ATV

Author: ATVLive

  • Cameron pritet ta vizitojë Shqipërinë

    Cameron pritet ta vizitojë Shqipërinë

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, javën e ardhshme pritet ta vizitojë Shqipërinë.

    Mediat britanike kanë shkruar rreth agjendës së vizitës.

    Sipas gazetës “The Sun”, se gjatë kësaj vizite ai, do të “shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri”.

    Cameron do të njoftojë një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës së njerëzve, shkruan The Sun.

    Tutje theksohet gjatë udhëtimit të tij, kryediplomati britanik do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar.

    Ndërkohë kryeministri britanik, Rishi Sunak, po përgatitet të udhëtojë në Vjenë për bisedime mbi një goditje ndaj imigracionit të paligjshëm.

    Sunak do të takohet me kancelarin austriak Karl Nehammer në fillim të javës për të bërë presion për veprime më të ashpra për t’i mbrojtur kufijtë e Europës nga kriza e migracionit.

  • Prodhuesit vendor ankohen për mos përkrahje nga shteti

    Prodhuesit vendor ankohen për mos përkrahje nga shteti

    Prodhuesit vendor në Kosovë janë ankuar për mungesë të përkrahjes nga ana e Qeverisë. Të njëjtit, kanë kërkuar nga shteti që t’i marrë më shumë parasysh prodhuesit vendor, dhe t’i stimulojë me masa më të favorshme.

    Përfaqësues të bizneseve kanë theksuar se ka rritje të prodhimit në vend, mirëpo jo edhe mbështetje ekzekutivi. Stimulimi me subvencione, apo masa të tjera është duke munguar nga ana e qeverisë tek prodhuesit vendor. Menaxheri i fabrikës për prodhimin e transformatorëve, Andi Selimi derisa ka konsideruar se këto panaire janë të rëndësishme për të promovuar biznesin e tyre dhe shkëmbyer ide me të tjerët, është shprehur se presin më shumë ndihmë nga qeveria. Madje, në disa raste, ai thotë se po harrohen nga vet shteti, duke përmendur këtu një grant nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, dhe Ndërmarrësisë, të cilët nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të kodit.

    Se duhet të ndihmohen më shumë bizneset e thotë edhe përfaqësues i një kompanie me shirita ngjitës në Kosovë, i cili prodhon mbi 50 lloje të shiritave dhe ngjitës, Martir Demiri.

    Madje, Martir Demiri thotë se sfidë është edhe mungesa e fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave. I pranishëm në panair ishte edhe menaxheri rajonal në Yildirim Group, Cemil Acar, i cili ka theksuar se janë duke bërë investime në Ferronikel në mënyrë që të fillojnë sa më shpejtë me prodhim. Ai ka thënë se kanë bërë investime për prodhimin e energjisë së gjelbër në mënyrë që të ulet kostoja e po ashtu edhe për të ndihmuar në reduktimin e emetimeve në atmosferë sa i përket nevojës për dioksid karboni.

    Ndërsa ka shtuar se së fundmi kanë zhvilluar një takim me kryeministrin, Albin Kurti, derisa e ka vlerësuar si takim të frytshëm, pasi sipas tij, qeveria është zotuar se do të japin mbështetje Ferronikelit ditëve në vijim.

  • Zbulohet data e një rimeçi të mundshëm mes Usyk dhe Fury

    Zbulohet data e një rimeçi të mundshëm mes Usyk dhe Fury

    Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është mbreti i peshave të rënda, pasi mposhti Tyson Furyn.

    Usyk triumfoi ndaj Furyt me vendim të ndarë të gjyqtarëve, duke u shpallur kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda.

    Ukrainasi e arrin këtë për herë të parë që nga Lennox Lewis në vitin 2000. Ka raportime të ndryshme gjatë orëve të fundit për një rimeç mes tyre.

    Sipas mediave britanike, një rimeç i mundshëm mund të zhvillohet në javën e fundit të tetorit, me datën 26 që është përmendur si një datë e mundshme.

  • Këto janë fjalët e Usyk pasi u shpall kampion

    Këto janë fjalët e Usyk pasi u shpall kampion

    Oleksandr Usyk është kampioni i padiskutueshëm i botës në boks në kategorinë e rëndë.

    Boksieri ukrainas e mundi britanikun Fury pas 12 raundeve.

    Ishte një vendim i ndarë dhe i ngushtë që vendosi për fituesin nga gjyqtarët.

    Ishte raundi i tetë ai që bëri diferencën, me Usyk që ishte gati ta nokautonte Furyn.

    “Po ndihem mirë, shumë njerëz u lutën për mua jua dua të gjithëve, jam shumë i lumtur. Njerëzit e mi do të jenë të lumtur mendoj, është një fitore e madhe, jo vetëm për mua, është një fitore e madhe për shtetin tim, për ushtarët që po mbrojnë shtetin tim”.

    “Mendoj se babai im po më shikon dhe është shumë i lumtur. Baba, të dua. Unë mundem, ju më thatë se unë mundem”.

    “Nuk dua të tregoj mungesë respekti për gjyqtarin, por mendoj se ai e ndali nokautin në raundin e nëntë. Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme, diçka e pabesueshme”, përfundoi ukrainasi

    Tani, Usyk ka të gjithë titujt në pronësi në kategorinë e rëndë.

  • Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Në 24 orëshin e fundit, në Policinë e Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

    Nga një rast është raportuar në Prishtinë dhe Gjakovë, derisa tre raste në Pejë.

    Njoftimi i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE

    . Prishtinë 18.05.2024 – 12:30. Janë shoqëruar për intervistim dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babë e djalë), pasi që pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në konflikt fizik në mes veti. Të dyshuarit, kanë refuzuar tretmanin mjekësor. Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    · Pejë 18.05.2024 – 02:42. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka tentuar që të thyej derën e dhomës së gjumit të bashkëshortes së tij, e cila nuk i ka hap derën. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Pejë 18.05.2024 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    · Pejë 17.05.2024 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    . Gjakovë 17.05.2024 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima nuk ka pësuar lëndime dhe ka refuzuar trajtimin mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Stoli ari, para dhe 11 ora dore, vjedhje e rëndë në Graçanicë

    Stoli ari, para dhe 11 ora dore, vjedhje e rëndë në Graçanicë

    Një person në Graçanicë ka raportuar në polici se disa persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij.

    Ai ka bërë të ditur se atij i janë vjedhur stoli ari, para dhe 11 ora dore.

    Graqanicë 18.05.2024 – 21:14. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se persona të pa njohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari, para dhe 11 ora dore. Rasti është duke u hetuar.

  • 25 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    25 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

    25 vjet më parë në Burgun e Dubravës u krye njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë ndaj shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

    Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj të vitit 1999 dhe aty u vranë 160 të burgosur shqiptarë, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

    Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

  • Veç tre prokurorë për t’i hetuar krimet e luftës – Gjykimi në mungesë e shtimi i kapaciteteve, alternativat e vetme

    Veç tre prokurorë për t’i hetuar krimet e luftës – Gjykimi në mungesë e shtimi i kapaciteteve, alternativat e vetme

    Vetëm tre prokurorë janë të angazhuar për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por ky numër është i pamjaftueshëm sipas njohësve të drejtësisë, të cilët për Ekonomia Online thonë se ky numër duhet të rritet.

    Në mungesë të prokurorëve, avokatët e shohin si mundësi edhe gjykimin në mungesë, e cila tashmë ekziston në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa sfidë tjetër e shohin edhe mosbashkëpunimin me shtetin serb.

    Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se ky proces është paksa kompleks, marrë parasysh se procesi ka qenë nën përgjegjësinë e autoriteteve ndërkombëtare. Komplekse këtë proces e sheh edhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë.

    “Natyrisht se krimet e luftës janë komplekse në përgjithësi por në rrethana të rastit tonë janë më tepër për faktin se për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore këto kanë qenë kompetence, përgjegjësi e autoriteteve ndërkombëtare. Po ashtu komplekse bëhet edhe fakti se fqinjët verior nuk ka thuajse gatishmëri fare për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës për të vënë para përgjegjësie të gjithë ata qoftë urdhërdhënësit ose edhe ekzekutorët e krimeve të luftës, prandaj nuk ka gatishmëri thuajse fare, atëherë alternativë mbetet çështja e gjykimit në mungesë tashmë me kodin e procedurë penale ekziston kjo mundësi por kërkohet angazhim shtesë, me theks të veçantë i prokurorisë”.

    “Sa i përket çështjes ë institucioneve në kuadër të policisë vitin e fundit 2023 kemi rritje te stafit të departamentit përkatës që merren me këtë çështje, ndërsa sa i përket prokurorisë natyrisht që departamenti aktual që merren me hetimet e krimeve të luftës ka një numër tejet të vogël, përkatësisht tre prokuror që merren me këtë çështje e natyrisht shpresoj që në një periudhë sa më të shkurtër ky numër të rritet pse jo edhe të dyfishohet”.

    Suksesi i mangët për të sjellë para drejtësisë të akuzuarit për krime lufte, alternativë sipas Bajraktarit mbetet gjykimi në mungesë.

    “Kjo do të ishte e mirëseardhur që kur do të kishim një fqinj verior që do bashkëpunonte me institucionet e drejtësisë të vendit tonë, pra bazuar në faktin që ata vazhdojnë me qenë rob të mendësisë se vjetër shto faktin që kemi udhëheqës të një shteti i cili natyrisht që i ka kontribuar edhe përmes propagandës dhe ajo vetëm një regjimi i cili ka kryer këto krime. Unë jam pesimist që mund të kemi ndonjë alternativë tjetër por aktualisht mbetet çështja e gjykimit në mungese e cila sipas nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale natyrisht që nënkupton disa angazhime, punë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe shtesë të Prokurorisë për ta bindur Gjykatën se është bërë përpjekje e arsyeshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, u shpreh Bajraktari.

    E avokati tjetër, Yll Zekaj thotë për Ekonomia Online se trajtimi i krimeve të luftës nuk është marrë me shumë seriozitet nga qeveritë. Kritika ka edhe për mungesë të strategjisë për hetimin e krimeve të luftës

    “Faktikisht as kjo Qeveri e as qeveritë e kaluara nuk kanë bërë mjaftueshëm për të trajtuar krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, për të hetuar dhe gjykuar. Të njëjtat duke pasur parasysh numrin e prokurorëve dhe kapacitetet që ka Prokuroria Speciale dhe departamenti për krimet e luftës për t’i trajtuar rastet e tilla. Si numër, si pozita janë 4 pozita në këtë departament por faktikisht kemi tre prokuror që tanimë merren me krimet e luftës e që është numër jashtëzakonisht i vogël për t’i trajtuar të gjitha ato krime që kanë ndodhur në Kosovë”.

    “Duhet të kemi parasysh që kemi mbi 13 mijë civilë të vrarë, kemi mbi 1 500 të zhdukur dhe sipas raporteve të ndryshme kemi mbi 22 miliardë dëme të krijuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe të gjitha këto janë potencial për tu hetuar. Edhe qeveritë e kaluara edhe kjo nuk kanë bërë asgjë për t’i trajtuar e ngritur kapacitet e prokurorisë në këtë drejtim. Ende nuk kemi një strategji të Kuvendit për t’i trajtuar krimet e luftës e që kemi strategji për shumë gjera të tjera por jo edhe për krimet e luftës e që është dashtë të jetë një e tillë për t’i caktuar objektivat se si të trajtohen këto krime. Duhet të shumëfishohet numri i prokurorëve e stafit profesional brenda Prokurorisë dhe duhet t’i ngritim kapacitet profesionale në task-forcat policore për t’i trajtuar këto”, deklaroi Zekaj.

    E krahasuar Kosovën me shtetet e rajonit të cilët kanë dalë nga lufta, Zekaj thotë se e kanë marrë me shumë seriozitet dhe kanë investuar më shumë. Ndërsa gjykimin në mungesë, nuk e sheh fortë frytdhënës.

    “Është bërë shumë e madhe gjykimi në mungesë por edhe gjykimi në mungesë ka kufizime të caktuar të cilët prapë se prapë nuk mund t’i zhvillosh në mënyrë të pakufizuar. Ne theksoj se kemi problem me kapacitet njerëzore profesionale e cila është mungesë e vullnetit politik për t’i zhvilluar të njëjtat, nuk mund të aludoj Kosova që me tre prokurorë me mungesë të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve mund të bëjnë më tepër për adresimin e krimeve të luftës. Nëse i këqyrim shtetet tjera, Kroacia e Bosnja që kane pasur histori të njëjta të luftës me ne ata kanë investuar 10 fish ose më shumë se sa që ka investuar Kosova në kapacitet e luftës dhe kjo tregon një jo seriozitet sidomos spektrit politik”, thotë ai.

  • Këndimi me zë të lartë, një terapi e dobishme që lufton depresionin pas lindjes

    Këndimi me zë të lartë, një terapi e dobishme që lufton depresionin pas lindjes

    Këndimi me zë të lartë është një kurë mjaft e mirë për të gjitha nënat që vuajnë nga depresioni i paslindjes.

    Ky është rezultati i një studimi të fundit publikuar në britaniken “Journal of Psychiatry”.

    Shkencëtarët studiuan 134 nëna të reja nga e gjithë bota duke i grupuar në tri grupe të ndryshme: njëri grup ishte pjesë e këngëve, një tjetër ishte pjesë e lojërave kreative dhe grupi i tretë bënte çdo gjë si në përditshmëri, ku nënat e reja mbështeteshin nga familja, merrnin qetësues për depresionin pas lindjes ose bëheshin pjesë e seancave të ndryshme trajnimi me beben.

    Pas një vëzhgimi të gjatë, shkencëtarët zbuluan se nënat që këndojnë ose krijojnë këngë për foshnjat e tyre kurohen më shpejt nga depresioni pas lindjes krahasuar me nënat e grupeve të tjera të përfshira në këtë studim.

    Të gjitha grupet u bënë pjesë e studimit gjatë 10 javëve, por në gjashtë javët e para grupi i këngëve tregoi një rënie mesatare prej 35 për qind të simptomave depresive.

    Autori kryesor i studimit, Daisy Fancourt, nga Universiteti i Londrës, tha se të kënduarit është një tjetër terapi e dobishme për t’u ofruar nënave të reja që vuajnë nga depresioni pas lindjes. “Këto rezultate janë me të vërtetë interesante, sepse sugjerojnë diçka shumë të thjeshtë si kurë që u referohet nënave të reja”.

  • Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me ShBA-të: Dëshmi e fuqizimit mes dy shteteve tona

    Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me ShBA-të: Dëshmi e fuqizimit mes dy shteteve tona

    Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen, ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online. Ato nënshkruajtën një marrëveshje mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

    Gjatë konferencës për media presidentja Osmani tha se aleanca e Kosovës me SHBA-të është e përjetshme dhe kjo po pasqyrohet vazhdimisht.

    “Aleanca jonë e përjetshme pasqyrohet dhe zgjerohet vazhdimisht. Vizita e zonjës Allen dëshmon përkushtimin tonë të ndërsjelltë. I shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se kjo mbështetje po vazhdon edhe sot. Bashkëpunimi ynë është materializuar në forma të ndryshme. Kjo marrëveshje është dëshmi e fuqizimit mes dy shteteve tona. Jam jashtëzakonisht e lumtur që nënshkruam këtë marrëveshje që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacioneve. Fushatat dezinformuese synojnë ta cenojnë demokracinë në shtetet tona. Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme sidomos nga Rusia e cila po synon të sjell destabilizim. Këto forca dashakeqëse synojë të sulmojnë shtetet tona. Marrëveshja e sotme është në këtë funksion nuk përbën një tjetër marrëveshje por synon një pikë kthese në bashkëpunimin tonë dhe lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe manipulimit të informacionit”, ka thënë Osmani.

    Në fund Osmani ka thënë se Kosova gëzon lirinë demokracinë “falë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

    “SHBA janë aleati ynë kryesor”, tha ajo.