ATV

Author: ATVLive

  • Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

    Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

    Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit.

    Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.

    Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

    “Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.

    Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

    “Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.

    Çfarë “Maqedonie krenare” premton?

    Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend.

    Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.

    Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

    Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.

    Silanovska-Davkova hyri në rrethin e dytë zgjedhor si favorite, pasi në rrethin e parë më 24 prill – kur garuan gjithsej shtatë kandidatë – fitoi dyfish më shumë vota se kandidati i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski.

    Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota.

    Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.

    Mandati aktual i Pendarovskit skadon më 12 maj. Deri atëherë, Kuvendi duhet ta mbajë seancën për inaugurimin e presidentes së re.

    Në këtë rast, seancën ceremoniale për inaugurimin e presidentes së re do ta mbajnë deputetët nga përbërja e deritashme e Kuvendit.

    Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, tha se ky institucion do të mundohet t’i respektojë të gjitha afatet, në mënyrë që më 12 maj vendi ta ketë presidenten e re.

    Pesë presidentë dhe gjashtë cikle zgjedhore

    Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.

    I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

    Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004.

    Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat.

    Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate, deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski./REL/

  • MD për projektkodin civil: Drafti është gati, do të procedohet kur të sigurohemi që do ta ketë mbështetjen në Kuvend

    MD për projektkodin civil: Drafti është gati, do të procedohet kur të sigurohemi që do ta ketë mbështetjen në Kuvend

    Janë bërë më shumë se dy vjet që nga dështimi i votimit të projektkodit civil, që ndër të tjerash rregullon regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Për të ndërtuar shumicën parlamentare për votimin e këtij projektkodi, zotimin e ka marrë tashmë kryeministri Kurti, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se drafti është i gatshëm por se do ta procedojnë kur të kenë mbështetje në Kuvend.

    Më 16 mars të vitit 2022, votimi i projektkodit civil qe në rend të ditës, mirëpo nuk arriti të kalojë në lexim të parë. Në momentin e votimit, në sallë ishin 77 deputetë, prej të cilëve 29 votuan kundër, 28 për, 4 abstenuan, ndërsa 16 nuk morën pjesë në votim.

    Ndonëse ishin dhënë disa afate, ky projekt kod qe më shumë se dy vjet nuk është proceduar më në Kuvend. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime, por ministrja Haxhiu ka deklaruar se “nuk është bindur që mund ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk janë të bindur se mund të kalojë”.

    Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Ministria e Drejtësisë, kanë thënë se drafti për Kodin Civil është i gatshëm, derisa kanë shtuar se do ta procedojnë në Kuvend kur të ketë mbështetje.

    “Siç jeni në dijeni, drafti i Kodit Civil është i gatshëm. Është e rëndësishme që i njëjti të kalojë në Kuvend prandaj do të procedohet kur të sigurohemi që do ta ketë mbështetjen në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MD’së.

    Ditë më parë, kryeministri Kurti ka thënë se “personalisht do ta ndërtojë një shumicë parlamentare” për votimin e këtij projektkodi, që gjen refuzim të madh te deputetët e partisë që udhëheq vetë ai.

    “Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e kancelarit Olaf Scholz.

    “Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha ai.

    Një nga deputetët e VV’së që kundërshtojnë këtë projektkod është Eman Rrahmani. Së fundi, ai ka thënë se është rritur numri i deputetëve që do të votojnë kundër.

    “Po kryeministri Kurti edhe para dy vitesh është marrë me këtë, kemi pasur diskutime edhe në Grupin Parlamentar mes deputetëve, mirëpo këto janë qëndrime të deputetëve, të cilët vendosin për votën e tyre se si do të votojnë për çështje të caktuara. Kurse sa i përket Kodit Civil, unë besoj që kurdo që vjen do të ketë vota edhe më shumë kundër se sa që ka pasur para 2 viteve, në raport me të. Të paktën nga diskutimet që kam pasur unë me deputetët, ka deputetë të cilat kanë votuar pro herën e kaluar dhe tani janë kundër”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

    Afatat që u harruan

    Disa njerëz të rëndësishëm të pushtetit, në kohë të ndryshme, kishin dhënë afate të ndryshme se kur do të procedohet në Kuvend projektkodi civil.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në fillim të shtatorit të vitit 2022 kishte thënë se ky projektkod në vjeshtë do të dërgohet sërish në Kuvend.

    “Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

    Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si afat për votimin e këtij projektkodi e kishte përmendur periudhën para Vitit të Ri 2023.

    “Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini më 8 dhjetor 2022.

    Ndërkaq rreth një vit më parë, Ministria e Drejtësisë, i kishte thënë Gazetës Express se “shumë shpejtë” projektkodi civil do të procedohet për votim në Kuvendin e Kosovës.

    “Kodi Civil është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë dhe me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë. Së shpejti, Kodi Civil i kompletuar, me të gjitha adresimet do të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës për secilin projektligj por edhe këtë projekt Kod do të diskutojë me Kuvendin për përmbajtjen dhe rregullimin që bënë në të ardhmen Kodi”, thuhej në një përgjigjen e marsit të vitit të kaluar.

    Ndërkaq ministrja Haxhiu në gusht të vitit të kaluar, pas një mbledhje të Qeverisë, tha se “brenda këtij viti [2023] të procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile”.

    Ajo kishte deklaruar se janë duke punuar me deputetë që kodi të mos dështojë kur të shkojë në Kuvend.

    Për këtë temë, në një konferencë për media në janar të këtij viti ka folur ministrja Haxhiu. Ajo tha se projektkodi civil është në agjendë legjislative por shtoi se “nuk mund të thotë me siguri se kur pritet sepse varet nëse i kanë votat.”

    Ajo tha se “Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

    “Jemi në përpjekje maksimale që të kalojë, në komunikim me deputetët e grupit tonë parlamentar nuk mund të them sot me siguri se i kemi apo nuk i kemi, megjithatë jam optimiste se në momentin kur ta procedojmë edhe do të kalojë. Këtu përgjegjësi ka edhe opozita, sepse ata po thonë që po i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, nëse është kështu, atëherë duhet të votojnë ligje të cilat i shërbejnë qytetarëve”, tha Haxhiu në konferencën e 10 janarit 2024.

  • Policia e Kosovës shqipton 2071 tiketa trafiku brenda 24 orësh

    Policia e Kosovës shqipton 2071 tiketa trafiku brenda 24 orësh

    Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë shqiptuar 2071 tiketa trafiku.

    Policia tutje shton se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 25 aksident trafiku me të lënduar, ndërsa 39 me dëme materiale.

  • Presidenca belge pro heqjes së masave ndaj Kosovës

    Presidenca belge pro heqjes së masave ndaj Kosovës

    Me organizimin e referendumit në katër komunat veriore të vendit, Kosova konstatoi se ka përmbushur marrëveshjen katërpikëshe me Bashkimin Evropian që u nënshkrua në Bratislavë. Në këmbim po kërkon heqjen e masave ndëshkuese që u vendosën për shpërthimin e tensioneve në veri. Megjithatë, masat vazhdojnë të jenë në fuqi dhe heqjes së tyre duhet t’i paraprijë një raport i kryediplomatit Borrell, i cili do të jetë pikëreferimi për Këshillin e BE-së që të marrë vendim për këtë. Belgjika, e cila udhëheq Presidencën e BE-së, është pro heqjes së masave dhe një qasje të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë.

    Presidenca e Belgjikës, e cila ka në përgjegjësi çuarjen përpara të punëve të Këshillit, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se BE ka gatishmëri për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por përmendi “përparim të mëtejshëm”.

    “Në përputhje me konkluzionet për Zgjerim të Këshillit të 12 dhjetorit 2023, BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së. Këshilli i BE-së do t’i rikthehet çështjes në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë për përmbushjen e këtyre kërkesave nga Kosova”, tha zëdhënësi i Presidencës belge, David Jordens.

    Ai tha se vendi i tij është pro një qasje të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu pro heqjes së këtyre masave.

    “Belgjika kërkon një qasje të ekuilibruar ndaj Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për masat e BE-së. Në këtë perspektivë, Belgjika është në favor për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës kur të ndërmerren veprimet e duhura për adresimin e kërkesave të BE-së”.

    Për masat dje ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se raporti i Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, është afër finalizimit.

    “Unë mund të konfirmoj pa diskutuar në publik vijueshmërinë e procesit në Këshill, mund të konfirmoj që raporti është afër finalizimit dhe eventualisht të dorëzohet tek Këshilli Europian”, ka thënë Stano.

    Në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që masat të hiqen, duke thënë se ato “bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe me planin e rritjes e me qëllimet e tij”.

    “Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në dhe në këtë kontekst ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

    Në fund të prillit, Bashkimi Evropian në një përgjigje për Express pati thënë se Kosova kishte mundësuar terrenin për të zgjedhje të reja përmes organizimit të votimit për heqjen e kryetarëve.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, kishte thënë BE.

  • Kosova s’është në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së

    Kosova s’është në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së

    Kosova, tash për tash, nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 maj në Strasburg, konfirmojnë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë.

    Pritjet ishin që në atë takim të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Sipas burimeve diplomatike të disa vendeve të Këshillit të Evropës, janë disa shtete, të cilat preferojnë që Kosova të mos jetë fare në agjendë, sesa të marrë votë negative.

    Paraprakisht, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.

    Por, ndërkohë, shtete si Franca dhe Gjermania kërkuan kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e jo me Këshillin e Evropës.

    I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se “ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës”.

    Që Kosova të bëhet anëtare e organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut, pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare./REL

  • Ish-ushtari i Konushevcit: Ka qenë modest e strateg në luftë, pas rënies është dashur kohë për tu konsoliduar

    Ish-ushtari i Konushevcit: Ka qenë modest e strateg në luftë, pas rënies është dashur kohë për tu konsoliduar

    Sa herë që vjen 9 maji, ish-ushtari i UÇK-së Gani Nuha përkujton ish-komandantin e tij, Illir Konushevci, i cili sot mbush 26 vjet nga rënia e tij. Nuha thotë për Ekonomia Online se Konushevci shquhej për strategji lufte e trimëri.

    Nuha, krahas dëshmorëve e ish-ushtarëve tjerë, e ka vlerësuar Ilirin për modesti dhe për udhëzime se si të veprohet në luftë.

    “Ilirin e kam njohur gjatë vitit 1998, ka qenë komandant i imi. Iliri, shpesh po e ceki gjithë dëshmorët apo heronjtë kanë qenë të veçantë, ai me të vërtetë ka qenë një njëri shumë i veçantë, ka qenë një strateg që na ka udhëzuar gjithmonë se si duhet të ecim rrugës, si do të vazhdojmë rrugës, si duhet të kemi kujdes, që nuk duhet ta nënvlerësojmë armikun, të gjithë ato udhëzimet e tij kanë qenë superiore. Ka qenë një shok i mirë në atë kuptimin kur nuk e ka nxjerr vetën se është më i lartë se ne, por ka qenë gjithmonë në nivel tonin”, ka thënë ai.

    Nuha, i cili pas rënies së komandant Konushevcit, mbante pozitën e komandantit, thotë se 26 vite pas rënies së Ilirit dhe dr. Hazir Malajt, shqiptarët e gëzojnë lirinë.

    “26 vite pas rënies së Ilirit shyqyr që e gëzojmë lirinë, ka qenë rasti shumë i rëndë kur Iliri edhe doktori, Hazir Malaj, sepse edhe atë e kam njohur personalisht, na kanë shtyrë si proces shumë mbrapa sepse armiku na ka goditur aty ku dhembë më së shumit”, ka thënë ai.

    Nuha ka treguar edhe momentin kur e ka kuptuar për rënien e Ilirit dhe Malajt, lajm për të cilin thotë nuk ka besuar.

    Ai tha se vrasja e Ilirit dhe Malajt e ka ngadalësuar luftën e tyre dhe se ju është dashur shumë kohë për tu konsoliduar.

    “Ne kemi qenë në punë e sipër edhe kur e kemi marr ka qenë e pa besueshëm, këto gjënë nuk e kemi besuar deri sa e kemi parë që Ilir na ka lënë edhe doktori, kanë qenë shumë të rënda. Na kanë ngadalësuar procesin sepse Iliri ka pasur një pikë kyçe ka qenë një ndër furnizuesit kryesor të UÇK, dhe na ka marr shumë kohë deri sa e kemi marr vetën dhe e kemi vazhduar prapë rrugën e Ilirit deri në çlirimin e Kosovës siç na ka udhëzuar ai”, ka thënë ai për EO.

  • ​Hoxhaj: Kosova pa asnjë njohje që katër vjet, i ka humbur momentumi ndërkombëtar

    ​Hoxhaj: Kosova pa asnjë njohje që katër vjet, i ka humbur momentumi ndërkombëtar

    Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, ka thënë se Palestina, edhe pse në Gaza në gjendje lufte, ka arritur të rikthejë momentumin ndërkombëtar, nga e cila po merr njohje të njëpasnjëshme.

    Nënkryetar i Kuvendit Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se javën e kaluar Xhamajka, Barbados, Trinidad dhe Tobago njohën pavarësinë e Palestinës dhe këtë muaj Spanja, Irlanda dhe Sllovenia gjithashtu do ta njohin atë, shkroi ai.

    E kjo, sipas Hoxhajt, tregon që, Palestina, përkundër luftës në Gaza, e ka rikthyer momentumin e saj.

    “Kosova pa asnjë njohje në katër vitet e fundin, përfundimisht e ka humbur momentumin ndërkombëtar të saj! Ky është çmimi që është duke paguar Kosova pa kurrfar politike të jashtme.”, ka shkruar Hoxhaj.

    “Javën e kaluar Xhamajka, Barbados, Trinidad dhe Tobago njohën pavarësinë e Palestinës. Këtë muaj Spanja, Irlanda dhe Sllovenia gjithashtu do ta njohin atë! Kjo tregon që, ajo, përkundër luftës në Gaza, e ka rikthyer momentumin e saj. Kosova pa asnjë njohje në katër vitet e fundin, përfundimisht e ka humbur momentumin ndërkombëtar të saj! Ky është çmimi që është duke paguar Kosova pa kurrfar politike të jashtme.”, është ky shkrimi i plotë i tij.

  • Këta janë 19 deputetët e Ali Ahmetit në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut

    Këta janë 19 deputetët e Ali Ahmetit në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut

    Në zgjedhjet e djeshme parlamentare dy koalicionet shqiptare do të përfaqësohen me 32 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

    Por në kuadër të këtij numri kemi edhe deputetë të komuniteteve tjera, e ata janë pjesë e koalicionit Fronti Evropian, si dy deputetë të komunitetit turk dhe një i komunitetit torbesh, përcjell INA.

    Nga ana tjetër një deputet shqiptar që është Fatmir Bytyqi ka fituar edhe në listën e koalicionit të LSDM.

    Sipas rezultateve

    Fronti Evropian

    Blerim Bexheti

    Ilir Hasani

    Sadulla Duraku

    Skender Rexhepi Zejd

    Dijana Toska

    Elmi Aziri

    Ziadin Sela

    Musa Xhaferi

    Arbana Pasholli

    Ismail Jaoski

    Ali Ahmeti

    Talat Xhaferi

    Ilire Dauti

    Menduh Thaci

    Rina Ajdari

    Bejxhan Ilijas

    |lir Demiri

    Sali Murati

    Fatmire Isaki

    Koalicioni opozitar shqiptar VLEN

    Izet Mexhiti

    Bekim Sali

    Afrim Gashi

    Rijad Shaqiri

    Merita Koxhaxhiku

    Salim Sulejmani

    Bilall Kasami

    Bekim Qoku

    Mimoza Musa

    Halil Snopçe

    Fatmir Limani

    Saranda Imeri – Stafai

    Sadik Sulejmani

    Koalicioni LSDM

    Fatmir Bytyqi

  • ​Rriten çmimet e naftës

    ​Rriten çmimet e naftës

    Çmimet e naftës u rritën të enjten, të ndihmuar nga të dhënat që tregojnë oreks të rritur të kërkesës në SHBA dhe Kinë, konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 83,86 dollarë për fuçi në orën 10:07 të mëngjesit sipas orës lokale (0707 GMT), një rritje prej 0,34% nga çmimi i mbylljes prej 83,58 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 79,39 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0,51% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 78,99 dollarë për fuçi.

    Inventarët komercial të naftës së papërpunuar në SHBA u ulën me 1.4 milionë fuçi në 459.5 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 3 maj, në përputhje me pritjet e tregut për një rënie prej 1.43 milionë fuçi, sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA) të mërkurën vonë.

    Kina rriti importet e saj të papërpunuara muajin e kaluar në 10.88 milionë fuçi në ditë, 5.45% më shumë nga viti në vit, sipas të dhënave të doganave të Kinës të publikuara të enjten.

    Raporti i fundit i OPEC-ut për tregun e naftës parashikon një rritje prej 680,000 fuçi në ditë të kërkesës së Kinës këtë vit, duke sinjalizuar një perspektivë pozitive të kërkesës për pjesën tjetër të vitit.

    Rritja e kërkesës midis konsumatorëve më të mëdhenj të naftës në botë mbështet lëvizjen në rritje të çmimeve të naftës.

    Ndërkohë, bisedimet e vazhdueshme për armëpushimin në Rripin e Gazës po kufizojnë rritjen e çmimeve.

    Bisedimet po vazhdojnë në Kajro në prani të delegacioneve nga Katari, SHBA dhe grupi palestinez Hamas.

    Hamasi tha të hënën në mbrëmje se kishte pranuar një propozim armëpushimi në Gaza të hartuar nga Egjipti dhe Katari. /AA/

  • Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit dhe lansohet kampanja “Basket për shnet”

    Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit dhe lansohet kampanja “Basket për shnet”

    Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Korporata Rugove kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit.

    Qëllimi i këtij Memorandumi është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Korporatës Rugove përmes realizimit të kampanjës ‘Basket për shnet’, me anë të së cilës synohet promovimi dhe masivizimi i basketbollit për të gjithë.

    Memorandumin e kanë nënshkruar, Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe Dëfrim Puka, Drejtor i Marketingut në Korporatën Rugove.

    “Jemi këtu për të dëshmuar bashkëpunimin e fuqishëm, që FBK ka me Korporatën Rugove, përkatësisht me Ujë Rugove. Në kuadër të bashkëpunimit për kampanjat e ndryshme, kësaj radhe do të lansojmë ‘Basket për shnet’. Ideja është që FBK dhe Ujë Rugove të promovojnë basketbollin nëpër gjithë Kosovën dhe të vetëdijësojmë njerëzit që të merren me basketboll”, është shprehur Dushku në konferencën për media.

    “Për ne është shumë e rëndësishme që të frymëzojmë e të inspirojmë të rinjtë që të merren me kulturë sportive, përkatësisht basketboll. Duke marrë parasysh forcën e kompanisë tonë, besojmë se, mund të ndihmojmë në përhapjen e basketbollit në vendin tonë, që të masivizohet më shumë. Për ne është kënaqësi që jemi partner i FBK-së dhe të ndihmojnë këtë kampanjë”, ka thënë Puka.

    Ujë Rugove do të bëjë shpërndarjen e 1 milion shisheve me sloganin ‘Basket për shnet’ dhe me elemente të sportit të basketbollit.

    Ideja dhe qëllimi i kësaj kampanje është që sporti i basketbollit të ketë shtirje në gjithë territorin e Kosovës, duke depërtuar edhe në zonat ku nuk ka shtrirje apo ka më pak zhvillim.

    Slogani “Basket për shnet”, kujton rëndësinë e aktivitetit fizik dhe lidhjen e tij me shëndetin. Inkurajon përdoruesit të lidhin sportin me një stil jetese të shëndetshëm.