ATV

Author: ATVLive

  • Stërzgjaten punimet në rrugën “27 nëntori” në Vranjevc

    Stërzgjaten punimet në rrugën “27 nëntori” në Vranjevc

    Përgatiti: Sara Shehu

    Këtë të mërkurë, do të duhej të përfundonin punimet në këtë rrugë në njërën prej lagjeve më të mëdha në kryeqytet.

    Të revoltuar, banorët shprehen se punimet e stërzgjatura u kanë nxjerrë telashe të shumta.

    “Komuna e ka neglizhu lagjen, sidomos ketë rrugë me këto anësore që i ka vendosë janë të tmerrshme plus kompania ka punu me punëtor 15-16 vjeç, inspeksioni duhet me i denu… Pushteti lokal duhet të kenë parasysh që votat tona ma nuk do t’i marrin asniherë me kësi gjendje që s’kanë punu”, tha Ilmi Sherifi, banor.

    “Kjo gjendje është shqetësuese po na pengon në qarkullim neve këmbësorëve, komuna e Prishtinës nuk e ka kryer punën si duhet. Duhet të merren masa sa më shpejt”, tha Agim Abazi, banor.

    Madje, për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, banorët kanë mbetë edhe pa transport publik.

    “U dëmtun me kerre me këmbë e me fëmijë e me kejtë oshtë njo prej lagjeve ma të banueshme të qytetit po tash s’ka as autobus veturat i banëm llom… Përsëri ju vjen koha për zgjedhje e dimë kujt ia japim votën, kryetari që o tash kurrë e përjetë ma se ka votën tonë”, tha Isuf Zena, banor.

    Lidhur me këtë situatë, zyrtarë komunalë, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për ATV-në, kanë hedhur fajin te punëkryesi.

    “Operatori ekonomik është treguar i papërgjegjshëm dhe do të ketë masa jo vetëm ndaj tij, por edhe menaxherit të mbikëqyrësit të kontratës nga Komuna e Prishtinës. Së shpejti do të përfundojnë punimet, por jemi jashtë afatit të premtuar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Në kuadër të shpenzimeve kapitale për vitin 2023, Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunë të Prishtinës kishte ndarë 600 mijë euro për zgjerimin e rrugëve në Kodrën e Trimave, përfshirë edhe rrugën 27 nëntori.

  • Telekomi kërkon shkarkimin e ekspertëve, kërkesa refuzohet

    Telekomi kërkon shkarkimin e ekspertëve, kërkesa refuzohet

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me rezultatet e nxjerra nga plotësimi i ekspertizës financiare në kontestin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”, nuk po pajtohet assesi.

    Por, ata po kërkojnë edhe shkarkimin e tre ekspertëve që bënë këtë ekspertizë, të caktuar nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.

    Përfaqësuesi ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj, pretendon se eksperti Blerim Pushkolli, është i përfshirë në konflikt interesi, meqë, sipas tij, ai është zëvendësdrejtor i një shoqate, ku anëtare e Bordit është Shpresa Mustafa, e cila punon për Korporatën Devolli.

    Mban pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv. Ndërlidhja këtu qëndron direkte me biznesin e kreditorit, pasiqë në të njëjtën shoqatë mban pozitën e anëtares së Bordit, zonja Shpresa Mustafa e cila nga uebfaqja e të njëjtës shoqatë e ka të deklaruar që punon në një kompani të grupit “Devolli Corporation”, tha Ahmetaj.

    Pretendimet e Ahmetajt, për konflikt interesi, i mohoi eksperti Pushkolli.

    “Përzgjedhja ime është përgjegjësi ekskluzive e drejtorit ekzekutiv”, tha Pushkolli.

    Avokati i ndërmarrjes tha se edhe eksperti Bashkim Uka, është jokredibil, pasi ai dhe Shpresa Mustafa janë anëtarë të një komisioni në po të njëjtën shoqatë.
    Këto pretendime nuk e bindën gjykatësin Dren Rugova.

    “Refuzohet propozimi i debitorit për përjashtimin e grupit të ekspertëve”, tha Dren Rugova, gjyqtar i rastit.

    Vendimi e nervozoi gjithë menaxhmentin e Telekomit, por më së shumti drejtorin financiar, Feim Kelmendi.

    Madje, ata kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtarit të çështjes.

    Llogaritë e Telekomit vazhdojnë të jenë të bllokuara nga muaji shkurt, duke i lënë rreth 1800 punëtorë pa paga.

    Deri më tani, në emër të vendimit të shkallës së parë të komerciales, të marrë në shkurt, 2.1 milion euro janë tërhequr nga llogaritë e ndërmarrjes.

  • “Brezovica”, Prokuroria kërkon përjashtimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj

    “Brezovica”, Prokuroria kërkon përjashtimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj

    Përgatiti: Nora Luta

    Shumë persona përfunduan në pranga e pasuri milionëshe u sekuestruan, dhe u ndërmorën një sërë veprimesh nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në rastin “Brezovica” para dy vitesh.

    Por, nga ngritja e aktakuzës në dhjetor të 2022-s, ende nuk ka filluar shqyrtimi kryesor në këtë rast që u transferua në Gjykatën e Pejës, për shkak të dyshimeve të ngritura se vila të sekuestruara u përkisnin gjyqtarëve të Gjykatës së Ferizajt.

    E dëgjimi i dëshmitarëve nuk filloi as këtë të martë, pasi Prokuroria kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj.

    Prokurori Rasim Maloku e konsideron konflikt interesi faktin që avokati Besnik Berisha është mbrojtës i djalit të gjyqtares Asdren Mekaj, në një rast në Gjykatën e Prizrenit, dhe i Arben Çitakut në rastin Brezovica.

    Prokuroria qysh në dhjetor kishte kërkuar përjashtimin edhe të avokatit Tahir Recaj.

    Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, e cila në këtë rast fillimisht ishte anëtare e trupit gjykues, para se të zërë vendin e gjyqtarit Murat Hulaj, që kaloi në Supreme, qysh në fillim të seancës përmendi rastin e ngritur nga prokurori Maloku.

    Por ajo nuk e konsideron konflikt interesi, megjithatë për këtë do të vendosë kryetari i gjykatës.

    Rasti i djalit të gjyqtares, Asdren Mekaj, sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, është aktiv.

    Televizioni që nga java e kaluar ka tentuar të marrë një qëndrim nga avokati Berisha, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kishte kthyer as Gjykata e Pejës.

    Mekaj akuzohet për veprën penale “detyrim” dhe seanca e 4 marsit në mungesë të palëve kishte dështuar të mbahet, dhe ishin caktuar të mbahen seancat e radhës më 13 dhe 14 maj.

    Ndërkohë, në rastin Brezovica në mesin e 12 personave, inspektorë, drejtorë komunalë e investitorë, akuzohen edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Abren Çitaku, dhe kryeinspektori Bedri Halimi.

    Mungesa e këtij të fundit për arsye shëndetësore ishte gjithashtu shkak që seanca të mos zhvillohet dhe mbrojtja e tij ka kërkuar veçim të procedurës.

    Sipas aktakuzës, me ndërtime të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Brezovicë.

  • 13 marrëveshje ndërkombëtare, në pritje për miratim

    13 marrëveshje ndërkombëtare, në pritje për miratim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    13 marrëveshje ndërkombëtare ende nuk janë miratuar në Kuvend.

    Fat të njëjtë kanë edhe një sërë projektligjesh të tjera që nuk janë miratuar në lexim të dytë, por disa as edhe në parim.

    Ndërkohë, partitë në vend, përfshirë atë në pushtet sërish kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Por, para se një gjë e tillë të ndodhë, po vlerësohet se duhet të gjendet konsensus për miratimin e tyre, të paktën të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Ka pasur edhe në të kaluarën legjislatura që kanë përfunduar pa miratuar projektligjet, por marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të duhet të mbesin pa u ratifikuar, për shkak që ato prekin interesin e qytetarëve. Kuvendi duhet të konsultohet dhe të gjejë një marrëveshje që fillimisht marrëveshjet ndërkombëtare të votohen”, tha Naim Jakaj nga Intituti i Kosovës për Drejtësi.

    Fajin që këto marrëveshje po zvarriten ende, po vlerësohet ta ketë pushteti.

    “Gabimi i pushtetit ka qenë se asnjëherë nuk ka kërkuar konsensus, shumicën e rasteve i ka akuzuar qeverisjet e kaluara. Çdo marrëveshje që nuk votohet nëse shkohet në zgjedhje atëherë me shumë gjasë do të zgjatet afati i miratimit të tyre dhe ata që do të humbin janë qytetarët. Tash munden me gjetë një konsensus tashmë është kërkesa me arritë një marrëveshje për datën e zgjedhjeve në mënyrë që me u vonu edhe këto marrëveshje ndërkombëtare”, tha Lavdim Hamiti, analist.

    Disa nga marrëveshjet që në total kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove, janë marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, marrëveshja për projektin e forcimit të qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve, marrëveshja me Zvicrën për projektin e qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave, ajo e bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren e të tjera.

    Ndërkohë, në Kuvend janë edhe 66 projektligje në procedurë të shqyrtimit.

  • Dënohen gjashtë personat që akuzoheshin për shpëlarjen e 125 mijë eurove

    Dënohen gjashtë personat që akuzoheshin për shpëlarjen e 125 mijë eurove

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Disa ditë pasi pranuan fajësinë, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykim dënues ndaj gjashtë personave për shpëlarje të parave, në vlerë prej 125 mijë eurosh.

    Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, që përveç për shpëlarje parash, akuzohen edhe për pranim ose përfitim të gjësendeve në kundërshtim me ligjin, u dënuan prej 1 deri në 2 vjet burgim, si dhe me gjobë prej 3500 eurosh.

    Përveç dënimeve, të akuzuarve po ashtu u vendos që t’u konfiskohen gjësendet të blera me paratë e fituara në mënyrë të jashtëligjshme.

    Sipas aktakuzës, më 20 tetor 2021, në një pikë të derivateve në Prishtinë, të akuzuarit Laçi, Reka, Limaj, Orana, Qukovci dhe SIlamniku, në bashkëkryerje, tentuan t’i këmbejnë paratë e shpëlara me para legale.

    Sipas Prokurorisë, ata duke e ditur se shuma e të hollave prej 125 mijë e 240 euro ishte siguruar përmes aktivitetit kriminal, u përpoqën që t’i këmbejnë me para origjinale, në shumën prej 30 % të shumës së përgjithshme, t’i transferojnë ato te personat e tretë, me qëllimin që të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.

  • LDK-ja e AAK-ja kundër shpërbërjes së kuvendit, si hap i parë drejt zgjedhjeve

    LDK-ja e AAK-ja kundër shpërbërjes së kuvendit, si hap i parë drejt zgjedhjeve

    Përgatiti: Haris Ademi

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë pro idesë që hapi i parë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme të jetë shpërbërja e Kuvendit.

    Dy partitë opozitare që nuk iu përgjigjën ftesës për darkë pune të kryeministrit Albin Kurti, thonë se nuk duan të bëhen instrument i shefit të qeverisë, megjithëse shprehen të gatshme për zgjedhje parlamentare.

    “Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në qëndrimin e LDK-së.

    AAK-ja në disa raste e ka përmendur mocionin e votëbesimit për rrëzim të qeverisë Kurti 2, por që nuk është përkrahur nga partitë e tjera opozitare.

    “Ne si Aleancë e kemi propozuar një mocion të votëbesimit në Kuvend. Shpërbërja e Parlamentit për AAK-në mund të ndodhë vetëm atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.

    ATV-ja merr vesh që, nëse ndryshon klima mes subjekteve parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës mund ta propozojë shpërbërjen e Kuvendit javën e ardhshme. Ndërsa, brenda takimit Krasniqi – Kurti janë përmendur 30 qershori dhe 7 korriku si të dielat e mundshme për t’u mbajtur zgjedhjet.

    Pas darkës së të hënës, Krasniqi nuk i konfirmoi këto plane, por i përmendi si propozime.

    As Kurti nuk u lëshua në detaje. Megjithatë, ai e mbështet vetëm shpërbërjen e Kuvendit si mundësi për zgjedhje të reja. Për t’u arritur kjo, tha se duhet marrëveshje e gjerë politike.

    Kurti nuk e ka përjashtuar edhe një takim tjetër me liderët opozitarë, por ende nuk dihet nëse ata do t’i ftojë brenda kësaj apo tjetrës javë.

  • Minatorët ndërpresin grevën, pagat i marrin të premten

    Minatorët ndërpresin grevën, pagat i marrin të premten

    Përgatiti: Armand Hoti

    Minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg, e ndërprenë të martën grevën e filluar një ditë më parë. Ata morën garanci, se pagat e prillit do të ekzekutohen këtë të premte.

    “Nuk kemi shumë pritshmëri, mirëpo do t’iu qëndrojmë në një farë forme besnik fjalëve të menaxhmentit dhe presim deri në ditën e premte, mirëpo është gjendje e rëndë”, tha kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.

    Kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, thotë se të hyrat e gjeneruara nga shitja e koncentrateve gjatë prillit, nuk mjaftuan për t’i siguruar pagat e punëtorëve.

    Mbi tetë mijë tonë xehe, sa u përpunuan në flotacionin në Tunel të Parë dhe Kishnicë, nuk i sollën të ardhura ndërmarrjes, as për t’i mbuluar gjysmën e shpenzimeve mujore.

    “Kjo në tërësi është e barabartë diku me 26%, 27% të shpenzimit mujor të “Trepçës”. Shpenzimi mujor i “Trepçës” është diku një milion e 605 mijë euro. Me atë koncentrat ne arrijmë t’i gjenerojmë diku 400 mijë euro”, tha Kurti.

    Kryeshefi tregon se greva njëditore i kushtoi ndërmarrjes 45 deri në 50 mijë euro fitim të humbur.

    Drejtori i njësisë më të madhe të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ishte ai që bindi minatorët t’i kthehen punës.

    Ai thotë se numri i ulët i punëtorëve dhe teknologjia e vjetruar, bënë që edhe prodhimi në minierë të mos jetë ideali.

    Sadiku shpreson se njësia që ai udhëheq, do të këndellet në rast të ekzekutimit të huas 20 milionëshe për “Trepçën”, që qeveria e miratoi në parim në shkurt të 2023-ës.

    “Faza e parë është me pjesë rezervë të kësaj makinerie që e kemi, faza e parë do të thotë të bëjmë investime nga Qeveria me atë kredi që e ka premtuar. Faza e dytë, të them të drejtën, është në teknologji më moderne, kurse faza e tretë është për projekte madhore”, tha Sadiku.

    Kryeshefi Kurti thotë se së shpejti do të takohet me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të diskutuar lidhur me 20 milionëshin.

    “Ato janë përgatitur, janë dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, ME-ja e ka aprovuar si në rregull, d.m.th pajtohen me propozimet që i kanë dërguar, është dërguar në Ministrinë e Financave po pres për një takim me ministrin Murati, potencialisht javën e ardhshme ose këtë javë”, tha Kurti.

    Implementimi i projekteve kapitale të parapara në planin investiv, parashihet të zgjasë nga viti aktual deri në vitin 2026.

  • Përgënjeshtrohet sërish zv.kryeministri Bislimi për ulje të papunësisë

    Përgënjeshtrohet sërish zv.kryeministri Bislimi për ulje të papunësisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ligjërimin që e bëri në Institutin hungarez për Çështje Ndërkombëtare nuk e la pa shfrytëzuar edhe për lëvdata. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, e konsideroi impresionuese shkallën e uljes së papunësisë brenda tri vjetësh në Kosovë.

    Por të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se krahasuar me vitin 2019, në vitin 2023 nga 25,7 për qind papunësia u ul në 12 për qind. Megjithatë, këto të dhëna nuk përputhen në raport me shifrat e punësimit, të cilat, sipas ASK-së, u rritën për më pak se 10 për qind gjatë periudhës së njëjtë.

    Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se Qeveria po manipulon me shifra derisa ato të cilat prezantohen nuk janë reale.

    “Ky është një lloj mashtrimi i shkolluar me shifra për ata njerëz që nuk janë të përgatitur me i lexu drejt shifrat. Ku kanë shku njerëzit që kanë lypë punë, diferenca mes këtyre dy numrave tregon se njerëzit janë larguar nga Kosova”, tha Shatri.

    Përpos papunësisë, sipas ish-ministrit Shatri, manipulim bëhet edhe me shifrat e të punësuarve në Kosovë.

    “Nuk është e vërtetë që janë rritur 40 mijë vende pune për 3 vjet, janë rritur dikun 8-9 mijë sepse të dhënat tregojnë se numri i atyre që marrim pagë primare është 366 mijë këta e manipulojnë e shtojnë numrin e pagave sekondare”, tha Shatri.

    Ekonomistët vlerësojnë se këto shifra do të duhet të ishin shqetësuese për Qeverinë e jo mburrje.

    “Kur e kemi këtë tkurrje të sektorit privat kur kemi këtë fluks të ikjeve të qytetarëve, vetvete nënkupton që kemi rënie të papunësisë dhe në këtë drejtim besoj që një e dhënë e tillë duhet të jetë shqetësuese e jo krenari”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Në bazë të të dhënave të deritanishme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë vlerësohet se në Kosovë jetojnë mbi 1.5 milion banorë.

  • Përvjetori i masakrës së Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit

    Përvjetori i masakrës së Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për Veibe Gashin nga Qyshku i Pejës, 14 maji nuk shënon vetëm një përvjetor.

    Gashi që i mbijetoi masakrës së Qyshkut thotë se në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999, pa tmerrin me sy.

    Derisa shprehet se dhimbja për babanë Halilin dhe 16 anëtarë të tjerë të familjes që iu masakruan para 25 vjetëve nga forcat serbe çdo ditë i shtohet.

    “Ajo ditë ka qenë holokaust për neve. Nuk ka ma tmerr se me lypë prindin nën zjarr e mos me mujtë me gjetë. Tmerrin e asaj dite e kam pa me sy të mi, edhe pse isha në moshë të re, po dhimbja për çdo ditë vjen e shtohet edhe ma shumë”, tha Gashi.

    Teksa shpreson për drejtësi e një të ardhme më të mirë, Gashi rrëfen se si i shpëtoi ngjarjes tragjike.

    “Për neve mirë nuk ka, vetëm uroj që kjo rini që po rritet mos me përjetu atë që na kena përjetu. Kam shpëtu falë një djali shumë të vogël i cili më thirri nanë”, tha ajo.

    Peja përkujtoi të martën mbi 120 shqiptarë civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.

    Familjarët kanë ende shpresë për drejtësi, për tmerrin që thonë se nuk gjejnë fjalë për ta përshkruar.

    Në 25-vjetorin e masakrës në Qyshk dhe fshatrave përreth, homazhe bëri edhe kryeministri Albin Kurti, me disa anëtarë të kabinetit.

    Ndërkohë, gjatë muajit të kaluar Gjykata e Lartë në Beograd i dënoi me 50 vjet burgim gjithsej shtatë të akuzuar për masakrat e Zahaqit, Lubeniqit, Qyshkut dhe Pavlanit, ndërsa dy të tjerë i liroi.

  • Testi i maturës, maturantët duhet të aplikojnë në “E- Kosova”

    Testi i maturës, maturantët duhet të aplikojnë në “E- Kosova”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Maturantët i kanë ditët e fundit në shkollë, ngase të premten përfundon mësimi për ta.

    Derisa iu kanë mbetur edhe pak javë para provimit të maturës shtetërore, Ministria e Arsimit ka marrë një vendim të ri për ta.

    Sipas këtij vendimi, dy javë para datës së provimit, nxënësit duhet të regjistrohen në platformën eKosova, duke paraqitur kështu edhe provimin e maturës.

    “Zakonisht shënimet i kemi marrë nga komunat në formatin Exel, kemi vendosur që këtë vit të aktivizojmë përmes platformës eKosova një aplikacion ku nxënësit vetë do të aplikojnë, kurse shkolla do ta bëjë pranimin e atyre aplikacioneve dhe qendra do t’i ketë në kohë reale të dhënat. Aplikacioni do të duhet 2 javë para provimit, nga 1 qershor deri në 10”, tha Fatmir Elezi nga MASHT.

    Edhe menaxhmentet e shkollave tashmë janë të informuar për vendimin e Ministrisë së Arsimit.

    “Ne kemi marr e-mail zyrtar, për testin e maturës për aplikimin online, mendoj që është një nismë e mirë se çështjet administrative zvogëlohen dhe është një qasje e drejtpërdrejtë e fëmijëve në aplikimin e tyre. Ne e kemi shpërnda tek koordinatorja dhe përmes saj e kemi bërë të njohur te të gjithë maturantët”, tha drejtori i shkollës “Dr. Ali Sokoli”, Fatmir Bujupi.

    “Përmes kujdestarëve të klasës e kemi shpërnda njoftimin te nxënësit. Ende është duke u planifikuar një takim në mënyrë që neve të na njoftojnë se si do të jetë procedura e më pas ne ta dërgojmë atë te nxënësit”, tha Albana Musa, sekretare në gjimnazin “Xhevdet Doda”.

    Mirëpo, nxënësit frikësohen se mund të kenë telashe gjatë aplikimit.

    “SI vendim i ri besojmë që është i mirë, por ka edhe anët negative, është pak më vështirë sepse është procedurë për nxënësit që nuk dinë me apliku”, tha Sara Qeshko, maturante.

    Ndërkaq, njohësi i arsimit, Argjend Osmani, thotë se Ministria e Arsimit do të duhet të punonte më shumë në parandalimin e kopjimit në provimin e maturës shtetërore.

    “Ministria me një fjalë po shet inovacione në gjana periferike, por do të duhej të ishte inovative në gjëra thelbësore të punonte në përmirësimin e kushteve të mbajtjes së provimit, të punonte në eliminimin e kopjimit masiv, shpërndarjen e testeve, por që aplikimi do të jetë online nuk do të ketë fare ndikim në organizimin e testit të maturës”, tha Osmani.

    Këtë vit provimit të maturës pritet t’i nënshtrohen rreth 25 mijë maturantë.