryer këtë punë e kishte fituar kompania nga Komuna e Suharekës.

  • Sulmet kibernetike nga Rusia, sipas kryeministrit ato kanë qëllim destabilizimin e institucioneve

    Sulmet kibernetike nga Rusia, sipas kryeministrit ato kanë qëllim destabilizimin e institucioneve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Shprehja publike e mbështetjes ndaj Ukrainës, sipas ministres së Punëve të Jashtme, Kosovës i kushtoi me një sulm kiberentik nga Federata Ruse.

    Gërvalla – Schwarz, nuk dha më shumë detaje lidhur me rastin, por kryeministri Kurti të mërkurën njoftoi se cak kishin webfaqet e institucioneve të shtetit.

    “Disa webfaqe kanë rënë për një periudhë të shkurtër si pasojë e sulmeve kibernetike të cilat vijnë së paku nga federate ruse, ndoshta edhe nga vegla tjera të saj”, tha Kurti.

    Por, Eksperti i Kibernetikës, Halil Berisha tregon më konkretisht se për çfarë sulme bëhet fjalë.

    “Në pamje të parë duket që të jenë Denial of Service, i cili nënkupton se webfaqet janë sulmuar me trafik shumë më shumë se sa përballojnë”, tha Berisha.

    Megjithatë, qëllimi i hakerëve rusë, sipas Kurtit ishte më i madh sesa veç bllokimi i faqeve.

    “Synimi i tyre është lufta hibride e cila po të kishte sukses, do kishte për pasojë destabilizimin e institucioneve tona të sigurisë stabilitetit dhe mbarëvajtjeve”, tha Kurti.

    Pavarësisht se kësaj radhe u kundërpërgjigjën suksesshëm, njohës të sigurisë kibernetike vlerësojnë se institucionet duhet të tregojnë kujdes shtesë tani e tutje.

    “Askush nuk është i sigurt nga sulmet kibernetike. Sulmet duhet të shihen me kujdes sidomos kur vijnë nga vende me autoritet si nga rusia, sepse ndodh që janë të financuara nga shteti rus”, tha Berisha.

    Sulmin kibernetik dyshohet të jetë realizuar nga grupi i hakerëve “Server Killërs”.

    Veç dy muaj para këtij rasti, në vend u inaugurua Qendra Trajnuese Shtetërore për Siguri Kibernetike, e cila do funksionojë pikërisht në Ministri të mbrojtjes, webfaqja e se cilës po ashtu ishte cak i sulmit.